Maqedonci: Dislokimi enorm i brigadave serbe në kufi me Kosovën, rrezik për gjithë Ballkanin

Intervista

Maqedonci: Dislokimi enorm i brigadave serbe në kufi me Kosovën, rrezik për gjithë Ballkanin

Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 10:47
Ejup Maqedonci.

Kosova po përballet me një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare, deklaron ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Përveç brigadave, thotë se Serbia ka të dislokuara në kufi me Kosovën edhe kapacitete të tjera që janë blerë nga Kina dhe Rusia dhe se kjo paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, një rrezik i tillë është shumë i lartë.

Maqedonci flet edhe për ndikimin rus në Ballkan, për çka thotë se informacioni është arma që Rusia përdorë për të gjunjëzuar një shtet. E kjo, siç thotë ai, po gjen shtrirje duke pasur si bazament strukturat e inteligjencës së Serbisë, të mbështetura edhe nga strukturat e inteligjencës së Rusisë.

Në intervistën për The Geopost, Maqedonci flet edhe për kapacitetet e Forcës të Sigurisë së Kosovës, për të cilën thotë se  po forcohet dhe është në fazën e dytë të tranzicionit në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Intervista e plotë:

Z. Ministër, a mund të na flisni për kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe si e shihni miratimin e SHBA-së për furnizim me raketat Javelin, çka do të thotë kjo për Kosovën?

Maqedonci: Forca e Sigurisë së Kosovës, pra Ministria e Mbrojtjes, mbështetë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, plan i cili është përpiluar, pra, hartuar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë të NATO-s. Ky plan është në zbatim prej vitit 2019. Aktualisht jemi në fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit.

Ky plan ndahet në tri faza kryesore. Faza e parë ka përfunduar në vitin 2022 dhe ka pasë kryesisht të bëjë me përgatitjen e aspektit të legjislacionit, doktrinës, dokumenteve dhe trajnimet për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kurse aktualisht pra, jemi në fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, që do të vazhdojë deri në vitin 2025, pra, përfundimi i kësaj faze do të jetë viti 2025, që nënkupton që deri në atë kohë, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i ketë tri regjimente të validuara të këmbësorisë, të gatshme për të kryer detyra të mbrojtjes së territorit, pra detyra luftarake për mbrojtjen e territorit, dhe të gatshme për të qenë pjesë e misioneve të përbashkëta me partnerët dhe aleatët tanë.

Normalisht gjatë vitit të kaluar, jeni të informuar që kemi validuar një regjiment të këmbësorisë, ky regjiment është validuar në kuadër të ushtrimit “Defender Europe 23” dhe aktualisht jemi në përgatitje për validimin e regjimentit të dytë të këmbësorisë. Furnizimi, pra pranimi i kërkesës nga departamenti i shtetit për sistemin anti-tank Javelin që ndodhi më 11 janar të këtij viti, pra vitit 2024, është shumë domethënës për ne, veçanërisht për faktin që me këtë sistem ne i zhvillojmë edhe më tutje kapacitetet tona luftarake për mbështetjen e operacioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Këto kapacitete janë të planifikuara dhe të koordinuara bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ndërtohen ndër vite sipas planit.

Faza e tretë do të fillojë në vitin 2025 dhe përfundon në vitin 2028. Kjo do të jetë faza finale e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku ne do të ndërtojmë edhe kapacitete tjera, siç janë kapacitetet e mbështetjes ajrore dhe kapacitetet e artilerisë.

Një pjesë të tyre veçse i kemi në vend qysh në këtë fazë dhe kjo falë mbështetjes së e vazhdueshme që kemi pasur nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës me buxhet shtesë. Pra buxheti që kemi marr, si në aspektin e rritjes së buxhetit, gjithashtu buxhetin shtesë që kemi marr gjatë këtyre tri viteve, ka ndikuar dukshëm që ne të zhvillojmë këto kapacitete shumë më përpara se që kanë qenë të planifikuara dhe aktualisht, e kemi si informacion që kemi në vend kapacitetet e mbështetjes ajrore përmes dronëve Bajraktar por dhe planifikojmë të ndërtojmë edhe kapacitete tjera. Gjithashtu, kemi edhe sistemet tjera qe tanimë i kemi në funksion.

Të gjitha këto kapacitete janë duke u ndërtuar në bashkëpunim me partnerët tanë dhe të gjitha blerjet që janë bërë, janë bërë në përputhje me standardet e NATO-s, pra të gjitha pajisjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë pajisje që blihen nga vendet e NATO-s, janë sipas standardeve të NATO-s dhe janë të planifikuara në inventarin e pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Janë 48 baza ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, po ashtu kemi edhe furnizimin me armatim, të cilat Serbia i ka marrë nga Rusia, sa e rrezikon kjo Kosovën?

Maqedonci: Po, 48 bazat e përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë një kërcënim i vazhdueshëm për vendin tonë edhe për faktin që këto 48 baza janë në afërsi të kufirit me territorin e vendit tonë, pra janë diku prej 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufitare e Kosovës dhe janë të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë. Përveç këtyre 48 bazave, është për tu theksuar edhe fakti që 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe ato të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë.

E kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Përveç këtyre tri brigadave, ka edhe formacione të tjera luftarake të ushtrisë serbe që janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë dhe kryesisht janë në bazat në Rashkë, Nish dhe Vranjë, pra përgjatë gjithë vijës kufitare të vendit tonë dhe këto 48 baza që i theksuat janë një zgjatje operacionale e këtyre tri brigadave të ushtrisë serbe e që aktualisht janë në jug të territorit të Serbisë dhe vetëm 1 nga 4 brigadat e ushtrisë së Serbisë është e dislokuar në veri të territorit të Serbisë, më saktësisht në kufi me Republikën e Kroacisë.

Pra, shumica e kapaciteteve luftarake, duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe kjo nuk paraqet kërcënim vetëm për vendin tonë, por, për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimorë dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës. Duke i shtuar kësaj edhe veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga grupe të armatosura paramilitare të udhëzuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ky rrezik është shumë i lartë.

Sa është i sigurt qytetari i Republikës së Kosovës?

Maqedonci: Serbia kundër Republikës së Kosovës është duke zbatuar taktika dhe formate të ndryshme të luftës, mes tyre janë edhe kërcënimet hibride, pra, përmes sulmeve hibride që nënkupton angazhimi i forcave konvencionale në bashkëpunim me forcat jokonvencionale kundër Republikës së Kosovës, në këtë rast, informacioni është një ndër elementet, propaganda, mund të themi është një ndër elementet që Serbia është duke shfrytëzuar ndër vite për të rrezikuar, për të cenuar stabilitetin në vendin tonë, por gjithashtu për të influencuar dhe për të mbajtur nën kontroll qytetarët serbë të Kosovës, të cilët, fatkeqësisht një pjesë e tyre, jo të gjithë, janë të ndikuar nga kjo propagandë në raport me integrimin në strukturat dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës. Ky informacion në vazhdimësi është pasqyruar nëpërmjet formave të ndryshme, 50% e mediave ne Serbi mbesin pa autorë, janë media të cilat nuk dihet se ku e kanë bazën dhe këto media kanë tejzgjatje edhe në Republikën e Kosovës dhe tentojnë në vazhdimësi që të krijojnë një situatë ku do të vinim në pikëpyetje stabilitetin e vendit tonë, duke tentuar për të krijuar trazira sociale por edhe telashe të tjera për qytetarët e vendit tonë.

Është për tu theksuar që një ndër pikat kryesore të shërbimit sekret rus për të destabilizuar një vend, pra, për të gjunjëzuar një shtet është informacioni, dhe informacioni gjithmonë synon krijimin e një depresioni kolektiv, depresion ky që vërehet edhe në vendin tonë dhe që unë vlerësoj që ka bazament strukturat e inteligjencës të Serbisë të mbështetura edhe nga strukturat e inteligjencës së Rusisë.

Kemi diskutime per hyrjen e Kosoves ne NATO, por se pari duhet edhe partneriteti për paqe?

Maqedonci: Partneriteti për paqe nuk është hap i kërkuar dhe i domosdoshëm për tu pranuar në NATO, pra është një hap i ndarë nga anëtarësimi në NATO. Vendi ynë është duke ndërtuar kapacitetet mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s. Ne, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës kemi një ekip të NATO-s i cili është ekip i dedikuar për këshillim dhe mbështetje të zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë. E gjithë doktrina që e kemi ndërtuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë planifikimi që zhvillohet në Ministrinë e Mbrojtjes është në përputhje me standardet e NATO-s, të gjitha blerjet e pajisjeve, të gjitha sistemet që ne përdorim janë sisteme të NATO-s dhe këta hapa janë bërë kryesisht me qëllim afrimin e vendit tonë në partneritetin për paqe dhe në NATO.

Vendimi për të qenë pjesë e NATO-s, por edhe partneritetit për paqe është vendim politik i anëtarëve të NATO-s, dhe fatkeqësisht ende kemi vende që hezitojnë të njohin pavarësinë e vendit tonë dhe rrjedhimisht hezitojnë ta pranojnë Kosovën, megjithatë, kemi pasur përafrim kohëve të fundit, gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, në konferencën FSK Partner, kemi pasur edhe vende mosnjohëse që kanë marrë pjesë në këtë konferencë që organizohet me qëllim të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përafrimit të FSK-së me NATO-n, më saktësisht kemi pasur përfaqësues nga Greqia dhe Sllovakia që kanë qenë pjesë e kësaj konference që është realizuar gjatë muajit tetor të vitit të kaluar (2023).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat