Fatbardha Zogaj Reka e lindur në vitin 1972 në Prishtinë. E bija e dy prindërve intelektual erdhën në Ferizaj për të filluar shkollimin në Shkollën Normale e për ta mbaruar në vitin 1967 si dy maturantë të shkëlqyeshëm të asaj gjenerate.
U rikthyen në Ferizaj në vitin 1972 për të vazhduar misionin e mësimdhënësve në shkolla të qytetit dhe fshatrave gjithandej.
Si familje e shquar atdhetare, me theks të veçant nëna Nazide, aktiviste në organizatat ilegale të kohës.
Në intervistën për "Bota Sot", Fatbardha shpjegon se pikërisht "e rritur në frymën e atdhedashurisë dhe sakrificës për komb e atdhe s’ka si të jem ndryshe unë gruaja e parë që udhëheq Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj prej shtatorit të vitit 2022."
Për më tepër, në vazhdim mund të lexoni për kryetarën e qendrës së Vetëvendosjës në Ferizaj, kandidimit të mundshëm për kyetare të Ferizajt, kritikat ndaj kryetarit Aliu etj.
"Bota Sot": Pothuaje një vit nga koha kur jeni kryetare e qendrës së Vetëvendosjës në Ferizaj, si e keni gjetur dhe aktualisht a është mjaftueshëm qendra e Lëvizjes në Ferizaj?
Fatbardha Zogaj Reka: Unë kam hy në vitin e dytë të mandatit tim. Qendrën e kam gjetë shumë mirë të organizuar. Organizata jonë ka hy në zgjedhje të brendshme në nivel Republike në dhjetor të 2021 sepse është vlerësu se është i nevojshëm një ristrukturim i të tri niveleve të organizimit me theks të veçant në nivelin e dytë pra në Qendra, si reflektim i rezultatit të zgjedhjeve lokale të po atij viti.Kemi formu strukturat e reja në pikat e fshatrave dhe qytetit. Gjithashtu nga Këshilli i Qendrës ka dal kryesia e re dhe gjithçka funksionon duke punuar çdo ditë me të gjitha këto struktura bashkë.
"Bota Sot": Duke qenë opozitë në Ferizaj, si e vlerësoni punën e kryetarit Aliu, cilat janë dështimet e tija?
Fatbardha Zogaj Reka: Në komunën tonë ne jemi opozitë dhe jemi të përfaqësuar në Kuvend komunal me 9 asamblistë të cilët janë të zëshëm dhe të pandalshëm në ngritjen çështjeve të shumta që shqetësojnë qytetarët e Ferizajt. Për shkak se janë në numër jo të mjaftueshëm për të marr vendime e kanë të pamundur të çojnë përpara kauzat e tyre.
Si Qendër përmes aktiviteteve dhe konferencave për media po ngrisim zërin papushim për të gjitha dështimet e Agim Aliut dhe qeverisjes së tij. Prioritetet e Kryetarit nuk janë projekte që sigurojnë mirëqenien dhe jetesën e rehatshme e të shëndetshme të ferizajasve. Ato janë projekte ku investohet në beton e armaturë sa për të ndihmuar kompani e individ të caktuar e jo për të zgjidh problematikat e qytetarëve.
Infrastruktura e qytetit është një katrahurë në vehte. Qytetarëve çdo ditë e më shumë po u vështirsohet lëvizja nëpër qytet. Ndërtime nënkalimesh pa asnjë kriter po e ngulfasin qytetin. “Bashkimi i qytetit” ishte një projekt që e ndau në themel Ferizajn. Ndërtesa përbindëshe të ndërtuara pa asnjë kriter, në shumë raste edhe në oborre shkollash.
Arsimi, një fushë për të cilën flitet dhe veprohet vetëm sa për të punësuar dikë nga radhët e partisë së tyre apo atyre të kooalicionit ose për t’i dhënë një mirënjohje ndonjë mësimdhënësi/e që pensionohet. Drejtorët e shkollave përzgjidhen kryekëput nga radhët e strukturave të tyre partiake.
Për kaq vite pas luftës vetëm një çerdhe e cila ende nuk ka status të zgjidhur (marrëveshje me CARITAS, që kurrë nuk janë marrë vesh si ta zgjidhin çështjen e funksionimit të saj dhe pagesës së stafit).
Shëndëtësia e paorganizuar e pambështetur dhe pa kushte minimale për punë. AMF në fshatra që nuk funksionojnë, janë ndërtesa pa staf e pa materiale dhe medikamente bazë.
Rinia nuk ka asnjë vend ku mund të organizojë jetën dhe aktivitetet e tyre përveç kafiterive.
Jeta sportive me sfida pafund. Me përkrahje minimale nga komuna dhe me mbështetje të madhe nga biznese private që nuk kursejn nga vetja për të mirën e klubeve të shumta sportive që na nderojnë kudo në përfaqësim.
Kultura e lënë pasdore, ku komuna I mbështetë projektet e individëve dhe kompanive me të cilat janë bashkëpronarë apo kanë interesa të përbashkëta.
Bujqësia e papërfillshme nga qeverisja aktuale. Çdo subvencion që ndahet nga Drejtoria përkatëse e kësaj qeverisje shkon për shokë, familjarë e bashkëpartiakë të tyre.
Hapësirat e gjelbëra nuk ekzistojnë në Ferizaj. Edhe dy tre mini parqe që u krijan vite më parë nuk ekzistojnë më. Sheshi “Ismail Kadare” dhe ai te sahat kulla u kthyen në beton.
Mushkëritë e Ferizajt, malet e Jezercit u kthyen në lagje të tëra villash e pushimoresh të politikanëve.
"Bota Sot": Duke qenë se vitin e ardhshëm pritet të mbahen zgjedhjet lokale, a do të jeni ju kandidate për kryetare, marr parasysh se kryetarët e degëve tradicionalisht edhe kanë qenë kandidatë për të parin e qytetit?
Fatbardha Zogaj Reka: Po, vitin që vjen na presin zgjedhjet lokale. Jemi në përgatitje të hovshme dhe po punojmë fort për të fuqizuar Qendrat tona në të gjitha komunat e Republikës. Qendra jonë ka formuar nënkomitetet profesionale me kuadro përkatëse të shquara dhe të nderuara të qytetit.
Kryetarët/et e Qendrave zakonisht janë kandidat/e për kryetar/e komune, por kjo nuk është një rregull e shkruar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Përveç meje si kryetare Qendre që mund të jem kandidate , Lëvizja ka edhe shumë emra të shquar dhe të merituar që mund të jenë kandidat për të udhëhequr në komunën e Ferizajt. Me përfaqësimin në Kuvend e Qeveri, aktivistët e Lëvizjes VETËVËNDOSJE!, kanë dëshmuar se janë të zotët të punojnë drejt dhe profesionalisht për qytetarët e Republikës dhe njësoj do të punojmë edhe për secilin dhe secilën ferizajas/e. Pra ende nuk jemi përcaktuar për kandidatin/en por sigurisht që kemi mjaft potencial.
"Bota Sot": Hipotetikisht, nëse ju apo dikush nga VV do udhëhiqte me Ferizajn, si do qeverisni, cilat do të jenë si të thuash punët kryesore që do bënit?
Fatbardha Zogaj Reka: Dështimet e qeverisjes së Agim Aliut i përmenda më lartë dhe disa prej tyre janë të pariparueshme, sepse për gabimet e një qeverisjeje të interesit personal të udhëheqësve komunal ne nuk do t’i penalizojmë qytetarët.
Fokusi ynë do të jetë tek masa e qytetarëve që i prek çdo ditë shërbimet e Qeverisjes komunale.
Arsim cilësor me investim në zhvillimin professional të mësimdhënësve dhe kushte të mira për mësimnxënie tek nxënësit do të jetë prioritet.
Shëndetësi e fortë me përkushtim në sigurimin e kushteve për stafin mjekësor dhe shërbime të dinjitetshme për secilin qytetar/e.
Jetë kulturore dhe sportive të organizuar në nivel komunal dhe me mbikqyrje dhe udhëheqje profesionale nga sportistë e artistë të përgatitur dhe me kushte optimale për zhvillim të aktiviteteve.
Kthimin e dinjitetit të bujqëve e blegtorëve që me djersën e ballit sigurojnë të mirat për familjet e tyre dhe sigurojnë të ardhurat duke na ofruar produkte vendore e të freskëta.
Organizimin e të rinjëve në aktivitete të ndryshme jashtëshkollore përmes grupeve rinore dhe funksionalizimin e disa objekteve që saherë kanë fillu të ndërtohen janë dediku për aktivitete kulturore dhe rinore dhe kurrë nuk janë funksionalizu, kanë mbet të papërfunduara me vite ose u është ndërruar destinacioni.
Po e lë me kaq se po duket sikur po e shpalos programin tim elektoral.
"Bota Sot": Sa është e vështirë për një grua të udhëheq me një qendër të partisë në një qytet të madh, a ka paragjykime nga shoqëria, apo nuk shihni pengesa në këtë drejtim, kur dihet se në përgjithësi jemi shoqëri maskiliste apo jo?
Fatbardha Zogaj Reka: Lëvizja VETËVENDOSJE! shquhet si organizatë ku gratë janë të përfaqësuara kudo pa kuotë. Si gjini jemi të përfaqësuara pa përqindje dhe pa numra të caktuar dhe ne nuk e ndjejmë vehten të dalluara si gjini në asnjë situatë, përveç në vlerësim dhe respekt nga aktivistët burra. Unë jam një grua, kryetare e Qendrës e barabartë me të gjithë kryetarët e Qendrave tjera.
Në aspektin gjinor përpiqem të punoj e veproj për barazi dhe jo për dominim nga asnjëra gjini. Ndërtimi biologjik i gjinive janë ato që na dallojnë, çdo gjë tjetër që shfaqet e thuhet për dallimet gjinore mendoj se janë stereotipe.
Unë jam rritur dhe formuar nga një grua e fortë dhe e guximshme që shpesh veprat dhe sakrificat e saja i kanë cilësu të papërballueshme edhe vet burrat, andaj jam e fortë dhe nuk dorëzohem para sfidave e bërrylave të të tjerëve.
Gruaja është shtylla e familjes dhe e kombit e si mund të mos jetë shtylla e një organizate të fortë dhe të drejtë si Lëvizja VETËVENDOSJE!.
"Bota Sot": Për fund çfarë do të shtoni, apo mbetet t'i për intervistë tjetër pas zgjedhjeve lokale, me kryetarën e ardhshme apo përsëri me VV Në opozitë?!
Fatbardha Zogaj Reka: Në fund ju falenderoj që më dhatë mundësinë që përmes "BOTA SOT" të komunikoj me lexuesit tuaj.