Nga AKR flasin blerjen e raketave anti-tank Javelin/ Vjen një paralajmërim i fuqishëm!

Intervista

Nga AKR flasin blerjen e raketave anti-tank Javelin/ Vjen një paralajmërim i fuqishëm!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 janar 2024 Në ora: 18:52
Foto ilustrim

Zhvillimet politike në Kosovë po vazhdojnë të jenë të shumta.

E në lidhje me këto zhvillime si dhe qëndrimet për çështje të caktuara, për “Bota sot”, në një intervistë ekskluzive ka folur sekretari i AKR-së, Vesel Makolli.

Ai u shpreh se Kosova do të përballet me një presion ndërkombëtar dhe duhet unitet politik në mënyrë që të mos bëjmë gabime.

Makolli shprehet që opozita është e gatshme siç ka bashkëpunuar, të vazhdojë bashkëpunimin ende me Qeverinë. I pyetur për dialogun me Serbinë, ai thotë që Kosova çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të implementohet.

Ndër të tjera, Makolli ka thënë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës(FAK), ka qenë një ndërmarrje e vështirë, që u realizua fal ndihmës dhe përkrahjes së pakufishme me pajisje dhe në rrafshin e infrastruktures së nevojshme ligjore nga SHBA.

Ndërsa sa i përket synimeve të AKR-së, Makolli shpalos në detajisht planet që kanë si parti.

Image
Vesel Makolli

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Zhvillime të mëdha e kanë përcjellë Kosovën së fundi. Si i keni parë ato?

Vesel Makolli: Gjatë vitit që e lamë pas, Kosova është përballur me sfida të shumta. Agresioni terrorist në Banjskë i paramilitarëve serb, të dirigjuar nga Beogradi, ishte sfida më e madhe e cila fal profesionalizmit të policisë sonë dhe të forcave të KFOR-it që janë përgjegjëse për sovranitetin dhe sigurinë e kufijve të Republikës sonë, u izoluan shpejt dhe u zmbrapsen në territorin e Serbisë. Gjatë këtij agresioni ra heroikisht në ballë të detyrës për mbrojtjen e Republikës rreshteri Afrim Bunjaku, i cili u shpall hero i Kosovës.

Kryeministri ynë Kurti dhe Kryetari serb Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA-s, në dy takime, në Bruksel dhe Ohër, arritën disa marrëveshje që janë uverturë e marrëveshjes së përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku njëra prej tyre është edhe ajo për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, në veri të vendit.

Ikja nga obligimet e marra dhe marrja me gjëra minore, për të eskivuar betejën e asociacionit, i sollën sanksione vendit tonë dhe ndikuan dukshëm në rënien e rejtingut të qeverisë sonë në rrafshin diplomatik ndërkombëtar.

“Bota sot”: Serbia po vazhdon të provokojë vendin tonë, a mendoni që është koha të ndërmeren masa urgjente ndaj saj nga ndërkombëtarët?

Vesel Makolli: Serbia gjithmonë ka provokuar dhe ka thurur plane kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ajo edhe në të ardhmen do ta shfrytëzoj çdo ndryshim eventual të konstelacionit të fuqive botërore, dhe çdo lëshim sado të vogël të qeverisë sonë apo të diplomacisë sonë, për ta destabilizuar situatën në veri të vendit tonë, rrjedhimisht edhe në regjion, me qëllim të minimit të arriturave tona dhe me synim të rrezikshëm, zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Ne nuk kemi qene vigjilent sa duhet dhe vizionar për të vepruar konform situatës së krijuar gjeopolitike, pas agresionit rus në Ukrainë, dhe pa koordinim me SHBA-t, kemi vepruar krye në veti në disa raste, e si pasojë e kësaj, kemi lënë hapësirë, për ndërmarrje të presionit dhe masave të disfaforshme ndaj Kosovës.

Angazhimin e madh politik e financiar dhe në pajisje me armatim të SHBA-ve dhe aleatëve për Ukrainën, nga fillimi i luftës atje, Serbia e ka shfrytëzuar për ta sulmuar vendin tonë me agresion terrorist dhe për mos përmbushjen e zotimrve të marra me marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, nën patronatin e faktorit relevant ndërkombëtar. Këta faktorë dhe joshja për Serbinë, për t'u larguar nga Rusia dhe për t'ju bashkuar Perëndimit, kanë ndikuar në mos dënimin e Serbisë me masa ndëshkuese - sanksione.

Në këtë kontekst, Kosova duhet t'i lexoj me kohë ndryshimet e gjeopolitikes dhe të veproj strikt në harmoni me interesat e SHBA-ve dhe aleatëve!

“Bota sot”: Sipas jush, cilat janë sfidat që momentalisht po përballet qeveria, a duhet një unitet me opozitën për t'i tejkaluar më lehtë ato?

Vesel Makolli: Duam apo s'duam, duhet ta pranojmë që qeveria jonë ka bërë gabime në hapa, gjegjësisht nuk është koordinuar plotësisht me faktorin ndërkombëtar, ose ka veprue n'krye n'veti, andaj jemi vendi i vetëm në Evropë me sanksione. As pesimisti më i madh nuk e ka imagjinuar që Kosova do të veproj e çakorduar me nunin e pavarësisë SHBA-t, duke shkaktuar përballjen me sanksione.

Me pranimin e targave të automjeteve dhe marrëveshjeve tjera nga Serbia, konform marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, i gjithë presioni ndërkombëtar është duke u bërë ndaj Kosovës.

Kjo qeveri i ka numrat e mjaftueshëm për të marrë vendime, andaj duke e pas këtë siguri në numra, e ka injoruar opozitën tërësisht. Edhe përkundër kësaj, opozita është deklaruar për bashkëpunim, sidomos kur kemi të bëjmë me problemet që janë jetike për vendin. Në këtë kontekst, pozitë dhe opozitë duhet të jenë unikë, për të mirën e përgjithshme të Republikës.

Këtë fillim-vit na pret presion i madh ndërkombëtar, i cili nëse nuk kalohet në koordinim të plotë me SHBA, do të sjellë në vazhdim pasoja të pariparueshme.

Qeveria duhet ta ketë interesin e Kosovës mbi të gjitha, e kjo nënkupton edhe mbi interesin partiak dhe individual.

Sfida më e madhe do të jetë themelimi i asociacionit, gjegjësisht realizimi i obligimeve të marra të Kryeministrit tonë me marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA-ve.

“Bota sot”: Po për presionin ndërkombëtar në lidhje me Asociacionin, kush duhet të lëshojë pe sipas jush?

Vesel Makolli: Çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të implementohet, përndryshe na pret epiteti pezhorativ, si shtet jo serioz. Historikisht ne i kemi mbulue dobësitë dhe veprimet tona të gabuara, duke e bërë fajtor faktorin ndërkombëtar, në rastin konkret, miqtë tanë ndërkombëtar.

Çdo prolongim i realizimit të obligimeve tona që dalin nga marrëveshjet me palen serbe të ndërmjetësuara dhe të garantuara nga BE dhe SHBA- t, na sjellë dëme të mëdha. Po të bëhej asociacioni me kohë, do të ishte më i favorshëm. Në mungesë të propozimit të draftit të statutit të asociacionit nga qeveria jonë, duke u bazuar në planin e Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Kosovës, na është imponuar statuti i asociacionit i përgatitur nga pala ndërkombëtare, të cilin publikisht e ka pranuar Kryeministri ynë.

Në këtë kontekst Kryeministri ynë duhet të angazhohet për të nxjerrë më të mirën e mundshme në këtë proces, duke pasur interesin e Republikës sonë mbi të gjitha të tjerat.

“Bota sot”: Cili është qëndrimi i AKR-së në lidhje me marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit?

Vesel Makolli: AKR-ja në programin e saj e ka pas dhe i ka dy synime kryesore: në rrafshin e brendshëm, krijimin e kushteve për thithjen e investimeve të jashtme, zhvillimin vjetor ekonomik dyshifror i cili kishte me krijua vende të reja pune, mirëqenie sociale, arsim e shëndetësi më të mirë dhe zvogëlim të emigrimit të rinisë sonë.

Në rrafshin ndërkombëtar, angazhimin e diplomacisë sonë për njohje të shtetit tonë në tërë botën, arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila është kusht për finalizimin e shtetësisë sonë dhe pranimin në BE, NATO dhe OKB.

Duhet ta ceku, se Presidenti ynë Z.Behgjet Pacolli, me punën dhe angazhimin e tij në rrafshin ndërkombëtar, i vetëm i ka sjellë Kosovës mbi 30 njohje nga shtetet e ndryshme të botës.

Krejt këto janë arritur në koordinim të plotë me nunin e pavarësisë sonë SHBA-t dhe aleatët, pa të cilët nuk do ta gëzonim këtë shtet që e kemi sot.

Marrëveshjet e Brukselit dhe e Ohrit, kanë mundur të jenë më të favorshme, po të kishim qenë për çdo veprim tonin të përkrahur nga miqtë tanë dhe po të ishte diplomacia jonë me në nivel.

Parimisht, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të jetësohen.

Kështu si qëndron puna, me këtë presion që vjen duke u shtuar dhe që do të na rrinë mbi kokë si shpata e damokleut, duhet te zgjedhim më të mirën e mundshme.

“Bota sot”: Për fund, si e keni parë blerjen e raketave anti-tank Javelin?

Vesel Makolli: Krijimi i Ushtrisë së Kosovës(FAK), ka qenë një ndërmarrje e vështirë, që u realizua fal ndihmës dhe përkrahjes së pakufishme me pajisje dhe në rrafshin e infrastrukturës së nevojshme ligjore të SHBA-ve.

Miqtë tanë e ndihmojnë ushtrinë tonë për pajisje me armatim, si shkollim dhe trajnim të kuadrit profesional ushtarak, konform me ushtritë e NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarake që e ka çliruar Kosovën. Edhe blerja(pajisja) e fundit me raketat anti-tank Javelin, është meritë e SHBA-ve, të cilat përmes këtij procesi të lejimit të pajisjes së Kosovës me raketa Javelin, kanë dërguar sinjale të qarta për Serbinë dhe mentorin e saj Rusinë, se cenimi eventual i territorit të Kosovës, është njëherit edhe cenim i interesit amerikanë, duke rrezikuar konflikt të armatosur ushtarak me NATO-n, me ç ‘rast do të pësonin shkatërrim total të tyre.

Vlen të ceket se shumë porosi për blerje të armatimit të rëndë, janë bërë nga qeveritë paraprake, dhe pritet të realizohen në kohën dhe situatën adekuate.

Çdo blerje e armëve që shërbejnë për sigurinë dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit tonë, është e arritur e madhe, që duhet ta përshëndesim dhe të gëzohemi të gjithë, pa përjashtim. Është e papranueshme që t'i paraqesin te opinioni i brendshëm, si të arritura të partisë në pushtet dhe me këtë blerje të raketave Javelin, ta mbulojnë jo efikasitetin tre vjeçar të qeverisjes së tyre, dhe me deklarata populiste e folkloriste të tentojnë t'i margjinalizojne sanksionet dhe presionin ndërkombëtar për themelimin e shpejtë të asociacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat