Flasin nga MPJD, japin detaje mbi anëtarësimin e Kosovës në KiE: BE po dërgon “mesazh  të gabuar” te Serbia!

Intervista

Flasin nga MPJD, japin detaje mbi anëtarësimin e Kosovës në KiE: BE po dërgon “mesazh  të gabuar” te Serbia!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 prill 2024 Në ora: 17:07
Kreshnik Ahmeti

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, me fokus në punën e MPJD-së dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Fillimisht, Ahmeti tregoi fazat e tjera që e presion Kosovën drejt anëtarësimit në KiE, duke potencuar se do ketë edhe dy votime të tjera, një në prill dhe tjetri në maj.

Duke folur për anëtarësimin në KiE, zv. ministri foli edhe mbi propagandën e Serbisë dhe sfidat e Kosovës në këtë aspekt, duke potencuar njëherësh edhe shkeljen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Më tej, Ahmeti kritikoi sanksionimin e Kosovës, pasi potencoi se sinjali që BE po dërgon tek agresori duke ndërmarrë masa kundër viktimës, rrezikon të nxis të parin që të vazhdojë me hapa të njëjtë destabilizues.

Krahas kësaj, zëvendësministrit komentoi edhe të arriturat dhe sfidat e MPJD-së, duke thënë se ka sinjale pozitive për njohje të reja.

Ndër të tjera, ai foli për procesin e dialogut dhe kërcënimet që Serbia po ia bën Kosovës.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Më 27 mars, Kosova ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Cilat janë fazat tjera drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës?

Kreshnik Ahmeti: Pas opinionit pozitiv të Departamentit Ligjor të Këshillit të Evropës, të publikuar në shtator të vitit 2022, i cili sqaroi se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë, dhe votimit të suksesshëm më 24 prill të vitit 2023, me ç ‘rast mbi 2/3 e vendeve anëtare votuan në favor të Kosovës dhe pesë nga dymbëdhjetë vendet mos njohëse nuk e kundërshtuan fillimin e procesit të anëtarësimit, Kosova shënoi edhe një sukses të rëndësishëm më 27 mars të vitit 2024, me ç ‘rast Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci miratoi draft opinionin i cili thotë se Kosova duhet të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe i cili nuk parasheh parakushte përgjatë këtij procesi.

Procesi në vazhdim parasheh edhe dy votime. I pari do të jetë më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku rreth 300 delegatë të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, dhe votimi i fundit nga ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare në muajin maj. Në të dy këto votime nevojiten 2/3 e votave në favor, për të cilën gjë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vazhdon lobimin intensiv të filluar qysh para aplikimit më 12 maj të vitit 2022.

Gazeta “Bota sot”: Serbia në vazhdimësi ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE. Si i keni parë këto propaganda të shtetit serb dhe pengesat që ka tentuar t’ia bëjë shtetit tonë në rrugën për anëtarësime në organizatat ndërkombëtare?

Kreshnik Ahmeti: Më 27 mars u shënua rasti më i fundit i shkeljeve të vazhdueshme që Serbia ia bën Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Marrëveshjes mbi Aneksin Zbatues të 18 marsit. Shkelja e parë e hapur e këtyre dy marrëveshjeve ndodhi po ashtu në Këshillin e Evropës, më 24 prill të vitit 2023. Për këto dy shkelje dhe të gjitha shkeljet që Serbia ia ka bërë së paku 8 pikave nga 11 pikat e Marrëveshjes Bazike, ajo nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian, që do të shërbente si metodë e obligimit të saj për respektimin dhe zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve. Me këtë mungesë të masave nga Bashkimi Evropian, pritjet tona janë që Serbia do ta vazhdojë lobimin kundër Kosovës, që nënkupton shkeljen e mëtutjeshme të Marrëveshjeve.

Gazeta “Bota sot”: Kosova është ndëshkuar nga BE me disa masa për shkak të aktualitetit në veri. Sa kanë ndikuar këtë masa në punën e MPJD-së? A vlerësoni se duhet të largohen këto masa ndaj shtetit tonë?

Kreshnik Ahmeti: Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian janë të padrejta dhe nuk i kontribuojnë stabilitetit në rajon.

Janë të padrejta sepse ishin strukturat e dhunshme ilegale të Serbisë ato të cilat organizuan eskalimin e situatës në katër komunat në veri të vendit. Këto organizata terroriste sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës, gazetarët dhe lënduar mbi 90 ushtarë të NATO-s në misionin e KFOR-it. Ishin të njëjtat struktura terroriste ato të cilat realizuan agresionin e Serbisë mbi Kosovës nëpërmjet sulmit terrorist të 24 shtatorit, me ç ‘rast u vra Heroi Afrim Bunjaku.

Në këtë kontekst, vendosja e masave kundër Kosovës përçon mesazhin e gabuar tek Serbia e cila bëri agresion dhe nuk u ndëshkua për të. Pra, sinjali që Bashkimi Evropian e dërgon tek agresori duke ndërmarrë masa kundër viktimës, rrezikon të nxis të parin që të vazhdojë me hapa të njëjtë. Tani kjo po bëhet e qartë me thirrjen e Listës Serbe për bojkotimin e procesit të votimit në katër komunat në veri të vendit. Pra, veprimi i fundit e bëri të qartë edhe një herë që është Serbia ajo e cila nuk është e interesuar për paqe dhe zhvillim dhe se ajo do të vazhdojë me qasjen e njëjtë përderisa përkëdhelet nga Bashkimi Evropian.

Sigurisht që një vendi demokratik, të rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, dhe me progres në indekse të demokracisë, sundimit të ligjit, reformës së drejtësisë, lirive civile e të drejtave politike, duhet t’i hiqen masat sa më parë.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë sukseset dhe sfidat më të mëdha të Ministrisë së Punëve të Jashtme?

Kreshnik Ahmeti: Përgjatë tri vite qeverisje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka arritur ta fuqizojë dhe zgjerojë praninë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në këtë periudhë u përmbyll suksesshëm procesi i liberalizimit të vizave, pas një kohe jashtëzakonisht të gjatë të pritjes. Në rrafshin bilateral u dinamizua aktiviteti diplomatik duke rritur ndërveprimet me shtetet e tjera. P.sh, në të kaluarën MPJD ka realizuar mesatarisht 4 konsultime politike në vit, përderisa në tri vitet e fundit ka realizuar mesatarisht 15. Kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me vende me të cilat nuk kemi pasur më parë. Kemi hapur misione në Poloni dhe në Selinë e Shenjtë dhe do të hapim të tjera së shpejti. Në rrafshin multilateral, e kemi gjetur vendin në një moratorium të anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare. Organizata e fundit ndërkombëtare në të cilën ishte anëtarësuar Kosova ishte ENTSO/E në vitin 2020, në qeverinë Kurti I. Ndërsa, përgjatë mandatit të kësaj qeverie deri më sot jemi anëtarësuar në shtatë organizata ndërkombëtare, kemi një proces jashtëzakonisht të suksesshëm të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Për më tepër, kemi realizuar një reformë të thellë dhe ristrukturim të plotë të Ministrisë dhe Shërbimit të Jashtëm. Nga një organizim ku një Departament me katër zyrtarë thirreshin për t’i mbuluar 156 shtete, kemi krijuar një organogram të arsyeshëm dhe shumë më funksional. Është vendosur ligjshmëria dhe janë përmirësuar veprimet e paligjshme të së kaluarës. Tani për ta përmbyllur plotësisht reformën dhe ristrukturimin na mbetet ta paraqesim draftin e ri të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm dhe t’i mbulojmë të gjitha zbrazëtitë në kuptimin e burimeve njerëzore. Të dyja këto jam i bindur që do t’i përmbyllim brenda këtij viti.

Në kuptimin e arritjes së rezultateve nga angazhimi ynë diplomatik, sfidat fillestare kanë qenë kufizimet e krijuara nga qeveria paraprake si në kuptimin e marrëveshjeve dhe zotimeve të kaluara, po ashtu edhe në veprimet e paligjshme përbrenda sistemit diplomatik. Me tejkalimin e suksesshëm të këtyre sfidave, sot pengesat kryesore na paraqiten nga zhvillimet shqetësuese gjeopolitike, që nënkuptojnë rritjen e autoritarizmit në rajon, Evropë dhe botë; zgjerimi dhe rritja e numrit të konflikteve dhe rritja e ndikimit të vendeve autoritare.

Gazeta “Bota sot”: A ka ndonjë zhvillim sa i përket njohjeve të reja për Kosovën?

Kreshnik Ahmeti: Republika e Kosovës ka shënuar përparim përmbajtjesor në raporte me disa shtete me të cilat ende nuk kemi vendosur marrëdhënie diplomatike.

Që në fillim të mandatit tonë e kemi ngritur statusin e Zyrës së Kosovës në Athinë, me ç ‘rast ka filluar komunikimi zyrtar e formal i diplomatëve të Kosovës me institucionet greke. Për herë të parë kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës Helene dhe kemi realizuar një numër vizitash bilaterale.

Përparim në nivele të ndryshme ka pasur edhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian me të cilat ende nuk kemi marrëdhënie formale. P.sh. kemi pasur takime të shumta mes krerëve të shtetit dhe rritje të bashkëpunimit përmbajtjesor. Në rastin e Spanjës angazhimi i tillë solli edhe njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës nga Spanja.

Angazhim të njëjtë ka pasur edhe me shtete nga kontinentet e tjera.

Shenjë pozitive është edhe konstruktiviteti i këtyre shteteve përgjatë anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe përgjatë procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Gazeta “Bota sot”: Në vendin tonë po ndodhin shumë zhvillime, derisa po ka edhe kërcënime nga Serbia? Si i komentoni ato?

Kreshnik Ahmeti: Serbia paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Kosovë për aq koha sa ajo nuk distancohet nga e kaluara e saj, mbanë lidhje të ngushta me Rusinë dhe ndanë qëndrimin se nuk respekton integritetin territorial të Kosovë. Për më tepër, në kohët e fundit ne kemi parë që Serbia në koordinim me Republikën Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë ka ngritur tensionit edhe në këtë shtet, si formë e shantazhit ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe si formë e kërcënimit për të gjitha shtetet e rajonit.

Gazeta “Bota sot”: Dialogu vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara, a mund të ketë marrëveshje finale këtë vit, duke parë qasjen arrogante të Serbisë?

Kreshnik Ahmeti: Që nga Marrëveshja e Brukselit, më 27 shkurt 2023, Serbia ka pasur një ambiguitet në raport me këto marrëveshje. Pas 27 shkurtit e 18 marsit nga zyrtarë të lartë të Serbisë dëgjonim deklarata se janë pajtuar vetëm me një pjesë të marrëveshjes, apo nuk janë pajtuar me asgjë. Në takimin e 14 shtatorit të vitit 2023 për ne u bë e qartë që Serbia nuk ishte angazhuar aspak për arritjen e një marrëveshje mbi sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes së 27 Shkurtit. Përderisa më 13 dhjetor, nëpërmjet letrës së dërguar nga ish Kryeministria e Serbisë, kjo e fundit u larguar formalisht e praktikisht nga marrëveshjet e arritura. Pra, sot duhet ta kemi një qartësi nga ana e Bashkimit Evropian nëse Serbia është pjesë e këtyre marrëveshjeve. Për më tepër, deri më sot Serbia ka shkelur shumë herë së paku 8 nga 11 pikat e Marrëveshjes së Brukselit.

Duke pasur parasysh këtë kontekst dhe qasjen e Serbisë, e shoh të pamundur arritjen e një marrëveshje përfundimtare brenda këtij viti.

Gazeta “Bota sot”: Në fund, si e shihni presionin e ndërkombëtarëve ndaj kryeministrit Albin Kurti? A do duhej të ishte një qasje më bashkëpunuese dhe mirëkuptuese, marrë parasysh provokimet dhe sulmet e Serbisë?

Kreshnik Ahmeti: Tanimë Kosova është rast shembullor në rajonin tonë për progres në demokraci, sundim të ligjit, reforma në drejtësi, liri civile e të drejta politike. Si rezultat i këtyre progreseve vendi ka arritur suksese të shumta edhe në arenën ndërkombëtare, sikurse përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave dhe procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Këto suksese i kemi arritur së bashku me partnerët ndërkombëtar, duke u koordinuar e bashkëpunuar ngushtë me ta në nivele të ndryshme. Unë nuk kam asnjë dilemë që ky bashkëpunim do të vazhdojë sepse vlerat dhe synimet tona janë të përbashkëta. E partneritetet ndërtohet mbi vlera e synime. Përgjatë rrugës sigurisht që mund të kemi divergjenca mbi momentin e metodën, ashtu siç mund të ketë edhe përbrenda qeverisë. Por, këto janë sekondare në raport me vlerat dhe synimet të cilat i ndajmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat