Qeriqi: Hetuesit e Speciales kanë punuar ngushtë me organet e prokurorisë së Serbisë

Intervista

Qeriqi: Hetuesit e Speciales kanë punuar ngushtë me organet e prokurorisë së Serbisë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 10 shkurt 2024 Në ora: 17:25
Gjykata Speciale

Xhevdet Qeriqi, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, ka folur rreth të akuzuarve në Hagë, duke thënë se ata po mbahen atje padrejtësisht.

Sipas tij, ata po gjykohen politikisht, nga hetuesit që kanë punuar ngushtë me organet e prokurorisë së Serbisë dhe kanë fabrikuar aktakuza kundrejt luftëtarëve të UÇK- së.

Ai ka përmendur edhe kërcënimet që ka marrë para pak kohësh dhe thotë se për ato kërcënime i është drejtuar Policisë së Kosovës.

Qeriqi ka sqaruar edhe deklaratën e tij, që thoshte se disa figura politike i kanë bërë dëme vendit.

Ai thotë se fjala ishte për figura politike të cilat kishin pozita në kohën sa kemi qenë të pushtuar nga Serbia, figura këto të cilat kishin pranuar të punojnë me planprogramet e sistemin të Serbisë.

Image
Xhevdet Qeriqi, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Intervista e plotë

Bota sot: Tash e sa vite disa luftëtarë të UҪK-së po gjykohen në Hagë. Sipas jush, a po vepron drejtë kjo gjykatë?

Xhevdet Qeriqi: Në kohën kur është publikuar raporti i Dick Martyt ne kemi qenë të bindur se nuk ekziston asnjë argument, asnjë provë brenda këtij raporti dhe kjo është dëshmuar pas hetimit ndërkombëtar të cilët kanë kryer hetim dhe kanë ardhur në përfundim se nuk ka asnjë element të trafikimit të organeve. Ne besojmë fuqishëm dhe jemi të bindur se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë. Kjo do të dëshmohet në fund të këtij gjykimi se luftëtarët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm.

Bota sot: Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë liruar tashmë nga kjo gjykatë. A mendoni se i njëjti fat i pret edhe të akuzuarit tjerë?

Xhevdet Qeriqi: Sa i përket gjykimit dhe dënimit të z. Gucati dhe z. Haradinaj mendoj se ka qenë një skenar i kësaj Gjykate me tendencë për t’i dënuar këta të fundit. Skandali i dosjeve dhe shumë skandale të cilat kanë ndodhur brenda kësaj gjykate, të japin me kuptu se kjo gjykatë është politike dhe ka për qëllim që me çdo kusht ta njollosë luftën e drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bota sot: Sipas jush, pse po gjykohen ata në Hagë?

Xhevdet Qeriqi: Mendoj se po gjykohen politikisht. Ne të gjithë e dimë se hetuesit e kësaj Gjykate kanë punuar ngushtë me organet e prokurorise të Serbisë dhe kanë fabrikuar aktakuza kundrejt luftëtarëve të UÇK- së. Janë vetë hetuesit e kësaj gjykate ata të cilët e kanë pranuar se kanë bashkëpunuar me organet e prokurorise të Serbisë. Pra, kjo të jep me dëshmu se kjo gjykatë nuk ka asnjë provë për t’i mbajtur në paraburgim luftëtarët e UÇK-së dhe të jep me besu se kjo gjykatë është krejtësisht politike.

Bota sot: Pak kohë më parë jeni kërcënuar. Nga kush besoni se ju vijnë këto kërcënime?

Xhevdet Qeriqi: Po para disa ditësh kam marrë një kërcënim, fillimisht këta persona janë përpjekur që të më mashtrojnë dhe pasi që unë e kam kuptuar se këta janë mashtrues dhe u'a kam thënë këtë se ju jeni mashtrues dhe mos më pengoni atëherë ata kanë filluar që ta përdorin gjuhën kërcënuese dhe fyese ndaj meje, të gjitha këto komunikime me ta i kam deponuar në Policinë e Kosovës, pra janë mesazhe të shkruara të cilat i kam deponu në polici dhe të cilat mesazhe u'a kam përcjellur edhe disa kolegëve të juaj gazetarë, ku një pjesë të këtyre mesazheve i kanë publikuar mediat.

Bota sot: Ju keni deklaruar se disa figura politike i kanë bërë dëm vendit. Për cilat figura e keni pas fjalën?

Xhevdet Qeriqi: Sa i përket figurave politike nëse keni arritur ta përcjellni emisionin tim aty flasim për periudhën e paraluftës, bëhet fjalë për figura politike të cilat kishin pozita në kohën sa kemi qenë të pushtuar nga Serbia, figura këto të cilat kishin pranuar të punojnë me planprogramet e sistemin të Serbisë, apo siç i quanim ne atë kohë si kolaboracionist. Nuk bëhet fjalë këtu për partitë politike apo për asnjë politikan aktual shqiptar të ditës së sotshme.

Bota sot: Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të arrestohen në Serbi. Ҫfarë duhet bërë Qeveria e Kosovës në këtë rast?

Xhevdet Qeriqi: Sa i përket arrestimeve të qytetarëve të cilat po ndodhin nga ana e autoriteteve të Serbisë mendoj se Institucionet e Republikës të Kosovës e kanë të vështirë që të bëjnë diçka në këtë drejtim duke i pasur parasysh raportet tona si shtet me Serbinë. Krejt çka mund të bëjnë autoritetet e shtetit tonë janë që të kërkojnë nga shtetet mike të ushtrojnë presion mbi Serbinë për lirimin e atyre të cilët janë arrestuar e po mbahen padrejtësisht në burgjet serbe. Këshilla e ime kishte me qenë që qytetarët e vendit tonë t’i shmangen Serbisë mos të lëvizin nëpër territorin e saj sepse nuk ka siguri për asnjë qytetar shqiptarë që të lëvizin nëpër territorin e Serbisë.

Bota sot: Një mendim i juaji rreth ҫështjes së dinarit serb. A duhet toleruar ende Serbia të merr vendime të tilla në Kosovë?

Xhevdet Qeriqi: Sa i përket vendimit për ndalimin e dinarin, mendoj se është një vendim i drejtë i Institucioneve të Republikës së Kosovës. Dhe nuk duhet të tolerohet në asnjë formë që të ketë ndikim Serbia në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat