Flet deputeti Haxhiu/ Këto janë akuzat e tij drejtuar Qeverisë – Ka një propozim për dialogun Kosovë – Serbi!

Intervista

Flet deputeti Haxhiu/ Këto janë akuzat e tij drejtuar Qeverisë – Ka një propozim për dialogun Kosovë – Serbi!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 janar 2024 Në ora: 18:57
Bekim Haxhiu

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Ai ka folur për zhvillimet e fundit në vend, duke hedhur kritika për disa çështje ndaj Qeverisë së vendit.

Haxhiu përmendi arsimin, ekonominë dhe shëndetësinë, ndër të tjera që duhet të përmirësohen në Kosovë.

Ndërsa, i pyetur për sulmin në Banjskë dhe mos dënimin nga ndërkombëtarët për Serbinë, deputeti fajëson Qeverinë, duke ia përmendur edhe sanksionet nga BE.

Deputeti thotë për dialogun që duhet të ketë një Traktat të Paqes, për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fund miratimi i Strategjisë së Shëndetësisë duhet të jetë prioritet për sistemin e shëndetësisë në Kosovë.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Zhvillime të mëdha e kanë shoqëruar vendin tonë gjatë vitit 2023, si i komentoni ato?

Bekim Haxhiu: Viti 2023 ka qenë vit i skandaleve të njëpasnjëshme të Qeverisë, i korrupsionit e nepotizmit të hapur të Qeverisë Kurti. Ka pasë përpjekje të Qeverisë që skandalet e korrupsionit e nepotizmit, dështimi në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe sferat tjera të mbulohen me tensionet, veprime ad-hoc dhe esaklim të situtatës në veri të vendit.

Gazeta “Bota sot”: Lidhur me sulmin në Banjskë, përveç deklaratave nuk kemi pasur një dënim për Serbinë, a mendoni që është momenti të bëhet një gjë e tillë?

Bekim Haxhiu: Sulmi në Banjskë ishte agresion i hapur i Serbisë ndaj shteti të Kosovës.

Ky rast do të duhej të shfrytëzohej nga Qeveria për ndryshim të formatit të bisedimeve, në çka Qeveria Kurti ka dështuar, në vend se të sanksionohet Serbia për nxitje të dhunës dhe agresionit në veri, Kosova është sanksionuar nga BE për shkak të papërgjegjësisë dhe dështimeve në dialog.

Gazeta “Bota sot”: Një takim i niveleve të larta i dialogut Kosovë – Serbi nuk është aranzhuar ende, a duhet të ndodhë kjo sa më parë duke parë ngjarjet e fundit?

Bekim Haxhiu: Ky format i dialogut duhet të ndryshojë, dialogu duhet të kthehet në çështje konkrete , të kërkohet nga partnerët që të ketë Traktat të Paqes mes Kosovës dhe Serbisë ku njohja reciproke do të ishte pika kyçe e Traktatit të Paqes.

Gazeta “Bota sot”: Po për presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës, për Asociacionin, cili duhet të jetë qëndrimi i Qeverisë?

Bekim Haxhiu: Nëse vazhdohet në këtë formë, rrezikohet bosnjizimi i Kosovës dhe krijimi i një pushteti të tretë të serbëve në Kosovë.

Gazeta “Bota sot”: Ju si deputet i zëshëm në Kuvend, cilat mendon që janë sfidat që po përballet Qeveria?

Bekim Haxhiu: Rritja e çmimeve po rëndon jetën e qytetarëve, ikja e qytetarëve jashtë vendit do të zvogëlojë konsumin dhe do të jetë sfidë për ekonominë dhe shëndetësinë.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni momentalisht Kosovën sa i përket sektorit të shëndetësisë? Cilat janë disa nga masat që do të kishin ndikim pozitiv për qytetarët e vendit?

Bekim Haxhiu: Miratimi i Strategjisë së Shëndetësisë ku do të përcaktoheshin objektivat për reformim e përmirësim të sistemit shëndetësor dhe ruajtje të kuadrit duhet të jenë prioritet kyç dhe i menjëhershëm.

Gazeta “Bota sot”: Një temë diskutimi mbeten edhe zgjedhjet në ShBA, sa mendon që mund të ketë ndikim zgjedhja e presidentit në ShBA-së për Kosovën?

Bekim Haxhiu: Zhvillimet në ShBA kanë ndikim në mbarë botën, kanë pasë dhe do kenë ndikim edhe në Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat