Ekskluzive/ Qehaja zbulon skenarin e ri serb për sulm në Kosovë, ky është paralajmërimi i keq i Vuçiqit për 2024-tën

Intervista

Ekskluzive/ Qehaja zbulon skenarin e ri serb për sulm në Kosovë, ky është paralajmërimi i keq i Vuçiqit për 2024-tën

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 dhjetor 2023 Në ora: 19:00
Ramadan Qehaja

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë Ramadan Qehaja, vlerëson se situata e sigurisë në Kosovës është e brishtë dhe e ndërlikuar, me mundësi të eskalimit dhe përshkallëzimit, në pjesën veriore të vendit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Qehaja nuk e ka përjashtuar mundësinë e një sulmi të ri nga Serbia, me një skenar të ngjashëm me atë të 24 shtatorit, të këtij viti.

Ai beson se sulmi i ri eventual, do të mund të kryhet në terrenin kodrinoro-malor në veri të Kosovës, që sipas tij, është shumë i përshtatshëm për luftime të njësiteve të vogla.

Ndërsa, paralajmërimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për vitin 2024, ai i sheh si paralajmërime të këqija, me mundësi gjendjeje lufte, duke kërkuar nga Kosova që ta merr parasysh këtë gjë.

Si detyrë parësore, sipas Ramadan Qehajës, Kosova duhet ta ketë anëtarësimin në mënyrë të përshpejtuar në kuadër të NATO-s dhe Partneritetin për paqe me NATO-n, për të cilin thotë se Kosovën nuk mund ta pengojë askush.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Qehaja, kanë kaluar rreth 3 muaj që nga sulmi terrorist në Banjskë. Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në Kosovë, konkretisht në pjesën veriore?

Ramadan Qehaja: Është e vërtetë që ka kaluar një kohë bukur e gjatë prej se ishte kryer sulmi terrorist, në brendi të territorit të Kosovës, përkatësisht në Banjskë. Kjo, sipas mendimit tim ka bërë që siguria në Kosovë të jetë mjaft e ndërlikuar, pavarësisht se disa thonë se është stabile dhe pa ndonjë rrezikshmëri, sidomos në pjesën më të madhe të Kosovës. Në anën tjetër, kjo situatë ka vendosur në lëvizje të gjithë akterët politikë dhe të sigurisë në vend, duke vlerësuar këtë situatë mjaft të rëndë dhe duke alarmuar bashkësinë ndërkombëtare për atë që ndodhi në territorin tonë.

Në Kosovë, pas kësaj ngjarjeje, konsideroj se situata e sigurisë është e brishtë, ndërsa në pjesën veriore, mendoj se situata e sigurisë mund të quhet me një brishtësi të skajshme, me mundësi të eskalimit dhe përshkallëzimit të theksuar, këtë po e nënvizoj, të situatës së sigurisë në vendin tonë.

“Bota sot”: Cili mendoni se ishte skenari dhe qëllimi i grupit të armatosur serb me sulmin në Banjskë? Kapja e armatosur e veriut, shkallëzimi në luftë Kosovë-Serbi apo diçka tjetër?

Ramadan Qehaja: Unë dua të theksoj disa elemente për këtë, ndoshta më tepër nga aspekti ushtarak. Fillimisht ju e dini që unë në disa raste kam shkruar dhe kam deklaruar se situata e sigurisë në vendin tonë, është mjaft e brishtë dhe me rrezikshmëri të madhe për eskalim të situatës. Disa analistë, por edhe të tjerë intelektualë, më kanë thënë që unë po i shtyj të mendojnë për një luftë që nuk do të ndodhë këtu në Kosovë, gjë që unë ju kam thënë se mund të ndodhë, përafërsisht kjo çka ndodhi këtu në veriun e Kosovës me 24 shtator të këtij viti. Me një fjalë, qëllimi i sulmit terrorist serb në Banjskë, ishte të bëhet detashimi i grupit të specialistëve të ndryshëm, pra të ushtarakëve, policëve, xhandarëve dhe ekspertëve të Sigurimit shtetëror serb, pra ishte qëllimi të futej armatimi i bollshëm dhe të armatosej një numër i popullatës lokale atje dhe të futën në njësitet ushtarake apo luftarake. Unë, sipas asaj që kam parë, edhe pse nuk kam qenë në vendin e ngjarjes, kam menduar për këtë problem të mundshëm.

Në bazë të armatimit që është konfiskuar atje dhe në bazë të asaj që kam parë, mendoj se ka pasur armatim për formimin e një batalioni ushtarak, i cili do të vepronte në atë pjesë të territorit tonë. Batalioni, mund të ketë 300-600 njerëz, varësisht prej situatës. Ata pas formimit të këtij batalioni, kanë pasur për qëllim që të marrin disa pika, apo siç themi ne ushtarakët, disa pozicione shumë të rëndësishme, dominuese, deri në lumin Ibër; të bëhet vrasja e një numri të policëve tanë atje; të futet një frikë dhe njëkohësisht të organizohet një gjuajtje nga distanca me armë artilerike, raketore, të disa caqeve në brendi të territorit tonë, psh. në rajonin e gjerë të Mitrovicës, por edhe të Prishtinës dhe kështu të bëhet një situatë tejet e palakmueshme dhe të mos ketë mundësi të bëhen përforcime në veri të Kosovës dhe në këtë mënyrë shumë lehtë ta marrin atë pjesë të territorit, përkatësisht t’ia bashkangjitin Serbisë. Ky do të ishte një përshkallëzim i rrezikshëm i situatës së sigurisë dhe krijim i gjendjes së luftës në Kosovë. Por, falë syçeltësisë së Policisë sonë dhe organeve tjera të sigurisë, por edhe estabilishmentit politik, kjo situatë u kthy në favorin tonë.

“Bota sot”: Sa janë gjasat që Milan Radojçiq të ekstradohet në Kosovë?

Ramadan Qehaja: Po, Radojçiq vet ka deklaruar dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, por unë mendoj që përgjegjës është Beogradi zyrtar, sepse ai vet nuk ka mundur ta ndërmerr një aksion të tillë, të masave të tilla siç kanë menduar ata. Në bazë të asaj se çfarë roli ka pasur ai person dhe të tjerët dhe çfarë ka sot në Serbi dhe çka ka bërë deri më tani, unë mendoj se vështirë që ai mund të ekstradohet këtu në Kosovë, aq më parë që ata po thonë se Kosovën e trajtojnë si pjesë të Serbisë dhe nuk duan që atë ta dorëzojnë te organet e drejtësisë në Kosovë. Andaj, unë nuk besoj që do ta dorëzojnë Radoiçiqin, përveç nëse bëhet një trysni jashtëzakonshme e madhe e faktorit ndërkombëtar, veçanërisht e superfuqive në Beogradin zyrtar, përkatësisht te presidenti Vuçiq, atëherë mund të ndodhë kjo.

“Bota sot”: Presidentja Osmani në Samitin në Bruksel, ka alarmuar se ka informacione për përgatitje për sulme serbe në veri të Kosovës. Njëjtë po paralajmëron edhe kryeministri Kurti, si e komentoni këtë, a ka rrezik për sulm të ri?

Ramadan Qehaja: Po, është e vërtetë se zonja Osmani dhe zoti Kurti e kanë thënë këtë dhe e kanë paralajmëruar bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti NATO-n dhe SHBA-të posaçërisht për rrezikun që na vjen nga fqinji verior. Mirëpo, ata sipas mendimit tim nuk kanë specifikuar, në çfarë mënyre do të bëhej ky sulm, sepse këto ishin më shumë deklarata politike të tyre dhe që kuptohet pse nuk kanë hyrë në detaje tjera.

Unë konsideroj se skenari i destabilizimit do të ishte i ngjashëm sikur ai i 24 shtatorit të këtij viti. Kjo do të thotë se me fjalë të tjera, nuk mund të pritet ndonjë sulm frontal ushtarak në atë pjesë të territorit, sepse tash edhe në doktrinën ushtarake ka ndryshime shumë të mëdha dhe nëse do të ndërmirrej ndonjë sulm frontal ushtarak në atë pjesë të territorit, do të kishte reprekusione shumë të mëdha dhe do të tentohej të bëheshin detashime të specialistëve, në disa pozicione dhe pika në atë pjesë të territorit dhe të shfrytëzohen elementet destruktive, të cilat ekzistojnë te popullata, qoftë ajo vendore, por edhe gjetiu.

Nuk mendoj që ky sulm eventual, për çka ne besojmë se mund të ndodhë, do të kryhet në drejtimin e njëjtë, që është kryer deri më tani, por depërtimi i forcave të parapara për këtë mundësi të destabilizimit, do të ndodhë në terrenin kodrinoro-malor, i cili dominon atje dhe shumë i përshtatshëm për luftime të njësiteve të vogla. Këto njësite, sidomos të rangut të togut, mund të barten me helikopter dhe me mjete të tjera dhe të pozicionohen në pika shumë të rëndësishme, prej nga mund të krijojnë humbje të mëdha njerëzore. Njëkohësisht, mund të kryhen gjuajtje me mjete raketore dhe të shfrytëzohen siç thashë edhe më parë, edhe njerëzit lokalë dhe ata do të kyçen në njësitet ushtarake, të cilat ata mendojnë t’i përdorin për këtë qëllim.

Ne duhet të bëjmë një vlerësim të mënyrës së veprimit të ushtrisë dhe policisë serbe, do të thotë nuk duhet të rrimë duarkryq, por ne si ushtarakë dhe sidomos ata, të cilët punojnë në institucione, duhet të kemi variante se si mund të veprojnë forcat serbe në këtë rast.

“Bota sot”: Si e keni parë grumbullim e ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën, që ka nxitur NATO-n të shtojë numrin e forcave paqeruajtëse?

Ramadan Qehaja: Kur është fjala për NATO-n, unë do të thoja që ne duhet të kemi një detyrë parësore, lidhur me këtë që të anëtarësohemi në mënyrë të përshpejtuar në kuadër të NATO-s. Kjo na mundëson, që sado kudo të jemi më të sigurt, edhe pse jam i vetëdijshëm që kjo nuk do të jetë e lehtë, sepse katër shtetet – anëtare të NATO-s, që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës do të bëjnë probleme lidhur me këtë.

Në kuadër të përafërimit me NATO-n, duhet të kemi një Partneritet për paqe. Ky do të duhej të ishte veprim i parë. Por, kjo deri më tani nuk ka ndodhur. Nuk mendoj që për Partneritet për paqe, deri më tani ka mundur dikush të na pengojë, por pse nuk ka ndodhur dhe pse kjo vonesë, unë kam përgjigjje të saktë. Nuk e di, sepse nuk jam në institucione, por kujtoj se kjo vonesë është e pakuptimtë, sa i përket Partneritetit për paqe në NATO. Lidhur me këtë, duhet të jemi këmbëngulës në kërkesën për anëtarësim në NATO, posaçërisht në shkallën e parë të veprimit, të anëtarësimit në Partneritet për paqe në kuadër të NATO-s. Por, unë nuk po shoh ndonjë aktivitet të madh lidhur me këtë, ndoshta në diplomaci kjo ndodhë, por nuk po shihet që ne jemi shumë të zëshëm lidhur me këtë, sepse kemi të drejtë të kërkojmë këtë.

Së dyti, NATO-ja, sidomos kohëve të fundit, e ka zvogëluar skajshmërisht shumë KFOR-in, edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm që një situatë e luftës sikur ajo e shtatorit, mund të ndodhte. Ndërsa, tash pasi u pa se çfarë ndodhi, prej atyre demostratave, sulmit në njësitet e KFOR-it, ku u plagosën shumë rëndë disa ushtarë të KFOR-it dhe u ndërmorën masat e përforcimit të njësiteve në Kosovë. Kjo është mirë, pasi patrullimet kryhen në pjesën veriore të vendit tonë, por edhe në tërë territorin, aty-këtu ku është e mundshme dhe një bashkëpunim më i madh në mes të policisë sonë dhe njësiteve të KFOR-it, po shihet se është më i theksuar dhe kjo është mirë.

“Bota sot”: A besoni se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të jetë zgjidhje për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të rajonit?

Ramadan Qehaja: Mendoj se anëtarësimi në NATO do të ishte një siguri shumë më e madhe për ne. Siguri në atë kuptimin që kur të jesh anëtar i NATO-s ke mbrojtje, sepse ashtu është paraparë në statutin e kësaj organizate ushtarako-politike. Shumë ngadalë po shkon çështja e anëtarësimit, edhe pse deklarativisht kemi thënë se ne jemi të interesuar, por duhet të jemi më të zëshëm, të kemi kërkesa më të mëdha lidhur me këtë, sidomos kur është fjala për Partneritetin për paqe. Tjetër është anëtarësimi e tjetër Partneriteti për paqe. Ky do të duhej të ishte veprimi i parë i ndërmarr nga ne.

“Bota sot”: Vuçiq ka paralajmëruar se ka frikë që viti 2024 do të sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira, a mendoni se ai në të vërtetë po shpallë luftë?

Ramadan Qehaja: Sa i përket Vuçiqit, në një mënyrë, ai na ka shpallur luftë edhe më herët. Ju e dini që ka pasur disa lëvizje ushtarake, në bazë të urdhëresës së tij, si komandant suprem i forcave të armatosura të Serbisë. Këto lëvizje kanë qenë të orientuara drejt kufirit me Kosovën dhe kjo ka ndodhur në dy-tri raste deri më tani. Ai në mënyrë të ashpër ka urdhëruar që deri në 2 kilometra, ndoshta dhe më afër, të afrohen njësitet e ndryshme luftarake.

Ju e dini që kjo situatë ka bërë që ky presion të jetë një lloj lufte speciale, që e ka zhvilluar Vuçiqi, por sa ka pasur rezultate apo jehonë, mbetet të diskutohet kjo çështje. Por, e vërteta është që na u kanë afruar shumë njësitet ushtarake serbe afër kufirit, me qëllimin që siç e ka thënë Vuçiqi, që i tëri territori i Kosovës të kthehet në kuadër të Serbisë, sepse ky sipas tyre, është territor i tyre.

Është e vërtetë që Vuçiqi ka paralajmëruar që në vitin 2024, do të ketë kthesa vendimtare politike dhe ndoshta edhe të përshkallëzimit të situatës së sigurisë siç thotë ai. Vuçiq paralajmëron se do të jetë një gjendje e luftës këtu në Kosovë. Ky është një paralajmërim shumë i keq dhe ne duhet ta marrim këtë për bazë.

Në anën tjetër, unë e theksova pak më parë, që KFOR-i është përforcuar me trupa shtesë dhe në armatim diçka, dhe megjithëse unë nuk kam qenë i kënaqur me veprimet e deritanishme sa i përket sigurisë në pjesën veriore, por edhe në tërësi, por tash në kohën e fundit është një përmirësim i gatishmërisë vepruese të njësiteve të KFOR-it, sidomos në veri dhe e kemi një bashkëpunim të mirë në mes tyre dhe policisë së Kosovës.

Në këtë kontekst, më lejoni që të theksoj që ne duhet me një këmbëngulje të kërkojmë heqjen e kufizimit të lëvizjes së forcave të FSK-së në atë pjesë të territorit tonë, sepse kur është nënshkruar ajo letër, ka qenë tjetër situatë, por po shihet se kjo është kundërkushtetuese, sepse askush nuk ka të drejtë që ta kufizojë ushtrinë e Kosovës që të lëviz në çdo cep të territorit të vet, pra kjo çuditërisht ka ndodhur. Por, pas kësaj situate, ne me këmbëngulësi duhet që të kërkojmë që ky dokument të mos jetë më në fuqi.

Ne duhet të përgatitemi për çdo eventualitet, ashtu siç thonë edhe presidentja dhe kryeministri për mbrojtje të sovranitetit tonë. Në këtë drejtim, mendoj se KFOR-i ka një rëndësi shumë të posaçme, por duke mos dashur ta nënçmojë punën e tyre dhe të eprorëve të KFOR-it, mendoj se sikur njeriu ynë, ushtari ynë, polici ynë, që është me një moral shumë të lartë, nuk mund të jetë asnjë ushtaë në Kosovë, qoftë edhe në kuadër të KFOR-it. Prandaj, them që duhet të ngrisim gatishmërinë tonë vepruese, të njësiteve tona të ushtrisë, policisë dhe organeve tjera të sigurisë.

Sa i përket veprimeve eventuale ushtarake serbe në Kosovë, duhet theksuar se ne e kemi krejt një situatë tjetër tash, pasi e kemi shtetin tonë, qeverinë tonë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, etj. Edhe pse jemi shtet i vogël, edhe pse numerikisht ushtria jonë është më e vogël, ushtarët tonë e kanë një moral shumë të lartë dhe duhet pasur këtë parasysh. Njeriu i lindur në Kosovë, mund ta jep maksimumin më të madh në luftë, duke mos nënçmuar ndihmesën e aleatëve tonë, të cilët mund të na ndihmojnë në këto situata tejet të rrezikshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat