Deputeti i LVV-së thotë se Qeveria Kurti është stabile dhe e përgjegjshme – “Hesht” opozitën, ka dy fjalë për zgjedhjet!

Intervista

Deputeti i LVV-së thotë se Qeveria Kurti është stabile dhe e përgjegjshme – “Hesht” opozitën, ka dy fjalë për zgjedhjet!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 janar 2024 Në ora: 12:31
Nijazi Isaku

Deputeti i Vetëvendosjes, Nijazi Isaku, në një intervistë për gazetwn “Bota sot” ka folur gjendjen aktuale të Kosovës dhe punën e qeverisë deri tani.  

Për Qeverinë Kurti, ai thotë se është qeveria më e përgjegjshme që ka pasur ndonjëherë Kosova.  

Sipas tij, qasja e kryeministrit Kurti ndaj Serbisë, ka pasur sukses sepse Kurti ka arritur me sukses ta çjerr maskën e Vuçiçit.  

Kurse, sa i përket situatës së sigurisë, Isaku e vlerëson si arritjen më të madhe shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës.  

Për vizat, deputeti shprehet se deri tani ishte papërgjegjësi e Qeverive të kaluara, kurse tani është një konfirmim i punës së mirë të Qeverisë aktuale.  

Ndërsa, për opozitën dhe zgjedhjet e parakohshme, deputeti i LVV-së, thekson se qeveria është stabile dhe se të gjithë zërat për zgjedhje të parakohshme ai i konsideron jo serioze.  

Intervista e plotë:  

“Bota sot”: Si po e shihni punën e Qeverisë aktualisht?  

Nijazi Isaku: Është qeveria më e përgjegjshme që ka pasur ndonjëherë Kosova. Përkundër, që ka trashëguar probleme të shumta nga Qeveritë e mëparshme, që në vend të zgjidhjeve kanë prodhuar probleme dhe vështirësi për qytetarët, Kosova për herë të parë ka një Kryeministër dhe Qeveri që po adreson me ndershmëri e përkushtim të plotë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të saj.   

“Bota sot”: Liberalizimi i vizave më në fund u arrit, po ashtu edhe Spanja po i njeh pasaportat e Kosovës, cilat janë efektet pozitive e negative të kësaj çështje?  

Nijazi Isaku: Liberalizmi apo mundësia për lëvizje të lirë në zonën shengen, është një nga të drejtat e mohuara për qytetarët e Kosovës dhe kjo fatkeqësisht në masë të madhe për shkak të papërgjegjësisë dhe keqqeverisjes e keq menaxhimit të Qeverive të mëparshme. Ky akt në fakt është edhe një konfirmim i punës së mirë të Qeverisë aktuale dhe dinjitetit që po i kthehet Kosovës.   

Lëvizja e lirë është një nga të drejtat fondamentale dhe që do t’i sjellë përfitime të shumta vendit. Do të hapet shumë mundësi të reja për ndërveprim në shumë fusha si: ekonomike, arsimore, kulturore, sportive etj, dhe kështu trendet pozitive aktuale do të fuqizohen e përshpejtohen.   

Shqetësim aktual por që konsideroj që do të normalizohet shpejt është dalja eventuale e të rinjve në kërkim të mundësive më të mira për jetesë në vendet e zonës shengen.  

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e kryeministrit Kurti ndaj Serbisë?  

Nijazi Isaku: Për herë që kur ka filluar procesi i negocimit apo bisedimeve, me ndërmjetësim të BE, Serbia ka përballë një Kryeministër që me dinjitet e vendosmëri mbron interesat e Kosovës. Kryeministri Kurti në këtë proces konsideroj që me sukses ka arritur ta çjerr maskën e Vuçiçit, dhe ta shpërfaq fytyrën e tij të vërtet prej shovenisti serb, që është përgjegjës dhe investon drejtpërdrejt në procese de stabilizuese në Kosovë dhe rajon dhe praktikisht përfaqëson politikën destabilizuese dhe anti-perëndimore të Rusisë së Putinit. Kjo është arritur me forcim të sundimit të ligjit, funksionim të institucioneve në të gjithë territorin dhe luftë të pa kompromis ndaj krimit të organizuar, që në masë të madhe është i sponsorizuar nga Serbia e Vuçiçit.  

“Bota sot”: Si qëndron situata e sigurisë në Kosovë, BE ka thënë se ky vit sjell shpresë të re për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, cili është mendimi juaj për këtë?  

Nijazi Isaku: Një nga arritjet më të mëdha në këtë aspekt është shtrirja e sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës. Ky proces ka qenë mjaft delikat dhe i vështirë, por fuqizimi i institucioneve të sigurisë dhe menaxhimi i mirë dhe vendosmëria e Qeverisë ka dhënë rezultate. Tashmë Kosova është vendos në pozita më të mira negociuese dhe e aftë të zbatojë marrëveshje në interes të Kosovës dhe të denoncoj përpjekjet e pareshtura të Serbisë për sabotim e dështim.  

“Bota sot”: A mund të kemi zgjedhje të parakohshme?  

Nijazi Isaku: Qeveria është stabile, institucionet po funksionojnë normalisht dhe me suksese dhe nuk e shohë të nevojshme për zgjedhje të parakohshme. Po ashtu matjet tregojnë një legjitimitet të plotë të Kryeministrin Kurti dhe të Qeverisë, duke manifestuar me thellim e zgjerim të mbështetjes qytetare si për kryeministrin Kurti ashtu dhe të Qeverisë. Zërat për zgjedhje të parakohshme i konsideroj jo serioz sepse në një situatë të tillë zgjedhjet eventuale vetëm do të tregonin një përkrahje edhe më masive për LVV dhe Kurtin.  

 “Bota sot”: Po, opozita a po dëgjohet, si i shihni kritikat e tyre ndaj jush si qeveri?  

Nijazi Isaku: Në thelb përveç manifestimit të mllefit dhe përpjekjeve për të mbrojtur interesat e tyre jo legjitime, individuale e klanore nuk ka arritur të artikulojë asnjë kritike të bazuar apo të ofroj alternativë konstruktive. Të vetmen përpjekje, konsideroj të pasuksesshme, është vet ofrimi për kompromise në procesin e negocimit me Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Tashmë kjo kohë ka ikur përgjithmonë dhe Kosova ka hyrë në rrugën e pa kthim të fuqizimit të shtetit dhe zhvillimit ekonomik e mirëqenies shoqërore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat