Në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, në një intervistë për “Bota Sot”, foli deputeti nga radhët e LVV, Agon Batusha. Ai bëri një përmbledhje të qeverisjes, duke theksuar të gjitha sukseset që Qeveria Kurti ka arritur gjatë këtyre viteve.
Deputeti Batusha u pyet për vendimin e Qeverisë për pronat e Manastirit, dhe shprehu qëndrimin se Kosova nuk kishte alternativë tjetër përveç zbatimit të këtij vendimi, pasi kjo ishte një nga çështjet më delikate që qeveritë e mëparshme e kishin lënë në dorë të kësaj qeverie.
Në lidhje me çështjen e dinarit, deputeti tha se nuk ka vend për ndonjë ndryshim në këtë vendim, duke argumentuar se ai është në përputhje me të gjitha rregullat.
Batusha foli edhe për deklaratën e ambasadorit Hill, duke theksuar se Serbia është larg nga anëtarësimi në NATO përpara se Kosova të bëhet anëtare.
Intervista e plotë
“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?
Agon Batusha: Qeveria e Republikës ka hyrë në vitin e fundit të qeverisjes dhe natyrisht që është vit i dinamikave të brendshme politike. Përparimi i Kosovës në rrugën euro-atlantike sa vjen dhe bëhet më i qartë. Pas liberalizimit të vizave, avancimit të statusit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pritet t’i shtohet edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës si një institucion pan evropian me rëndësi të madhe për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Në njërën anë kemi sukseset e qeverisë dhe në anën tjetër akuzat absurde e të pabaza të opozitës, të cilët kërkojnë zgjedhje, por kur ju ofrohet mundësia gjejnë mënyra për t’i ikur ballafaqimit elektoral.
Ne synojmë të qojmë mandatin deri më fund, të mbajmë shumicën dërrmuese të premtimeve dhe natyrshëm që është koha edhe për subjektin tonë të bëjmë bilancin e punës sonë.
Zhvillime të rëndësishme kanë qenë në pjesën veriore të Republikës, ku shtrirja e rendit dhe ligjit është bërë pavarësisht sfidave. Pas 25 viteve, në atë pjesë të territorit tonë ka kushtetutshmëri dhe ka liri për qytetarët e Republikës. Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit do të vazhdojë në muajt në vijim, e po ashtu retorika kërcënuese e Beogradit dhe aleatëve të saj pritet të shtohet.
Kosova është kthyer në binarët e duhur të zhvillimit. Tani është koha që gjërat të fillojmë të lëvizin në drejtimin e zhvillimit të gjithmbarshëm shoqërorë.
“Bota sot”: Vendimi i Qeverisë për pronat e Manastirit të Deçanit sjelli reagime të mëdha në vendin tonë. Cili është qëndrimi i juaj për këtë situatë?
Agon Batusha: Natyrisht, ka qenë i dhimbshëm dhe i papranueshëm vendimi Gjykatës Kushtetuese. Askush nuk ka pranuar të vazhdojë procedimin e vendimit të Gjykatës. Por, ka qenë e pashmangshme procedimi tutje për arsye të proceseve në të cilat ndodhet Kosova. Kjo ka qenë një ndër “patatet e nxehta” që qeveritë e kaluara ia kanë lënë kësaj qeverie. Është i çuditshëm si rast, i paprecedent në aspektin juridik, por vendim i Gjykatës më të lartë në Kosovë, asaj Kushtetuese. Nuk ka rrugë tjera juridike brenda Kosovës për të sfiduar atë vendim edhe pse dëshira e gjithë neve ka qenë që të sfidohet me argumentet e drejta. Uroj e shpresoj që Republika është më e fortë pas këtij procedimi dhe aleatët tanë të mbajnë premtimin që kanë dhënë.
“Bota sot”: Gjithashtu temë e rëndësishme ka qenë edhe çështja e dinarit. Sa e qëlluar është gjithë kjo trysni e ndërkombëtarëve për të ndryshuar vendimin e Kosovës, përderisa është e ligjshme?
Agon Batusha: Vendimi i pavarur i BQK-së për të hartuar rregulloren, është vendim që nuk diskutohet dhe as vihet në pikëpyetje nga ndërkombëtarët. S’ka qenë vendim për dinarin, por rregullim i shumë çështjeve që kanë të bëjnë me transaksionet dhe përdorimin e monedhës në Kosovë, pra Euros. Askund nuk përmendet dinari. Askund. Por, në praktikë ka obliguar organet ligj-zbatuese që të marrin masa dhe të parandalojmë e ndalojnë përdorimin e paligjshëm të monedhave tjera. Kjo ka afektuar qytetarët tanë serb, të cilët për 25 vite pas luftës dhe 16 vite që nga hartimi i Kushtetutës, kanë përdorur ilegalisht një monedhë që nuk është pjesë e sistemit monetar të Kosovës.
Problemi është shkaktuar nga Banka Qendrore e Serbisë, e cila nuk ka pranuar të nënshkruaj marrëveshje me BQK-në si gjithë bankat homologe, e për pasojë ka bërë që qytetarët tanë serb të kenë probleme në qasjen e tyre në pensionet apo pagesat që marrin nga Beogradi.
Pra, nuk po kërkohet ndryshim i vendimit, as legalizim i dinarit. Përkundrazi, gjithçka është e qartë. Por, po diskutohet gjetja e një zgjidhje që qytetarët serb të kenë qasje në pensionet e tyre përmes bankave komerciale të Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës sonë, pagesa apo monedha të cilat duhet të konvertohen në Euro dhe si të tilla të qarkullojnë në treg. Pra, në mungesë të një marrëveshje normale, duhet gjetur modaliteti i të pasurit qasje në pensionet e tyre.
“Bota sot”: Kryeministri Kurti u shpreh në një intervistë që problemet lindën kur Brukseli nuk e përdori fuqinë e tij, i cili si arbitër ta sanksionoi Serbinë sa herë ka shkelje të marrëveshjes. A mendoni që nëse do të sanksionohej Serbia do të kishim një marrëveshje finale?
Agon Batusha: Patjetër që PO. Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së e kanë ledhatuar për një kohë të gjatë një regjim autokratik me bindje shoviniste dhe me ëndrra për të kaluarën. Rrezikimi i strukturës së sigurisë së Ballkanit është bërë dhe vazhdon të bëhet nga Beogradi. Tanimë edhe më hapur dhe më kërcënues. Kur kësaj ia shtojmë edhe moszbatimin dhe lojërat tjera lidhur me marrëveshjen me Kosovën, bënë që reagimet e buta të BE-së të bëhen të pakuptimta thënë më së buti.
“Bota sot”: Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar se Serbia është aktualisht një partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova. A mendoni që qëndron kjo gjë në të vërtetë?
Agon Batusha: Ndoshta ambasadori di diçka që askush në Ballkan nuk e di. Por, në pikëpamjen tonë Serbia është larg shumë larg standardeve të NATO-s,
“Bota sot”: Tentimi i radhës për dinarin më 4 prill, palët do të takohen sërish në Bruksel. A mendoni që mund të ketë ndonjë zhvillim në lidhje me këtë temë apo vetëm do të ketë bisedime pa ndonjë rezultat?
Agon Batusha: Besoj që javën e ardhshme do të kuptojmë më shumë nga kjo situatë. Por, besoj që do gjinden një zgjidhje lehtësuese duke respektuar kushtetutshmërinë e Republikës.