Rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.
Së fundmi, Kosova ka kaluar me sukses hapin e parë për anëtarësimin në KE dhe zonja Tahiri thotë se ky është lajm i mirë, duke shpresuar se do të aprovohet anëtarësimi zyrtar i Kosovës në këtë organizatë.
Në këtë rast, ajo përmendi edhe kompromisin që bëri Kosova, që përfshinte faljen e disa hektarëve të tokës Manastirit të Deçanit.
Për qasjen e Kurtit në dialog, ajo thotë se ai pati dështim historik në dialogun me Serbinë, duke theksuar se nuk arriti të arrijë marrëveshje me njohje reciproke.
Ndërsa, vendimi për ndalimin e qarkullimit të dinarit Tahiri deklaron se është i ligjshëm, por sipas saj, kjo çështje nuk duhej të ishte temë në dialogun e Brukselit.
Për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ajo thotë se janë prishur për fajin e Kurtit, pasi ai nuk u koordinua me ndërkombëtarët për zgjedhjet lokale në katër komunat në veri. Ajo gjithashtu shton se Kurti ka bërë edhe gabime gjatë rrugës.
Në lidhje me kërcënimet serbe, thotë se Serbia është shtet i padrejtë, duke theksuar se ajo nuk pritet të bëjë mirë.
Megjithatë, ajo shton se kërcënimet që bën Serbia do të përballen me reagimin e SHBA dhe NATO-s, të cilat kanë ndihmuar shtetin e Kosovës.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Kosova kaloi me sukses hapin e parë për anëtarësimin në KiE, cili është mendimi juaj?
Edita Tahiri: Është lajm i mirë për Kosovën që raportuesja e Këshillit të Evropës Bakojanis rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në KiE, të gjithë shpresojmë dhe duam që Këshilli i Ministrave të BE-së ta aprovojë anëtarësimin zyrtar të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme evropiane.
Siç e dijmë Kosova bëri një kompromis të madh për kalimin me sukses të hapit të parë duke i dhanë 24 hektar manastirit të Deçanit. Tani janë rritur presionet që qeveria ta zbatoj asociacionin duke bërë draft statutin e asociacionit. Së pari duhet të jetë e qartë se asociacioni nuk është kusht për anëtarësim të Kosovës në KiE, prandaj qeveria duhet të ketë parasysh fakt, dhe jo ta bëj dështimin e ri, siç bëri me dështimin historik duke arritur marrëveshjen me Serbinë pa njohje reciproke. Para se të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në 2023 dhe marrëveshja zbatuese e Ohrit, Kosova e kishte përkrahjen amerikane përkatësisht letrën e presidentit Biden për njohje reciproke si qëllim final i marrëveshjes, mirëpo Kurti me paaftësinë e tij negociator e humbi këtë përkrahje të madhe sa që sot asnjë partner ndërkombëtar nuk e përmendë ma njohjen reciproke ndërsa vetëm përmendin asociacionin. Në këtë situatë të dështimit të Kosovës përballë Serbisë në dialog, Qeveria e Kosovës dhe Kurti si kryeministër duhet ta kushtëzoj asociacionin me njohjen de jure të shtetit të Kosovës nga Serbia. Vetëm njohja zyrtare e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe asociacioni sipas kushtetutës së Kosovës sjellë rezultatin e drejt dhe paqësor nga ky dialog.
“Bota sot”: Ju keni qenë negociatore në bisedime, si e shihni qasje e kryeminsitrit Albin Kurtit në raport me dialogun me Serbinë?
Edita Tahiri: Kurti bëri dështim historik në dialogun me Serbinë, nuk arriti marrëveshje me njohje reciproke, pranoi asociacionin të cilin e kundërshtoi që e solli në pushtet, mirëpo kur erdhi në pushtet jo vetëm që pranoi asociacionin por i dha autonomi pakicës serbe përmes vetmenaxhimit. Kurti si politikan dëshmoi se pushtetin e ka para shtetit, u dëshmua populist i vërtetë, e zbatoi politikën ‘populli im, vota ime’, ndërsa shkeli interesat e popullit dhe shtetit të Kosovës. Sot Kosova është në gjendje të rëndë në të gjitha planet, ekonomi të dobët, korrupsion i lartë, papunësi dhe ikje e rinisë, prishje e marrëdhënieve me Amerikën, shteti që na bëri shtet. Asnjëherë Kurti nuk i dha shpjegim popullit si u bë që Kosova u sulmua ne Banjskë nga Serbia, ndërsa Kosova u ndëshkua nga aleatet tanë perëndimor, ndërkaq Serbia nuk u ndëshkua. Këtë shpjegim ia kanë borxh popullit edhe Kryeministri edhe presidentja. Kjo nuk mund të kaloj në heshtje, sepse kanë degraduar Kosovën në atë gjendje pikërisht siç e thotë poezia e vaso Pashës ‘…Shqypni Kush të ka qit me krye n'hi’.
“Bota sot”: Dinari me vendim të BQK-së, është hequr nga qarkullimi, ky vendim nxiti edhe reagime të shumta. Si e vlerësoni këtë vendim? Dhe, pse është gjithë ky kundërshtim për këtë çështje nga ndërkombëtarët?
Edita Tahiri: Çështja e dinarit është një prej betejave të vogla të Kurtit, si çështja e targave për të mbuluar humbjet e betejave të mëdha siç është marrëveshja pa njohje reciproke me Serbinë. Kurti i bënë këto beteja të vogla se gjoja po shtrinë sovranitetin në veri, ndërkohë që ka mbushur veriun me forcat paqeruajtëse të NATO-së që çdo ditë po shtohen, pra praktikisht ka vendosur pjesën veriore të shtetit tonë nën protektoratin ndërkombëtar. Kjo nuk është mire për Kosovën sepse sipas teorisë dhe praktikës së marrëdhënieve ndërkombëtare kur një pjesë e një shteti është nën protektoratin ndërkombëtar mund të rezultojë në ndarje të asaj pjese. Prandaj në këtë kohë po rrezikohet ndarja e veriut nga mosdija e Kurtit, e jo rreziqet siç i patëm vite më parë nga lojërat e kufijve nga Serbia. Dua të theksoj fuqimisht se institucionet e Kosovës duhet ta kenë veriun prioritet strategjik si dhe të kenë kujdes të mos i japin shkasë Serbisë djallëzore e cila ende jeton me iluzionin për ti marrë pasuritë gjeopolitike të Kosovës në veri, minierat dhe ujin.
Kur jemi te dinari, vendimi i BQK-së është i ligjshëm, mirëpo kjo çështje nuk është dashur të jetë temë në dialogun e Brukselit sepse është çështje e brendshme e Kosovës, pra qeveria gaboi, shkeli kushtetutën duke biseduar për këtë çështje me Serbinë në Bruksel, po ashtu gaboi duke e çuar çështjen e dinarit në Këshillë të sigurimit. Qeveria ka mundur ta zgjidh këtë çështje në një dialog të drejtpërdrejtë me serbët e veriut, sit ë tillë do ti tregonte botës se çështjet e brendshme i zgjidh vet.
“Bota sot”: Raportet Kosovë-SHBA, duket se nuk janë më të mira, edhe pse qeveria e thotë të kundërtën, si i keni parë ju?
Edita Tahiri: Raportet e Kosovës me SHBA-në janë prishur për fajet e Kurtit sepse nuk u koordinua me ta me rastin e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri, bëri gabime madje sa që poshtëroi kryetarët shqiptarë që po shkarkohen me peticionin e pakicës serbe. Bëri gabimin tjetër që nuk pranoi kërkesën e amerikanëve për zbatimin gradual të vendimit të BQK-së për dinarin, me çrast SHBA-ja ia vuri emrin se me kenë ka prishur marrëdhëniet, duke thënë se kemi prishur marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës, si pasojë përjashtuan, e izoluan Kurtin si partner amerikan, në vend të tij po flasin me presidenten Osmani, e cila kishte mbajtur gojën e mbyllur gjithë kohën, duke u frikësuar nga pushteti dominues i Kurtit, tash më në fund mori guximin.
“Bota sot”: Serbia vazhdimit kërcënon Kosovën, madje edhe bën përgatitje ushtarake, a mund të ketë eskalim të situatës së sigurisë?
Edita Tahiri: Serbia është një shtet djallëzor në Ballkan, është faktor destabilizues në Ballkan sidomos ndaj Bosnjës dhe Kosovës dhe kohët e fundit edhe ndaj Malit të Zi. Nga një Serbi që është në anën e Rusisë nuk mund të priten politika stabilizuese, por vazhdimisht do të ketë kërcënime si një armike e Kosovës. Mirëpo, ne udhëheqja që e bëmë shtetin e Kosovës e bëmë me dy shtylla të forta, Amerikën dhe NATO-n, prandaj Serbia e ka parasysh se kur kërcënon Kosovën praktikisht kërcënonin Amerikën dhe NATO-n, e njëjta është se nëse Serbia kërcënon me luftë e kërcënonin Amerikën dhe NATO-n sepse me ta do të përballohet në çdo rast në çdo moment. Një Serbi e vogël nuk mund t’i bëj ballë këtij skenari pavarësisht përkrahjes nga Rusia.
“Bota sot”: Si i shihni raportet Kosovë-Shqipëri? A janë në nivel të duhur bashkëpunimet mes dy shteteve shqiptare?
Edita Tahiri: Për fat të keq Kurti më shumë po shkon në Greqi se në Shqipëri, arsyet e vërteta të raporteve jo të mira mes Kurtit dhe Ramës nuk i di. Rama nuk ka mbajtur qëndrim kombëtar me Kosovën, duke u afruar më shumë me Serbinë se me Kosovën, sa që shkoi aq larg u bë pjesë e projektit serb hegjemon ‘Ballkani Hapur’ si dhe ia dha ishullin e Sazanit një projekti turistik serbo-amerikan, që ka rreziqe gjeopolitike meqenëse i jep qasje në Mesdhe Rusisë dhe Serbisë, si synim i kahmotshëm gjeostrategjik i Rusisë. Mendoj se i takon Kurtit të shpjegohet se pse është ma afër me Greqinë se sa me Shqipërinë. Kombëtarisht nuk është mirë dy kryeministra shqiptar – njëri kokën në Serbi tjetri në Greqi ndërsa trupin e tyre në dy shtete shqiptare.
“Bota sot”: Ditë më parë ishte përvjetori i 25 i bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, dhe ju keni qenë asokohe Ministre e Jashtme e Qeverisë së Ibrahim Rugovës, si e kujtoni ju atë kohë?
Edita Tahiri: Është arritje historike e jona çlirimi i Kosovës, të cilën e realizuam sepse ishim udhëheqje me vizion të qartë pro-amerikan, ishim perëndimor, së bashku me rezistencën e vendosur të popullit të Kosovës, të udhëhequr nga LDK dhe UÇK dhe SHBA-ja realizuam ëndrrën e lirisë dhe pavarësisë, duke bombarduar Serbinë nga NATO mposhtëm robërinë një shekullore.