Ish-ministri i FSK-së zbulon prapavijën e deklaratës së Vuçiqit për sulm ndaj Kosovës, ky është qëllimi i tij

Intervista

Ish-ministri i FSK-së zbulon prapavijën e deklaratës së Vuçiqit për sulm ndaj Kosovës, ky është qëllimi i tij

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 shkurt 2024 Në ora: 14:01
Ish-ministri i FSK-së Haki Demolli

Ish-ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, e ka cilësuar si të nevojshme dhe të domosdoshme, rritjen e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për 30-40 milionë euro, në raport me vitin 2023.

Ai ka thënë në intervistën për gazetën “Bota sot”, se mos ngritja e pagave të ushtarëve të FSK-së, ka qenë njëri prej faktorëve për rënien e interesimit të të rinjve në konkursin e dhjetorit 2022, për këtë institucion të krenarisë së shtetit.

Demolli ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke thënë se këtë proces do të ndikojë përfundimi i procesit të transformimit të FSK-së, përfundimi i dialogut me Serbinë, procesi i demarkacionit me Serbinë si dhe zhvillimet e tjera politike të karakterit ndërkombëtar.

Duke komentuar paralajmërimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se “viti 2024, do të sjellë më shumë konflikte dhe trazira”, ish-ministri ka hedhur poshtë mundësinë e një sulmi të mundshëm ushtarak ndaj Kosovës. Sipas tij, deklaratat e presidentit serb janë thjeshtë me qëllime dhe prapavijë elektorale, pasi ai e ka përjetuar forcën goditëse të superfuqisë politiko ushtarake, NATO, gjatë bombardimeve 78 ditore.

Intervista e plotë – pjesa II:

“Bota sot”: Serbia ka vendosur të kthejë detyrimin ushtarak, çfarë do të thotë për Kosovën, në kohën e tensioneve mes të dyja vendeve?

Haki Demolli: Kosova dhe Serbia, janë dy shtete të pavarura ndërkombëtarisht të njohura. Secila prej tyre ka organet dhe institucionet shtetërore vetanake, të cilat zhvillojnë politika dhe marrin vendime në emër dhe për interesin e popullatës së tyre. Në Serbi ende nuk është marrë vendimi për rikthimin e shërbimit ushtarak të obligueshëm, por është në proces e sipër propozimi për një çështje të tillë, në të cilin kreu i lartë ushtarak i këtij vendi i ka prezantuar qeverisë argumentet e caktuara, ndërsa qeveria e këtij shteti është në shqyrtim e sipër të tyre, përfshirë këtu edhe analizën e anës financiare të këtij propozimi. Nuk duhet harruar se rikthimi i shërbimit ushtarak të obligueshëm paraqet një barrë të rëndë madje edhe për ekonomitë e vendeve të zhvilluara e lëre më për ekonominë e rrënuar të Serbisë. Mirëpo, ky është dhe mbetet problem i Qeverisë dhe Kuvendit të shtetit të Serbisë. Në anën tjetër, Republika e Kosovës, lidhur me këtë çështje tanimë e ka përcaktuar rrugën e vet euro-atlantike, që nënkupton anëtarësimin në NATO dhe mekanizmat e tjerë euro-atlantik. Kjo rrugë synohet ta realizohet përmes ndërtimit të një Force të Armatosur (Ushtri) bashkëkohore, pra përmes ndërtimit të një ushtrie profesionale me mandat të kufizuar për mbrojtje territoriale, e cila do të përbëhet nga 5000 pjesëtarë aktivë dhe 3000 rezervistë të shkolluar, trajnuar dhe profesionalisht të ngritur sipas standardeve dhe kritereve euro-atlantike. Aktualisht është në fazën e transformimit, që ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar, e të cilin plan FSK e ka hartuar dhe dizajnuar së bashku me ekipet e ekspertëve ushtarakë amerikanë dhe i cili parashihet se do të zgjas deri në 10 vjet. Pas përfundimit të këtij procesi, Kosova dhe FSK si pjesë e saj, besoj se do të mund ta dëshmojnë më së miri gatishmërinë e shtetit tonë për përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në NATO.

“Bota sot”: Vuçiq ka paralajmëruar se ka frikë që ky vit, do të sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira, a mendoni se ai në të vërtetë po shpallë luftë?

Haki Demolli: Aleksandër Vuçiqi në vitin 1998 ishte emëruar Ministër për Informim në qeverinë e unitetit të Serbisë, që do të thotë se si një pionier dhe përkrahës tejet besnik i politikave hegjemoniste, nacional shoviniste të Millosheviqit dhe Sheshelit, ka qenë ministër i kabinetit qeverisës që ka hyrë në luftë me NATO-në. Epilogun e të cilës luftë ai e ka përjetuar në “lëkurën’ e tij prej qeveritari, e që ishte kapitullimi ushtarak i Serbisë (i nënshkruar në Kumanovë) pas bombardimit 78 ditor nga ana e NATO-së, respektivisht pas shkatërrimit të objekteve më të rëndësishme ushtarake, ekonomike, logjistike dhe strategjike (kazerma, fabrika, ura etj.) të këtij shteti. Andaj, nuk besoj që është aq i marrë (“budalla”) politikani, i cili në kurrizin e vet ka përjetuar forcën goditëse (shkatërruese) të një superfuqie politiko ushtarake siç është NATO, që ta ngacmojë dhe sërish të hyjë në konflikt me të përmes shpalljes luftë një shteti (Kosovës), mbrojtja e kufijve të të cilit është e garantuar me Marrëveshjen tekniko-ushtarake të nënshkruar pikërisht nga NATO. Përndryshe, vendosja e trupave ushtarake në kufi të Kosovës, pastaj deklaratat mbi rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, më shumë i shoh si lojëra apo ‘blofe’ politike, të ndërmarra për konsum të brendshëm politik, se sa që janë deklarata që do të kenë zbatim real në marrëdhëniet ndër shtetërore Kosovë-Serbi. Vuçiqi si një politikan popullist, veprimet dhe deklaratat e tilla i ndërmerr qoftë në kuadër të premtimeve elektorale, apo në periudha të tjera të zhvillimeve politike, me qëllim të ruajtjes, respektivisht rritjes së votës së/prej nacionalistëve serbë e në veçanti të përkrahësve të politikave antishqiptare (kësaj kategorie i takon përqindja e madhe e popullatës serbe). Pra, deklaratat e Vuçiqit mbi sulmin e mundshëm ndaj Kosovës, janë thjeshtë deklarata me qëllime dhe prapavijë elektorale.

“Bota sot”: Qeveria e Kosovës ndau për mbrojtjen këtë vit 30 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak. Cili është vlerësimi juaj si ish-ministër për këtë vendim?

Haki Demolli: FSK së bashku me ekipet e ekspertëve ushtarakë të SHBA-ve, gjatë hartimit të planit mbi transformimin (2014-2017), ka përcaktuar edhe koston financiare të implementimit të këtij plani. Sipas këtij plani, është përcaktuar që krahas rritjes së numrit të pjesëtarëve të forcës (prej 2500 në 5000 pjesëtarë aktivë dhe prej 800 në 3000 pjesëtarë rezervë), nevojitet edhe trajnimi dhe ngritja profesionale e tyre, që do të thotë se FSK duhet përgatitur profesionalisht, por edhe duhet pajisur me kapacitete të plota për misionin e ri, respektivisht përgjegjësi të reja, njëra prej të cilave është edhe mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Kuptohet përveç rritjes së buxhetit për personel, është paraqit nevoja edhe për rritjen e buxhetit për blerjen e pajisjeve, armatimit të nevojshëm ushtarak që përkon me përgatitjen e FSK-së për mandatin e ri. Gjithsesi, në rritjen e buxhetit ka ndikuar edhe shkalla jashtëzakonisht e lartë e inflacionit në Kosovë në këto tri vitet e fundit, që do të thotë, se si pasojë e inflacionit duhet rritur pagat e pjesëtarëve ekzistues të FSK-së dhe se me paga më të mira duhet FSK të bëhet atraktive për të rinjtë kosovarë. Mos ngritja e pagave të ushtarëve të FSK-së me gjasë ka qenë njëri prej faktorëve për rënien e interesimit të të rinjve kosovarë për këtë institucion të krenarisë kosovare, kjo u pa më së miri kur në dhjetor të vitit 2022 u shpall konkursi për pranimin e 612 ushtarëve të rinj aktivë dhe 388 ushtarëve të komponentit rezervë nga Ministria e Mbrojtjes, ndonëse konkursi ishte i hapur deri me 15 janar 2023, për shkak të mosparaqitjes së kënaqshme të kandidatëve, ish-ministri Mehaj kishte vendosur që ky konkurs të mbetej i hapur edhe për një javë tjetër, d.m.th. deri me 23 janar 2023. Në të kaluarën FSK nuk ishte ballafaquar me probleme të tilla, këtë e ilustron fakti se derisa isha ministër i FSK-së, në një konkurs për 150 ushtarë të rinj aktivë patën aplikuar 6.500 të rinj dhe të reja kosovare. Andaj, vlerësoj se rritja e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për 30-40 milionë euro në raport me vitin 2023, ka qenë më se e nevojshme dhe e domosdoshme, kuptohet nëse Kosova dhe ky populli ynë dëshiron të ketë një ushtri bashkëkohore, profesionalisht të ngritur, ushtarakisht të pajisur për plotësimin e misionit të saj kushtetues dhe ligjor, e që është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.

“Bota sot”: Kur do të mund të anëtarësohet Kosova në NATO, a mund të përshpejtohet ky proces, marrë parasysh krizat botërore me shumë vatra lufte, sidomos ajo në Ukrainë?

Haki Demolli: Sigurisht pjesa e parë e kësaj pyetjeje është ndër më të vështirat për të dhënë përgjigje në të, andaj edhe nuk do të theksoja ndonjë vit, periudhë apo kohë konkrete lidhur me atë se kur do të anëtarësohet Kosova në NATO. Gjithsesi paraqitja e krizave të luftës, siç është ajo e Ukrainës ndikojnë në sigurinë e regjioneve të caktuara, andaj ndikojnë edhe në proceset e anëtarësimit në NATO. Natyrisht ky ndikim është më i madh te shtetet e regjionit ku paraqitet kriza, siç është rasti me Finlandën dhe Suedinë. Përndryshe, në anëtarësimin e Kosovës në NATO në radhë të parë do të ndikojë përfundimi i procesit të transformimit të FSK-së si dhe zhvillimet politike në regjion, më konkretisht përfundimi i dialogut me Serbinë, procesi i demarkacionit me Serbinë si dhe zhvillimet e tjera politike të karakterit ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat