Paralajmëron Veseli: Ekziston mundësia e sulmeve terroriste nga grupe të armatosura të komanduara nga Serbia

Intervista

Paralajmëron Veseli: Ekziston mundësia e sulmeve terroriste nga grupe të armatosura të komanduara nga Serbia

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 dhjetor 2023 Në ora: 18:30
Foto ilustrim

Në një intervistë për “Bota sot” ish-koloneli, Afrim Veseli ka folur për aktualitetin në vend, me theks të veçantë, situatën e sigurisë.  

Ai ka thënë se aktualisht siguria në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë.  

Veseli ka thënë se ekziston mundësia për sulme terroriste të komanduara nga Serbia, me petkun e banorëve lokal të veriut të vendit 

Sa i përket FSK-së, ai thotë se për të operuar në veri, FSK në bashkëpunim dhe koordinim me NATO, mund të ofrojë kapacitetet e saj.  

Kurse, për anëtarësimin e FSK-së në NATO, Veseli thotë se është proces politik dhe ngritje e kapaciteteve të mëtejme të FSK-së, duke shtuar se tani FSK është në rrugë të mbarë.  

Image
Ish-koloneli, Afrim Veseli

Intervista e plotë:  

“Bota sot”: Si komentoni situatën e sigurisë në Kosovë?    

Afrim Veseli: Situata e sigurisë në vend është mjaft e brishtë, sidomos prej ngjarjes së 24 shtatorit. Por, forcimi i KFOR me trupa të reja shtesë, jep të kuptojmë se situata është nën kontroll dhe nuk do te lejohet që ajo të destabilizohet nga ana e shtetit serb.  

“Bota sot”: Cili është opinioni juaj për gjithë reagimet e shumta, por edhe spekulimet që u bënë pas vrasjes së Liridona Ademajt?  

Afrim Veseli: Rasti tragjik i Liridonës ka prek çdo njeri në Kosovë. Është makabre vrasje e një nëne. Por mendoj se është spekuluar shumë lidhur me motivet. Për këtë rast kompetent për të dhënë informacione janë vetëm Policia jonë dhe Prokuroria.  

“Bota sot”: Çfarë duhet të ndryshohet që FSK-së t’i lejohet të shkojë në veri në rast të ndonjë sulmi?    

Afrim Veseli: Nuk ka nevojë për asnjë ndryshim në aspektin ligjor lidhur me FSK dhe mundësinë e dërgimit të saj në veri

FSK është se nuk ka arrite kapacitet e plota operacionale për të marrë në përgjegjësi të plotë mbrojtjen e territorit.  

Kjo përgjegjësi është e NATO. Por në rast nevoje, FSK në bashkëpunim dhe koordinim me NATO, ajo mund të ofroj kapacitet e saj, për të mbrojtur territorin e Kosovës.  

“Bota sot”: Anëtarësimi i FSK-së në NATO kur prisni që të ndodhë, çfarë duhet të bëhet më tepër për përshpejtimin e procesit?   

Afrim Veseli: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, është proces politik dhe ngritje e kapaciteteve të mëtejme të FSK. FSK është në rrugë të mbarë. Por politika e Kosovës duhet të bëjë më shumë, duke treguar stabilitet politik brenda vendit, përkushtim dhe aleat i besueshëm dhe të mos udhëhiqet nga politika ditore që kanë për qëllim fitim elektoral.  

“Bota sot”: Presindetja Osmani në Samitin në Bruksel ka thënë se ka informacione për përgatitje për sulme serbe ne veri, si e komentoni këtë?    

Afrim Veseli: Ekziston mundësia e sulmeve terroriste nga grupe të armatosura të komanduara nga shteti serb, me petkun e banorëve lokal të veriut të vendit. Por, Kosova ka kapacitet për të menaxhuar çdo lloj të kësaj natyre të rreziqeve së bashku me NATO.  

“Bota sot”: Si i patë protestat e NjSI-së për rritje të pagës?   

Afrim Veseli: Policia e Kosovës ka të drejtën e saj ligjore dhe morale të kërkojë rritjen e pagës dhe pagesën e shkallës së rrezikshmërisë.  

Është për të ardhur keq qëndrimi i z.Kurti dhe sjellja e tij ndaj njësive elitare por edhe të krejt Policisë se Kosovës. Thjesht ata kane të drejtë ata janë engjëjt mbrojtës të Kosovës dhe niveli i pagave të tyre është për të ardhur keq.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat