Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, për zhvillimet e fundit në vend ka folur deputetja nga radhët e LVV, Arijeta Rexhepi.
Deputetja bëri një përmbledhje të arriturave nga qeveria Kurti II, duke filluar nga liberalizimi i vizave e deri tek aplikimi në Këshillin e Evropës.
Sipas saj, të arriturat e qeverisë aktuale janë pozitive në krahasim me ato të qeverive të kaluara të cilat kanë qenë të zhytyra në korrupsion dhe krim të organizuar.
Ndërsa e pyetur për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, ajo thotë që është kjo e fundit e cila nuk pranon të nënshkruhet një marrëveshje.
Në bisedë e sipër Rexhepi bëri të ditur se Vuçiq po vazhdon të ndjek politikën e Millosheviçit për një luftë tjetër, mirëpo që e njëjta nuk do të ndodhë siç nuk pati sukses as sulmi në Banjskë.
Në fund, deputetja për zgjedhje të mundshme thotë se opozita nuk është e gatshme për to.
Intervista e plotë
“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?
Arijeta Rexhepi: Republika e Kosovës po njeh zhvillimin më të madh ndonjëherë të faktuar e dëshmuar dhe nga raportet e ndryshme e serioze ndërkombëtare. Vizat u liberalizuan, u bë aplikimi për anëtarësim në BE, po ecet drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, po konstatohet rritje ekonomike dhe e investimeve, rritje e punësimit e kështu me radhë. Stabiliteti institucional ka sjellë dhe stabilitet në jetën politike e shoqërore të vendit. Ndryshimi është drastik e madhor krahasuar me qeveritë e mëhershme, ku buxheti i shtetit keqpërdorej e shteti ishte i zhytur në korrupsion e krimi i organizuar lulëzonte veçanërisht në veri të vendit.
“Bota sot”: Ngjarje të rëndësishme po e shoqërojnë Kosovën, së fundmi si e keni parë bojkotimin e votimeve në veri nga Lista Serbe? A po vazhdon të dirigjohet nga Vuçiqi për planet ‘djallëzore’?
Arijeta Rexhepi: Lista Serbe e kontrolluar nga Beogradi zyrtar, në vazhdimësi po i ndërron qëndrimet e saj. Ata po dëshmojnë se nuk e kanë fare prioritet interesin e qytetarëve, por mbrojtjen e krimit të organizuar e fuqisë së krijuar përgjatë shumë viteve, e cila tashmë po bie çdo ditë e më shumë. Edhe i tërhoqën kryetarët e komunave, edhe nuk donin zgjedhje. Pastaj kërkuan zgjedhje me kushte, e më vonë i ndërruan dhe kushtet. Më vonë donin prapë zgjedhje dhe i mblodhën firmat. Tash s'po duan as t'i shkarkojnë kryetarët, as të ketë zgjedhje. Lista Serbe e ka humbur busullën e orientimit dhe po demaskohet çdo ditë e më shumë, ashtu siç edhe vetë Beogradi zyrtar.
“Bota sot”: Para një viti Kosova dhe Serbia arritën në Bruksel një marrëveshje dhe më pas në Ohër u pajtuan për hollësitë e zbatimit të marrëveshjes, por kjo marrëveshje ende nuk po zbatohet. Ju personalisht, pritni përparim në zbatimin e marrëveshjes, apo më shumë jeni skeptike?
Arijeta Rexhepi: Për sa kohë që Serbia e refuzon marrëveshjen, vështirë të ecet para në këtë proces. Pesë herë u refuzua nënshkrimi, verbalisht presidenti i Serbisë thoshte se nuk e ka pranuar marrëveshjen, se ka vija të kuqe e gjëra me të cilat nuk pajtohen, e këtë e dokumentuan me letrën e ish-kryeministres Brnabiq në dhjetor 2023, ku praktikisht thuhej se nuk ka marrëveshje. Kemi njërën palë, Kosovën, e cila e ka pranuar atë dhe do që të vazhdohet tutje me zbatim, dhe Serbinë që në vazhdimësi po e refuzon. BE-ja duhet të ketë reagim më të qartë e më të prerë ndaj shkeljeve e refuzimit të Serbisë në lidhje me Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin Implementues.
“Bota sot”: Duke qenë tek marrëveshjet, Asociacioni po mbetët kërkesë e kahmotshme për Kosovën. Si do të jetë përgjigjja e Qeverisë karshi kësaj trysnie?
Arijeta Rexhepi: Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues, nuk janë marrëveshje për asociacionin. Marrëveshja ka nene e obligime të cilat duhet të zbatohen nga të gjitha palët në plotni, e logjikisht duhet të ecet në mënyrë paralele me to. Marrëveshjet s'mund të kenë parakushte, apo që një nen të jetë më i rëndësishëm se një tjetër. Refuzimi i marrëveshjes nga Serbia, e pamundëson aktualisht ecjen para në zbatim, përmes një plani të qartë i cili duhet të jetë i drejtë për palët dhe i balancuar.
“Bota sot”: Çështja e dinarit gjithashtu mbetët temë diskutimi. Të gjithë e dimë se në Kosovë, valutë zyrtare është Euro. Ju si e shihni zgjidhjen e kësaj problematike?
Arijeta Rexhepi: Nuk ekziston e ashtëquajtura "çështja e dinarit". Rregullorja e BQK-së, nuk e përmend fare dinarin. Në Bruksel, nuk po diskutohet për dinarin, e as për përmbajtjen e rregullores së BQK-së. Ajo çfarë trajtohet e duhet të gjejë zgjidhje, është forma se si në mënyrë transparente Serbia e dërgon mbështetjen financiare për serbët e Kosovës. Zgjidhja mesa duket mund të gjendet shumë lehtë, veç nëse Serbia është e gatshme t'i bëjë këto transfere në mënyrë transparente. Mesa po shihet, ata nuk e duan këtë gjë, nuk i kanë prioritet qytetarët apo mbështetjen financiare të tyre, sepse këtë e kanë përdorur veçse si mjet për të financuar aktivitetet e tyre ilegale në veri, përmes thasëve me dinarë e entiteve ilegale. Kjo gjë nuk mund të ndodhë më.
“Bota sot”: Ndër të tjera Vuçiq ka pothuajse çdo ditë që kërcënon Kosovën për luftë. A shihni ndonjë rrezik për sigurinë e Kosovës?
Arijeta Rexhepi: Serbia është fatkeqësisht një vend i udhëhequr nga një autokrat, që ëndërron, imagjinon e glorifikon të kaluarën. Para disa vitesh, thoshte për Millosheviqin se qëllimet i kishte të mira, por mjetet e gabuara. Pra po tregon haptazi që nuk ka ndërruar forma, por mënyra se si i ndjek politikat e Millosheviqit. Sulmi i Banjskës dhe përfshirja e institucioneve të sigurisë serbe në këtë akt agresioni, veçse dëshmoi qasjen e Vuçiqit. Por Republika e Kosovës i bëri ballë atij sulmi me profesionalizëm të lartë, i cili u vlerësua dhe u çmua dhe nga ndërkombëtarët. Sulmet e tilla duhet me patjetër të dënohen më ashpërsisht, në mënyrë që të njëjtat të mos përsëriten.
“Bota sot”: Tash e një kohë po përflitet për zgjedhje të parakoshme, ku opozita po kërkon me ngulm rrëzimin apo dorëheqjen e qeverisë. Si e keni parë ju këtë gjë? Sa është LVV e gatshme për zgjedhje të reja?
Arijeta Rexhepi: Një qeveri që punon mirë, nuk ka pse të dorëhiqet. Kryeministri Kurti e ka bërë së fundmi dhe ofertën e tij kundrejt opozitës. Nëse opozita do zgjedhje, ajo mund ta ndjekë rrugën që çon aty. Por po dëshmojnë që nuk janë të gatshëm për këtë.