“Në dialog nuk duhet të jetë dikush nga Sllovenia”, politologu tregon se ҫfarë ndodhë nëse Kosova refuzon Asociacionin

Intervista

“Në dialog nuk duhet të jetë dikush nga Sllovenia”, politologu tregon se ҫfarë ndodhë nëse Kosova refuzon Asociacionin

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 18 maj 2024 Në ora: 08:01
Albinot Maloku

Në një intervistë për gazetën ‘Bota sot’, politologu Albinot Maloku ka folur për ҫështjet aktuale në vend, për Këshillin e Evropës, krijimin e Asociacionit e problemin me dinarin.

Politologu Maloku thotë se, refuzimin ndaj Asociacionit Kosova provoi ta manovronte, duke menduar që bashkësia ndërkombëtare e sidomos dizajnuesit e Marrëveshjes së 2013, do të harronin, e ata do të mund të mashtrohen. Mirëpo, sipas tij, këtë e pësoi Kosova, duke kaluar në izolimin më të madh që prej ekzistencës së saj si shtet, plus me sanksione nga BE.

Sa i përket përfaqësuesit të dialogut, Miroslav Lajcak, Maloku thotë se diplomati Lajçak nuk mbahet mend për asnjë sukses në angazhimet e tij ndërkombëtare.

“Bota sot”: Sa ka gjasa që Bashkimi Evropian ta kushtëzojë Kosovën me krijimin e Asociacionit?

Maloku: Praktikat e kushtëzimit të Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare perëndimore, tanimë, nuk janë diçka e re! Ato janë përsëritur për shumë çështje. Gjithsesi, këto praktika të kushtëzimit kanë krijuar irritim, por që ato janë përdorur edhe për lojëra politike të brendshme nga subjektet politike në Kosovë. Ndër këto ka qenë edhe Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila si e imponuar që ishte, si kundërpeshë e ecjeve tjera të vendit, u përdor nga subjekti politik i cili erdhi në pushtet në 2021, pra Lëvizja Vetëvendosje!. Dhe tani duke e pa presionin e faktorit ndërkombëtar, gjithë ai refuzim për Marrëveshjen e 2013, u pranua në Pajtimin e ndodhur në Bruksel e Ohër nga garnitura aktuale. Nëse ka qenë me bindje refuzimi për Asociacionin e Komunave me shumicën serbe, atëherë pavarësisht presionit nuk është dashur t’i jepet pëlqimi themeleve të Pajtimit të Brukselit e Ohrit, e që është Plani franko-gjerman. Ose të racionalizohej Qeveria, e të mos funksiononte nën yryshin e fuqisë së numrave e të votës, por ta jepte një draft-statut si model, ta publikonte atë e nëse hiç nuk pranohet ta ndjek si kursor për çdo kërkesë apo kushtëzim të faktorit ndërkombëtar.

“Bota sot”: Nëse Kosova refuzon Asociacionin, cila do të jetë e ardhmja e saj dhe raporti me ndërkombëtarët?

Maloku: Struktura aktuale qeverisëse në vend, refuzimin për Asociacionin e vazhdimin e dialogut pa kushte ndaj Serbisë e ka pasur kauzën kryesore të angazhimit opozitar politik. Ndoshta edhe instalimin e meritokracisë e luftën ndaj nepotizmit politik e familjar, mirëpo me këtë të fundit dallueshëm, dështojë edhe në krahasim me ish-strukturat tjera qeverisëse në vend. Refuzimin ndaj Asociacionit provoj ta manovroj, duke menduar që bashkësia ndërkombëtar e sidomos dizajnuesit e Marrëveshjes së 2013, do të harronin, e ata do të mund të mashtrohen. Kjo nuk ndodhi, por e pësojë Kosova, duke kaluar në izolimin më të madh që prej ekzistencës së saj si shtet, plus me sanksione nga BE. Ndërkombëtarët me të vërtet kanë pasur qasje dyfytyrësie ndaj Kosovës, kanë qenë jo parimor e hiç korrekt, por kjo ka ndodh edhe për shkak të terrenit politik që iu është ofruar nga Kosova e politika e saj.

“Bota sot”: Sipas jush, a duhet të formohet Asociacioni?

Maloku: Nuk është në kompetencën e fuqinë time të pohoj ose mohoj themelimin e një mekanizmi me emër e pa mbiemër siç është Asociacioni i komunave me shumicën serbe, por të shpjegojë faktet, rrjedhën dhe procesin politik që nxjerr ky mekanizëm. Marrëveshjet e dala nga procesi i dialogut të Brukselit mes Kosovës e Serbisë janë obligative për palët. Keni parasysh jo vetëm ato që janë përafruar, nënshkruar apo sigluar, mirëpo edhe ato për të cilat ka pasur vetëm pajtim, edhe pa nënshkrim, siç ka ndodhur me Marrëveshjen e Brukselit e të Ohrit të vitit të kaluar. Bashkimi Evropian si lehtësues është matësi dhe shpjeguesi kryesor, ndërsa palët marrin pjesë. Tani, a është i shëndetshëm politikisht ky fenomen, pa dyshim se jo! Mirëpo, pranimi ka ndodhur nga palët e shpjegimi ka rrjedhur nga lehtësuesi!

“Bota sot”: Një problem tjetër mjaft serioz për vendin është edhe çështja e dinarit që tashmë është bërë temë diskutimi ndërmjet palëve në Bruksel. A mendoni se edhe kjo çështje lidhet me asociacionin, që po e penalizon Kosovën në fushën e integrimeve, siç është rasti me KiE-në?

Maloku: E drejta e Kosovës për deklaruar edhe rendin e përdorimit të valutës së saj kryesore është aty, por hapi nuk është se prodhoi fuqizim të Republikës, sidomos në synimet e saj për faktorizim ndërkombëtar. Nga lehtësuesi dhe ndihmuesit tjerë të Kosovës, duket se nuk ka pasur as përkrahje e as mirëkuptim për këtë të drejtë. Djegia e së drejtës për shkak të politikës ishte gabim! Çështja e përdorimit të valutës së Serbisë në Kosovë për pagesa e shkëmbime tjera tregtare me siguri do të jetë çështje dialogu, e që hiç nuk do të duhej!

‘Bota sot”: Miroslav Lajcak ka raportuar se do të largohet si ndërmjetësues nga dialogu. Në vend të tij mund të jetë Borut Pahor. A do të jetë kjo pozitive për Kosovën?

Maloku: Diplomati Miroslav Lajçak nuk mbahet mend për asnjë sukses në angazhimet e tij ndërkombëtare. Kam qenë i befasuar në krye të herës se si Qeveria e shihte si alternativ atë, e pas një kohë Lajçak u bë i keqi. Mirë që po ikën diplomati Lajçak! Ndërsa Borut Pahor është një njeri që pas tij ka një karrierë të mirë, ka marrë disa vendime që kanë qenë të një rëndësie të madhe për marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Kroacisë, e që Kroacia pas marrëveshjes së saj për kufirin me Sllovenin eci përpara drejt BE-së. Por. bazuar në nevojat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mendoj se ndërmjetësuesi do të duhej të ishte dikush tjetër, nga ndonjë vend tjetër me peshë më të fortë e më të madhe brenda BE-së, dhe jo dikush nga Sllovenia.

“Bota sot”: Po ashtu, mund të ndërrohet edhe z. Gabriel Esobar, me këto zhvillime a ka gjasa që të ndërrojë edhe qasja ndërkombëtare, përkatësisht qasja e SHBA-së ndaj Kosovës?

Maloku: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i cili ka filluar në vitin 2011, gjithashtu me imponim nga bashkësia ndërkombëtare e jo me vullnetin e Kosovës e ka rrjedhën e vet. Në fillim ishte teknik, më vonë u bë edhe politik dhe tani ka edhe çështje ekonomike. Ndryshimet e fytyrave që jemi mësuar ti shohim e që janë të angazhuar në çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, mund të kenë ndikim të nxitjes, mirëpo fytyrat e reja duhet ta kenë përkrahjen e fuqizuesve e të lehtësuesve të dialogut.

“Bota sot”: Opozita në Kosovë shpeshherë po kërkon zgjedhje. A besoni se është koha për zgjedhje të reja?

Maloku: Opozita për një kohë ka qenë impotente, e kjo ndoshta nga ndjenja e fajit për periudhat e tyre, por edhe si pasoj e sulmeve intensive nga pushteti. Opozita nuk arrita ta shfrytëzoj maksimalisht që të reformohet, të krijoj identitet të ri, e zgjedhjet të ishin si pasoj e fuqisë së tyre. Zgjedhjet, nëse ato janë të parakohshme, janë vetëm si pasoj e dështimit të Qeverisë aktuale në të gjithë sektorët, por jo si pasoj e fuqisë dhe e angazhimit të opozitës.

“Bota sot”: Nëse do të mbaheshin zgjedhjet e reja, a besoni se do të ndryshonin qeverisjen në vend?

Maloku: Do të duhej të kishte ndryshime. Synimi thelbësor i një procesi zgjedhor është ndryshimi potencialisht pozitiv i rrjedhave të një vendi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat