Dorëheqje apo shkarkim? Flet kryetari i komunës së Zubin Potokut – zbardh prapaskenat e planeve të Listës Serbe dhe grupeve kriminale

Intervista

Dorëheqje apo shkarkim? Flet kryetari i komunës së Zubin Potokut – zbardh prapaskenat e planeve të Listës Serbe dhe grupeve kriminale

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 janar 2024 Në ora: 22:02
Izmir Zeqiri

Komunat veriore, që nga viti i kaluar udhëhiqen nga kryetarë shqiptar.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Dihet se situata në pjesën veriore të Kosovës, është më e tensionuar se në pjesët e tjera të vendit, pasi banohet me shumicë të serbë, ku edhe veprojnë fshehurazi grupe kriminale serbe të financuara nga Serbia.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në veri, më saktësisht në komunën e Zubin Potokut, në një intervistë për “Bota sot” ka folur kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri.

Fillimisht, ai tha se situata është e qetë dhe se është kthyer normaliteti, pasi muaj më parë ka pasur protesta dhe trazira të ndryshme.

Zeqiri foli për ndikimin e grupeve kriminale serbe dhe presionin që këto e ushtrojnë ndaj qytetarëve serbë.

Sipas tij, qytetarët kanë filluar të mos iu përgjigjen kërkesave të Listës Serbe dhe grupeve kriminale, pasi e kanë parë se gjëja më e duhur është kthimi i jetës në normalitet dhe jo dhuna.

Sa i përket peticioneve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë, tha se nuk beson se do kenë sukses, pasi qytetarët po refuzojnë t’i nënshkruajnë ato, derisa tha se këto organizime të tilla të peticioneve po bëhen me urdhër të Listës Serbe e grupeve krimininale.

Zeqiri ndër të tjera, tregoi nëse do jap dorëheqje nga pozita e të parit të komunë dhe rreziqet mbi sulmet e reja terroriste nga ana e Serbisë në komunat veriore.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Zeqiri si është situata aktuale në komunat veriore? A ndjehen qytetarët të sigurt?

Izmir Zeqiri: Sa i përket situatës është situatë e qetë, është një trend pozitiv për t’iu rikthy si të themi jetës normale dhe besoj që shumica e këtyre komunave me shumicë serbe, saktësisht qyetarët e tyre e kanë parë që duhet t’iu kthehen normalitetit dhe jetës. Normal, po besojnë në administratën që e drejtoj unë.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha në komunën që ju udhëheqni, atë të Zubin Potokut?

Izmir Zeqiri: Sfida më e madhe ishte në fillim, ku nën presionin e grupeve kriminale dhe terroriste serbe, qytetarët u detyruan të dalin dhe të protestojnë, ku u ballafaquam me një lloj proteste të ashpër, ku unë nuk e kam prit në fillim, por ndodhi ajo çka ndodhi.

Mirëpo, mund të them se në komunën e Zubin Potokut, që nga fillimi ka qenë një situatë pak me e qetë dhe natyrisht muajve në vazhdim ka filluar të normalizohet. Tani për tani është një situatë shumë normale, njerëzit e kanë kuptuar se, nuk duhet t’i përgjigjen grupeve kriminale dhe kanë kuptuar se janë të sakrifikuar në një aspekt, kështu që gjithçka ka filluar të mendohet ndryshe.

Pasi qytetarëve iu duhet jeta normale, dhe jo t’u binden grupeve, ndonëse qytetarët dita ditës nuk po iu përgjigjen Listës Serbe dhe grupeve kriminale hiq se hiq.

Gazeta “Bota sot”: Si i komentoni peticionet që janë duke u zhvilluar në komunat veriore për shkarkimin e kryetarëve në bazë të udhëzimit administrative? A vlerësoni se do ketë suksese?

Izmir Zeqiri: Qysh nga fillimi kam qenë spektik rreth udhëzimit që lë shumë për të dëshiruar, mirëpo jam skeptik mbi këto peticione dhe kjo do shihet, pasi në komunën tim nuk po munden me u përgjigj as 20 për qindshi, më saktë nuk po dëshirojnë qytetarët t’iu përgjigjen.

Kemi informacione se qytetarëve po iu bëhet presion nga grupet kriminale për të nënshkruar peticionin, por as 20 për qind nuk besoj se do t’iu përgjigjen pozitivisht këtij peticioni. Pasi, qytetarët nuk dojnë t’iu binden grupeve të cilat i detyrojnë në një aspekt, qoftë në protesta apo këso lloj iniciativash.

Gazeta “Bota sot”: A keni pasur presion për të dhënë dorëheqje, apo për t’u larguar nga pozita e të parit të komunës së Zubin Potokut?

Izmir Zeqiri: Jo presion nuk kam pasur. Mirëpo, unë jam deklaruar se në pyetjen a më mirë dorëheqjet apo shkarkimet, unë gjithmonë kam qenë pro marrëveshjeve politike, kur ka vullnet shtetëror-qeveritar, natyrisht edhe marrëveshjeve politike mes partive dhe kryetarëve të cilët jemi, ne mund t’i hapim rrugë zgjedhjeve në qoftë se shohim premise se do kemi zgjedhje të lira dhe demokratike me dorëheqje vullnetare.

Do të thotë, gjithmonë e kam preferu marrëveshjen politike, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve, Sepse ky peticion dhe kalkulimet tjera bëhen kryesisht nga prapaskenat e grupeve kriminale dhe Listës Serbe, nuk janë të dinjitetshme edhe po të kenë sukses, kështu që unë gjithmonë kam qenë pro marrëveshjes politike për dorëheqje vullnetare.

Unë më të dinjitetshme e shoh dorëheqjen, sesa shkarkimin, edhe po të ndodhë. Por, unë nuk besoj se do të ndodhë dhe do ta shtyj mandatin deri në fund.

Gazeta “Bota sot”: Cfarë raportesh keni me kryetarët e tjerë të komunave veriore? A jeni takuar? A keni bashkëpunim me ta?

Izmir Zeqiri: Nuk kemi ndonjë bashkëpunim të afërt, takohemi rrallë. Meqenëse para dy jave kam pas në vizitë Lulzim Hetemin. Ishte një vizitë e pa paralajmëruar, por kisha dëshirë pasi tani veq ka dal, në një formë po lëviz më shumë. Me kryetarin e Zveçanit takohemi apo dëgjohemi ndonjëherë në telefon, mirëpo nuk kemi ndonjë bashkëpunim të afërt, meqenëse kemi punë nëpër komunat tona, kemi plane dhe projekte përpara, kështu që koha po na premton pak për t’u takuar.

Gazeta “Bota sot”: Si i vlerësoni kërcënimet dhe provokimet nga shteti serb? A mund të ketë sulme të reja, të ngjashme si me atë të Banjskës?

Izmir Zeqiri: Dihet se ky është një agresion që ka ndodhur gjatë gjitha dekadave të mëparshme, por edhe në kohët e fundit, më 24 shtator, e pamë se çfarë synimesh ka Serbia, dhe mund të ketë në qoftë se gjen akterë. Kjo ka bërë dhe do të bëjë përpjekje të investoj në grupe kriminale për t’i hapur problem Kosovës. Këtë e quaj si agresion të një shteti që po i bënë Kosovës dhe këtë e kam cilësuar gjithmonë kështu, pasi është agresion i hapur, mirëpo nuk besoj në sukseset e këtyre përpjekjeve, kështu që besoj që dita ditës po tkurren, zvogëlohen ato grupet kriminale.

Kjo pasi, një pjesë e madhe e tyre janë të kërkuar nga Policia e Kosovës, por edhe Interpoli me siguri për veprimtari kriminale.

Unë besoj që organet e sigurisë së Republikës së Kosovës do të arrijnë ta mbajnë rendin dhe qetësinë në gjithë territorin e vendit, ku dita-ditës do të shuhen këto grupe kriminale që po i financon Serbia.

Mirëpo, unë shoh një zvogëlim të grupacioneve dhe rënie të ndikimit të këtyre grupeve në territorin e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat