Knaus: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me krijimin e Asociacionit pamundëson realizimin e të dyjave

Intervista

Knaus: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me krijimin e Asociacionit pamundëson realizimin e të dyjave

Më: 4 maj 2024 Në ora: 20:32
Gerald Knaus

Ditët e fundit, Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz i kanë kërkuar Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të marrë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në kuadër të përpjekjeve për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këto kërkesa bëhen vetëm disa javë para se Këshilli i Ministrave i kësaj organizate mund ta hedhë në votim anëtarësimin e Kosovës. Në një intervistë me kolegen Garentina Kraja, eksperti evropian që udhëheq Nismën Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus thotë se kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës me krijimin e Asociacionit, do të ishte gabim dhe do të bënte të pamundur realizimin e asnjërit prej tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Knaus, ju jeni në Uashington për takime lidhur me perspektivën amerikane mbi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A mund ta ndani me ne këndvështrimin tuaj?

Gerald Knaus: Është një moment historik pasi sapo kishim një votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionin kryesor të demokracive në Evropë, që tani ka 75 vjet ekzistencë, ku shumica dërmuese ishte pro anëtarësimit të Kosovës të bëhet pjesë e tij. Tetëdhjetë e dy përqind e anëtarëve të Asamblesë parlamentare, që vijnë nga të gjitha vendet e Evropës, nga 46 vende. Grekë, armenë, ukrainas, gjermanë, francezë, italianë votuan që Kosova të bëhet anëtare e këtij institucioni. Një raportuese greke, ish ministrja konservatore greke që tha se e ka analizuar Kosovën, ekspertët ligjorë e kanë shqyrtuar aplikimin e Kosovës, pastaj dy komisione të tjera të kësaj asambleje parlamentare gjithashtu. Të gjithë arritën në përfundim që Kosova ka përmbushur kushtet e Këshillit të Evropës. Njëra nga pikat në këtë debat ishte çështja e Asociacionit dhe nga këndvështrimi evropian, ka diçka të paqartë edhe për mua, rreth kësaj çështjeje. Çdo vend evropian ka një asociacion të komunave dhe e dimë se ato duken njësoj. Por kudo ato bazohen në lirinë e asociimit, që është vlerë themelore, që do të thotë se komunat i krijojnë vetë ato. Ato bëhen bashkë, shtetit nuk i lejohet t’i ndalojë dhe përderisa nuk e shkelin ligjin, ka një mirëkuptim se është një veprim që u lejohet komunave kudo. Tashmë ekziston një bashkësi e komunave në Kosovë. Ekziston një bashkësi e komunave në Serbi, në Bosnjë ekzistojnë dy të tilla, prandaj e kam të vështirë ta kuptoj se përse nuk themi “përse komunat nuk po e krijojnë këtë asociacion” të cilin ligjet e Kosovës ua lejojnë.

Zëri i Amerikës: Por bëhet fjalë për një kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare nga dialogu Kosovë-Serbi që po kërkohet prej një kohe të gjatë, duke filluar me qeverinë amerikane, por edhe qeveritë në Evropë. A nuk është vendosur tashmë kjo çështje, tashmë është kërkesë publike dhe Kosova është pajtuar për krijimin e tij?

Gerald Knaus: Asociacioni duhet të themelohet, por çështja është a është asociacion në Evropë, si diçka që themelohet bazuar në të drejtën private nga qytetarët, apo nga entitete siç janë komunat? Ja edhe një pyetje që më habit në këtë debat. Do të duhej të themelohej për komunat me shumicë serbe, të cilave u jepet mbrojtje e fuqishme në Kushtetutën e Kosovës, me të drejtë. Nuk do të duhet të ndërmerren veprime që i cenon kompetencat dhe të drejtat e komunitetit serb dhe komunave serbe. Prandaj ata duhet të pajtohen me themelimin, formën e një asociacioni të tillë, por deri më sot, ne nuk kemi asnjë propozim të vetëm nga komunat, i cili do të na tregonte se si do të dukej ky asociacion. Vitin e kaluar është hartuar një propozim, i cili qartazi ishte një provokim, ngaqë nuk bëhej fjalë për asociacion, por për krijimin e një niveli të ri qeverisjeje, që nuk është diçka që evropianët, amerikanët apo Kushtetuta e Kosovës kanë kërkuar. Nëse i respektojmë me të vërtetë të drejtat e pakicave, duhet të presim propozim nga komunat serbe dhe në fakt atyre nuk u duhet miratimi i Qeverisë së Kosovës për ta krijuar. Mund të shkojnë pastaj në ministri përkatëse, ta regjistrojnë. E kam shqyrtuar ligjin, kam menduar vetë, me kolegë në Kosovë, të regjistroj një asociacion, sepse mund të bëhet. Ideja që Qeveria e Kosovës duhet të imponojë me dekret një asociacion të komunave serbe, të cilin ata nuk e kanë kërkuar kurrë konkretisht në një formë të caktuar, shkel të gjitha standardet evropiane.

Zëri i Amerikës: Cili është reagimi në Uashington ndaj këtij qëndrimi tuaj?

Gerald Knaus: Për mua është e rëndësishme çfarë shkruajnë ekspertët kryesorë evropianë, përfshirë ata në Këshillin e Evropës, ekspertët e së drejtës kushtetuese që i trajtojnë këto çështje në të gjitha demokracitë evropiane. Dhe ata kanë shkruar shumë qartë që duhet themeluar një asociacion, është premtuar, por se gjithashtu ekziston e drejta për asociim dhe është diçka që mund të bëhet. Qeveria e Kosovës gjithsesi duhet ta nxisë, nuk mund ta ndalojë themelimin e tij, kjo nuk lejohet. Komunat kanë kompetenca të gjera, ato mund të bashkëpunojnë sipas ligjit. Të gjitha këto elemente tashmë janë në planin e Ahtisaarit të vitit 2007, që ishte baza e Kushtetutës me të cilën Kosova është njohur si shtet.

Nuk e di se si formohen asociacionet në Shtetet e Bashkuara, supozoj që edhe këtu themelohen përmes të drejtës private, nga qytetarët ose grupe. Por, në Evropë, asociacionet e komunave themelohen nga komunat. Dhe ideja që për shkak të kësaj Kosova duhet të bllokohet për t’iu bashkuar një institucioni që mbron të drejtat e njeriut, kur në atë institucion, të gjithë ata që e analizuan Kosovën thanë se i plotëson të gjitha kushtet, do të ishte një shkelje e rëndë i parimit të trajtimit të barabartë.

Zëri i Amerikës: Por ne pamë qeverinë franceze, qeverinë në Berlin, të kërkojnë nga Kryeministri Kurti të ndërmarrë hapa konkretë rreth Asociacionit, para votimit të radhës në Këshillin e Evropës. Si e komentoni këtë zhvillim?

Gerald Knaus: Qeveria vetë ka premtuar në letrën dërguar Këshillit të Evropës se do të ndërmarrë hapa së shpejti, jo në të ardhmen e largët, por tani. Më bien në mend shumë gjëra që qeveria mund t’i bëjë dhe më duket se këtë javë ka filluar të takojë komunat, të ftojë kryebashkiakët, të ulet me ta dhe të bisedojë për atë që duan konkretisht. Problemi është në veri, siç e dini, në katër komunat për shkak të dorëheqjes së kryebashkiakëve serbë dhe bojkotuan zgjedhjet dhe tani votuesve iu bë thirrje që të bojkotojnë përpjekjet për zgjedhjet të reja, nuk kemi kryebashkiakë. Por megjithatë, mund të kërkosh nga zëvendës kryebashkiakët, për të propozuar bashkarisht diçka për çfarë komunat duan, e më pastaj qeveria duhet të bëjë çfarëdo që është në fuqinë e saj për t’u siguruar se funksionon.

Kemi shkruar së fundmi për këtë çështje. Mendoj se (asociacioni) është kurth i Presidentit serb Vuçiç dhe është një manovër efektive. Ai thotë, Kosova duhet ta themelojë asociacionin, që është e pazakontë, por çfarëdo që ata themelojnë, neve nuk do të na pëlqejë dhe do ta refuzojmë. Por po na pyetët ne çfarë duam, ne nuk hartojmë një propozim. Ajo që do Presidenti Vuçiç është një Republikë Serbe, në fakt ai do më shumë se një Republikë Serbe. Ai ka arritur të krijojë një situatë ku Qeveria e Kosovës do të bllokohet për diçka që ai, apo më me rëndësi komunat, nuk e kanë vënë mbi tryezë. Ky është një dështim i vërtetë i diplomacisë ndërkombëtare. Dhe po u lidhën këto dy çështje, Asociacioni me anëtarësimin në Këshill të Evropës, ju garantoj se asnjëra prej tyre nuk do të realizohet. Një rezultat i tillë do të ketë pasoja të rënda, shumë të dëmshme për pakicat, sepse Këshilli i Evropës ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të pakicave, qasjes në Gjyqin Evropian të të Drejtave të Njeriut.

Zëri i Amerikës: Jemi vetëm pak javë para këtij votimi. A mendoni se Kosova do të kushtëzohet?

Gerald Knaus: Ka diçka të çuditshme. Qeverisë i është kërkuar të dërgojë një projekt (draft) që është jozyrtar, për të cilin pala serbe nuk ka thënë që janë dakord, një projekt nga bashkësia ndërkombëtare, nga Bashkimi Evropian, por jozyrtarisht nga Bashkimi Evropian. Bëhet fjalë për një ‘non-paper’ (dokument jozyrtar), një projekt-statut dhe Kosovës i kërkohet ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Po të më pyesni mua, unë do ta bëja, sepse nuk shoh rrezik. Në fund të ditës, asociacioni do të funksionojë vetëm nëse serbëve u pëlqen, nëse ndërkohë Gjykata Kushtetuese e shqyrton dhe thotë është në përputhje apo nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ka gjasa që Gjykata Kushtetuese të mos e shqyrtojë fare, sepse është një dokument jozyrtar. Në Gjermani, gjykata nuk do të merrte nën shqyrtim një dokument jozyrtar. Por, t’ia lëmë Gjykatës të marrë një vendim të tillë. Këshilla ime është, nëse kjo është e vetmja kërkesë, nuk e ndryshon realitetin që një asociacion të ekzistojë pas dy muajsh, pas tre muajsh, deri në fund të vitit, vitin e ardhshëm, duhet ketë pajtimin e atyre me të cilët bëhet, pra komunat serbe dhe nuk jam aktualisht i sigurt se ata janë me të vërtetë të gatshëm të bien dakord për një gjë të tillë. Nuk e kam të qartë cila është logjika, por nëse ky është kushti, unë do ta dërgoja.

Zëri i Amerikës: A e keni parë draft-statutin e Asociacionit? Çfarë mendimi keni për të?

Gerald Knaus: Thotë qartë që është statut për një asociacion në Republikën e Kosovës, që integriteti territorial garantohet. E kam këtu, me vete. Thotë se territori i Kosovës garantohet, thotë se asociacioni themelohet në bazë të kompetencave ekzistuese në nivel komune, që nuk do të fitojë asnjë kompetencë ekzekutive. Para se ta diskutojmë këtë statut, dua ta di, a pajtohet komunat serbe me këto pika? Do të kishte kuptim, apo jo?

Zëri i Amerikës: Ku qëndron rreziku?

Gerald Knaus: Nëse ato (komunat) pajtohen me integritetin territorial të Kosovës, do të ishte gjë e mirë. Në statut disa gjëra më duken të habitshme. Përse në një asociacion komunash do të ketë të pëfshirë një rol ndërmjetësimi ndërkombëtar? Por dërgoje në Gjykatë, le ta shqyrton Gjykata dhe pastaj negocio me komunat serbe.

Zëri i Amerikës: Të kalojmë të situate në terren. Si e vlerësoni atë? Së fundi pamë përfshirjen e zotit Vulin në përbërjen e qeverisë së re të Serbisë, në rolin e zëvendëskryeministrit. Çfarë paralajmërimi është ky?

Gerald Knaus: Si një vëzhgues objektiv, ajo që kemi parë vitin e fundit është më shumë dhunë, më shumë kërcënime se kurdo herë tjetër në një periudhë të gjatë. Kemi parë përplasjet e dhunshme midis demonstruesve serbë dhe KFOR-it, shumë prej tyre me lëndime serioze. I kemi parë paramilitarët dhe një sasi të madhe armësh që u futën në pjesën veriore të Kosovës. Së fundmi pamë manovrat ushtarake. E kemi dëgjuar Presidentin e Serbisë kur thotë se si dëshiron ta ndërtojë ushtrinë më të fuqishme në rajon, që është krenar me armët e reja që dëshiron t’i prodhojë, një numër të madh dronësh vrastarë, dronë kamikaze, për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë nga Franca dhe që vet tha, pas udhëtimit në Paris, dhe pas kësaj kërkon nga Presidenti francez të shtyjë votimin në Këshillin e Evropës. Nuk ka lidhshmëri këtu, por po shohim militarizim të diskursit serb. Dhe pastaj kemi njerëz si zoti Vulin dhe të tjerë që thonë haptas që duan krijimin e një Serbie të madhe. Ai përdorë fjalë të tjera, thotë se të gjithë serbët duhet të jetojnë së bashku në një shtet dhe të vendosin së bashku. Kjo është e njejta gjë sikur Serbia e Madhe. Bëhet fjalë për një agjendë të vjetër, që mund të arrihet përmes dhunës, përmes luftës dhe kam frikë se kurrë nuk kemi qenë më afër përplasjeve të reja dhe valë të rë dhune në Ballkan në 20 vitet e fundit. Çfarë duhet të bëhet? Kjo do të ishte një katastrofë për të gjithë, përfshirë për të gjithë serbët në rajon. Por natyrisht për Kosovën, për fqinjtë e Serbisë, pas tërë asaj që ndodhi, shumë njerëz do të iknin, shumë shpejt. Na duhet të sigurohemi që ekziston një vizion alternativ, të cilin e shohin të gjithë. Ky vizion alternativ, ku të gjithë kufinjtë në rajon pas pesë vitesh duken si kufinjtë mes Gjermanisë dhe Polonisë, Gjermanisë dhe Francës, të padukshëm, ku të gjitha shtetet e rajonit janë të integruara në tregun e përbashkët evropian, ku i gëzon katër liritë, ku të gjitha njëkohësisht po lëvizin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku të gjitha mund të jenë pjesë e sistemit Schengen me BE. Ky vizion është realist dhe është rrugë tjetër, që pesë vjet nga ky moment, dikush që jeton në Leposaviq apo Zveçan në pjesnë veriore të Kosovës, mund t’i ketë dy shtetësi, kufiri është i padukshëm, jeton në Kosovë, kufinjtë nuk ndryshohen, por mund të lëvizë lirshëm si pjesë e hapësirës më të madhe pa kufij në botë, përbrenda kësaj hapësire evropiane të lirisë. Këtë e arritëm në Irlandën e Veriut. Bëhet fjalë për dy shtete, ekziston një kufi, ai nuk ka ndryshuar, por është bërë i padukshëm. Kjo duhet të jetë rruga tjetër që duhet krijuar sa më parë që është e mundur, si alternativë ndaj agjendës nacionaliste, që ka për synim luftën për të ndryshuar kufijtë.

Zëri i Amerikës: Si e shihni angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare me rajonin për këto çështje?

Gerald Knaus: Ka shumë vullnet të mirë, por nuk ka mjaft strategji. Mendoj se po nënçmohet kërcënimi. Së fundmi kemi dy udhëheqës, fillimisht Vladimir Putinin. Nëse dikush flet me vite për nevojën për të patur ushtri të fuqishme, për t’u riarmatosur, për të sfiduar sovranitetin e fqinjve, të ndërtojë klimën e luftës që po pritet, eventualisht do të ketë luftë. E kemi parë në vitin 2022 me sulmin për pushtimin e plotë të Ukrainës. E kemi parë në Kaukaz, me Aliyevin në Azerbaixhan, i cili me vite ka folur, ka ndërtuar ushtrinë, e kemi parë duke marr territor dhe tani duke kërcënuar territorin e Armenisë çdo javë. Duhet ta marrim seriozisht atë që e thonë udhëheqësit. Unë do ta merrja seriozisht atë që udhëheqësit në Serbi e thonë dhe ata vazhdimisht flasin se si Aliyev është frymëzim, që kufinjtë në Ballkan – ata sigurisht nuk e pranojnë kufirin me Kosovën – dhe se forca mund të jetë e domosdoshme. Këto deklarata po nënvlerësohen aktualisht në kryeqendrat dhe do të doja që njerëzit të zgjohen nga gjumi dhe që udhëheqësit nëpër rajon dhe në Evropë të kuptojnë që gjëja e vlefshme që kemi patur këto 20 vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor, është paqja, mundësia për zhvillim, the të rinjtë që për herë të parë po rriten, gjenerata e parë e të rinjëve që nuk kanë përjetuar luftë dhe represion, dëbim e gjenocid, Srebrenica. Për herë të parë e kemi patur këtë mundësi dhe është shumë e vlefshme. Tani na duhet ta integrojmë tërë rajonin në zonën e paqes demokratike që e kemi patur në Evropën Perëndimore për 75 vitet e fundit.

Zëri i Amerikës: Shumë vëzhgues në Kosovë dhe përtej saj e shohin tensionin ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë. Si mendoni që kjo qeveri e ka menaxhuar marrëdhënien me Uashingtonin dhe Brukselin dhe kryeqendrat tjera?

Gerald Knaus: Unë nuk jam në ato takime, unë shoh vetëm rezultatet. Dhe përshtypja ime është që dialogu po krijon tensione. Mënyra se si është i ideuar. E kemi thënë prej kohësh, dialogu është i destinuar të dështojë. Përse? Për arsye se në mënyrë që Serbia të bëjë ndonjë lëshim, de fakto apo de jure, të njohë Kosovën, duhet t’i ofrohet diçka e madhe nga Bashkimi Evropian, jo nga Kosova. Dhe që Kosova të ndërmarrë vendime të vështira, duhet t’i ofrohet diçka e madhe, jo nga Serbia, sepse nuk do ta bëjë, por nga Bashkimi Evropian. Në fakt kemi dy negociata. Kosova negocion me Bashkimin Evropian dhe Serbia negocion me Bashkimin Evropian. Kjo është aryseja pse kishim disa arritje në 2013. Në atë kohë Serbia mori fillimin e bisedimeve për anëtarësim, Kosova mori fillimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, të dyja palët kishin një ndjenjë se po lëvizni drejt një të ardhme më të mirë. Kjo na duhet sërish. Ta marrim shembullin e Gjibraltarit. Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar nuk pajtohen për sovranitetin. Nëse u thuhet duhet ta zgjidhni tani, nuk do të pajtohen. Nuk është konflikt, kanë arritur për ta ngrirë, por nuk do të pajtohen. Nuk mendoj që Serbia do të pajtohet ndonjëherë ta njohë kufirin, përveçse nëse është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, që është i qëndrueshëm.

Kjo na duhet për paqen. Që i tërë rajoni të shohë që ka një të ardhme më të mirë. Kjo është mënyra se si konflikti ndërmjet Francës dhe Gjermanisë është zgjidhur mbi sovranitetit e territorit, mbi Suddetenland, që është pjesë e Gjermanisë, që për shumë vite pas luftës është kontrolluar nga Franca. Kur krijuan institucione të përbashkëta, u integruan, në atë pikë Franca dhe Gjermania ishin në pozitë të thonë nuk ka rëndësi ku është Suddetenland, mund të kthehet në Gjermani.

Zëri i Amerikës: A është i gatshëm Bashkimi Evropian për një angazhim të tillë?

Gerald Knaus: Duhet të argumentojmë për këtë gjë, është çështje lufte ose paqeje. Nëse e sheh Evropën, nëse i shikon 50 shtetet që i kemi sot në Evropë, atëherë secili shtet që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian apo në NATO, ka patur konflikt në 30 vitet e fundit. Luftë, kolaps të shtetit si në rastin e Shqipërisë gjatë viteve të ’90, represion të shkallës së gjerë, si në Bjellorusi, ose luftë, luftë civile dhe pushtim. Secili shtet, përveç Mali të Zi, ka patur luftë në territorin e vet. Kemi një zonë lufte dhe një zonë paqe në Evropë në 30 vitet e fundit, në periudhën e pas Luftës së Ftoftë, dhe na duhet ta zgjerojmë zonën e paqes. Kosova dhe Ballkani duhet të bëhen pjesë e kësaj zone të paqes demokratike sa më parë dhe hapi i parë konkret për këtë, prandaj është me kaq rëndësi, është që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat