“Pazar pas darke”/ Deputetja Bunjaku-Rexhepi flet për takimin Kurti-Krasniqi, ja pse LDK nuk mori pjesë

Intervista

“Pazar pas darke”/ Deputetja Bunjaku-Rexhepi flet për takimin Kurti-Krasniqi, ja pse LDK nuk mori pjesë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 maj 2024 Në ora: 12:15
Valentina Bunjaku Rexhepi

Në një intervistë të shkurtër për gazetën “Bota sot” ka folur deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi.

Ajo mbi gjithë ngjarjet që kanë ndodhë ditëve të fundit në Kosovë, është fokusuar te takimi i kryeministrit Albin Kurti me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Kransiqin.

Sipas saj, takimi mes atyre të dyve u bë pazar pas darke, duke thënë se VV-së po i duhet përkrahja e PDK-së, e këta të fundit e kanë djegur kandidatin e tyre për kryeministër, Bedri Hamzën.

Më tej, deputetja tregoi edhe arsyen pse LDK nuk mori pjesë, duke thënë se “Lidhja nuk bëhet pjesë e instrumentalizimit të mashtruesit, e që Kosova ka nevojë për njerëz me vizion zhvillimor, orientim euro-atlantik”.

Në fund, deputetja e LDK-së u shpreh se Kurti duhet të shkarkohet dhe të lirojë rrugë sepse sipas saj, ata nuk janë për punë e për Kosovë duke shtuar se Kosova është më e rëndësishme se teket e tyre për pushtet.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e patë takimin ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Pa dështimeve të njëpasnjëshme të qeverisë Kurti 2 mbrëmë në takim me PDK paskan bërë pazar mas-darke. Qenkan marrë vesh me shkua në zgjedhje të parakohshme e me shpërbë kuvendin. E për këtë VV po i duhet përkrahja e PDK. Edhe një mashtrim, edhe një rrenë e viktimizim i kryeministrit mashtrues. Dorën e ndihmë i paska ofruar Memli. E paskan djeg Bedri Hamzën.

“Bota sot”: Pse LDK refuzoi ftesën e Kurtit për takim?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK nuk mori pjesë në këtë darkë të pazareve. Nuk bëhet pjesë e instrumentalizimit të mashtruesit. Kosovës i duhen njerëz me vizion zhvillimor, orientim euro-atlantik, program të qartë, e kryeministër pragmatik. Lumir Abdixhiku është ky njeri. LDK është ajo parti që nuk merret me populizëm, demagogji e mashtrime.

“Bota sot”: Në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi, cili duhet të jetë zgjidhja sipas jush?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Kryeministri Kurti lehtë e ka nëse do; jep dorëheqje, dorëzohet me flamur të bardhë dhe e shpërbëjmë Kuvendin. Caktojmë datën dhe shkojmë në zgjedhje. I japim Kosovës lidershipin e duhur, sepse VV nuk janë për punë e për Kosovë. 

As PDK nuk ju shpërlan gabimet ani se e doni nën sqetulla. Janë i njëjti brum, por Rugovistët më nuk ja falin. Kosova është më e rëndësishme se teket e tyre për pushtet. U dëshmuan se nuk dinë, nuk mundeni. Lëshoni rrugë për ata që kanë traditë, vizion e orientim, miq e aleatë, ide e përkushtim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat