Një vit sfidues dhe me shumë suksese për IPK-në, Hodaj shpalos të arriturat dhe synimet për vitin 2023 

Intervista

Një vit sfidues dhe me shumë suksese për IPK-në, Hodaj shpalos të arriturat dhe synimet për vitin 2023 

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 20 dhjetor 2023 Në ora: 18:59
Kushtrim Hodaj

Në një intervistë për “Bota sot”, kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka folur rreth punës së këtij institucioni përgjatë vitit 2023.  

Ai ka thënë se në bazë të statistikave të vitit të kaluar dhe të këtij viti, ankesat janë përafërsisht të njëjta të raportuara nga qytetarët.  

Hodaj tutje, ka folur edhe për sfidat, duke përmendur një prej tyre e cila sipas tij është mungesa e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve logjistike për institucionet e zbatimit të ligjit. 

Duke mos hequr dorë, ai thotë se kanë arritur të kenë një performancë jashtëzakonisht të mirë dhe të vlerësuar tashmë brenda dhe jashtë Kosovës.  

Sa i përket inspektimeve, ai thotë se këtë vit IPK ka realizuar 12 inspektime, për të përmirësuar performancen e Policisë së Kosovës në disa fusha.  

Kurse, si prioritet kryesor që mbetet edhe për vitin tjetër, janë aktivitet që ndikojnë në fuqizimin e integritetit në Policinë e Kosovës.  

Intervista e plotë:  

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e IPK-së gjatë viti 2023?  

Kushtrim Hodaj: IPK gjatë vitit 2023 (deri në muajin dhjetor)  ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1561 ankesa. Prej tyre 1051 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës, 500 nga to janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK më dyshimin për veprimtari penale kurse 10 raste janë dërguar në Institucione tjera.  

Duke ju referuar statistikave të vitit të kaluar dhe atyre të këtij viti vërehet se trendi i numrit të raportimeve dhe ankesave të pranuara nga qytetarët është pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar me një rritje të lehtë të numrit të ankesave. IPK gjatë vitit 2023 (deri në muajin dhjetor)  ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1561 ankesa kurse vitin e kaluar ka trajtuar 1697 ankesa.  

Bazuar në të dhënat nga evidencat zyrtare, gjatë vitit 2023 (deri në muajin dhjetor) , subjekti hetimit nga IPK kanë qenë gjithsej 176 të dyshuar të cilët janë hetuar me dyshimin se kanë kryer vepra penale.  

Për periudhën raportuese, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime:  

-ka arrestuar 35 të dyshuar ( 21 punonjës policor dhe 14 qytetar),  

-69 rekomandime për suspendim,  

-në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 69 Kallëzime Penale, 45 Raporte të Veçanta dhe 48 Raporte Informuese.  

 “Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat e IPK-së?     

Kushtrim Hodaj: Mungesa e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve logjistike shpeshherë është sfidë për institucionet e zbatimit të ligjit, por megjithatë konsideroj që kemi arritur të kemi një përformancë jashtëzakonisht të mire dhe të vlerësuar tashmë brenda dhe jashtë Kosovës, duke ju falënderuar edhe partnerëve ndërkombëtar në veçanti, institucioneve nga Qeveria Amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale e teknike për IPK-në.  

“Bota sot”: Sa mendoni se kanë qenë efikase inspektimet tuaja në performancën e Policisë në sektorë të ndryshëm të hetimeve?  

Kushtrim Hodaj: Përgjatë këtij viti IPK ka realizuar 12 inspektime, për të përmirësuar performancën e Policisë së Kosovës në fushat e inspektuara e inspektuara si në vijim:  

-Mernaxhimi i Fondit Emergjent nga Policia e Kosovës,  

-Vlerësimi i performances së Stacionit Policor të Obiliqit,  

-Vlerësimi i performances së Stacionit Policor të Gjakovës,  

-Shqyrtimi i shkeljeve disiplinore dhe shqiptimi i masave ndaj punonjësve të Policisë nga Komisioni i Brendshëm Disiplinor,  

-Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Ferizajt,  

-Vlerësimi i Performancës së Stacionit Policor të Klinës,  

-Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës,  

-Vlerësimi i zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e Pikave të Përbashkëta të Kalimit Kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar,  

-Menaxhimi i trafikut rrugor në Kryeqytet,  

- Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Malishevës,  

-Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Istogut,  

-Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Fushë Kosovës.  

Në secilin inspektim që IPK ka përfunduar ka dhënë rekomandime që për qëllim e kanë përmirësimin e performancës policore dhe përmirësimin e shërbimeve të sigurisë karshi qytetarëve të vendit. Shembull i kësaj mund të merret raporti i inspektimit lidhur me “Trajtimin e dhunës në familje nga Policia e Kosovës” i cili është realizuar në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta dhe është përqendruar në stacionet policore në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike dhe në Divizionin e Policimit në Bashkësi. Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues, operativ dhe hetimor.  

IPK-ja në kuadër të këtij inspektimi ka dhënë nëntë (9) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e përmbushjes së ekipeve hetimore me personel të mjaftueshëm për trajtimin e rasteve, ushtrimin e kontrolleve për të siguruar kohë më të shpejtë të reagimit në thirrje të qytetarëve për dhunë në familje, përpilimin e raporteve ditore lidhur me të gjitha rastet, ndjekjen e procedurës së aprovimit të kallëzimeve penale sipas zinxhirit komandues të përcaktuar, sigurimin e teknologjisë për komunikim për intervistimin e palëve, krijimin dhe funksionalizimin e “dhomave mike” në kuadër të stacioneve, etj.  

“Bota sot”: Cili është prioriteti kryesor i Inspektoratit Policor?  

Kushtrim Hodaj: Prioritet kryesor i yni për vitin tjetër mbeten aktivitet që ndikojnë në fuqizimin e integritetit në Policinë e Kosovës, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet Shërbim Policor, profesional, i përgjegjshëm e demokratik. Do të shtojmë aktivitetet tona në luftimin e çfarëdo veprimi të kundërligjshëm apo tejkalimi të autorizimeve nga e zyrtarëve policor të të gjitha niveleve. Gjithashtu do të shtrijmë kontrollin dhe mbikëqyrjen përmes inspektimit të gjitha fushave të menaxhimit policor, proces përmes të cilit në evidentojmë të gjetura dhe japim rekomandime se si të përmirësohet puna e Policisë. Gjithashtu do të vazhdojmë të rrisim koordinimin dhe bashkëpunim dërinstitucional vendor dhe rajonal për të rritur efikasitetin dhe profesionalizmin në trajtimin e rasteve.  

Në fund ju falënderoj juve për mundësinë për të ndarë me qytetarët sukseset e punës së IPK-së, gjithashtu falënderoj qytetarët për besimin e treguar në IPK dhe bashkëpunim në hetimin e dukurive negative brenda Policisë së Kosovës. Ju uroj festat e fund vitit dhe shpresojmë në  një bashkëpunim dhe rezultate edhe më të mira në vitin që vjen. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat