Deputeti i LVV-së flet për zhvillimet e fundit, vjen me deklaratë të fortë: Njohja e pasaportës është edhe njohje de fakto nga Spanja!

Intervista

Deputeti i LVV-së flet për zhvillimet e fundit, vjen me deklaratë të fortë: Njohja e pasaportës është edhe njohje de fakto nga Spanja!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 13 janar 2024 Në ora: 18:11
Foto ilustrim

Për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë edhe çështjen e sigurisë, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu.

Ai tha se, siguria në vend është e mirë, por që duhet të kemi kujdes që të mos përsëritet rasti i Banjskës, pasi Serbia vazhdimisht përdor gjuhën inflamatore dhe fuqizimin e nxitjes së elementeve kriminale e radikale.

Vendimin e fundit të Serbisë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Lahu e sheh si një përshkallëzim edhe më të madhe që mund të shkaktojë Serbia në rajon.

Deputeti Lahu, për procesin e dialogut, nuk shrpeson shumë, duke thënë se kryeministrja serbe e ka vërtetuar përmes një letre se mund të bëhen nga Serbia hapa pas në raport me marrëveshjet e arritura.

Kurse, liberalizimin e vizave, deputeti e sheh si mundësi të mirë për qytetarët, të cilët deri tani kanë qenë të izoluar.

Po ashtu, njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja, e konsideroi edhe si njohje de fakto nga Spanja.

Intervista e plotë:

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu.

“Bota sot”: Si është aktualisht situata e sigurisë në Kosovë?

Vendenis Lahu: Situata e sigurisë në Kosovë për momentin është e mirë por duhet ndjekur me kujdes veprimet destabilizuese e kërcënuese që fqinji ynë verior po i ndërmerr qe një kohë e sidomos vitin e fundit. Që prej fillimit të konfliktit në Ukraine Serbia ka përshkallëzuar veprimet e saj destabilizuese e kërcënuese jo vetëm ndaj Kosovës por edhe në rajon. Kulmi i këtyre veprimeve ishte sulmi terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë edhe një polic i Policisë së Kosovës. Duke i pasë parasysh të gjitha këto, si dhe gjuhën inflamatore që po përdor Serbia, fuqizimin e nxitjen e elementeve kriminale e radikale të saj, duhet të jemi mjaft të kujdesshëm në mënyrë që të mos përsëritet një skenar i ngjashëm si i Banjskës dhe të sigurohemi që rendi dhe ligji të respektohet në çdo cep të vendit. Bashkë me partnerët ndërkombëtarë duhet ta analizojmë e vlerësojmë rrezikun potencial që kanoset nga Serbia e cila vazhdon të bëhet me agresive e jodemokratike sesa ka qenë para 2 apo 3 vitesh.

“Bota sot”: Serbia po vazhdon me fushatë agresore ndaj Kosovës, arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, pastaj edhe rrahja e opozitarit serb nga BIA, si e komentoni ju?

Vendenis Lahu: Arrestimi i ish ushtarit të UÇK-së është veprim i padrejtë, jodemokratik dhe që bie ndesh me parimet europiane ku synon të anëtarësohet dhe shkel të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Konventa Ndërkombëtare. Kjo është një formë e agresionit të saj në raport me Kosovën, njëkohësisht shpërfaqje e karakterit të saj prej një shteti jodemokratik, e shovinist. Këtë më së miri e pamë para disa ditësh ku sigurimi i shtetit realisht kidnapoi dhe torturoi për disa orë Kryetarin e republikaneve serb. Për shkak të kërkimfaljes publike të tij për krimet e kryera nga shteti serb ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. Ndalimi e torturimi i opozitarëve është i paprecedentë në Europën demokratike. Për këtë mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të sillet më ashpër ndaj Serbisë dhe të ndalojë politikën e butë karshi saj, çfarë e kemi parë këto vitet e fundit.

“Bota sot”: Si anëtar i komisonit për mbikëqyrje të AKI-së, çfarë do të thotë për Kosovën vendimi serb për detyrimin ushtarak?

Vendenis Lahu: Kërkesa e shtabit të ushtrisë serbe ndaj Vuçiçit për pezullimin e vendimit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, është edhe një hap përshkallëzimi dhe kërcënimi ndaj sigurisë së rajonit. Kjo shkon në hap me veprimet e tjera të cilat Serbia i ka ndërmarrë kohëve të fundit jo vetëm në Kosovë por edhe Bosnje e Mal të Zi, duke tentuar për të krijuar një realitet të ri politik në Kosovë përmes sulmit në Banje dhe veprime tjera në Bosnje me qëllim që së paku të arrijë një rikonfigurim të sistemit politik që mban Bosnjën si shtet, nëse jo ta shkëpusë plotësisht Republikën Serbe dhe kështu të avancojë rreth planit të njohur të krijimit të Botës Serbe në Ballkan, veprime këto që përveçse të ngjashme me, padyshim janë edhe të sponzorizuara nga Federata Ruse.

“Bota sot”: Pas gjithë këtyre ndodhive të Serbisë karshi Kosovës, si e vlerësoni qëndrimi ndërkombëtar ndaj Serbisë?

Vendenis Lahu: Mendoj se qëndrimi ndërkombëtar ndaj Serbisë është paksa i dalë afati. Konfigurimi i politikës së jashtme nga USA dhe BE në raport me Serbinë mendoj se i takon një realiteti tjetër në terren nga ky çfarë është sot. Me luftën ne Ukrainë realiteti politik ka ndryshuar në terren edhe në rajonin tonë, prandaj mendoj se domosdoshmërisht duhet një qasje e re në raport me Serbinë në mënyrë që të ruhet paqja dhe stabiliteti. Nevojën dhe domosdoshmërinë për një qasje të re në raport me Serbinë, me së miri mendoj se e ka kuptuar Britania e Madhe.

“Bota sot”: BE ka thënë se ky vit sjell shpresë të re për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, cili është mendimi juaj për këtë?

Vendenis Lahu: Serbia me çdo kusht po tenton t’i shmanget marrëveshjes përfundimtare me Kosovën dhe për këtë mendoj se duhet trysni me e madhe ndërkombëtare ndaj Serbisë. Nuk jam shumë optimist në konstruktivitetin serb në dialog e këtë më së miri e vërteton edhe letra e Kryeministres Bërnabic përmes së cilës Serbia shpreh qartë mosgatishmërinë e tyre madje duke shkuar edhe me larg për të bërë hapa pas në raport me marrëveshjet e arritura.

“Bota sot”: Ju si deuptet, duke parë nga afër rrjedhat e politikës, a mund të kemi zgjedhje të parakohshme?

Vendenis Lahu: Ne tashmë jemi në vitin e 4 të qeverisjes dhe domosdoshmërisht në fund të këtij viti, futemi në proces zgjedhor. Prandaj nëse zgjedhjet parlamentare, pak më herët sesa afati i rregullt bëhen domosdoshmëri politike, ato edhe mund të ndodhin por për momentin ende nuk ka një momentum politik të tillë që do të bënte këtë proces të nevojshëm.

“Bota sot”: Liberalizimi i vizave më në fund u arrit, po ashtu edhe Spanja po i njeh pasaportat e Kosovës, cilat janë efektet pozitive e negative të kësaj çështje?

Vendenis Lahu: Liberalizimi i vizave është fundi i një padrejtësie që u bëhej qytetarëve të Kosovës qe sa kohë. Më vjen mirë që më në fund ky proces ndodhi dhe qytetarët tanë janë të lirë të udhëtojnë në vendet e BE-së lirshëm. Kosova i takon familjes europiane me të gjitha karakteristika dhe tiparet, prandaj nuk shoh të keqe në këtë proces. Mendoj se një numër i të rinjve do të shfrytëzojnë këtë mundësi për të dalë dhe punuar jashtë vendit dhe kjo nuk është gjë e keqe perderisa shihet dhe ndjehet si mundësi pune, përparimi e jo arratisjeje. Është hap shumë pozitiv njohja e pasaportës sonë nga Spanja, kjo realisht konsideroj se është edhe njohje de fakto nga Spanja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat