Deputeti gjerman për “Bota sot”: I bëj thirrje BE-së që të heqë menjëherë sanksionet e pajustifikuara ndaj Kosovës

Intervista

Deputeti gjerman për “Bota sot”: I bëj thirrje BE-së që të heqë menjëherë sanksionet e pajustifikuara ndaj Kosovës

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 mars 2024 Në ora: 10:07
Knut Abraham

Në një intervistë ekskluzive për ‘“Bota sot”’, deputeti gjerman Knut Abraham ka folur për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet Kosova, sa i përket dialogut me Serbinë.

Ai vlerëson se derisa presidenti serb Aleksandër Vuҫiq nuk e nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit që nënkupton njohjen reciproke, dialogu ka ngecur dhe nuk çon askund.

Deputeti gjerman që çdoherë është shprehur në përkrahje të Kosovës, thotë se Kosovës padrejtësisht i janë vënë sanksione nga Bashkimi Evropian, e që bën thirrje për heqjen e këtyre sanksioneve.

Sa i përket rastit të Banjskës, ai thotë se derisa Radoiҫiqi lëviz lirshëm, ky rast nuk është dënuar mjaftueshëm dhe prioriteti i BE-së kur të merren me Serbinë duhet që të mbajë përgjegjës Radoiҫiqin dhe ndihmësit e tij.

“Bota sot”:  Cili është vlerësimi juaj për zhvillimet në dialogun e Brukselit?

Knut Abraham: Për pak ditë (më 18 mars) do të kemi një vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Në letër, ajo përmban shumë elemente pozitive si njohja de facto reciproke. Megjithatë, duke refuzuar nënshkrimin e tij, presidenti serb e bëri të qartë se ajo nuk do të zbatohet kurrë. Kjo përshkruan gjendjen aktuale të dialogut: ai ka ngecur dhe nuk çon askund.

“Bota sot”:  A mendoni se mund të ketë një rezultat përfundimtar nga ky dialog?

Knut Abraham: Së pari, BE-ja duhet të rivendosë nxitjen kryesore për të dyja vendet për t'u përfshirë në dialog kuptimplotë. Për këtë, BE-ja duhet t'u ofrojë të dyja vendeve një perspektivë tërheqëse të BE-së, e cila është e bazuar në merita dhe e arritshme brenda disa viteve të ardhshme. Nëse anëtarësimi i plotë nuk është i mundur përpara se BE-ja të kalojë reformat e brendshme, atëherë një perspektivë po aq tërheqëse – siç është anëtarësimi në tregun e vetëm të BE-së me katër liritë – duhet të ofrohet si një hap i përkohshëm. Për këtë ide edhe në të kaluarën kanë shprehur përkrahje kryeministri Kurti dhe ministri serb për Integrime në BE. Nëse BE-ja e bën këtë ofertë tani dhe garanton se çdo vend që përmbush kriteret, përfshirë sundimin e ligjit, mund të bëhet anëtare e plotë e tregut të përbashkët të BE-së, kjo do të rivendoste nxitjen për dialog kuptimplotë. Nëse Kosova përmbush kriteret do të shpërblehej menjëherë.

“Bota sot”:  Disa herë Bashkimi Evropian është kritikuar për qëndrimin e tij të padrejtë ndaj Kosovës, karshi Serbisë. Si i shihni vendimet e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë?

Knut Abraham: Fakti që masat e BE-së janë vendosur ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 dhe ende nuk janë hequr, është i pajustifikuar. Një nga personat e parë të prekur prej tyre ishte ministri serb në qeverinë tuaj, Nenad Rashiq. Ai pati takime në Bruksel për të diskutuar mbështetjen për minoritetin serb me zyrtarë të BE-së, por për shkak të sanksioneve këto takime u anuluan. I bëj thirrje BE-së që të heqë menjëherë këto sanksione të pajustifikuara.

“Bota sot”:  A mendoni se rasti i Banjskës që ndodhi vitin e kaluar është dënuar mjaftueshëm?

Knut Abraham: Përderisa Radoiçiq ecën lirshëm në Serbi dhe përgjegjësit për sulmin në Banjska nuk mbajnë përgjegjësi, autorët mbeten të pandëshkuar. Duhet të jetë një prioritet kyç për BE-në kur merret me Serbinë që të mbajë përgjegjës Radoiçiq-in dhe ndihmësit e tij. Gjithashtu, sanksionet ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat