Ardita Sinani: Shqiprim Arifi kritikon vazhdimisht Kosovën, asnjëherë Serbinë

Intervista

Ardita Sinani: Shqiprim Arifi kritikon vazhdimisht Kosovën, asnjëherë Serbinë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 6 janar 2024 Në ora: 14:02
Albin Kurti dhe Ardita Sinani

Në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani ka folur rreth zgjedhjeve të fundit të mbajtura pak javë më parë në Serbi.

Ajo ka përshkruar edhe rezultatin e zgjedhjeve.

Sinani ka folur edhe rreth ndalesës së vizitës së Ministrit të Punëve të Brendshme të Repubikës së Kosovës, Xhelal Sveҫla duke thënë se kjo dëshmon se Serbia nuk do normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës.

Këshilltarja Sinani ka treguar edhe raportet e saj me Shqiprim Arifin.

Image
Ardita Sinani

Intervista e plotë

“Bota sot”: Së fundi janë mbajtur zgjedhjet në Serbi. Sa jeni e kënaqur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

Ardita Sinani: Të dielën e 17 dhjetorit në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, e në një numër të caktuar edhe ato lokale.

Jemi dëshmitarë të protestave masive, me mijëra njerëz protestuan më 30 dhjetor në Beograd duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve që u mbajtën dy javë më parë.

Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” akuzon SNS-in (Partinë Progresive Serbe) në pushtet për vjedhje zgjedhore.

Qeveria e mohon, ndërsa raportuesit vendor e ndërkombëtarë tregojnë se kishte parregullsi zgjedhore.

Andaj, Brukseli dhe emisari evropian z. Lajçak duhet të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq).

“Bota sot”: Ҫfarë do të thotë ky rezultat i zgjedhjeve për Luginën?

Ardita Sinani: Për Luginën këto zgjedhje ishin të një rëndësie jashtëzakonisht të veçantë, që nga pjesëmarrja e parë e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Por, ashtu siç në momentet vendimtare Luginasit dëshmojnë kulturë e vetëdije të lartë demokratike, edhe e diela që shkoi dëshmoi një fakt të tillë.

Pjesë e garës për zgjedhje parlamentare nga Lugina ishin dy lista: njëra që BETEJËN e LUFTËN e kishte fokusuar ndaj Beogradit dhe politikave diskriminuese shtetërore të Serbisë, e lista tjetër (APN-LR) fokus të listës së saj politike në këtë garë kishte luftën ndaj subjekteve politike shqiptare, e veçanërisht “përfshirjen” sipas tyre të Republikës së Kosovës në Luginë, por asnjëherë politikën shtypëse të Beogradit.

Njëra listë për BETEJËN e saj kërkonte ndihmën dhe përkrahjen e qytetarëve shqiptarë në njërën anë, e koordinimin e bashkërendimin me Prishtinën e Tiranën.

Në këtë listë ishin pesë subjekte politike:

Partia për Veprim Demokratik-Shaip Kmaberi

Partia Demokratike Shqiptare- Ragmi Mustafa

Lëvizja e Progresit Demokratik- Shqiprim Musliu

Unioni Demokratik Shqiptar-Naser Haziri

Aleanca e Luginës-Armend Aliu

E lista tjetër e Shqiprim Arifit-Sami Salihut, luftën e saj e kishte ndaj subjekteve politike shqiptare, që asnjëherë nuk ishin Beogradi e politika diskriminuese shtetërore e Serbisë, e cila listë kërkonte ta bëjë përmes thirrjes për bojkot e për distancim nga Republika e Kosovës.

Me 17 dhjetor, qytetarët tanë i dhanë vlerë e rëndësi çdo vote shqiptare në Luginë, në këto zgjedhje ku ata me votë i dhanë të drejtë vetëm një kursi politik.

Kursit politik të ngritjes së zërit ndaj shtypjes, diskriminimit e shkeljes së të drejtave elementare të njeriut, dhe i bojkotoi vetëm ata që ftuan për bojkot.

BETEJA POLITIKE E SHQIPTARËVE VAZHDON - SHAIP KAMBERI me partnerët e koalicionit mori 13.505 vota.

LUGINA E BASHKUAR (APN-LR) - 3.229 vota.

Nga 13.505 votat e Listës që i priu Shaip Kamberi, 11.834 vota (mbi 90 %) i mori në Luginë, e 1.671 vota nëpër komunat tjera në Serbi, apo më pak se 10 %.

Në anën tjetër Lista e APN, që në këto zgjedhje quhej "LUGINA E BASHKUAR", nga 3.229 votat në total, 1.380 vota i mori në Luginë e 1.849 vota në komunat tjera në Serbi. Apo shprehur në përqindje, 42.74 % të votave në Luginë, e 57.26 % në komunat tjera në Serbi.

Siç shihet, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2022, në zgjedhjet e fundit në Preshevë kanë dalur 1.417 (apo 24,7 %) votues shqiptar më shumë,e në Bujanoc 445 (apo 5,6 %) votuesë shqiptarë më shumë.

E nga kjo po del se shqiptarët e Luginës të vetmin bojkot ia bënë Shqiprim Arifit.

“Bota sot”: Sot i është refuzuar leja e vizitës së ministrit Xhelal Sveҫla në Luginë. Sipas jush, cila është arsyeja e kësaj ndalese?

Ardita Sinani: Qëllimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është përmirësimi i gjendjes së shqiptarëve në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave, si nevojë dhe domosdoshmëri e kohës.

Ndalesa e vizitës së Ministrit të Punëve të Brendshme të Repubikës së Kosovës dëshmon se Serbia nuk do normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës.

Serbia ende nuk e ka gatishmërinë për tu përballur me realitetin e as për normalizim të raporteve me Kosovën.

E tëra kjo nën regjimin autoritar të Vuciqit që dëshmon se për tërë këto vite nuk ka vullnet për të avancuar pozitën e minoriteteve në përgjithësi e të shqiptarëve në veçanti.

“Bota sot”: Konform marrëveshjeve të deritanishme Kosovë-Serbi, a duhej të refuzohej kjo vizitë?

Ardita Sinani: Kërkesa nga ana e Republikës së Kosovës ishte bërë në përputhje me marrëveshjen në Bruksel.

Vizita u refuzua pa asnjë arsye, por që kjo nuk zbeh qëllimet dhe angazhimin e Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës.

Andaj, duhet të veprohet mbi parimet e reciprocitetit, si vlerë e barazisë mes dy shteteve.

Nuk ka paqe të qëndrueshme nëse nuk ka simetri.

“Bota sot”: Cili duhet të jetë vendimi i Bashkimit Evropian karshi Serbisë, për ndalesa të tilla të zyrtarëve të Kosovës?

Ardita Sinani: BE duhet të dëshmohet se nuk do ta toleroj më moszbatimin e marrëveshjeve të BE-së nga ana a Serbisë.

Ndërkohë që Kosova ka qenë e gatshme, e përgjegjshme, e përkushtuar dhe konstruktive ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Bota sot”: Si i keni raportet me Shqiprim Arifin?

Ardita Sinani: Ne duhet të jemi bashkë kundër diskriminimit të Serbisë.

Shqiprim Arifi-është për keqardhje. Kritikon vazhdimisht Kosovën e asnjëherë Serbinë. Mirë do të ishte të punonte si kryetar komune, detyrë që e ushtron shtatë vite nga tetë vitet e fundit dhe gjendja vetëm eshte përkeqësuar në komunë.

Duke sulmuar Kosoven, ai po fsheh deshtimin e tij si kryetar komune në ikje.

Humbës i katër proceve zgjedhore rradhazi si dhe rezultati shumë i dobët i listës së Alternativës për Ndryshim të Shqiprim Arifit dhe Lëvizjes për Reforma të Sami Salihut është tregues i qartë.

I pari kryetar në detyrë i Komunës, e i dyti i Kuvendit të shpërbërë.

Edhe ashtu të pa legjitimitet politik, që nga kontrabandimi i pushtetit e sidomos nga 25 tetori kur nuk arritën për tërë keto muaj të mbajnë seancë, me rezultatet e fundit në zgjedhjet parlamentare të së dielës së 17 dhjetorit, ata morën dënimin më të rëndë nga qytetarët e Komunës së Preshevës.

Me vetëm 940 vota në Komunë të Preshevës, e drastikisht më pak në Bujanoc e Medvegjë, ishte sinjali më i qartë i sovranit Preshevar që ky binom i dëmshëm politik, nuk ka fare legjitimitet që t’i prijë asnjë procesi politik të Preshevës në përgjithësi, e të Luginës edhe më pak.

“Bota sot”: Pse shqiptarët edhe pse janë të paktë në Luginë, janë përça aq shumë mes vete, kush është fajtor për këtë?

Ardita Sinani: Partitë politike veprojnë në kushte të diskriminimit shtetëror dhe të një gjendje të rëndë socioekonomike. Sado që kanë përgjegjësitë e tyre, ato duhen mëtutje të ndihmohen.

Kemi nevojë edhe për më shumë cilësi, organizim dhe angazhim. Por, po bëjmë më të mirën që është e mundshme.

Sigurisht se Beogradi kontribuon që të jemi sa më pak të organizuar, sa më jocilësor dhe sa më të përçarë.

Pluralizmi i politikës shqiptare në Luginë është vlerë demokratike që duhet ruajtur, pasuruar dhe zhvilluar. Mirëpo në gjendjen dhe vendin që jemi, e sidomos pushtetin qendror që kemi, ky pluralizëm duhet të ketë para së gjithash unitet karshi Beogradit.

“Bota sot”: A besoni se dialogu Kosovë-Serbi mund të përfundoj me njohjen e Kosovës shtet nga Serbia?

Ardita Sinani: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të synojë të përfitojë qytetarët e zakonshëm përtej kufirit duke promovuar kapitullin e paqes, pajtimit dhe respektit të ndërsjellë.

Njohja e plotë e Kosovës nga Serbia është e vetmja mënyrë për të bërë përparim të pakthyeshëm për të transformuar rajonin dhe për të zvogëluar ndikimin nga shtetet e treta

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat