Në prag të një lufte të re? Zejnullahu zbardh prapaskenat e sulmeve të Serbisë ndaj Kosovës – flet edhe për rolin e FSK-së në veri

Intervista

Në prag të një lufte të re? Zejnullahu zbardh prapaskenat e sulmeve të Serbisë ndaj Kosovës – flet edhe për rolin e FSK-së në veri

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 maj 2024 Në ora: 13:56
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

Situata në Kosovë vazhdon të jetë e qetë, por ende konsiderohet e brishtë. Kjo pasi, Serbia në vazhdimësi provokon dhe lëshon deklarata kërcënuese ndaj Kosovës.

Madje, jo rrallëherë po përmendet termi ‘luftë’ dhe mundësia e shpërthimit të një konflikti të ri, bazuar në qasjen dhe vendimet që po merr shteti serb karshi Kosovës.

E për sigurinë në vend, kërcënimet e Serbisë dhe qasjen e ndërkombëtarëve ndaj këtyre ngjarjeve, në një intervistë për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë Fetah Zejnullahu.

Image
Fetah Zejnullahu

Ai me analizën dhe opinionet e tij ndërlidhi zhvillimet në vendin tonë dhe rajonin e Ballkanit, me ato në Evropë, specifikisht me luftën në Ukrainë.

Sipas Zejnullahut, Serbia nuk ka guxim të nisë konflikt të ri me Kosovën, marrë parasysh prezencën e KFOR-it në veri.

Krahas kësaj, ai si shtet më të rrezikuar nga lufta e sheh Bosnjën, shkak raportet edhe më të tensionuara me Serbinë.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: I nderuar, si e komentoni situatën aktuale të sigurisë në vend?

Fetah Zejnullahu: Situata aktuale e sigurisë në vend është një situatë relativisht e qetë, ku institucionet e sigurisë së Kosovës janë duke kryer punën e vet. 

Qasja në veri të Kosovës e institucioneve të sigurisë së Kosovës është aktive dhe po zhvillohet jetë normale, përpos normalisht që e kemi kërcimet hibride që cilat vijnë nga Serbia apo nga politika e Serbisë.

Gazeta “Bota sot”: Si i keni parë provokimet dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës?

Fetah Zejnullahu: Kërcënimeve të Serbisë, jo vetëm në kohën e fundit, po në vazhdimësi i paraprin d.m.th. lufta hibride. Tjetër është arsyetimi i politikës së brendshme te votuesit, si në Kosovë në këtë rast minoriteti serb, ashtu edhe në politikën e brendshme të vetë Serbisë.

Normalisht kësaj i paraprin edhe direktiva e Rusisë, d.m.th. instruksionet të cilat vijnë nga Rusia për destabilizimin e vendit, në këtë rast tek Vuçiqi dhe politika ekstremiste e vetë Serbisë. Gjithashtu, është interes madhor i Rusisë që të largojë koncentrimin apo fokusin e ndërkombëtarëve nga lufta në Ukrainë.

Po ashtu, në këtë pikë ndikon edhe mbështetja e bandave kriminale nga vetë politika e Vuçiqit, duke përfshirë Listën Serbe me Brigadën e Veriut dhe grupet tjera, të cilat përpos që kanë ndikimin e vet politik, në aspektin e sigurisë kanë bërë kërcënime të vazhdueshme tek popullata, tek qytetari serb, gjithashtu edhe tek institucionet e Kosovës, ku fushë veprimtarinë e tyre kriminale e kanë ushtruar në veri.

Këto të gjitha janë kërcënime sporadike, të cilat Serbia i bën karshi shtetit të ri i Republikës së Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Bazuar në zhvillimet e fundit, a mund të ketë sërish një sulm të ngjashëm terrorist me atë të Banjskës?

Fetah Zejnullahu: Në aspektin e sigurisë është një fjalë që e përdorim “kurrë nuk është kurrë”, domethënë asnjëherë nuk mund të thuash që nuk mund të ndodhë ndonjë sulm, ndonjë akt, çfarëdo qoftë, çfarëdo përmasa, qoftë përmasave të mëdha apo të vogla, qoftë në aspektin terrorist, qoftë në aspektin e kërcënimit të jetës, qoftë edhe të individi në fjalë, por edhe përmasave tjera, në këtë rast edhe kërcënimeve në aspektin operacional apo ushtarak.

Gjithmonë e vlerësojmë, por unë mendoj se për momentin, situata e zhvillimit, në këtë rast institucionet e sigurisë, që veprojnë në Kosovë duke përfshirë institucionet vendore dhe ndërkombëtare, në aspekt të kërcënimit të ndonjë sulmi me përmasa të mëdha, mundësitë janë në zero.

Kjo për arsye se misioni i NATO-s është në Kosovë.

Me i krahasua kapacitetet ushtarake të misionit të NATO-s me kapacitetet ushtarake të Serbisë, janë më shumë se dhjetëfishi i tyre. Këtë e di shumë mirë Vuçiqi, e dinë edhe institucionet e sigurisë së Serbisë.

Kjo nënkupton që nuk janë aq të krisur institucionet atje apo strukturat e sigurisë së Serbisë që të bëjnë një sulm, për të cilin normalisht janë në dijeni që do të ishte edhe disfatë për vetë ata dhe për vetë popullin serb.

Ndërsa, në aspektin e mundësive të ndonjë sulmi tjetër, duke u bazuar në situatën reale, unë zakonisht e kam potencuar që ekziston mundësia që të bëhet ndonjë sulm nga kriminelët, bandat terroriste apo struktura e tyre, të cilët janë momentalisht në Kosovë.

Për shkak se tani vija piramidale e kufirit, e cila është pothuajse 400 kilometra, është nën kontroll dhe po vëzhgohet në vazhdimësi.

Hyrjet-daljet çdoherë po kontrollohen, këtë po na dëshmojnë edhe arrestimet e fundit, të cilat po i bënë Policia e Kosovës, në këtë rast tek ata të cilët kanë rënë ndesh me ligjin apo që kanë bërë vepra kriminale apo vepra tjera penale.

Kjo kryengritje, që unë mund ta them, mund ndodhë duke përdorur Lista Serbe metodat e veta apo administratën e vetë, e cila është në Kosovë, për shpallur atë pakënaqësinë ndaj institucioneve të Kosovës, ndaj strukturave të sigurisë tona, për t’u arsyetuar kinse “ja ky është presioni, ne nuk mund të jetojmë këtu me këtë presion”. Dhe, kështu që edhe vetë Vuçiqi, me gjithë politikën e vet kishte dalë para ndërkombëtarëve duke thënë se gjoja këtu nuk ka të bëjë Serbia apo institucionet se saj, por këtu është një pakënaqësi e vetë qytetarit.

Kjo gjë, tani e ndërlikon më shumë situatën, për arsye se kemi të bëjmë me probleme të brendshme, të cilat kanë të bëjnë me kryengritje, me njerëzit e jetës civile.

Kur merr përgjegjësi një organizatë, për veprimet e saj, apo mosveprimet ekstremiste ose terroriste, atëherë në aspektin e sigurisë nuk është problem edhe ballafaqimi i institucionit të sigurisë, por kur kemi të bëjmë tashmë në këtë rast, gjoja se iniciativa qytetare e gjëra tjera, atëherë është më e ndërlikuar, sepse nuk mund të përdorësh forcë apo nuk mund të përdoresh, në këtë rast armë kundër qytetarit.

Gazeta “Bota sot”: Sa është e "penalizuar" Kosova nga pamundësia për ta dërguar FSK-në në veri dhe a duhet të ndryshojë ky fakt qoftë nga Kuvendi apo instancat e tjera përgjegjëse?

Fetah Zejnullahu: Në rend të parë, duhet të kuptohet se reaguesi i parë në aspektin e sigurisë është Policia e Kosovës, reaguesi i dytë është policia e EULEX-it dhe reaguesi i tretë është KFOR-i.

Tash duhet me kuptuar, se është një situatë e ndërlikuar, ku kemi dy forca ushtarake prezente në Kosovë, këtë rast po i referohem misionit të KFOR-it apo të NATO-s dhe Forcës së Sigurisë në Kosovë.

Atëherë shtrohet pyetja, “kush është në këtë rast mbrojtësi i integritetit të Kosovës në aspektin ushtarak?”

Ne e dimë se me Kushtetutë del Forca e Sigurisë së Kosovës, por atëherë nënkupton që kjo mund të bie ndesh me misionin e NATO-s, i cili është në Kosovë. Për këtë arsye unë mendoj që situata paksa është e ndërlikuar. Kjo gjë e vështirëson pak a shumë situatën, por vendosja e një baze ushtarake, e Forcës së Sigurisë së Kosovës në pajtim me KFOR-in, në një njësi për reagim të shpejtë dhe mbështetës për Policinë e Kosovës do të ishte më se e nevojshme.

Përndryshe, unë mendoj që edhe prezenca e KFOR-it e mbulon këtë pjesën e integritetit dhe ruajtjes së sigurisë së Kosovës.

Dihet se e kemi një bazë ushtarake Nothing Hill, që është e KFOR-it, që gjendet në veri të Kosovës, dhe pse të mos jetë afër saj edhe një bazë ushtarake e Forcës së Sigurisë të Kosovës, ku njëkohësisht do ta mbështete misionin e NATO-s ose të KFOR-it që është prezent aty.

Gjithashtu, në qoftë se reaguesi i parë ose reaguesi i dytë kërkojnë ndihmë, atëherë normalisht që të jetë mbështetje edhe e këtyre aktorëve.

Gazeta “Bota sot”: A do duhej ndërkombëtarët të tregoheshin më të ashpër me shtetin serb, marrë parasysh kërcënimet dhe deklaratat provokuese që i bëjnë ndaj Kosovës?

Fetah Zejnullahu: Në e dimë historikisht që në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare, në këtë rast apo raporti i ndërkombëtarëve karshi Kosovës dhe Serbisë, zakonisht nuk është ekuivalent. Kjo, për arsye se në marrëdhëniet ndërkombëtare çdoherë rol të veçantë ka shteti që ka kapacitete qoftë në aspektin ekonomik apo në aspektin ushtarak.

Kështu që, konsideroj që ndërkombëtarët, në këtë rast institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe aspektin bilateral shtet më shtet dhe aspektin trilateral apo multilateral që e kemi këtë rast, nuk kanë qenë rigoroze karshisë Serbisë.

Gjërat shikohen prej shumë këndeve, për shembull ne jemi në dijeni për raportet e Serbisë me Rusinë dhe kjo realisht e zbut atë retorikën apo atë represivitetin e ndonjë shteti, qoftë edhe ndonjë organizate ndërkombëtare karshi Serbisë, për arsye se aty gërshetohen edhe interesat nacionale të shtetit në fjalë.

Po e zëmë hipotetikisht një shtet, në këtë rast Franca, që historikisht ka pasur marrëdhënie me Serbinë edhe më herët edhe ka pasur edhe me ish-Jugosllavinë.

Gjithashtu, dihet se shumë shteteve të Bashkësisë Evropiane, pasi filloi lufta në Ukrainë, u dolën në shesh, marrëveshjet konfidenciale dhe marrëveshjet zyrtare, në fushën ekonomik, ushtarake dhe shumë fusha tjera, të cilat dëshmonin që Rusia ka pasur ndikim të madh në Evropë edhe ka pasur qasje të madhe.

Dhe, kjo realisht ishte edhe vërejtje nëse ju kujtohet e ish-presidentit Trump, ku iu drejtua disa zyrtarëve të Bashkimit Evropiane për reagimet apo veprimet karshi Rusisë, e kjo normalisht që e bën Serbinë më të fortë në aspektin ndërkombëtar.

Krahas kësaj, këto shtete, këto organizata ndërkombëtare kanë qenë si të themi të “buta” edhe kanë qenë jo të drejtpërdrejta karshi politikës apo reagimeve të Serbisë

Paramendoni për shembull veç rastin e Banjskës, ne kemi kriminelët të cilët jetojnë lirshëm në Serbi, ata të cilët e realizuan aktin terrorist, nuk është individi i fjalë, ne po flasim për grup, në aspektin ushtarak, në nivel të kompanisë dhe ajo strukturë sot “jeton e lirë” në Serbi, ku jo vetëm që nuk ndjeket penalisht, por edhe mbrohet.

Po të ishtë ndonjë shtet tjetër në rastin në fjalë, dhe jo Serbia, unë mendoj jo që ishin arrestu ata kriminelë, por ndoshta edhe vetë shteti në fjalë do ishte penalizu në aspektin ndërkombëtar.

Mirëpo, ne e kemi situatën e tillë, ku ndikimi i Rusisë në Serbi, bënë që edhe ndërkombëtarët të jenë më të zbehtë në aspektin e reagimit ndaj Serbisë.

Gazeta “Bota sot”: Po ashtu, së fundi ka pasur deklarata dhe paralajmërime për një “luftë të re”, sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë? A do e lejonin ndërkombëtarët ndezjen e një konflikti të ri?

Fetah Zejnullahu: Atëherë, nëse flasim për një konflikt të ri, të përmasave më të mëdha, në këtë rast, edhe luftë në Ballkan, apo posaçërisht luftës mes Kosovës dhe Serbisë ne duhet të shohim sa është ndikimi i Serbisë dhe Kosovës në aspektin global. Kur flasim për këtë, dmth Kosova dhe Serbia janë shtete shumë të vogëla që të ndërhyjnë në interesat e politikave të mëdha, në këtë rast të superfuqive.

Unë nuk besoj që do të ndodhë një situatë e tillë, për arsye se, Bashkësia Evropiane nuk ka kohë që të merret me një problem të brendshëm, për arsye se problemin serioze e ka me luftën e cila është duke u zhvilluar në Ukrainë dhe kërcënimet i vijnë nga andej.

Gjithashtu, ekziston një luftë e brendshme politike në Bashkësinë Evropiane, se kush do jetë lideri i Partisë Evropiane, ne nuk e themi që po ndodh sot, apo që ka ndodh prej që ka filluar lufta në Ukrainë, por kjo realisht është që nga historia e Bashkimit Evropian.

I pamë edhe deklaratat e presidentit francez, që bien ndesh me politikën e vet apo pozitën e vet edhe me këtë deklaratë, ku tha se po vie një katastrofë e madhe në Evropë.

Kjo nuk i bën nder as Macronit as Bashkësisë Evropaine, këto janë lufta politike të cilat shtetet e mëdha në Evropë, luftojnë se kush do të jetë ai i cili do ta udhëheq Bashkësinë Evropiane apo kush do të ushtrojë ndikim më të madh.

Përndryshe, një luftë e përmasavr të mëdha mund të ndodhë, atëherë kur lufta mund të jetë projekt i superfuqive të mëdha apo nëse lufta në Ukrainë del jashtë kontrollit.

Nëse kjo luftë, del jashtë kufijve të Ukrainës, dhe nëse hipotetikisht preken shtetet anëtare të NATO-s, nga kjo luftë, atëherë do të kemi një situatë mjaft të ndërlikuar, ku siguria do të kërcënohet jo vetëm në këtë rast, mes të Kosovës Serbisë, por edhe më gjerë.

Jo vetëm në Ballkan, po edhe më gjerë, sepse atëherë do të dalin ato epshet e politikave ekstremiste të shteteve të ndryshme, të cilat janë të interesuara qoftë në aspektin territorial të përfitojnë apo edhe në aspektin ekonomik.

Po ashtu, kemi një situatë të mjaft të ndërlikuar mes Kinës dhe Tajvanit, ku atje është e involvuar në aspektin e sigurisë SHBA dhe po që se atje, situata del jashtë kontrollit në aspektin e luftës, atëherë edhe kjo mund t’i jap kontribut kësaj frymë për një luftë të mundshme në rajon.

Por, nuk do të thotë që kjo do të ndodhë mes Kosovës dhe Serbisë, unë mendoj që më shumë ka gjasa të ndodhë mes Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë, sepse atje është situata më e ndërlikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat