Dy vjet pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në këtë vend ka “shenja të stresit politik dhe social”, thotë William Courtney, studiues i lartë në Rand Corporation - institut me bazë në ShBA.
Ish-diplomati amerikan, dikur ambasador në Kazakistan dhe në Gjeorgji, thotë se ndryshimi i regjimit në Rusi është një mundësi, por shprehet i kujdesshëm në bërjen e parashikimeve.
“Rusia po bëhet gjithnjë e më represive me kalimin e kohës. Në mbi tri dekada të pavarësisë moderne, Rusia nuk ka qenë kurrë më represive brendapërbrenda dhe kurrë më agresive jashtë vendit. Pra, deri diku, ky është një lloj i territorit të ri”, thotë Courtney.
Aktualisht, lufta në Ukrainë, thotë ai, ka hasur në ngërç - “gjatë vitit të kaluar, asnjëra palë nuk ishte në gjendje të ndërmerrte ndonjë ofensivë të suksesshme kundër palës tjetër”.
Se si do të jetë situata në vitin e tretë, thotë se është vështirë të parashikohet, pasi lufta “ka pasur vazhdimisht befasi”.
Por, një prej mësimeve të nxjerra prej saj është se “agresioni në Ukrainë i ka kushtuar shumë Rusisë”, thotë Courtney në një intervistë për REL.
Të shtunën bëhen dy vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Cila është gjendja aktuale e luftës?
William Courtney: Lufta është në një ngërç si në Ukrainën lindore, ashtu edhe atë jugore. Gjatë vitit të kaluar, asnjëra palë nuk ishte në gjendje të ndërmerrte ndonjë ofensivë të suksesshme kundër palës tjetër. Pra, duket pak si “ngërçi i Luftës së Partë Botërore” [periudha kur as aleatët dhe as fuqitë qendrore nuk mund të dilnin në avantazh në frontin perëndimor].
Në betejën detare, megjithatë, Ukraina është në ofensivë. Ajo ka fundosur shumë anije luftarake ruse. Ndoshta një e treta e flotës ruse të Detit të Zi është fundosur. Pjesa tjetër është zhvendosur në pjesën lindore të Detit të Zi, nga frika se mund të fundoset nga dronët ukrainas.
Pra, kjo është një pikë vërtet e ndritshme. Dhe, për rrjedhojë, Ukraina ia ka dalë t’i rikthejë dërgesat e grurit deri në nivelin e paraluftës.
Pastaj vjen lufta ajrore. Një zhvillim interesant i kësaj është se asnjëra palë nuk ka mundur të fitojë epërsi ajrore mbi territorin e kontrolluar nga pala tjetër.
Në fillim të luftës, Rusia, me një forcë ajrore më të madhe dhe më moderne, mendohej se do të fitonte epërsi ajrore mbi Ukrainën. Kjo nuk ndodhi, sepse mbrojtja ajrore nga toka ka qenë aq e fuqishme - në të vërtetë nga të dyja anët - saqë avionët e asnjërës palë nuk kanë arritur të fluturojë shumë mbi territorin e palës tjetër.
Pra, lufta duket ndryshe, nëse flasim për atë nga toka, deti apo ajri.
Po cilët faktorë kanë kontribuar në këtë ngërçin aktual?
William Courtney: Janë disa. Sa i përket palës ukrainase, asaj i mungon municioni, sepse ndihma nga Perëndimi ka qenë e ngadalshme.
Por, çështjet më sistematike përfshijnë edhe transparencën në fushën e betejës. Të dyja palët kanë dronë vëzhgimi. Ukraina, fillimisht, ka qenë në epërsi, por Rusia e ka zënë hapin. Kështu që është shumë e vështirë të grumbullohen forca për një ofensivë, pa u parë nga pala tjetër, që pastaj lëshon artileri ose dronë kundër atyre forcave.
Kjo ka bërë që betejat të jenë më të decentralizuara dhe që këmbësoria të marrë rol më të madh se automjetet e blinduara, sepse këmbësoria shihet më vështirë në fushëbetejë dhe arrin të lëvizë pak më mirë.
Rol ka pasur edhe mbrojtja ajrore nga toka. Siç e përmenda, askush nuk ka pritur që mbrojtja e Ukrainës do ta pengonte Rusinë për të fituar epërsinë ajrore.
Sa i përket frontit ndërkombëtar, a mendoni se mbështetja për Ukrainën është duke u venitur?
William Courtney: Jo. Në fakt, njerëzit nganjëherë flasin për lodhje [nga lufta në Ukrainë], por ne nuk shohim shenja lodhjeje as në Evropë, as në Shtetet e Bashkuara.
Bashkimi Evropian sapo ka miratuar 50 miliardë dollarë [ndihma për Ukrainën] pas një vonese të shkaktuar nga kundërshtimi i [kryeministrit hungarez] Viktor Orban.
Në Shtetet e Bashkuara, shohim kundërshtimet e disave në Dhomën e Përfaqësuesve, për arsye të ndryshme. Për shembull, një numër njerëzish nga ekstremi i djathtë besojnë se SHBA-ja duhet të shpenzojë më shumë para për sigurinë kufitare dhe jo për të ndihmuar Ukrainën. Por, nëse votimi zhvillohet, duket se shumica e demokratëve do ta mbështesnin, ashtu si dhe gjysma e republikanëve. Pra, çështja kryesore është të mbahet votimi [për ndihmën]. Nëse ai ndodh, ka të ngjarë të miratohet me një diferencë të madhe në Dhomën e Përfaqësuesve dhe me shumicë dërrmuese në Senat.
Pra, ne nuk shohim shenja të lodhjes. Evropianët e shohin sulmin nga Rusia si një kërcënim të drejtpërdrejtë. Shtetet e Bashkuara mbajnë lidhje të ngushta me aleatët e tyre dhe, për këtë arsye, i mbështesin ata.
Çka nëse Donald Trump rizgjidhet president i SHBA-së? Si do të ndikonte në dinamikën e luftës [marrë parasysh se ai e ka kushtëzuar ndihmën për aleatët]?
William Courtney: Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhte. Derisa ka qenë president, ka pasur shqetësime se mund ta tërheqë SHBA-në prej NATO-s. Por, Kongresi tani ka miratuar një ligj, në bazë të të cilit presidenti nuk mund ta nxjerrë SHBA-në nga NATO-ja pa miratim të Kongresit.
Po ashtu, administrata e Trumpit i ka propozuar Kongresit 30% shkurtime në çështjet e jashtme, por Kongresi e ka injoruar.
Pra, kjo është një qeveri që ka institucione të shumta. Presidenti Trump, qartazi, do të kishte ndikim, por edhe degët e tjera, sidomos Kongresi, do ta kenë fjalën e tyre.
Marrë parasysh situatën tani, a ka ende gjasa që Ukraina të fitojë?
William Courtney: Është shumë e vështirë të parashikohet. Ka pasur shumë befasi në këtë luftë. Ju kujtohet kur, në fillim të saj, disa ekspertë në Perëndim kanë parashikuar se forcat ruse do ta rrethojnë Kievin brenda 72 orësh. Kjo nuk ka ndodhur. Në fakt, Rusia nuk ka qenë në gjendje të marrë kontrollin e asnjërit prej tri qyteteve të mëdha: Kievit, Harkivit apo Odesës. Andaj, nuk duhet të bëjmë shumë parashikime.
Megjithatë, janë disa faktorë që duhet të merren parasysh. Nga ana e Ukrainës, morali është i lartë, ndërsa nga pala ruse është i ulët. Rusia ka më shumë ushtarë se Ukraina, por humbjet e saj në luftë kanë qenë shumë të mëdha, saqë asaj do t’i duhet të jetë më e kujdesshme në të ardhmen.
Teknologjia mund të luajë rol, po ashtu. Perëndimi ka një avantazh të madh në inteligjencën artificiale dhe ajo do të bashkojë më shumë sisteme armësh në të ardhmen - çfarë do të mund të shndërrohet në avantazh për Kievin.
Në anën tjetër ka, po ashtu, paqartësi për jetën politike në Rusi. Rebelimi i Yevgeny Prigozhinit [udhëheqës i grupit mercenar, Wagner] ka qenë krejtësisht i papritur. Tani, shohim edhe shenja të tjera të stresit politik në Rusi, disa prej të cilave janë shkaktuar nga vdekja e [udhëheqësit të opozitës ruse, Alexey] Navalny në një burg në Arktik. Andaj, nuk e dimë.
Nëse shohim luftën sovjetike në Afganistan, çfarë e ka nxitur tërheqjen e Bashkimit Sovjetik? Një faktor ka qenë ndryshimi i regjimit më 1985. Atëkohë, [Mikhail] Gorbachev ka marrë pushtetin, duke kërkuar marrëdhënie më të mira me Perëndimin. Faktor tjetër ka qenë rraskapitja në Bashkimin Sovjetik pas një dekade luftë. Pra, të dy këta faktorë kontribuuan në tërheqjen [sovjetike]. Ne, thjesht, nuk e dimë se si do të shkojnë gjërat në Ukrainë.
A e shihni ndryshimin e regjimit në Rusi si mundësi?
William Courtney: Kjo është një mundësi, por nuk do të bëja parashikime. Rusia po bëhet gjithnjë e më represive me kalimin e kohës. Në mbi tri dekada të pavarësisë moderne, Rusia nuk ka qenë kurrë më represive brendapërbrenda dhe kurrë më agresive jashtë vendit. Pra, deri diku, ky është një lloj i territorit të ri.
Rusët kanë përjetuar rritje ekonomike që nga ardhja e Putinit në pushtet, por tani shohim një ekonomi të tendosur dhe rënie të prodhimit. Rusia ka shumë mungesë të kapitalit tani, si dhe të teknologjisë për ekonominë. Ajo mund t’i vjedhë disa teknologji nga Perëndimi, por jo aq sa për ta ndihmuar ekonominë. Prodhimi i automobilave, për shembull, është në rënie, sepse [Rusia] nuk mund të ketë qasje në teknologjinë perëndimore [për shkak të sanksioneve].
Ka edhe faktorë të tjerë, andaj nuk mund të bëjmë parashikime. Por, ajo që shohim, janë shenja të stresit politik dhe social në Rusi.
E, si e vlerësoni kërcënimin bërthamor nga Rusia? Është rritur apo zvogëluar gjatë vitit të kaluar?
William Courtney: Ju kujtohet fillimi i luftës kur presidenti Putin ka folur për mundësitë bërthamore, duke implikuar edhe kërcënime bërthamore. Pastaj, në shtator të vitit 2022, [presidenti i Kinës] Xi Jinping dhe [kryeministri i Indisë] Narendra Modi e kanë paralajmëruar publikisht Putinin që të mos përdorë armë bërthamore. Pas kësaj, rusët nuk kanë folur edhe shumë për armët bërthamore.
Përdorimi i armëve bërthamore në Ukrainë nuk do të ishte një opsion nga i cili do të përfitonin forcat ruse atje. Forcat ruse nuk janë të stërvitura për të luftuar në fushëbetejë bërthamore.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të qarta kur kanë thënë se do të ketë përgjigje katastrofike nëse Rusia përdor armë bërthamore. Andaj, nuk mendoj se njerëzit e shohin këtë si kërcënim të madh për momentin.
Atëherë, cilat janë mësimet kryesore nga dy vjetët e luftës në Ukrainë që ndoshta mund të na tregojnë se çfarë mund të ndodhë tani?
William Courtney: Nuk ka shumë mësime që mund të na tregojnë se çfarë do të ndodhë, sepse do të ketë faktorë të paparashikueshëm. Por, megjithatë, ka disa mësime të rëndësishme. Një prej tyre është se agresioni në Ukrainë i ka kushtuar Rusisë shumë. Rusia tani e ka humbur tregun e gazit natyror në Evropë, që ishte shumë i rëndësishëm për të.
Një tjetër mësim është se Rusia mund ta ketë nënvlerësuar vullnetin e NATO-s ose të Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur Ukrainën, por NATO-ja është tani më e fortë se kurrë në periudhën e pas Luftës së Ftohtë. Evropianët dhe Shtetet e Bashkuara po i japin mbështetje të madhe Ukrainës.
Mendoj se një nga mësimet e Luftës së Ftohtë është se mënyra më e mirë për të penguar agresionin, është që t’i kundërvihesh atij. Kjo është ajo që po ndodh tani.
Disa vende evropiane, si Gjermania apo Mbretëria e Bashkuar, kanë paralajmëruar publikun e tyre se mund të përballen me një luftë potenciale me Rusinë. Si e komentoni ju këtë?
William Courtney: Nëse Rusia do ta nuhaste fitoren në Ukrainë, ndoshta do të trimërohej dhe do të sulmonte dikur tjetër. Unë mendoj se kjo është një nga arsyet përse vendet e NATO-s po i japin Ukrainës mbështetje aq të madhe
Rusia është duke paguar çmim shumë të lartë për agresionin e saj në Ukrainë. Dikush do të çuditej nëse ajo [do të merrte guximin] për të paguar edhe një çmim tjetër duke sulmuar vendet e NATO-s.
Deri më tani, Rusinë e kemi parë si shumë të kujdesshme. Për shembull, aeroplanët e saj nuk fluturojnë kurrë në territorin e NATO-s pranë Ukrainës.
Mendoj se Rusia do të vazhdojë të jetë e kujdesshme dhe të mos sulmojë NATO-n, derisa nuk është e gatshme të paguajë një çmim shumë të lartë.