Salihaj flet për raportet Kosovë-SHBA dhe dinarin/ Mesazh LDK-së: Të distancohet nga çfarëdo koncepti apo afërsie me PDK-në dhe AAK-në

Intervista

Salihaj flet për raportet Kosovë-SHBA dhe dinarin/ Mesazh LDK-së: Të distancohet nga çfarëdo koncepti apo afërsie me PDK-në dhe AAK-në

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 shkurt 2024 Në ora: 18:56
Adem Salihaj

Ish- deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj në një intervistë për "Bota sot" ka folur mbi zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ai ka thënë se raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, që një kohë janë duke u tensionuar.

Ai ka rikujtuar se të gjitha veprimet që i ka marrë qeveria për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë në veri, bashkësia ndërkombëtare e ka akuzuar Kosovën se po ndërmerr veprime të njëanshme.

Më tej, Salihaj ka thënë se situata në pjesën veriore të shtetit tonë ka ndryshuar radikalisht pas sulmit terrorist të Banjskës.

Sipas tij, vendimi e BQK-së për heqjen nga qarkullimi të dinarit është i drejt, por që është bërë në hapa të gabuar.  

Ish-deputeti thekson se Serbia nuk është aspak e interesuar për dialog, duke thënë se i vetmi plan i saj është që ta rikthejë së paku një pjesë të territorit të Kosovës.

Derisa komenton edhe punën e LDK-së aktualisht, ai thotë se kjo parti duhet të ringjallet nga veprimet e gabueshme nën udhëheqjen e Isa Mustafës.

Intervsita e plotë:

“Bota sot”: Z. Salihaj si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë? Opozitarët po e fajësojnë Qeverinë Kurti për “prishjen” e marrëdhënieve me ndërkombëtarët, madje edhe ata vet kanë po pohuar një gjë të tillë, si e komentoni ju, cila është zgjidhja?

Adem Salihaj: Duhet thënë se qe një kohë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe me SHBA-të duken të tensionuara. Them duken, sepse në marrëdhëniet në mes shteteve ajo që duket nuk e tregon gjithmonë realitetin. Të gjitha këto tensione, madje edhe disa masa ndaj Kosovës janë për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës. Ka afro dy vite që situata atje ka ndryshuar radikalisht dhe është një situatë njëqind për qind ndryshe krahasuar me atë që ka qenë më parë. Ky ndryshim i situatës ka shqetësuar dhe alarmuar bashkësinë ndërkombëtare, gjë që tregon se ajo ka qenë e interesuar që ta ruajë status quon, që gjendja atje të mbetet vazhdimisht e pazgjidhur. Në të gjitha rastet e veprimeve që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të shtetit tonë, bashkësia ndërkombëtare e ka akuzuar Kosovën se po ndërmerr veprime të njëanshme, të cilat e tensionojnë situatën atje, duke i kërkuar asaj që të gjitha këto çështje t’i zgjidhë me bisedime me Serbinë. Në anën tjetër, Serbia nuk pranon asnjë zgjidhje të statusit të serbëve në kuadër të Kosovës së pavarur, duke insistuar vazhdimisht, ditë e natë, që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, i cili është trampolina për krijimin e Republikës Serbe në Kosovë. Formimin e asociacionit e kërkojnë me ngulm edhe ndërkombëtarët, përfshirë edhe SHBA-të. Në të gjitha rastet, Qeveria e Kosovës është nën një presion të jashtëzakonshëm, deri te masat ndaj Kosovës. Në fakt, formimi i këtij asociacioni ashtu si e kërkon Serbia, do të ishte fundi i shtetit të Kosovës.

Duhet theksuar faktin se situata në pjesën veriore të shtetit tonë ka ndryshuar radikalisht pas sulmit terrorist të Banjskës, kur një kompani ushtarake terroriste, e armatosur deri në dhëmbë, tentoi ta krijonte një situatë lufte të armatosur në veri dhe ta kalonte këtë pjesë të territorit tonë qind për qind nën kontrollin e bandave terroriste të Vuçiqit, d.m.th. të vetë Serbisë. Dështimi i i këtij aksioni e gjunjëzoi Serbinë dhe ajo e përjetoi shumë rëndë këtë humbje. Duhet thënë se deri atëherë bandat e Vuçiqit në veri kanë bërë çka kanë dashur dhe e kanë nënçmuar deri në skajshmëri Policinë e Kosovës. Gabimi i dytë i Vuçiqit ishte shpallja e terroristëve të vrarë heronj dhe shpallja e zisë kombëtare për ta. Prej rastit të Banjskës e këndej, bandat serbe asnjëherë nuk kanë guxuar të shfaqen apo të ndërmarrin ndonjë veprim, ato janë strukur diku ose kanë ikur në Serbi.

Sa i përket reagimeve të opozitës, janë krejt pa vend, janë reagime të frustruara dhe të pakontrolluara, unison me shumë portale e televizione proserbe. Kjo është për të ardhur keq.

“Bota sot”: Vendimi i BQK-së për heqjen nga qarkullimi të dinarit në Kosovë ngjalli reagime të shumta veçanërisht nga SHBA-ja, si e keni parë ju këtë situatë?

Adem Salihaj: Vendimi i BQK-së ishte një vendim plotësisht i drejtë dhe është në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Asnjë shtet nuk e lejon monedhën e shtetit tjetër që të funksionojë si monedhë zyrtare në tregun e vet. Është tejet e çuditshme që reagimi i faktorit ndërkombëtar dhe i SHBA-ve ishte shumëfish më i ashpër ndaj këtij hapi të BQK-së, se sa ndaj sulmit terrorist në Banjskë. Vendimi i BQK-së, i cili është në fakt vendim i Qeverisë së Kosovës, ishte, në parim, i drejt, por i gabuar në hapa. Duhej shpallur vendimi, por që realizimi i tij të parashihej në faza. Për shembull, faza e parë do të duhej të ishte informimi i qytetarëve serbë me vendimin, pastaj me mënyrën se si tash e tutje do të merrnin pensionet, pagat dhe ndihmat financiare nga Serbia, duke mos lënë hapësirë për pakënaqësi të tyre dhe akuza që vijnë nga Serbia se Qeveria e Kosovës po ua merr bukën serbëve dhe po ua rrezikon ekzistencën e tyre në Kosovës. Një fazë tjetër do të ishte një marrëveshje me Serbinë për mënyrën e transferimit të këtyre dinarëve në Kosovë, sepse nuk mund të lejohet mënyra e deritashme e futjes së këtyre dinarëve me thasë e pa asnjë kontroll se kush financohet me këta dinarë. Dyshimet janë se me ta financohen edhe bandat terroriste të Vuçiqit. I gjithë ky plan mund të realizohej brenda pesë-gjashtë muajve. Në këtë mënyrë do të hiqej aduti i bashkësisë ndërkombëtare dhe Vuçiqit se ky vendim është i orientuar kundër serbëve. Një fleksibilitet në realizimin e këtij vendimi, i cili gjithsesi çon në realizimin e planit të Kosovës, nuk do të ishte aspak i dëmshëm për Kosovën, përkundrazi, do t’i krijonte mundësi më të mëdha për remizimin e këtij vendimi.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për dialogun me Serbinë, si e parashihni epilogun?

Adem Salihaj: Serbia nuk është aspak e interesuar për dialog. I vetmi plan i Serbisë është që ta rikthejë së paku një pjesë të territorit të Kosovës. Serbia dëshiron të zhvillojë ‘’dialog’’ nën trusninë e një kërcënimi të vazhdueshëm, qoftë përmes bandave terroriste, qoftë përmes grykave të topave të ushtrisë serbe.  Plani i vetëm i Serbisë është nënshtrimi i Kosovës.

“Bota sot”: Serbia po vazhdon të kërcënojë Kosovën në forma të ndryshme, si e shihni ju?

Adem Salihaj: Serbia gjithmonë ka qenë shtet terrorist, ndaj të gjithë popujve përreth, veçanërisht ndaj shqiptarëve. Ajo në vazhdimësi po e kërcënon Kosovën me ripushtim, duke vendosur 48 baza ushtarake në pjesën jugore të saj dhe në kufi me Kosovën, të cilat përbëjnë tri të katërtat ose 75 për qind të forcës së saj të përgjithshme ushtarake. Qëllimi i saj është që ta mbajë Kosovën nën kërcënim ushtarak, duke mos e përjashtuar mundësinë, që në ndonjë situatë të përshtatshme, ta ripushtojë veriun e Kosovës, apo edhe më shumë se kaq. Serbia, historikisht ka qenë shtet i provokimit të luftërave dhe gjakderdhjeve të shumta me të gjithë popujt fqinj të Ballkanit.

“Bota sot”: Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar nga BE-ja për shkak të raporteve me Serbinë, mendoni se ka njëanshmëri në qëndrimet e ndërmjetësuesve të dialogut?

Adem Salihaj: Po, gjithsesi ka njëanshmëri, e cila ka logjikën e saj, që nënkupton ledhatimin e destruktivitetit të Serbisë. Kjo neve na duket e pakuptimtë, por kështu është. Ata po e dënojnë të dobëtin dhe të pafajshmin. Ata gjoja se në këtë mënyrë po e menaxhojnë Serbinë që të mos shkaktojë ndonjë konflikt të ri në Ballkan, por në fakt po bëjnë të kundërtën, ata po e inkurajojnë atë që të bëjë destruksione dhe shantazhe ndaj fqinjëve.

“Bota sot”: Keni qenë deputet i LDK-së, si po e shihni punën e LDK-së tash?

Adem Salihaj: LDK-ja duhet të bëjë përpjekje që të ringjallet, pas grushtit të rëndë që pësoi si pasojë e veprimeve të gabueshme në udhëheqjen e Isa Mustafës. Udhëheqja e LDK-së duhet të distancohet qartë nga ajo politikë, nëse dëshiron të shkojë përpara. Nuk mund t’i bien të mëdha ose të vogla këpucët e Ibrahim Rugovës. Thirrja për të dalë nga koncepti rugovist i LDK-së është i gabueshëm dhe i dëmshëm, është koncept i kundërshtarëve të LDK-së. Koncepti dhe vizioni rugovist është i vetmi, të cilin duhet ta ketë LDK-ja. Po ashtu, LDK-ja duhet të distancohet qartë nga çfarëdo koncepti apo afërsie me PDK-në dhe AAK-në, sepse nuk ka asgjë të përbashkët me to. Pikërisht koalicionet me PDK-në e kanë sjellë LDK-në në gjendjen që është tash.

“Bota sot”: Të shtunën janë mbushur 16 vite nga shpallja e pavarësisë, si një nga nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë, si e shihni Kosovën dhe çfarë mendoni se do të sjell e ardhmja? 

Adem Salihaj: Kosova në këtë 16-vjetor është më e fortë dhe më e konsoliduar se më parë. Ka bërë zhvillime të rëndësishme në shumë sfera, siç janë sfera e sigurisë, kontrollit të territorit dhe zhvillimit ekonomik. Mua më gëzojnë këto suksese. Në të ardhmen duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të veprojmë me mençuri, për realizimin e qëllimeve tona. Kjo nuk nënkupton heqje dorë, e as luhatje, përkundrazi, nënkupton vendosmëri për të ecur përpara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat