Kandidati i opozitës shqiptare për president në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se krahas votave të elektoratit shqiptar pret mbështetjen edhe nga komunitetet e tjera etnike dhe se mundësitë për të kaluar në balotazh janë reale. Megjithatë, ai thekson nevojën e zgjedhjes së presidentit në parlament. Zoti Taravari, një nga dy garuesit shqiptarë për zgjedhjet e 24 prillit, thotë se burim i krizave në Maqedoninë e Veriut është Kushtetuta e vendit, e cila, sipas tij, duhet ndryshuar. Ai thotë se rruga e integrimi evropian është alternativa e vetme për Maqedoninë e Veriut.
Zëri i Amerikës: Zoti Taravari, çfarë ju shtyri të kandidoni për president të Maqedonisë së Veriut dhe çka do t'i ofroni elektoratit?
Arben Taravari: Kemi bërë disa analiza me partnerët e koalicitonit të opozitës shqiptare, e cila quhet VLEN dhe na rezultonte se ka gjasa reale që një shqiptar të kalojë në raundin e dytë, për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut. Duke konstatuar se me disa kandidatura që i analizuam me anketa mund të fitohen edhe vota të kombësive të tjera, që jetojnë në Maqedoni, në përkrahje të kandidaturës time, do të shohim nëse do të mund t’i thyejmë barrierat që “një maqedonas nuk mund të votojë një shqiptar”. Gjërat kryesore të cilat për të cilat do të flasim janë hapja e Kushtetutës dhe unë mendoj se burim i krizës në Maqedoni është Kushtetuta, e cila u votua në fillim të viteve të ‘90 vetëm me mbështetjen e votuesve maqedonas, po gjithashtu ta shfrytëzojmë rastin të heqim përdorimin e “20%” prej gjuhës shqipe; pastaj zgjedhjen e presidentit. Do të kërkojë që ta zgjedhim presidentin në kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por edhe ndryshimin e gjithë Kushtetutës. Pse të mos e mendojmë Kushtetutën e vitit 1974 kur kishte decentralizim të mirëfilltë në Republikën Socialiste të Maqedonisë, ku gjuhë zyrtatre kanë qenë ajo maqedonase, shqipe dhe turke dhe askush nuk ishte bërë pengesë.
Zëri i Amerikës: Deri tani asnjë kandidat shqiptar nuk ka kaluar në raundin e dytë. Pse mendoni se diçka duhet të ketë ndryshuar dhe nëse ju synoni edhe votat e maqedonasve dhe të komuniteteve të tjera joshqiptare, a mendoni se me programin për ndryshimin e Kushtetutës do të arrini sukses?
Arben Taravari: Unë besoj fuqishëm se mund të kalojmë në raundin e dytë sidomos nëse nuk do të kishte kandidat edhe prej partisë tjetër shqiptare, BDI-së. Unë mendoj se kandidati shqiptar mund të shkojë në raundin e dytë, por edhe në këtë garë jam shumë optisimist, duke marrë parasysh mbledhjen e nënshkrimeve që e bëmë, për gati 36 orë u mblodhën 10 mijë nënshkrime. Unë e bazojë këtë edhe në zgjedhjen time në postin e kryetarit të komunës së Gostivarit, për të cilën mora përkrahjen e të gjitha komuniteteve, sidomos të shqiptarëve, por edhe të votuesve maqedonas.
Zëri i Amerikës: Cfarë mendimi keni për kandidatët tjerë dhe nëse nuk kaloni në balotazh, a do t’i bëni thirrje elektoratit tuaj që të mbështesë një kandidat tjetër në balotazh?
Arben Taravari: Unë e kam thënë prej fillimit se do të kem respekt të plotë ndaj të gjithë kandidatëve të tjerë. Në qoftë se nuk kalojmë në raundin tjetër do mendojmë, analizojmë dhe vlersojmë si opozitë e bashkuar shqiptare se cila do të jetë strategjia jonë, por e them me bindje të plotë se kemi gjasa reale për të kaluar në raundin e dytë.
Zëri i Amerikës: A ishte një vendim i duhur largimi nga pushtet për t’u bashkuar me opozitën shqiptare? Sondazhet sërish e nxjerrin BDI-në në epërsi tek blloku politik shqiptar.
Arben Taravari: Problemi është te votuesi i Aleancës për Shqiptarët dhe esenca, ideologjia dhe kauza kryesore e Alencës për Shqiptarët. Ne jemi formuar para 10 vitesh si fraksion i PDSH-së dhe votuesi ynë çdoherë na ka parë si antipod i BDI-së dhe partia e cila duhet të sjellë ndryshimin te shqiptarët. Do të ishte jo normale dhe jo reale që ASH-ja të jetë së bashku me BDI-në. Unë mendoj se shqiptarët meritojnë ndryshim. 22 vjet edhe çdo gjë të ishtë mirë është shumë, e tepërt, Për këtë arsye unë mendoj se është momenti i duhur për ndryshim. Prej vitit 2011 votuesi shqiptar ka votuar kundër BDI-së, por faktori politik shqiptar s’ka mundur të bashkohet. Është hera e parë që nga viti 2002 që e gjithë opozita shqiptare është së bashku dhe padyshim do ta sjellim ndryshimin e shumëpritur tek shqiptarët.
Zëri i Amerikës: A do ta vazhdoni koalicionin me VLEN-in edhe pas zgjedhjeve parlamentare?
Arben Taravari: Pa dyshim që po. Ne kemi një marrëveshje e cila duhet të zgjasë 4 vjet, por partitë e kalocionit janë autonome dhe kanë identitetin e tyre politik. Kështu që bashkëpunimi absolutisht do të vazhdojë, por identitetin tonë politik natyrisht që duhet ta ruajmë. Në qoftë se ka eventualisht mundësi të bëjme zgjerime të caktuara, unë mendoj se shqiptarëve nuk iu duhen kaq shumë parti. Ka gjasa reale që pas zgjedhjeve të bashkëbisedojmë dhe të gjejmë metoda të përbashkëta veprimi. Mund të kemi bashkëpunim më të ngushtë me disa prej partive politike pavarësisht nëse ato janë opozitë apo jo.
Zëri i Amerikës: A ka pasur takime me VMRO-në lidhur me zgjedhjet parlamentare, apo lidhur me formimin qeverisë së re, nëse ajo i fiton zgjedhjet? VMRO-ja ka folur hapur për interesimin për të krijuar një koalicion qeveritar me opozitën shqiptare.
Arben Taravari: Ne nuk kemi pasur takime me VMRO-DPMNE-në. Personalisht unë takimin e fundit me zotin Mickoski e kam pasur diku në tetor ose nëntor 2022. Ne jemi përqendruar kryesisht në kampin politik shqiptar. Na intereson ta sjellim ndryshimin. Shqiptarët vërtët kërkojnë ndryshim, sepse ndryshimi sjellë shpresën. Kështu që pas zgjedhjeve, në bazë të përputhshmërisë së programeve dhe votave që do t’i marrim, ne jemi të hapur për bashkëpunim me çdo parti politike që është e interesuar që Maqedonia ta vazhdojë rrugën evropiane. Jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë padyshim edhe me VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në, por mbi të gjitha VLEN ka tre përparësi: BE-në, rrugën drejt BE-së dhe negociatat me BE-në.
Zëri i Amerikës: A pritet të bëhen ndryshime kushteuese pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush vjen në pushtet?
Arben Taravari: Absolutisht. Ne mendojmë se kjo është e domosdoshme. Maqedonia nuk ka alternativë tjetër dhe nuk njoh parti politike në Maqedoni që ofron një opsion tjetër. Në qoftë se nuk i bëjmë ndryshimet kushtetuse ne mbesim jashtë mundësisë për të filluar negociatat dhe do të këmbëngulim me çdo kusht dhe ky të jetë kushti ynë për të qenë pjesë e një shumice të re. Pra, që ndryshimet kushtetuse të ndodhin brenda një afati kohor të kufizuar dhe që të fillojnë negociatat me BE-në.
Zëri i Amerikës: Çka po ndodh me Aleancën për Shqiptarët? Kongresi juaj e shkarkoi zotin Ziadin Sela nga funksioni, ndërsa Kongresi i krahut të zotit Sela ju shkarkoi ju nga posti i kryetarit të partisë? A mund të ketë një proces gjyqësor mbi at se kush do ta drejtojë partinë?
Arben Taravari: Këtu ka një gabim. Është e vërtet se kongresi i tyre, i cili është jolegjitim më ka shkarkuar mua, kurse ne nuk e kemi shkarkuar zoti Ziadin Sela, vetëm e kemi kthyer statutin e 27 marsit të vitit 2022 kur u zgjodh zoti Sela për së dyti për kryetar partie. Vetëm atë status e kemi fuqizuar ku nuk ka Kryetar Kuvendi të partisë. Kështu që unë nuk dua t’i hy këtij debati se kishte një fraksion brenda ASH-së që mendonte se ne duhet të jemi bashkë me BDI-në, kryesisht funksionarë të ASH-së derisa ishim në qeveri. Ne do të respektojmë çdo vendim gjykate për këtë çështje, por të gjitha argumentet dhe faktet janë në anën tonë. Ne do t'ia lëm në dorë gjykatave vendimet mbi hapat e ardhshëm.