Haki Abazi me kritika ndaj Qeverisë Kurti – jep parashikimin për zgjedhjet e radhës dhe ka një mesazh për opozitën!

Intervista

Haki Abazi me kritika ndaj Qeverisë Kurti – jep parashikimin për zgjedhjet e radhës dhe ka një mesazh për opozitën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 mars 2024 Në ora: 21:07
Haki Abazi

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi.

Ai ka prekur ngjarjet e fundit në vend duke dhënë qëndrimin e tij për çështje të caktuara.

Deputeti shprehet mjaft kritik për Qeverinë Kurti, duke i renditur disa nga problematikat që kjo qeverisje ka momentalisht.

Sipas Abazit, sistemi i drejtësisë dhe shëndetësisë janë dy nga sektorët që qeveria Kurti nuk ka bërë progres dhe për të cilat duhet të ndërmerren masa urgjente.

I pyetur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Abazi thotë që kemi kaluar nga një marrëveshje ligjërisht e obligueshme me njohjen në qendër, në një marrëveshje sipas propozimt franko- gjerman, ku Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në qendër të marrëveshjes.

Ndër të tjera Abazi flet nëse Qeveria Kurti mund ta fitojë një mandat tjetër qeverisës.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Haki Abazi: Është një tranzicion i radhës nëpër të cilin po kalojmë. Kjo fazë e këtij tranzicioni po manifestohet me mungesën e plotë të drejtimit drejt normalitetit dhe përfundimit të shtet-ndërtimit të vendit. Kuvendi i vendit është kapur nga Kryeministria, kanë rënë të gjithë mekanizmat kontrollues e llogaridhënës për Ekzekutivin por edhe Sistemin e Drejtësisë. Duke pasur një ekzekutiv të udhëhequr në mënyrë autokrate, ka rezultuar në amortizimin dhe përjashtimin e rolit të Parlamentit dhe komisioneve parlamentare në mbikëqyrjen e Sistemit të Drejtësise dhe reformave të domosdoshme.

Për nga zhvillimet e brendshme do të konkludoja se e kemi një qasje manipulative e populliste në politikë, mungesë të debatit demokratik, tentim të barrkiadimit ekstrem në sektorin e mediave duke vendosur një përballje të mediave pro-qeveritare dhe atyre kundër Qeverisë dhe tendencës për të implantuar analistë që drejtojnë dhe krijojnë narrativë zhurmuese rrjedhimisht shurdhuese me pasojë apatinë e qytetarëve. Në asnjë rast nuk kemi parë nisma politike për krijimin e konsensusit politik dhe kjo ka rezultuar në fragmentim të skajshëm të spektrit politik dhe jo vetëm.

Po ashtu, raporti dhe politika e jashtme ka shënuar një përballje dhe përplasje me faktorët ndërkombëtarë pa pasur një qartësi se si do të jetë epilogu i këtyre përplasjeve dhe Kosova ka përfunduar me masa që janë sanksione e të cilat po duket që do të shtrëngohen edhe më tutje.

“Bota sot”: Duke parë zhvillimet e fundit në vend, ju keni qenë i zëshëm për të gjitha ngjarjet. Ku mendoni që duhet Qeveria Kurti të ndërmerr masa urgjente?

Haki Abazi: Në vitin e fundit të këtij mandati, qartazi po shohim që busulla dhe kalkulatori elektoral i Kurtit ka filluar të shtojë intensitetin. Asnjë këshillë nuk kryen punë tanimë meqë për më shumë se tre vite Kurti ka udhëhequr duke ndërtuar një politikë populliste dhe manipuluese nëpërmjet skemave sociale dhe vendimeve me qëllim të përkrahjes populliste. Asnjë nga premtimet elektorale nuk është përmbushur, nuk ka më shumë drejtësi dhe nuk ka më shumë vende  të punës. Kemi drejtësi të njëjtë në mos edhe më të keqësuar meqë nëse në të kaluarën ka qenë drejtësi sipas partive në pushtet, të cilat kishin krijuar strukturat e tyre në polici, prokurori dhe gjyqësi, tani LVV ka tentuar që kudo që është e mundur të krijojë e instalojë njerëzit e saj lojalë duke krijuar shtresën e dytë të ndikimit politik në gjyqësi. Fakti që të gjithë të akuzuarit për privatizimin e distribucionit, përfshirë edhe kapaciteteve gjeneruese edhe pse ato nuk kanë qenë të përfshira në kontratë, janë liruar, tregon se Kuri ka ndikuar në drejtësi për të lëshuar nga aktakuza shefen e grupit parlamentar dhe ministrin për komunitete dhe kthim e që në kohën e  privatizimit të dy kanë qenë ministra përgjegjës për këtë dëm të shkatuar ndaj shtetit dhe interesit publik. Akomodimi i njerëzve dhe interesave nga e kaluara ka bërë që Kurti të vazhdojë në trajektoren e së kaluarës dhe pa asnjë ndryshim rrënjësor. Kjo përbërje e qeverisë Kurti është e paaftë dhe nuk ka vizion dhe ka vepruar me arbitraritet dhe pa transparencë dhe nuk ka marrë për bazë këshillat as nga brenda dhe as nga miqtë ndërkombëtarë.

“Bota sot”: Dialogu Kosovë- Serbi mbetet temë e ndjeshme, sa afër një marrëveshjeje finalzuese jemi?

Haki Abazi: Sikur edhe me premtimet për transformim në zhvillimet e brendshme, që as për së afërmi nuk janë mbajtur premtimet dhe as që janë parë tentimet, po ashtu hyrja në dialog me Serbinë për brenda kornizës së njëjtë nga e kaluara dhe pranimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit e ka bërë Kurtin konfirmues të marrëveshjeve 2013 dhe 2015 me një degradim të mëtutjeshëm të pozitës dhe objektivave të dialogut. Kemi kaluar nga një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohjen në qendër në një marrëveshje sipas propozimit franko- gjerman, ku Asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë në qendër të marrëveshjes.

Çfarë po shohim tani është që Serbia pas më shumë se tre vite dialogim me Qeverinë Kurti ka arritur që të drejtoj shtetet e BE dhe SHBA kundër Kosovës. Të bëjë kërkesë formale dhe kriter kushtëzues çështjen e pronës së Kishës në Deçan dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri duke e detyruar Qeverinë Kosovës të nxjerrë kornizë ligjore që kryetarët shqiptarë të zgjedhur në komunat në veri të largohen nga pozita tyre nëpërmjet peticionit të qytetarëve serb. Qeveria e Kosovës po pëson fiasko në veri duke u detyruar që të kthej situatën në pikën zero ku Lista Srpska dhe Vuçiq do të rivendos pushtetin e tyre në veri të Kosovës përderisa Kosova ka humbur më shumë se tre vite në procesin e integrimit Euro- Atlantik dhe ka përfunduar me masa të rrepta edhe politike edhe financiare. Pas zgjedhjeve në veri ky do të jetë një mashtrim i madh që Kurti ka bërë për qëllime krejt populliste dhe elektorale për të fshehur mungesën e plotë të progresit në shëndetësi, arsim, gjenerim të vendeve të reja të punës dhe dështimin më të madh, ajo të një ekzodusi të rinjve shqiptarë që po largohen nga Kosova me shpresë të thyer dhe me pamundësinë për të realizuar jetë me integritet në vendin e tyre.

“Bota sot”: Nga sulmi i Banjskës ende nuk kemi masa ndëshkuese për Serbinë. A është momenti që ndërkombëtarët të veprojnë?

Haki Abazi: Serbia edhe sot nuk është dënuar për këtë sulm, Radoiçiq lëviz i lirë në Serbi, dhe bashkësia ndërkombëtare vazhdon që në nivel deklarativ të kërkojë të merren masa kundër kryesve të kësaj vepre terroriste. Por ajo që une lexoj mes rreshtash është se ka një pjesë të faktorit ndërkombëtar që është i interesuar të kthejë shkëmbimin territorial si opsion të zgjedhjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht kjo pjesë e faktorit ndërkombëtar ka mbyllur sytë para një invazioni të atillë në veri që do të krijonte një realitet të ri.

Fatmirësisht SHBA dhe shtetet tjera serioze evropiane nuk janë në pajtim dhe përkrahin Kosovën dhe integritetin territorial të Kosovës siç e kanë njohur. Kjo ka bërë që të kemi një zmbrapsje por jo domosdoshmërish kjo do të thotë se Serbia nuk do të bëj përpjekje në të ardhmen për të krijuar realitet të ri në terren për të imponuar skenare që sfidojnë pavarësinë dhe funksionalitetin e vendit dhe realizojnë qëllimet e Serbisë. Për të bërë Kosovën si vend të paqëndrueshëm dhe jostabil sidomos për investitorët e huaj

“Bota sot”: Për fund, a mendoni që nëse kemi zgjedhje të radhës, Qeveria Kurti do të fitojë edhe një mandat?

Haki Abazi:  Besoj që kjo aspak nuk është kaq e thjeshtë sa duket sepse qytetarët e Kosovës kanë parë një qeveri të paaftë dhe asnjë nga pritjet nuk është realizuar as edhe përafërsisht dhe as edhe entuziazmi për luftë ndaj krimit të organizuar dhe kriminalitetit nuk ka qenë serioze.  Punëtoret shëndetësor, arsimtarët, policët, minatorët, njësitë speciale, ushtarët, veteranët e luftës dhe familjet e tyre,  por edhe shumica e qytetarëve të besimit mysliman janë të indinjuar nga arroganca dhe tentimi për të manipuluar. Taktizimet e Kurtit për ta kthyer qeverisjen në instrument të mëshirës duke ju dhënë qytetarëve nga 100 euro kanë prodhuar frustrim tek qytetarët sepse është fyer dinjiteti i tyre dhe në të njëjtën kohë kjo është paqëndrueshme kundrejt inflacionit dhe rritjes enorme të çmimeve të artikujve esenciale, çmimeve të papërballueshme për energji elektrike dhe skema subvencionuese prej të cilave kanë përfituar vetëm ata që kanë qasje në internet dhe shpeshherë janë keqpërdorur apo ka krijuar efekt shumë negativ në treg duke rritur në mënyrë artificiale çmimet e pajisjeve si rezultat i subvencionimit nga ana Qeverisë.

Andaj mendoj që nëse opozita do të jetë e kujdesshme duke u ballafaquar me qytetarin për gabimet nga e kaluara, të kërkoj falje për këto gabime dhe duke propozuar një kontratë të re me qytetarin me zotimin për një angazhim serioz të përbashkët për tejkalimin e kësaj faze të dhimbshme të tentimit të konsolidimit të një sistemi komunist dhe autokratik në Kosovë. Atëherë beteja demokratike do të jetë shumë më reale, më konkrete dhe me më shumë përmbajtje dhe thellim në politikat konkrete dhe qasjen pragmatike dhe të mençur që Kosova duhet ta ketë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat