Mbështetja e Kurtit për Taravarin, Gashi u kundërpërgjigjet kritikuesve: Edhe Ali Ahmeti dikur përkrahej nga Hashim Thaçi e Edi Rama

Intervista

Mbështetja e Kurtit për Taravarin, Gashi u kundërpërgjigjet kritikuesve: Edhe Ali Ahmeti dikur përkrahej nga Hashim Thaçi e Edi Rama

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 prill 2024 Në ora: 17:59
Afrim Gashi dhe Albin Kurti

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka folur për politikën në Maqedoni dhe zgjedhjet presidenciale që do të mbahen nesër.

Gashi, politikën në Maqedoni e sheh siç thotë “të ngjyrosur me korrupsion e të zhytur në krim” duke shprehur edhe afërsi të qarta me struktura të dyshimta serbo-ruse.

Sipas tij, edhe pse shqiptarët mburren me simbolikën e përfaqësimit, gjendja reale e popullatës shqiptare në këtë shtet është për mjerim.

Sipas Gashit, fitues i zgjedhjeve do të jetë koalicioni “VLEN”, për të cilin thotë që do të sjellë gjak të ri politik dhe frymë të re politike.

Sa i përket unitetit të shqiptarëve ai thotë se është normale që bashkimi bën fuqinë, por që sipas tij edhe bashkimi i opozitës nuk ishte i lehtë, pasi ka dallime mes partive.

Kurse, për Kurtin dhe mbështetjen që ai po iu jep, Gashi thotë se kritikuesit janë analistë të mirë-paguar nga BDI-ja.

Intervista e plotë:

Image
Afrim Gashi

“Bota sot”: z. Gashi, si është politika aktuale në Maqedoni?

Afrim Gashi: Është pyetje shumë e përgjithshme dhe shumë e gjerë për t’u përgjigjur në dy fjalë, por nëse duhet ta them shkurt, mund të konstatoj se politika aktuale e Qeverisë në Maqedoninë e Veriut është e ngjyrosur me korrupsion dhe këtë po e konstatojnë edhe institucionet më relevante të kësaj fushe nga BE-ja dhe SHBA-ja. Maqedonia e Veriut është e zhytur në krim dhe shpreh afërsi të qarta me struktura të dyshimta serbo-ruse. Këtu integrimi ka ngecur për arsye të mungesës së konsensusit politik, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të mburren me simbolikën e përfaqësimit, ndërkohë që gjendja reale e popullatës shqiptare në këtë shtet është për mjerim. Si pasojë e kësaj keqqeverisjeje 20-vjeçare të Bashkimit Demokratik për Integrim, vendbanimet shqiptare po boshatisen rrëmujshëm, kjo si rrjedhojë e mungesës së zhvillimit ekonomik – edhe pse BDI-ja ka vite që drejton dikasterë të Financave dhe Ekonomisë, shkollat po zbrazen dhe arsimi kurrë nuk ka qenë më keq – edhe pse këtë dikaster ka vite që e drejton BDI-ja, ndërsa drejtësia vazhdon të jetë e polituzuar, për çka Komisioni Europian ka shprehur kritika të mëdha, por kjo drejtësi vazhdon të jetë diskriminuese veçanërisht për shqiptarët. 

“Bota sot”: Zgjedhjet do të mbahen më 8 maj, si po shkon fushata zgjedhore, a jeni të përgatitur?

Afrim Gashi: Fushata zgjedhore tashmë është në vlugun e saj dhe ne mendojmë se edhe ecuria e kësaj fushate e ka përcaktuar se kah do të lëvizë shteti dhe shqiptarët në qeverisjen e ardhshme. Me shumë gjasë, sipas të gjitha hulumtimeve, fitues në kampin maqedonas do të ketë rotacion të pushtetit, ndërsa kjo gjithnjë e më shumë po bëhet e sigurt edhe në kampin shqiptar. Koalicioni VLEN, nëse gjykojmë në bazë të hulumtimeve dhe fushatës, do të jetë fitues i zgjedhjeve të ardhshme dhe kjo është një kthesë e rëndësishme historinë politike të shqiptarëve. 

“Bota sot”: Jeni bërë bashkë me partitë e tjera opozitare shqiptare, cili është mendimi juaj për këtë, çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Afrim Gashi: Tash, kur opozita shqiptare është bashkuar, elektorati shqiptar është ndarë në dy blloqe, ashtu që vota shqiptare nuk do të digjet dhe kjo mund sjellë mbi 30 deputetë shqiptarë. Natyrisht, fitues do të jetë koalicioni VLEN dhe kjo do të jetë fitore që sjell gjak të ri politik dhe frymë të re politike, e cila do të sjellë edhe fryte të reja në arsim, zhvillim ekonomik, shëndetësi e drejtësi. 

“Bota sot”: A mendoni se shqiptarët e bashkuar kanë potencial për fitore?

Afrim Gashi: Sigurisht. Bashkimi bën fuqi. Nuk është se ka qenë e lehtë të bashkohemi, sepse të gjithë ne kemi pasur histori dallimesh mes vete, por bashkimi ynë ka qenë i shtyrë nga kërkesa e votuesit shqiptar, e popullit shqiptar, dhe ne i tejkaluam dallimet e hatërmbetjet, për t’ia mundësuar votuesit shqiptar që vota e tij të shkojë në shportën që e sjell ndryshimin. Pas kësaj nuk ka mbetur asnjë arsye që opozita e bashkuar VLEN të mos fitojë. Madje, vetë fakti që z. Ahmeti shpëtimin e kërkon në vota joshqiptare, flet në të mirë të argumentit se fitues i kampit shqiptar do të jetë bindshëm pikërisht koalicioni VLEN. 

“Bota sot”: Si e shihni Arben Taravarin si kandidat për president, dhe cili është programi juaj në veçanti për shqiptarët në atë pjesë?

Afrim Gashi: Arben Taravari është kandidati i vetëm që i përfaqëson shqiptarët në këtë garë. Ne e kishim kandiduar atë qysh më parë dhe kërkuam që edhe BDI-ja dhe partitë e tjera ta mbështesin atë, sepse për shkak të konstelacioneve të partive maqedonase ka gjasa reale që z. Taravari të kalojë në raundin e dytë dhe kjo të jetë hera e parë që shqiptarët të kenë kandidat në raundin e dytë, por z. Ahmeti vendosi të nxjerrë kandidat dhe kështu ta sabotojë këtë mundësi. Sidoqoftë, ne jemi të angazhuar në synimin tonë dhe shpresojmë që kjo të kurorëzohet me sukses. 

Sa i takon programit, kemi dy programe: programin presidencial dhe atë parlamentar. Nëse flasim për detajet, për këtë nuk na mjafton kjo intervistë, por mund t’ju them se shtyllat programore janë: integrimi në BE, drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit, mirëqenia ekonomike, vendet e reja të punës dhe ndalimi i shpërnguljes, mbrojtja e familjes tradicionale, arsimi cilësor, avancimi i të drejtave etnike, si edhe mjedisi i shëndoshë. 

“Bota sot”: Po, kundërkandidatin shqiptar nga BDI, Osmanin, si e shihni?

Afrim Gashi: Kandidat që Ali Ahmeti e përdor për ta sabotuar kandidaturën e Arben Taravarit. Pas 25 majit rrëfim i përfunduar. 

“Bota sot”: Kryeministri i Kosovës, Kurti, po akuzohet se po përzihet në zgjedhje, cili është vlerësimi juaj?

Afrim Gashi: Varet se kush e thotë këtë. Rëndom, ata janë të a.q. analistë të mirë paguar nga BDI-ja. Nëse qenka përzierje kjo e kryeministrit Albin Kurti në ndihmë të vëllezërve të tij shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, çfarë do të thonë ata për mbështetjen publike që kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e deklaroi për Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë. Janë gjëra që nuk qëndrojnë. Sepse këso mbështetje për BDI-në ka pasur më parë edhe nga Edi Rama, edhe nga Hashim Thaçi, por atëherë këta të a.q. analistë nuk e kanë regjistruar fare. Vetëm kur humb BDI-ja aktivizohen këto qarqe dhe sajojnë teza të këtilla të paqëndrueshme. Sidoqoftë, ne e falënderojmë kryeministrin Kurti për këtë mbështetje dhe urojmë që shqiptarët gjithandej të vazhdojnë ta mbështesin njëri-tjetrin. Fundja, jemi një komb.

“Bota sot”: Si e keni parë Xhaferin në punën e kryeministrit edhe pse kohë e shkurt, qeveri teknike?

Afrim Gashi: Nuk e kam parë fare. E di se shkon nëpër disa teatro të BDI-së, por nuk është se merret kush me të. Kryeministër teknik që nuk çon asnjë peshë politike. Kjo është ditur dhe kjo është pritur. E përdor makinën dhe eskortën qeveritare për të bërë fushatë partiake. Veç sa për t’i mashtruar shqiptarët me simbolikën e përfaqësimit. Asgjë më shumë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat