“Tragjedia ballkanike do të ishte edhe më e madhe”, deputeti shqiptar në Mal të Zi flet për kërcënimet e Serbisë: Kosova i shpëtoi një…!

Intervista

“Tragjedia ballkanike do të ishte edhe më e madhe”, deputeti shqiptar në Mal të Zi flet për kërcënimet e Serbisë: Kosova i shpëtoi një…!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 13 prill 2024 Në ora: 10:04
Nikollë Camaj

Nikollë Camaj, deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në Mal të Zi, provokimet dhe kërcënimet e Serbisë ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Së pari, potenvoi se situata në shtetin malazez është e brishtë, për shkak të disa arsyeve, të cilat i radhiti.

Krahas kësaj, deputeti shqiptar foli edhe për sfidat e shqiptarëve në skenën politikem shoqërore në Mal të Zi.

Gjithashtu, Camaj komentoi edhe mundësinë e një konflikti të ri në rajon marrë parasysh kërcënimet e Serbisë.

“Mendoj se prezenca e NATO-s nuk lë hapësirë për një konflikt të hapur, ani pse provokime të tipit të Banjskës edhe mund të priten. Natyrisht se diktatorët mund të mbijetojnë vetëm duke shpikur armiq e rreziqe nga të tjerët, për të krijuar një izolim që u siguron qeversije pa kufi”.

Ndër të tjera, komentoi edhe anëtarësimin e Kosovës në KiE, derisa sqaroi edhe qëndrimin e Partisë Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi e cila mbështeti deputeten e vet, Maja Vukiçeviç, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Gazeta “Bota sot”: Z. Camaj, si e vlerësoni situatën politike tani në Malin e Zi?

Nikollë Camaj: Situata politike në Malin e Zi është mjaft e brishtë, si edhe institucionet e saj. Kjo për arsye të shumë rrethanave, e në rend të parë sepse në Malin e Zi, mbi 30 vite ka qeverisur sistemi pothuajse monist, ku shumica ishte monolite. Sot kemi një qeveri kompromisi, të faktorëve politik që kanë qendrime të ndryshme, madje edhe të kundërta, dhe që në burim, nuk ndajnë të njëjtat vlera. Mirëpo ato kanë gjetur një “modus vivendi” dhe janë grumbulluar rreth atyre parimeve, apo vlerave që i bashkojnë, së paku deklarativisht. Fakti se ka dalje nga këto parime, dhe potencim të elementeve dalluese, gjë që ndodh për shkak të komunikimit me votuesin, të cilit i është premtuar diçka tjetër, krijon situata jo mjaft të volitshme. Por, siç ndodh gjithnjë në qeveritë e këtilla, gjinden rrugët që bashkojnë, derisa ato ekzistojnë. Dhe kjo është ajo që e shton brishtësinë e saj, dhe që mund të çojë edhe deri te destabiliteti politik. Megjithatë, do të veçoja bindjen se në Malin e Zi, për momentin ka një stabilitet funksional, dhe aktivitete të bollshme politike, në favor të agjendës evropiane. Gjithnjë këtu duhet pasur parasysh se tentativa e ndikimit nga jashtë, kundër kësaj agjende, kurrë nuk ka pushuar, por që kam bindje se për momentin po i rezistohet. Deri kur se di, por me ne si pjesë e shumicës, nga agjenda evropiane nuk do të lëvizet.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë sfidat e shqiptarëve në skenën politike, shoqëror e ekonomike në Malin e Zi?

Nikollë Camaj: Shqiptarët, për herë të parë janë pjesë aktive e qeverisë dhe janë faktorizuar deri në atë masë sa të marrin përgjegjësinë për prioritetet e veta. Për të mos i fajësuar vetëm të tjerët, siç e kemi zakon, gjithnjë. Sfidat janë të shumta, e në rend të parë është gjetja e rrugës së kohabitimit me një qeveri kaq heterogjene, ku ne kemi një zëvendëskryeministër me minsitrinë gjegjëse, dhe dy ministra, e pa dëmtuar misionin tonë kombëtar.

Siç dihet trevat shqiptare janë lënë pas dore me dekada dhe një prej sfidave tona, natyrisht se është edhe thithja e fondve për t’i zhvilluar ato, por kjo asnjëherë nuk duhet të na largojë nga sfidat kryesore, e që lidhen me ruajtjen e identitetit kombëtar. Ne nuk guxojmë, që për cilido investim apo projekt zhvillimor, të lëmë pas dore angazhimin pë ruajtjen e identitetit dhe vlerave tona, brenda shtetit të Malit të Zi, dhe atë të interesit kombëtar rajonal.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni politikën e Serbisë dhe Vuçiqit, i cili po sillet në mënyrë shumë agresive ndaj Kosovës, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi? A ka ndikim në këtë pjesë politika ruse e Vladimir Putinit?

Nikollë Camaj: Vetëm e ceka se ndihet prezenca e tentativave të tilla edhe në Malin e Zi, edhe pse jo aq të zhurmshme sa ne Bosnje apo Kosovë. Serbia e Vuçiqit nuk ka ndërruar fare nga Serbia e viteve 90. Kleronacionalizmi i tyre, për kohën, primitiv, nuk besoj se mund ta dërgoj gjë kundi Serbinë. Shpresoj se vet populli do të vetëdijsohet dhe ta di se “sandviçi me parizer” nuk paraqet ardhmëri për një popull të futur në aq luftëra humbëse, siç u ka ndodhur në të kaluarën. Natyrisht se intersi rus, për të kontrolluar këtë pjesë të Ballkanit, të dorëzuar bllokut lindor që nga Lufta II Botërore, nuk ka pushuar. Sado që ndihet prezenca e një narrativi të viteve 90 edhe në Malin e Zi, nuk besoj të jetë narrartiv dominat, anipse e takojmë edhe te një pjesë e shumicës parlamentare. Se ato ndikime nuk janë dominante te vet banorët e Malit të Zi, mund të vërehet edhe nga përkrahja e ulët subjekteve politike që promovojnë politikë të tillë. Për shembull, dy subjekte politike që kanë promovuar vetëm këtë politikë, në zgjedhjet e fundit kanë mbetur jashtë parlamentit. Është e qartë se, lufta e subjekteve politike proserbe për të kontrolluar këta votues, ushqen një narrativ të tillë.

Gazeta “Bota sot”: Marrë parasysh kërcënimet e shumta të Serbisë ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, sa ka rrezik për një shpërthim të një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor?

Nikollë Camaj: Mendoj se prezenca e NATO-s nuk lë hapësirë për një konflikt të hapur, ani pse provokime të tipit të Banjskës edhe mund të priten. Natyrisht se diktatorët mund të mbijetojnë vetëm duke shpikur armiq e rreziqe nga të tjerët, për të krijuar një izolim që u siguron qeversije pa kufi. Thuhet se e keqja nga trashja këputet, e në Serbi ajo ka arritur kulmin. Millosheviqi për Vuçiqin ishte një diktator modern, se po ta kishte ky mundësit dhe kontekstin politik të Millosheviqit, tragjedia ballkanike do të ishte edhe më e madhe. Kjo për arsye se Vuçiq e ka specializuar tekniken e manipulimit me masat. Por siç e ceka, mendoj se më parë do t’i vijë atij fundi, se sa ai t’i sjell dikuj fundin

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovës?

Camaj: Është evidente se Kosova ka bërë disa hapa në plotësimin e asaj që janë pritshmëritë e ndërkombëtarëve, madje ndoshta edhe përtej pritjeve që i kishim ne, duke i pasur parasysh zotimet e dikurshme të kryeminsitrit, çka unë mendoj se është mirë. Sepse, keqësimi i raporteve me ndërkombëtarët nuk i shkon në favor Kosovës, edhe po të ishim fuqi, e jo më që nuk jemi. Përpos kësaj, ata janë meritorët që Kosova është shtet, madje që Kosova i shpëtoi një eksodi e spastrimi total etnik. Prandaj ndonjëherë edhe duhet të bëhen lëshime të dhimbshme. Sidomos nëse dihet se pa ato lëshime i mbyllim vetes dyert e miqve tonë. Sigura e Kosovës gjithësesi varet edhe nga kjo që e ceka, por ajo që vërehet nga jashtë është se forcat e sigurisë në Kosovë, janë vërtet në nivel të lakmueshëm, kurse veprimet e tyre për çdo lëvdatë.

Gazeta “Bota sot”: Së fundi, Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi e ka mbështetur deputeten e vet, Maja Vukiçeviç, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Si e komentoni këtë? Pse ky kundërshtim nga qeveria malazeze?

Nikollë Camaj: PDP nuk është akoma pjesë e qeverisë, por pjesë e sumicës parlamentare që mbështet qeverinë. Po ashtu, vota e një deputeteje serbe nga Mali i Zi, nuk përfaqëson qerverinë dhe as qëndrimin e saj. Qeveria ka qëndrim të qartë sa i përket kësaj dhe është pro-Kosovë. Por ajo votë assesi nuk ishte korrekte ndaj nesh, pasi që partitë e shumicës parlamentare do të duhej të ruanin njëra tjetrën, nga situata që mund të krijojnë pakënaqësi. Sidomos kur dihet se efekti i një veprimi është baraz me zero, siç ishte e deputetes Vukiqeviq. Mendoj se me këtë votë, kundër asaj që janë qëndrimet e Qeverisë, deputetja në fjalë, i ka vështirësuar pozicionet subjektit të vet. Por, siç e ceka diku në fillim, ky është një qëndrim për të ruajtur votuesin radikal serb në Malin e Zi, e që qëndrimi i tyre për Kosovën është i qartë. Deputeti voton si i pavarur dhe kështu do të jetë edhe seancën e radhës, të Asambalesë, më 16 prill në Strasbourg, ku nga deputetët e Malit të Zi, votat do të jenë dy me një, në favor të Kosovës. Në Këshillin e Ministrave, natyrisht se Mali i Zi do ta mbështesë Kosovë. Këtë e ka bërë të qartë edhe minstrja e Integrimeve evropiane, Majda Gorçeviq, gjatë qendrimit në Kosovë.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë mendoni për presionin që ndërkombëtarët që po ia bëjnë Kurtit për pranimin e Asociacionit? A duhet të jetë njohja reciproke në qendër të dialogut, për një marrëveshje finale?

Nikollë Camaj: Veç e ceka se Kurti po i bënë disa lëshime dhe natyrisht se Asociacioni është kafshat tepër e madhe për personin që e ka luftuar me aq forcë, prandaj qëendrimi i tij aq i ashpër kundër, është i kuptueshëm. Por, nuk e di se sa mund të zgjasë kjo rezistencë, pa oforuar zgjidhje apo modele të tjera, pasi që nga Kosova pritet që të sigurojë një lloj autonomie të nivelit lokal, për serbët. Po ashtu mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e kujdesshme që të mos formojë një “Republika Serpska” në Kosovë. Prandaj, mendoj se duhet punuar në kërkimin e modeleve dhe jo shmangie e bisedimeve, sepse Kosova dhe shqiptarët nuk guxojnë të keqen me ndërkombëtarët. Por në të njëjtën kohë, nëse qëndron inetresi i tyre gjeopolitik në Ballkan, dhe nëse të drejtat e njeriut paraqesin vlera, as ndërkombëtarët nuk guxojnë t’i shtypin shqiptarët me kërkesa në dëm të tyre, pasiqë ata e kanë të qartë se, në Ballkan, shqiptarët i kanë të vetmit miq të sinqertë.

Sidoqoftë, jam i mendimit se për zgjidhjen e statusit të serbëve do të duhej të arritej një konsenzus i gjerë politik, dhe se në kërkimin e modeleve dhe zgjidhjeve përfundimtare do të duhej kyçur edhe spektri politik i dalur nga lufta, sot në opozitë.

Natyrisht se njohja reciproke duhet të jetë objektivi përfundimtar, edhe pse marr guximin të them se Kosova ka më pak arsye për të njohur Serbinë, se sa ajo Kosovën. Kjo, nëse i kemi parasysh krimet, dhunimet, njerëzit e humbur dhe varrezat masive në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat