Haradinaj-Stublla flet për zhvillimet e fundit në vend, mbështet vendimin e qeverisë për dinarin – ka disa sugjerime për dialogun me Serbinë

Intervista

Haradinaj-Stublla flet për zhvillimet e fundit në vend, mbështet vendimin e qeverisë për dinarin – ka disa sugjerime për dialogun me Serbinë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 shkurt 2024 Në ora: 12:46
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Kosova po përballet me zhvillime të shumta politike, ku për disa prej tyre në një intevistë për gazetën “Bota sot” foli ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Se pari, Haradinaj-Stublla vlerësoi se situate politike dhe ajo e sigurisë në vendin tonë nuk është stabile, duke potencuar se zhvillimi e integrimi ndërkombëtar i Kosovës po mbahet pa të drejtë peng i dialogut me Serbinë.

Krahas kësaj, komentoi edhe zhvillimet pas sulmit terrorist në Banjskë, ku tha se nga Kosova do duhej që të insistohej që ose të hiqej presioni i Asociacionit mbi Kosovën ose të shtohej presioni i njohjes mbi Serbinë.

Sipas ish-ministres, Kosova pa të drejtë po vazhdon të mbetet e sanksionuar, derisa tha se organizata kriminale Lista Serbe vazhdon të financohet nga shteti dhe paratë tona.

“Vendosja e sanksioneve ndaj Vuçiqit e Serbisë nuk është e mjaftueshme për të sjellë barazi e drejtësi mes palëve: ose duhet të hiqet presioni i Asociacionit mbi Kosovën ose duhet të shtohet presioni i njohjes mbi Serbinë!” – tha ndër të tjera Haradinaj-Stublla.

Kurse, sa i përket ndalimit të dinarit, ish-ministrja potencoi se e drejta sovrane e Kosovës për t'i dhënë fund qarkullimit të paligjshëm të valutave tjera jo euro është në përputhje me standardet e BE-së dhe aspiratat e saj në BE.

Ndër të tjera, Haradinaj-Stublla foli edhe për sfidat e qeverisë në fushën e diplomacisë dhe në dialogun Kosovë-Serbi.

“Është momenti i fundit që Perëndimi të fillojë një rishikim strategjik të dialogut sidomos në definimin e parimeve të negocimit, afatit kohor, dhe epilogut – nëse dëshirojnë të zgjidhin përfundimisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor” u shpreh Meliza Haradinaj-Stublla.

Intervista e plotë

Gazet “Bota sot”: Znj.Haradinaj-Stublla, si e komentoni situatën politike në Kosovë?

Meliza Haradinaj-Stublla: Situata politike dhe ajo e sigurisë në Kosovë nuk është as e qetë as stabile. Ka kohë që edhe zhvillimi e integrimi ndërkombëtar i Kosovës po mbahet pa të drejtë dhe pa fajin tonë - peng i dialogut me Serbinë. Dihet botërisht tanimë që Serbia nuk dëshiron të integrohet në BE dhe strukturat tjera EuroAtlantike, duke mirëmbajtë lidhje të fuqishme bilaterale me Rusinë e Kinën, lidhje kjo e rifuqizuar pas fillimit të luftës në Ukrainë. Prandaj, mosvullneti i Serbisë për të përmbushur kushtet e integrimit evropian automatikisht po reflektohet në ngecje në dialog, në investim për destabilizim në veri, dhe instrumentalizim të serbëve të Kosovës për të penguar ecjen përpara të integrimit ndërkombëtar të Kosovës. Për fatin tonë të keq, edhe Perëndimi po e përdor çështjen e Kosovës për të kushtëzuar Serbinë, rrjedhimisht po mbesim fushëbetejë e përballjeve më të mëdha gjeopolitike.

Gazet “Bota sot”: Sa ka ndryshuar rrjedha e zhvillimeve dhe fokusi i qeverisë së Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë?

Meliza Haradinaj-Stublla: Beteja diplomatike e Kosovës pas sulmit të 24 shtatorit do të duhej të ishte avancimi i rrugës për NATO dhe vendosja e simetrisë në dialog: të insistohej që ose të hiqej presioni i Asociacionit mbi Kosovën ose të shtohej presioni i njohjes mbi Serbinë!

Por Kosova nuk e kapitalizoi agresionin terrorist në Banjskë të sponzorizuar nga Serbia e të ekzekutuar nga organizata kriminale Lista Serbe, për të kushtëzuar dialogun, zhvleftësuar diskutimin për Asociacionin, dhe mbajtur përgjegjës organizatën Lista Serbe. Minimumi që do të duhej të bënte Kosova do të ishte të kërkojë që të implementohet pa vonesa marrëveshja e IBM për funksionalizimin e 6 pikave kufitare me Serbinë, zbatimin e marrëveshjes për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të përgjithshëm, dhe ç’armatosjen e bandave kriminale të Vuçiqit në veriun e vendit. Por, institucionet vendosën që të vazhdojnë dialogun me agresorin pa kushte, dhe ende kur po flasim – organizata kriminale Lista Serbe vazhdon të financohet nga shteti dhe paratë tona (360 mijë euro nga KQZ dhe 250 mijë euro pagan ga Kuvendi), dhe ende pas 5 muaj të agresionit në Banjskë mungon aktakuza për terroristët e Banjskës dhe Radoiçiqin. Ndërsa, përkundër këtyre fakteve, Kosova mbetet e sanksionuar ndërsa Serbia jo! Por, vendosja e sanksioneve ndaj Vuçiqit e Serbisë nuk është e mjaftueshme për të sjellë barazi e drejtësi mes palëve: ose duhet të hiqet presioni i Asociacionit mbi Kosovën ose duhet të shtohet presioni i njohjes mbi Serbinë!

Gazet “Bota sot”: Së fundi, BQK përmes një vendimi ka ndaluar përdorimin e dinarit, gjë që ka nxitur reagime të mëdha edhe nga ndërkombëtarët. Si e vlerësoni këtë vendim dhe si i keni parë deklaratat e ndërkombëtarëve në lidhje me këtë temë?

Meliza Haradinaj-Stublla: E drejta sovrane e Kosovës për t'i dhënë fund qarkullimit të paligjshëm të valutave tjera jo euro është në përputhje me standardet e BE-së dhe aspiratat e saj në BE. Jo shumë kohë më parë, Serbia synoi pa sukses të përfshijë edhe Trepçën dhe transformimin e FSK-së si tema të dialogut në Bruksel. Kjo nuk u lejua asokohe, dhe as sot çështja e qarkullimit të dinarit brenda territorit tonë nuk duhet të lejohet të diskutohet në Bruksel. Kosova duhet të vazhdojë kursin e zgjidhjes së temave që pengojnë përparimin e zhvillimin tonë dhe krijojnë barriera artificiale për të ndaluar integrimin në BE.

Bashkësia ndërkombëtare specifikisht Bashkimi Evropian – do të duhej të sigurohet se ndërton një mekanizëm mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sepse moszbatimi dhe humbja e rëndësisë së tyre po na dështon në terren. Për më shumë, çështja e ndalimit të pagesave nga Serbia në Kosovë në valutën dinar – ishte paraparë të stopohet me marrëveshjen e Integrimit të Mbrojtjes Civile në vitin 2015 – por Serbia jo që nuk i shpërbëu strukturat e saj paralele në Kosovë, por i “fuqizoi” me trajnime, financa, e armatim ushtarak në forca paramilitare kriminale – siç i kemi parë në Banjskë. Pra të gjitha këto tema janë trajtuar në dialog më parë por është çështje mosimplementimi nga ana e Serbisë për të vazhduar t’i mbajë peng serbët e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Gazet “Bota sot”: Ju keni qenë edhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si e komentoni punën e qeverisë në aspektin diplomatik? Cilat janë sfidat dhe çfarë do duhej të bëhej ndryshe në këtë dikaster?

Haradinaj-Stublla: E drejta dhe barazia në arenën nderkombëtare nuk validohet duke vepruar si akter i vetem e i izoluar – pa aleanca e pa miq. E në rastin e Kosovës – kur e gjithë ekzistenca jonë shtetërore, politike, e territoriale varet nga aleatët e miqtë – domosdoshmeria e ndërveprimit me ta bëhet edhe më e theksuar. Prandaj edhe ekziston DIPLOMACIA – si veprim shtetëror që ka mundësi të amplifikojë te vërtetën e shtetit ndërkombëtarisht – që ka mundësi të bindë të pabindurit, ti kthejë armiqtë në miq – e të ndertojë përkrahje për interesin shtetëror. Fatkeqësisht – elementin e diplomacisë dhe veprimit diplomatik e kemi parë tërësisht eklipsuar dhe të pezulluar në disa momente kur roli i saj ishte vendimtar në komunikimin diplomatik me miqtë ndërkombëtar.

Gazet “Bota sot”: Një nga çështjet më të përfoluara dhe më të rëndësishme është dialogu Kosovë-Serbi. Sipas jush, a do jetë e mundur që të arrihet një marrëveshje finale gjatë këtij viti, marrë paraysh presionin e ndërkombëtarëve?

Meliza Haradinaj-Stublla: Krimi i agresionit paramilitar në Banjskë nuk e ka ndikuar fare pozicionin e Serbisë në dialog përballë Kosovës. Destruktiviteti i saj mbetet i ‘pavërejtur’, i pasfiduar, i pasanksionuar! Nëse para agresionit paramilitar serb në Banjskë kemi besuar se rikthimi i luftës me Serbinë ëshrë i pamundur, fatkeqësisht Banjska ka provuar të kundërtën!

Mungesa e simetrisë dhe rendit logjik sipas situates ne terren - në planin franko-gjerman e dështoi dialogun. Është hipokrizi të kërkosh vazhdimin e tij pa kushte dhe zbatimin pa vonesa të asociacionit, pa e klasifikuar ende ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë si krim agresioni i Serbisë kundër Kosovës!

Prandaj është momenti i fundit që Perëndimi të fillojë një rishikim strategjik të dialogut sidomos në definimin e parimeve të negociimit, afatit kohor, dhe epilogut – nëse dëshirojnë të zgjidhin përfundimisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat