Albin Kurti: Jam optimist për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Intervista

Albin Kurti: Jam optimist për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Më: 27 prill 2024 Në ora: 08:48
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

DW: Zoti Kryeministër, sa optimist jeni se Kosova do të pranohet në maj në Këshillin e Evropës?

Albin Kurti: Sipas renditjes organizatave prestigjioze ndërkombëtare ne kemi bërë progres. Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Megjithatë ka ende dyshime, se vendimi do të shtyhet. Çfarë kontributi mund të japë Gjermania konkretisht sipas mendimit tuaj?

Së pari, më duhet të falënderoj deputetët gjermanë që na kanë ndihmuar aq shumë dhe kanë punuar pa kursim e pa rezerva, e në veçanti do të kisha theksuar Frank Schwabe dhe Knut Abraham, të cilët mbajtën fjalim në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill. Por kjo mbështetje e madhe për Republikën e Kosovës me 131 vota për, krahasuar me 29 kundër, 82 përqind në mbështetje të vendit tonë, do të duhej që të reflektohej edhe në Këshillin e Ministrave. Prandaj po punojmë që edhe Gjermania në Këshillin e Ministrave të reflektojë vullnetin e saj pozitiv edhe te të tjerët. Ne po e ndihmojmë Gjermaninë që të na ndihmojë neve dhe në këtë mënyrë Kosova të bëhet anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës.

Nga ana tjetër, nga kancelaritë evropiane ju kërkohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Si po e menaxhoni ju këtë presion?

Ne dëshirojmë të eliminojmë disa skepticizma, që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj, por jemi në të drejtën tonë. Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë. Pra, edhe plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë. Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve.

Gerald Knaus, nga European Stability Initiative, e quan realizimin e Asociacionit në kushtet aktuale të pamundur, sepse mungon dëshira e komunave serbe për ta realizuar. A është kjo që po komunikoni edhe ju në Evropë?

Zoti Knaus niset nga parimi demokratik se demokracia vjen nga poshtë. Nuk mund t'ua imponosh asociacionin komunave. Çka nëse komunat nuk e duan asociacionin? Pra, mendimi i tij është shumë i shëndoshë, por mendimi i tyre (i pakicës serbe, shën i red.) është ende i panjohur. Pra, ai ka të drejtë në këtë aspekt, por të gjitha këto jemi duke i trajtuar. Besoj që ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës te Kosova e kanë një partner që nuk synon vetëm të përfitojë nga Këshilli i Evropës, por të kontribuojë. Sepse sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, demokracia në Kosovë janë jo vetëm më të mirat në rajon, por edhe më të mira se në disa vende anëtare të Këshillit të Evropës.

Megjithatë, kërkesa e perëndimorëve për Asociacionin mbetet. A keni ju një draft?

Unë kam propozuar që ta shkruaj draftin më 18 mars në Ohër, por nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë. Të gjitha këto janë pjesë të diskutimeve që po i bëjmë. Ne e mbështesim raportin e zonjës Dora Bakoyannis, e cila ka qenë ministre e punëve të jashtme të Greqisë, të një shteti që vazhdon të jetë mosnjohës, dhe e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka një marrëveshje që po shkelet nga Serbia, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet.

Një çështje aktuale e trajtuar edhe gjatë javës në Bruksel është ajo e dinarit. Si po e zgjidhni këtë problem?

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është një rregullore e një institucioni të pavarur. Serbia nuk e ka hall që po ndalohet dinari, sepse dinari nuk po ndalohet por po ndalohet dinari si mjet pagese dhe kjo është kërkesë e nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës: Ajo ka hall që po ndalohet cash-i, paraja e gatshme. Dhe ne, për të pasur transparencë se kush kujt i dërgoi para me çfarë qëllimi, e mbështesim plotësisht këtë rregullore të BQK-së që është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, ndërkohë për modalitetet se si ajo të zbatohet dhe të funksionalizohet pa kurrfarë pasojash janë duke dialoguar në Bruksel dhe unë mendoj që janë në rrugë të mbarë për të gjetur një zgjidhje e cila e mundëson tranzicionin e lëmuar drejt kësaj rregulloreje, e cila jo vetëm që është e drejtë e Bankës Qendrore të Kosovës, por është rregullore e drejtë për të mirën e qytetarëve.

Ju thatë se Kosova është një nga vendet ku të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë më të përparuarat në rajon. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan tö Shtetit, megjithatë, flitet për probleme serioze të pavarësisë së institucioneve juridike dhe intimidim të medias. Si e komentoni raportin?

Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull Freedom House, nuk citohet Transparency International, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat