Ambasadori francez: Kosova është Evropë; mos pini duhan në prani të fëmijëve

Intervista

Ambasadori francez: Kosova është Evropë; mos pini duhan në prani të fëmijëve

Më: 1 janar 2024 Në ora: 17:04
Olivier Guero

Ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, para se të caktohej për të shërbyer në vendin tonë, nuk ka pritur që Kosova të ketë afërsi të madhe me Evropën Perëndimore.

Mirëpo, në një intervistë për Klankosova.tv, ai thotë se ka gjetur tjetër situatë dhe thotë se kjo afërsi ka ardhur si pasojë e diasporës dhe refugjatëve që u kthyen në Kosovë pas disa viteve të kaluara në Francë apo në vende të tjera perëndimore.

Madje tash ai thotë se Kosova është Evropë dhe nuk është aq ndryshe nga vendet tjera evropiane “siç shumë besojnë”.

“Nuk e prisja që afërsia me Evropën Perëndimore të ishte kaq e madhe. Kjo ndoshta për shkak të diasporës dhe refugjatëve që u kthyen në Kosovë pas disa viteve të kaluara në Francë apo vende tjera. Sido që të jetë, Kosova nuk është aq ndryshe sa shumë besojnë. Kosova është Evropë. Jam i kënaqur që shumë kosovarë kanë mundësinë të bëjnë këtë konstatim, në drejtim të kundërt, duke ardhur më lehtë për të vizituar BE-në me liberalizimin e vizave”, ka thënë Guerot.

Diplomati francez theksoi se ajo që i ka bërë më shumë përshtypje në Kosovë është diversiteti i madh në një territor të vogël.

Ai theksoi në intervistë se një pikë që Franca dhe Kosova mund ta kenë të përbashkët, e që nuk është fort pozitive, është ajo e femicidit dhe pabarazisë mes burrave dhe grave.

Ndërsa, Guerot përmend edhe bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve në fushën e kulturës, me theks të veçantë në film dhe arkeologji – në këtë të fundit duke potencuar zbulimet e fundit në Kosovë.

Sidoqoftë, punën si ambasador në Kosovë e vlerëson me momente dramatike, duke përmendur edhe sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Ai flet edhe për aspektin e sigurisë, duke thënë se ka rreziqe të shumta për tensione të reja në vend.

Intervista e plotë:

Në shtator të vitit 2022, ia keni dorëzuar letrat kredenciale presidentes së Kosovës Vjosa Osmani. Cilat janë përshtypjet tuaja brenda kësaj periudhe?

Olivier Guerot: Një pjesë e rëndësishme e punës sime ka të bëjë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në të cilin Franca luan një rol të konsiderueshëm mbështetës. 15 muajt e kaluar që kur kam dorëzuar letrat kredenciale kanë qenë shumë intensive për këtë çështje, me momente tensionesh të larta dhe madje edhe momente dramatike siç ishte sulmi në Banjska më 24 shtator, por edhe progres, duke filluar me miratimin e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit dhe propozimin nga ndërmjetësuesi evropian i një draft-statuti për Asociacionin. Ky propozim e bën perspektivën e Asociacionit njëkohësisht shumë konkrete dhe shumë më pak shqetësuese për ata që kishin frikë se Asociacioni do të mund të ishte antikushtetues. Gjithashtu është duke u zgjidhur edhe çështja e targave dhe vërej se qytetarët serbë po e shfrytëzojnë mundësinë për të kërkuar votim për revokim të kryetarëve të komunave të zgjedhur më 23 prill. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve ishin sigurisht të ligjshme, por ato nuk ofrojnë një zgjidhje politike afatgjatë. Është pozitive që qytetarët po e përdorin këtë procedurë të ofruar nga institucionet e Republikës së Kosovës për të përmirësuar gjendjen. Pra në përgjithësi, 15 muaj shumë të ngarkuar, me shumë kontraste, mbetet shumë për të bërë, me shumë rreziqe për tensione të reja, por edhe arritje konkrete pozitive dhe këto janë ato që dua të mbaj në mend.

Para ardhjes tuaj në Kosovë, çfarë përshtypjesh kishit për vendin tonë? A ka ndryshuar diçka gjatë kësaj periudhe në perceptimin tuaj ndaj Kosovës?

Olivier Guerot: Kontakti i përditshëm me qytetarët e Kosovës është një pjesë e dobishme dhe shumë e rëndësishme e punës sime. Çdo takim është një mundësi për bashkëpunim dhe njohje më të mirë të vendit. Kjo është arsyeja pse unë përpiqem të vizitoj të gjithë vendin, të takoj përfaqësues të të gjitha komuniteteve, anëtarë të komunitetit të biznesit, artistë etj. Atëherë, çfarë ka ndryshuar në perceptimin tim për vendin? Nuk e prisja që afërsia me Evropën Perëndimore të ishte kaq e madhe. Kjo ndoshta për shkak të diasporës dhe refugjatëve që u kthyen në Kosovë pas disa viteve të kaluara në Francë apo vende tjera. Sido që të jetë, Kosova nuk është aq ndryshe sa shumë besojnë. Kosova është Evropë. Jam i kënaqur që shumë kosovarë kanë mundësinë të bëjnë këtë konstatim, në drejtim të kundërt, duke ardhur më lehtë për të vizituar BE-në me liberalizimin e vizave.

A mendoni se keni punuar dhe ndikuar edhe në ndryshimin e perceptimit të francezëve ndaj Kosovës?

Olivier Guerot: Secilit vizitor që vjen nga Franca, së fundmi Laurent Fabius, kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-kryeministër apo i dërguari ynë special, Rene Troccaz, u rekomandoj të takohen me personalitete ose të vizitojnë vende jashtë programit të tyre zyrtar, në mënyrë që ata, me kalimin e kohës, të bëjnë vështrimet e tyre mbi realitetin e Kosovës në raport me perceptimet e tyre. Shumë janë të befasuar me atë që shohin për modernizimin e vendit, dhe hapjen e shoqërisë, veçanërisht ata që vizituan Kosovën 15 apo 20 vjet më parë.

Ju promovoni vazhdimisht në profilet tuaja në rrjetet sociale, ushqimet dhe qytetet e Kosovës. Cilat janë gjërat që ju kanë lënë më shumë përshtypje dhe çka më pak?

Olivier Guerot: Faleminderit që e keni vënë re! Në të vërtetë, unë përpiqem të publikoj jo vetëm mesazhet politike të vendit tim – që është një punë e ambasadës – por edhe të ndaj interesimin dhe shijen time për Kosovën. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj: ajo që më bën më shumë përshtypje është diversiteti i madh në një territor të vogël. Diversiteti gjeografik: ju mund të kaloni Kosovën nga njëra anë në tjetrën për gjysmë dite dhe të kaloni nëpër peizazhe shumë të ndryshme; diversitet njerëzor, shumëllojshmëri të qyteteve që secili ka një karakter shumë të veçantë, etj. Ajo që më impresionon më pak është pirja i duhanit në vende publike ndonjëherë në prani të fëmijëve. Ka ende punë për të rritur ndërgjegjësimin e duhanpirësve dhe popullatës në përgjithësi…

Duke vizituar qytetet e Kosovës, çfarë shihni të përbashkët dhe të ndryshme në mes kulturës së Kosovës dhe asaj së Francës?

Olivier Guerot: Atëherë, definitivisht kam përshtypjen se janë pikat e përbashkëta ato që peshojnë më shumë sesa dallimet. Sigurisht që dy vendet tona kanë një histori shumë të ndryshme, por Kosova ka lëvizur shumë shpejt drejt Evropës Perëndimore që nga viti 1999. Një nga gjërat që më bën përshtypje është ngjashmëria e marrëdhënies me fenë, me përfshirjen e laicizmit në dy kushtetutat tona. Kjo është një nga pikat që kishte vënë re kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Francës, Laurent Fabius. Si në Francë ashtu edhe në Kosovë, është edhe produkt i historisë dhe diçka që është thellësisht e aprovuar nga shumica dërmuese e popullsisë. Ne aspektin më pak pozitiv, dy vendet tona vazhdojnë të përballen me femicide dhe pabarazi mes burrave dhe grave. Mund të mos jenë të njëjtat pabarazi, por ne mund të punojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Kjo është një nga fushat e punës së ambasadës, sepse në një shoqëri ku burrat dhe gratë janë pengje të stereotipeve, në fakt askush nuk është vërtet i lirë.

Franca dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira. Si mund të rritet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe në cilat sfera mungon?

Olivier Guerot: E gjithë puna që po bëjmë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është punë për të mirën e Kosovës, sepse në fakt vendi juaj ka shumë për të përfituar nga normalizimi i marrëdhënieve. Kjo nuk kalon pa tensione mes nesh dhe qeverisë së Kosovës ndonjëherë. Janë këto masa që BE-ja ka marrë ndaj Kosovës për shembull. Por ne po punojmë për një normalizim të marrëdhënieve, nga i cili do të përfitojë veçanërisht Kosova. Dhe pastaj mundohemi të forcojmë efikasitetin e shtetit kosovar. Ne po bëjmë një punë jo shumë të dukshme, por që jam i bindur se është e dobishme, për të forcuar administratën. Kemi bashkëpunim të mirë edhe me policinë në fusha të ndryshme (lufta kundër armëve të lehta, kontrolli i kufijve etj.), dhe jam shumë krenar për punën që bëjmë në fushën kulturore. Ne kemi një marrëveshje bashkëprodhimi kinematografik që funksionon mirë dhe po ndihmojmë Ministrinë e Kulturës që të zhvillojë legjislacionin për të ndihmuar zhvillimin e industrisë së filmit. Ne po punojmë gjithashtu për t’i afruar universitetet dhe për të zhvilluar shkëmbimin e studentëve. Bashkëpunimi ynë në fushën arkeologjike është i shkëlqyer dhe i kahmotshëm. Rezultatet janë evidente, me zbulimet e mëdha në Ulpianë. Këto janë vetëm disa shembuj.

Meqenëse tani janë festat e fundvitit, ku preferoni t’i kaloni ato dhe si?

Olivier Guerot: Vitin e Ri do ta kaloj në Prishtinë. Nga lartësia e lagjes Arbëria, fishekzjarrët janë mbresëlënëse. I gjithë qyteti duket të jetë i ndezur. Është mrekulli.

Në fund, një koment për dialogun Kosovë-Serbi: si duhet të përfundojë marrëveshja finale?

Olivier Guerot: Sa më shpejt të jetë e mundur! Është në interes të Kosovës. BE-ja ka bërë një propozim për një statut të Asociacionit. Presim që të zbatohet shpejt. Dy vendet, Kosova dhe Serbia, morën angazhime gjatë shkurtit/marsit të kaluar, veçanërisht ndaj BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat