Zhvillime dinamike po ndodhin kohëve të fundit në Kosovë.
Çështjet që më së shumti po diskutohen dhe kanë marrë vëmendjen e opinionit publik në Kosovë dhe atij ndërkombëtarë, lidhen me raportet Kosovë-Serbi.
E për të folur mbi këto zhvillime, gazeta “Bota sot” intervistoi ish-ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.
Së pari, Ukshini tha se rrjedha e ngjarjeve në Kosovë është tejet dramatike, e kjo gjë ka filluar që pas agresionit serb në Banjskë.
Ish-ambasadori potencoi se shteti serb vazhdon ta ketë makth pavarësinë e Kosovës, prandaj në vazhdimësi provokon dhe pengon shtetin tonë drejt aspiratave për integrime evropiane.
Gjithashtu, ai foli edhe për çështjen e dinarit, ku mbështeti vendimin e BQK-së, derisa u shpreh i befasuar se si aleatët ndërkombëtarë ranë në “kurthin” e Serbisë, kinse një vendim i tillë godet serbët lokalë.
Krahas kësaj, ish-ambasadori komentoi edhe raportet Shqipëri-Kosovë, derisa kërkoi nga Edi Rama që të ketë kujdes në lidhje me deklaratat e tij për Kosovën.
Ndër të tjera, Ukshini analizoi edhe zhvillimet dhe ecurinë e negociatave në Bruksel mes dy palëve, ku u shpreh skeptik për arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy shteteve brenda këtij viti.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatë politike në vend?
Sylë Ukshini: Natyrisht, zhvillimet kanë marrë një rrjedhë dramatike, sidomos pa agresionit ushtarak të Beogradit në shtator të vitit 2023, i njohur tashmë si rasti Banjska, ku struktura paramilitare serbe, një model i aplikuar tashmë në Kroaci dhe Bosnjë në fillim të viteve 1990-ta, por përsëritet edhe ndaj Kosovës.
Serbia ka makth nga pavarësia e Kosovës, pasi ajo gjithmonë e kishte trajtuar në formë koloniale, veçanërisht me dy luftërat botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ku edhe me ndihmën e shqiptarëve kishte ndjekur agjendën e serbizimit të Kosovës. Dhe tani që Kosova është e pavarur ajo këtë realitet e sheh si pengesën kryesore për realizimin e konceptit hegjemonist për realizimin e Serbisë së Madhe.
Situata u dramatizua së fundi edhe pas vendimit të BQK për përjashtimin e valutave të huaja për transaksionet financiare. Kjo nënkuptonte sidomos përjashtimin përfundimtar të valutës së një shteti tjetër, të një shteti agresor, i cili dëshiron ta çimentoj konceptin e përkohshmërisë në Kosovë: Qeveri dhe institucione të përkohshme. Në këtë prizëm edhe tendencën për ruajtjen e pranisë së dinarit serb duhet parë më shumë si përpjekje për ruajtjen e kësaj valute si një lloj pranie të shtetit serb në Kosovë.
Unë jam i befasuar se si vendet partnere të Kosovës e morën si të mirëqenë zhurmën propogandistike të Beograd se rregullorja e BQK-së për aplikimin e valutës euro në tërë territorin „krijon kushte padurueshme për serbët“ në Republikën e Kosovës.
Si ka mundësi që serbët lokal të marrin pensionet në euro, Lista Serbe në Kuvendin e Republikës së Kosovës merr pagat në euro dhe s’ka asnjë ankesë. Për më tepër, aplikimi vetëm i valutës euro, nëse nuk i dëmton shqiptarët si shumicë absolute e popullsisë në Kosovë, si mund të ndodh kjo me serbët. Jo aty nuk është halli, qëllimi kryesor është ikja nga zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, ikja nga detyrimi për njohje de facto të Kosovës dhe e treta është viktimizimi i serbëve lokal. Çmenduria raciste e Vuçiqit shkoi deri aty sa deklaroi se nëse aplikohet euro do të ndodhë “spastrim etnik të serbëve” në Kosovë. Një pretendim të tillë viktimizues e ka demantuar menjëherë raporti i fundit i Nismës Evropiane për Stabilitet, në të cilin thuhet se nuk ka parë prova për pretendimet e Beogradit se në Kosovë ka “spastrim etnik të serbëve“.
Gazeta “Bota sot”: Sa ka ndryshuar rrjedha e zhvillimeve dhe fokusi i qeverisë së Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë?
Sylë Ukshini: Rasti i agresionit ushtarak serb në Banjskë të Kosovës ka shërbyer si moment kthese vendimtare për SHBA-në, BE-në si dhe për Shqipërinë në raport me Beogradin. Përfundimisht me këtë akt agresioni u dëshmua se lidershipi aktual serb në Beograd ka mbetur peng i politikave dhe qëndrimeve nacionaliste dhe hegjemoniste të viteve 1990-ta. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë sanksionues dhe më ndëshkues ndaj veprimeve të tilla të Beogradit, sepse pikërisht aksione të tilla “vetëmbrojtëse” të serbëve në fillim të viteve 1990-ta dhe retorikat viktimizuese kanë shkaktuar luftëra dhe konflikte me pasoja të papara që nga Lufta e Dytë Botërore. Mënyra si është sjellë Beogradit, qasja ndaj Perëndimit, viktimizimi, komunikimi me ambasadorin rus në shumë drejtime ma kujtojnë mënyrën tipike të operimit të shtetit serb në rastin e atentantit ndaj Franc Ferdiandit në qershor të vitit 1914. Përgjatë shekullit 20, Beogradi ka qenë burimi stabilizimi dhe i luftërave, më 1912/13, më 1914 si dhe më 1991, 1992 dhe me 1998/1999. Beogradit duhet t’i bëhet e qartë se nuk është më Evropa e vitit 1937, por një Evropë tjetër ku në emër të legjendave dhe miteve nuk mund të tolerohen konflikte, krime, spastrime etnike dhe vrasje masive.
Edhe Qeveria e Kosovës u duk se po mbante ritmin e depozitimit të shkresave, raporteve dhe dokumenteve të detajuara te ambasadat dhe delegacionet ndërkombëtare relevante. Por, mendoj se kjo duhet të vazhdojë për çdo rast dhe për çdo dezinformoftë që bëhet. Duhet të denoncohet çdo aktivitet, qoftë edhe më periferik. Duhet të bëhet më shumë trysni edhe për spastrimin etnik të Luginës së Preshevës, e ambalazhuar si pasivizimi i adresave. Mbi baza ditore duhet të ketë raporte për çdo ndalesë, për çdo abuzim, qoftë të mërgimtarëve apo të bizneseve të shqiptareve në Luginë dhe gjetiu. Unë mendoj se ka ardhur koha që Kosova në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare të kërkoj nga Serbia që si gjest i pajtimit të ngritet në Batajnicë një memorial përkujtimi për viktimat e pafajshme të agresionit shtetëror serb. Në të njëjtën kohë, duhet të nderohen edhe viktimat serbe të rastit “Panda” në Pejë, prapa të cilit, siç e kanë pranuar edhe autoritetet e Beogradit, qëndron aparati i shtetit erb.
Në këtë sens, Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në mënyrë permanente që edhe vrasësit e policit Afrim Bunjaku, të cilët për momentin strehohen dhe mbrohen me fanatizëm nga presidenti serb, të dalin para drejtësisë dhe, nëse është nevoja, rasti të hetohet edhe të gjykohet edhe nga gjyqtarë ndërkombëtarë. Nuk ka kuptim, dikush të përgjigjet në Hagë nëse 25 vite më para e ka ndaluar apo jo këtë person, ndërkohë që në vitin 2023 hynë në Kosovë i armatosur dhe vret pas asnjë shkas policin e Kosovës. Nuk mund të ketë dy standarde. Drejtësia është drejtësi dhe as nuk ka etni.
Përveç kësaj, unë mendoj se veprimeve të Beogradit duhet përgjigjur me kujdes dhe në bashkërendim të ngushtë me partnerët tanë më strategjik, pasi është e natyrshme që ata kanë më shumë informacione dhe kapacitete. Beogradi nuk heq dorë nga ngritja e kurtheve ndaj Kosovës, prandaj Qeveria e Kosovës nuk duhet të nxitojë, por as edhe të vetëkënaqemi me ndonjë sukses. Është e vërtetë që e fituam rastin e Banjskës në fazën e parë, por ajo betejë duhet të vazhdojë medialisht dhe diplomatikisht. Për shembull, përse të mos bëhet ndonjë dokumentar me ndonjë gazetar britanik me eksperiencë, i cili do të rikonstruktonte krejt rastin e Banjskës dhe do të informohej opinioni publik se si në shekullin 21 Serbia po kontrabandën armë në Kosovës përmes autoambulancave dhe po i dislokonte në manastiret ortodokse. Të mos harrojmë, me këtë aksion Beogradi synonte edhe një herë që Kosovën ta etikonte dhe afishonte si shtet islamist. Shërbimet serbe dhe ruse kanë në shënjestër diasporën tonë, fakt të cilin e përmend edhe këtë e përmendi së fundi edhe Institutit Royal United Services [RUSI], me bazë në Mbretëri të Bashkuar. Andaj, në vend të angazhimeve të ngushta partiake në diasporë, ne kemi nevojë të bashkëpunojmë për një ndërgjegjësim dhe për një rezon shtetëror.
Në këtë kuptim, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme në shumë drejtime, pasi Beogradi që nga pas lufta ka punuar për të përmbysur narracionin për Kosovën. Ndërkohë që ne pas shpalljes së pavarësisë kemi hyrë në një fazë të re, ajo e luftës me vetveten. Ne kemi goditur dhe godasim pa mëshirë njëri –tjetrin. Ndërkaq fokusi i Beogradit ka vazhduar të jetë kultivimi i narracionet, nga kontestimi politik dhe mediatik i pavarësisë së Kosovës ka kaluar në fazën tjetër agresive, të krijimit të pretekstit për ndërhyrje të armatosur për mbrojtjen gjoja të serbëve të rrezikuar. Ky përshkallëzim i retorikës serbe rrjedh nga referenca e përsëritur se Kosova është kinse “territor i okupuar”. Beogradi dëshiron të krijoj argumente se ka të drejtë ta përdorë dhunën për të “shpëtuar” serbët e Kosovës. Prandaj, jo rastësisht Beogradi i referohet rastit të rajonit Nagorno Karbahut, që kishte qenë nën kontrollin e Armenisë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitet ’90 të shekullit të shkuar, e të cilin me 2023 Azerbajxhani e riktheu me forcë.
Këto deklarata janë një kërcënim permanent dhe synojnë të krijojnë alibi të ndërhyrjes së forcave “çlirimtare” sipas skenarit rus në Krime. Megjithëse ekziston prania e NATO-s, këto janë kërcënime serioze dhe janë kërcënime që bëhen në nivelin më të lartë të diplomacisë ndërkombëtare. Ato në mënyrë të qartë e shënojnë një fazë të re të politikës së Serbisë karshi Kosovës dhe me gjasë në raport me Perëndimin në përgjithësi. Përtej sulmeve të zhurmshme retorike, është e pritshme që Beogradi në pranverë të shkaktojë trazira dhe tensione në veri. Dhe mendoj që NATO dhe vendet partnere kanë informacione të tilla, prandaj jo rastësisht po provojnë ta bindin Kurtin për kujdes të shtuar dhe sjellje pragmatike. Mendoj se Kosova duhet të shmang dy gjëra, të mos afishohet si penguese e dialogut të Brukselit dhe të mos shpërfaqet si nxitëse e acarimit të situatës në veri. Vetëm kështu do të duket qartë se Beogradi do të dështojë të paraqes veten si palë paqedashëse. Kosova duhet të jap shembuj se mbetet konsekuente në kërkimin e opsioneve për normalizimin e raporteve fqinjësore me Beogradin.
Gazeta “Bota sot”: Së fundi, BQK përmes një vendimi ka ndaluar përdorimin e dinarit, gjë që ka nxitur reagime të mëdha edhe nga ndërkombëtarët. Si e vlerësoni këtë vendim dhe si i keni parë deklaratat e ndërkombëtarëve në lidhje me këtë temë?
Sylë Ukshini: Vendimi i BQK është legjitim dhe i drejtë. Kjo është pohuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe ambasadat e huaj këtu. Në fakt dinari ishte suspenduar edhe në kohën kur Kosova akoma nuk ishte shtet, madje ishte bërë nga UNMIK-u, domethënë kur Kosova akoma nuk e kishte të definuar statusin. Zhurma e Beogradit ishte politike dhe agresive dhe njëkohësisht viktimizuese. Në këtë kurth ranë edhe ndërkombëtarët. Sikur t’i thuhej Beogradit se ky është një akt legjitim i një institucioni shtetëror, atëherë edhe Beogradi do të ndërprente.
Unë mendoj meqë situata u bë si u bë, shkoi deri këtu, atëherë duhet të kemi një mirëkuptim të dyanshëm, sidomos me SHBA-në, edhe pse, po ritheksoj se vendimi BQK-së për tërheqjen e dinarit nga transaksionet është një hap i duhur në drejtimin e duhur. Për më tepër është në frymën e rregullores 1999/004 që e kishte miratuar me 2 shtator të vitit 1999 përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kushner. Prandaj, insistimi për ruajtjen e pranisë së dinarit serb, është një intencë për ruajtjen e pranisë së një simboli të shtetit serb, të shtetit okupues. Pra, bashkë me largimin e ushtrisë dhe policisë serbe, do të dëbohej në shtator të vitit 1999 edhe dinari serb!
Kjo situatë tregon se vendimet tona ose duhet të jenë të dakorduara paraprakisht me partnerët ndërkombëtar, ose duhet të “paketohen” më mirë në aspektin diplomatik dhe medial.
Si zgjidhje kreative, në vend të shtyrjes, mendoj se ka qenë modeli i ish-Përfaqësuesit Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Bernard Kouchner, i cili me Rregulloren NR. 1999/4, pika 4.2, kishte parashikuar që “Personi që dëshiron të paguajë një pagesë të detyrueshme me dinarë, e cila sipas nenit 4.1 kërkohet të paguhet me ndonjë valutë tjetër, mund ta bëjë këtë edhe me dinarë sipas kursit të këmbimit valutor në ditën e pagesës, por do të detyrohet të paguajë një taksë administrative shtesë për të mbuluar shpenzimet e procedurës dhe të transaksionit.”
Edhe tani, Banka Qendrore e Kosovës ka mundësi ta fusë një klauzolë të ngjashme, sipas së cilës çdo qytetar që dëshiron t’i kryejë pagesat në dinarë, t’i mundësohet përkundrejt një gjobë administrative apo shume shtesë për një afat të caktuar. Kjo çështje nuk mund të stërgjatët pa kufi, pasi jemi në vitin e 16 të pavarësisë, ndërsa dinari si valutë është përjashtuar qe 25 vite. Nëse e shohim nga perspektiva e jonë, ky është një hap shumë shumë i vonuar. Por, kjo nuk do të thotë që këtë vonesë shumëvjeçarë në final ta kthejmë në një nxitim konfrontues me SHBA-në, sepse kemi gjëra edhe më të mëdha përpara dhe na duhet si të thuash në mënyrë figurative t’ia ruajmë fytyrën njëri-tjetrit. Veç kësaj, besoj shumë se partnerët tanë janë në dijeni po ashtu se Rusia po zhvillon taktikat e saj të një lufte jokonvencionale edhe në drejtim të Ballkanit dhe Kosovës, gjë e cila është evidentuar edhe në raportin e fundit të Institutit Royal United Services. Shikuar në këtë prizëm, fotografia është më e gjerë dhe më komplekse dhe natyrisht kërkon një lëvizje të bashkërenduar me aleatët tanë.
Gazeta “Bota sot”: Z. Ukshini, në të kaluarën keni shërbyer si ambasador në Republikën e Shqipërisë, si i shihni relacionet mes dy shteteve shqiptare? A do duhej një marrëdhënie më e afërt dhe koordinim më i madh mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës?
Sylë Ukshini: Rama sigurisht që përshkrim të detyrës e ka avancimin e pozicionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe kësaj ia ka dalë disa herë, madje nganjëherë edhe duke goditur në mënyrë teatrale edhe kur në krah kishte homologët e tij nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Të dyja palët duhet të jenë të kujdesshme, nuk duhet të lëndojnë këto raporte ndërshtetërore dhe vëllazërore. Këto raporte të acaruara dëmtojnë imazhin e të dyja vendeve. Natyrisht të Kosovës më shumë, pasi ne jemi në një betejë të gjatë për integrimin në sistemin ndërkombëtar dhe në një raport konfliktuoz me Beogradin. Andaj, ne kemi nevojë për më shumë aleatë dhe Shqipëria është anëtare e OSBE-së dhe NATO-s si dhe e OKB-së, dhe atje mund të përçojë mendimet dhe qëndrimet e Kosovës, sigurisht për aq sa ka mundësi dhe kapacitete.
Duhet pranuar se Rama është një politikan jo konvencional, është i vështirë dhe ka pasur raporte po ashtu të vështira edhe me Ramush Haradinaj. Pavarësisht detyrimeve që ka për të ndjekur linjën euro-atlantike, Rama shpesh më duket që me Kosovën duhet të jetë më i kujdesshëm. Gjuha dhe stili që ai përdor në Tiranë, shpesh në Kosovë shkakton irritim. Ne jemi më tradicional, por njëkohësisht edhe më të matur në fjalor. Mospajtimet nuk duhet të kthehen në fushata anti-Shqipëri apo anti Kosovë. Nuk duhet harruar se pavarësia e Kosovës ka prodhuar më shumë stabilitet edhe për Shqipërinë dhe më shumë progres ekonomik dhe më shumë siguri për Shqipërinë, e cila pas një shekulli fqinj të saj shtetërore e ka Kosovën. Pavarësisht përpjekjeve të Beogradit për anashkalimin e Kosovës, duhet kuptuar se normalizimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe kalon përmes Prishtinës dhe këtë duhet ta ketë parasysh edhe Tirana. Për më tepër, Shqipëria duhet ta “lexojë” Serbinë me sytë e Kosovës.
Gazeta “Bota sot”: Një nga çështjet më të përfolura dhe më të rëndësishme është dialogu Kosovë-Serbi. Sipas jush, a do jetë e mundur që të arrihet një marrëveshje finale gjatë këtij viti, marrë parasysh presionin e ndërkombëtarëve?
Sylë Ukshini: Unë nuk shpresoj se mund të arrihet një marrëveshje brenda këtij viti. E para, sepse Marrëveshja e Ohrit ka disa defekte që e pamundësojnë një gjë të tillë. Kjo marrëveshje nuk është finale, nuk e ka njohjen de jure, dhe për më tepër, si duket se me insistimin e ndërmjetësuesve të BE-së, i është lejuar Beogradit.
Kjo marrëveshje e ofron vetëm njohjen de facto të Kosovës në këmbim për miratimin e përshpejtuar të Asociacionit/Bashkësisë. Edhe pse kjo nismë mbështetej mbi shembullin e Traktatit Bazë të suksesshëm nga 1972-a mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, marrëveshja e Ohrit dallon shumë nga traktati gjerman. Pavarësisht çfarë thonë disa, në Planin Ahtisaari thuhet se komunat mund të formojnë një asociacion, por nuk ka asnjë detaj të dhënë se si duhet të organizohet ky trup. Por, ky asociacion nënkuptonte njohje dhe rezolutë të re. Jo si mendon tani Beogradi, të marrë këtë asociacion, por të mos e njoh Kosovën. Një defekt tjetër, të cilin së fundi e ka nënvizuar edhe eksperti ndërkombëtar Marc Wller, i cili ka qenë i pranishëm në Ohër, ishin ndërmjetësit e BE-së ata që papritur e prishën këtë marrëveshje, në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte. Sipas tij, të dyja palët ishin pajtuar në Bruksel më 27 shkurt 2023 me formulimet e një marrëveshjeje të re bazë sipas modelit gjerman. Por, papritmas që në fillim të takimit të Ohrit, Vuçiqi deklaroi se nuk do të nënshkruante asnjë gjë me Kosovën në asnjë rrethanë. Madje, ai edhe pas Ohrit vazhdoi me tallje dhe përçmim të marrëveshjes. Në të njëjtën kohë, vazhdoi fushatën kundër shtetit të Kosovës në të gjitha drejtimet si dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Veç kësaj, janë edhe tri momente të tjera që e kanë lënduar këtë marrëveshje: bojkotimi i zgjedhjeve lokale, për të cilat Vuçiq në Ohër ishte pajtuar se nuk do t’i pengonte serbët lokal të merrnin pjesë; sulmet ndaj trupave të KFOR-it dhe agresioni ushtarak në Banjskë e bashkë me këtë edhe gjuha armiqësore, helmuese dhe raciste e politikanëve dhe e mediave serbe.
Në një ambient të tillë kaq armiqësor e kam të vështirë të jem optimist dhe të them se kjo nuk dështon. Nuk e dimë me saktësi, por ndoshta palët janë të interesuar për ndonjë konferencë ndërkombëtare, e cila për mendimin tim do të mund të ishte me pasoja për Kosovën, sepse do të hapej shtegu për kompromise të reja përtej dokumentit të Ahtisaarit. Përveç kësaj, një opsion i tillë do të konfirmonte fitoren e parimit serb mbi përkohshmërinë e çdo gjëje në Kosovë. Dhe pikërisht është edhe ky element në Marrëveshjen e Ohrit që palës serbe ia çimenton parimin e përkohshmërinë. Unë mendoj se nuk ka më hapësirë për kompromise të reja, mjaftë është mjaftë. Edhe diplomati i njohur austriak Albert Rohan në prill 2013 pati deklaruar se kompromisi nga ana e palës kosovare është bërë në vitin 2007, kur ata pranuan Planin Ahtisaari. “Ka pasur shumë provizione, të cilat ishte vështirë për liderët kosovarë që t’i pranojnë, por ata e bënë në frymë të kompromisit”.