Ekskluzive/ Karamuço për “Bota sot”: Vrasja e Liridonës lidhet me një ngjarje tjetër kriminale, përbënte rrezik nëse do të fliste

Intervista

Ekskluzive/ Karamuço për “Bota sot”: Vrasja e Liridonës lidhet me një ngjarje tjetër kriminale, përbënte rrezik nëse do të fliste

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 2 janar 2024 Në ora: 14:32
Ervin Karamuço

Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço, ka thënë se situata në vitin 2024, në Kosovë, do të mbetet shqetësuese dhe se do të ketë provokime të reja serioze nga Serbia. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Karamuço, ka theksuar se qëllimet e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq mbajnë erë baruti për shqiptarinë.

Në këtë intervistë, eksperti i sigurisë ka folur edhe për rastin e Liridona Ademajt, duke thënë se ajo që dinte e ndjera mbi një ngjarje tjetër kriminale, përbënte rrezik, ndaj dhe ndodhi edhe vrasja e saj.

Karamuço ka komentuar edhe lidhur me sfidat e strehimit të përhershëm të mbi 3 mijë iranianëve në Shqipëri dhe marrëveshjen për migrantët me Italinë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Karamuço, si do ta përshkruanit vitin 2023 për Kosovën në aspektin e sigurisë? Krerët e vendit, kanë thënë se ky vit ishte ndër më sfiduesi që nga pavarësia, për shkak të sulmit në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku! Ata, jo rrallë po alarmojnë për rrezikun e një sulmi të ri serb në Kosovë. A ekziston një rrezik i tillë?

Ervin Karamuço: Fatkeqësisht, Kosova është planifikuar nga Putini në strategjinë e " Botës Ruse". Ky është një plan strategjik që synon dominimin e botës ruse-sllave në kuadrin gjeostrategjik, politik, ekonomik dhe kulturor. Qëllimi aktual i Rusisë në Ballkan, është të rikthejë lavdinë e humbur për rënien e hegjemonisë sllave në Ballkan dhe sidomos nga marrëveshja e Dejtonit dhe më pas nga pavarësia e Kosovës. Vitet e fundit ky plan është intensifikuar, duke zbatuar skenarë të destabilizimit në Kosovë dhe Bosnjë. Rast tipik i këtij plani ishte edhe sulmi në Banjskë, ku u përfshinë krimi i organizuar, paramilitarë serbë, ushtria dhe shërbimi sekret serb.

Kosova me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, ia arriti të tejkalojë sfida të vështira të sigurisë gjatë vitit 2023. Megjithatë, situata në 2024 do të mbetet ende shqetësuese dhe do të përballet me provokime të tjera serioze. Qëllimi i sulmeve të armatosura, është synimi i Beogradit për të realizuar de-facto ato që nuk i përmbush de-jure në tavolinat e kancelarive evropiane. Kjo iniciativë shkon përbashkuar me planin e Putinit për të hapur vatra të reja konflikti në Ballkan, duke shpërqendruar vëmendjen dhe mbështetjen nga lufta në Ukrainë. Ndodhur në këto kushte, mendoj se situata e sigurisë në Kosovë do të përballet në vijmësi nga kërcënime serioze, ndaj shqetësimet e Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti janë mëse të bazuara dhe justifikuara.

Prania e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë është një garanci shumë e madhe për integritetin territorial të vendit, në kushtet kur forcat e sigurisë së Kosovës nuk janë ende në nivelin për të përballuar një konflikt të mundshëm ushtarak me Serbinë. Largimi i forcave ndërkombëtare do të ishte eventual në momentin kur Kosova do të anëtarësohej në NATO.

“Bota sot”: Të flasim pak për zhvillimet aktuale në Shqipëri. A mendoni se mund të ketë tensione dhe trazira, në rast të arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha?

Ervin Karamuço: Mendoj se masat shtrënguese gjyqësore të ndërmarra ndaj Z. Berisha, janë një procedurë legale paraprake që synojnë të sigurojnë mbarëvajtjen e hetimit dhe gjykimit të akuzave të ngritura nga SPAK. Në gjykimin tim, pavarësisht reagimeve politike dhe protestave të opozitës, shoqëria është e prirur më shumë të presë përfundimin e gjykimit dhe vendimin që do të marrin gjykatat ndaj tij, sesa të përfshihet paraprakisht në tensione apo trazira kundër institucioneve.

“Bota sot”: Shteti shqiptar u alarmua për rrezikun nga strehimi i përhershëm i mbi 3 mijë iranianëve në Shqipëri. Pse është sfiduese kjo çështje për Shqipërinë?

Ervin Karamuço: Pranimi dhe strehimi i mbi 3000 opozitarëve të regjimit të ajatollahëve të Iranit në Shqipëri, ishte një detyrim humanitar ndërkombëtar i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë. Ky veprim i autoriteteve shqiptare, është kundërshtuar në mënyrë agresive nga ana e Iranit, madje duke adresuar kërcënime serioze ndaj Shqipërisë. Në vendin tonë janë parandaluar disa sulme terroriste të sponsorizuara nga Irani dhe janë shkaktuar pasoja të konsiderueshme nga sulmet kibernetike të realizuara nga ky vend në dy vitet e fundit. Megjithatë, mendoj se Shqipëria i gëzon të gjitha kapacitetet në bashkëpunim me aleatët perëndimorë për të vijuar të jetë një strehë e sigurt për MEK, megjithë sakrificat dhe riskun që po menaxhohet me sukses në mbrojtje të tyre.

“Bota sot”: Po marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët, a do të jetë një problem sigurie për shtetin shqiptar?

Ervin Karamuço: Marrëveshja Shqipëri Itali për strehimin e përkohshëm të refugjatëve, është një akt legal që aktualisht është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, nëse kjo marrëveshje do të zbatohet sipas përmbajtjes së saj, ekziston mundësia që në kampet e emigrantëve do të ndodhin të njëjtat fenomene që kemi parë në qendrat respektive edhe në Itali. Disa prej këtyre fenomeneve, si penetrimi i terroristëve, trafikimi i qënieve njerëzore, protestat e dhunshme brenda kampit, mbeten një sfidë për shtetin shqiptar.

“Bota sot”: Së fundmi u mbajtën zgjedhjet në Serbi - çfarë pasojash prisni për situatën e sigurisë, marrë parasysh paralajmërimin e presidentit Vuçiq se viti 2024 do të sjellë më tepër konflikte dhe trazira?

Ervin Karamuço: Serbia po përballet me një diktaturë dhe dhunë të egër politiko-elektorale, të sponsorizuar nga Rusia. Tashmë po bëhet gjithmonë e më evidente se regjimi i Vuçiqit është një klikë në shërbim të interesave ruse në Ballkan dhe ata po përdorin çdo mjet që kjo klikë të mbijetojë me çdo kusht. Vuçiq mendon se rruga e vetme për të vijuar udhëheqësinë e tij, është të sulmojë opozitën, të gënjejë perëndimin, ti përkulet Moskës dhe të ngjajë si nacionalist, duke sulmuar verbalisht dhe në mënyrë proksi-hibride Kosovën. Qëllimet e tij mbajnë erën barut për shqiptarinë dhe stabilitetin e Ballkanit, ndaj rrëzimi i tij po kthehet në qëllim të aleatëve perëndimorë.

“Bota sot”: Z. Karamuço, për vrasjen e Liridona Ademajt, që tronditi Kosovën, janë dhënë shumë versione mbi motivet. Ju keni përmendur një “sekret të madh”, për të cilin sipas jush, është vrarë Liridona. Cili mund të jetë ai?

Ervin Karamuço: Vrasja e Liridonës është një ngjarje e shëmtuar që ka tronditur gjithë shqiptarinë, duke njollosur doket dhe zakonet mbi respektin ndaj nënave dhe grave në familjet shqiptare. Unë mendoj se kjo vrasje ka lidhje me një ngjarje tjetër kriminale, për të cilën e ndjera kishte dijeni dhe përbënte rrezik nëse do të fliste. Kjo ka qenë arsyeja që unë e kam konsideruar vrasjen e saj, pasojë e një sekreti të madh që nuk duhet të zbulohej. Jam besimplotë se kolegët tanë kosovarë do të arrijnë të zbardhin motivin e kësaj ngjarjeje dhe fajtorët do të marrin dënimin e merituar.

“Bota sot”: Numri i vrasjeve te shqiptarët është rritur - çfarë masash duhet të ndërmarrin institucionet për t’i parandaluar ato?

Ervin Karamuço: Numri i vrasjeve në Shqipëri dhe Kosovë vijon të jetë i lartë dhe shqetësues në raport me numrin e popullsisë. Për këtë arsye, mendoj se duhet zhvilluar një qasje ndryshe kombëtare për të angazhuar elementë socialë, edukativë, ekonomikë dhe arsimorë, që elementë specifikë kriminogjenë të reduktohen sa më shumë në shoqëritë tona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat