“Dokumentet e planeve sekrete”, opinionistja nga Gjermania flet për presionin ndaj Kurtit dhe provokimet serbe – ja qëllimi i tyre!

Intervista

“Dokumentet e planeve sekrete”, opinionistja nga Gjermania flet për presionin ndaj Kurtit dhe provokimet serbe – ja qëllimi i tyre!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 maj 2024 Në ora: 17:05
Vjollca Hajdari

Në Kosovë po ndodhin zhvillime të shumta politike, ku edhe dinamikat politike në vazhdimësi po ndryshojnë.

E në lidhje me atë se çka po ndodhë në Kosovë, kërcënimet e Serbisë dhe presionin ndërkombëtar, në një intervistë për gazetën “Bota sot” foli opinionistja nga Gjermania, Vjollca Hajdari.

Fillimisht, ajo tha se zhvillimet në Kosovë i sheh si një hallkë zinxhiri të proceseve afatgjata, ku bëhet fjalë për skenare të shkruara kronologjikisht.

Gjithashtu, Hajdari komentoi edhe qasjen e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës dhe Serbisë, që sipas saj nuk është e drejtë.

Ndër të tjera, opinionistja nga Gjermania foli për takimin Scholz-Kurti, kërcënimet e provokimet e Serbisë dhe mbarëvajtjen e bisedimeve mes dy palëve në Bruksel.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Si i komentoi zhvillimet e fundit në Kosovë?

Vjollca Hajdari: Zhvillimet e fundit i shoh si një hallkë zinxhiri të proceseve afatgjata. Bëhet fjalë për skenarë të shkruara kronologjikisht, të programuara saktësisht, por të ndara në episoda. Një nga këto episoda është edhe ndezja e konfliktit të ngrirë. Pjesa veriore, gjegjësisht krijimi i asociacionit me shumicë serbe, është një element i këtij konflikti i cili është duke u bërë vatër zjarri. Jo vetëm pjesa veriore është në fokus, por edhe enklavat e tjera të banuara me pakicë serbe, pasuritë nëntokësore e natyrore të Kosovës si dhe tempujt fetarë, kishat shqiptare të shndërruara në manastire serbe. Kosova është në fazën kur po i përsëritet historia në plan gjeopolitik, religjioz, kulturor etimologjik. Fakti se Serbia është duke e ngulfatur këtë vend, po bëhet realitet. Në Kosovë janë duke vepruar armata të tjera të shërbimeve sekrete, jane duke u ndeshur interesat e fuqive globale, ndërkaq që vet Kosova është shndërruar në poligon të apetiteve nga jashtë.

Gazeta “Bota sot”: Kosova është në proces të anëtarësimit në KiE, nga ana tjetër Serbia në vazhdimësi po lobon kundër këtij procesi. Si i keni parë këto propaganda dhe pengesat që ka tentuar dhe po tenton t’ia bëjë shtetit tonë në rrugën për anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare?

Vjollca Hajdari: Tendenca e Serbisë, për të bllokuar Kosovën, nuk më befason. Ajo e sheh Kosovën si a) pjesë integrale të saj, bazuar në rezolutën 1244, rezultat i Konferencës së Rambujesë b) si djep të Serbisë, duke e shndërruar betejën e Kosovës në fitoren e serbëve dhe e quan Kosovën KosMet apo Kosova dhe Metohija.  Me këtë toponim ajo do të „dëshmojë” se kinse Kosova jo që është pjesë historike e Serbisë, por ajo është edhe djep fetar i saj. Metohion do të thotë, vendi i tempujve apo manastireve. Pika më e rëndësishme janë pasuritë natyrore-nëntokësore të Kosovës, të cilat ajo do t‘i shfrytëzojë deri në fund.

Gazeta “Bota sot”: Raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë të tensionuara. Si i keni parë përpjekjet e ndërkombëtarëve për arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy vendeve?

Vjollca Hajdari: Ekzistojnë dy lloj përpjekjesh të ndërkombëtarëve me karakter asimetrik karshi Kosovës dhe Serbisë. Në njërën anë ndërkombëtarët mbyllin sytë dhe injorojnë bllokadat që i bën Serbia. Në anën tjetër ata ushtrojnë më shumë presion ndaj Kosovës dhe e kushtëzojnë atë me masa ndëshkuese, po nuk iu bind kërkesave të tyre. Përderisa ndërkombëtaret po e rrisin presionin ndaj Kosovës, ata përkëdhelin Serbinë dhe e tolerojnë qasjen e saj drejt Rusisë, Kinës dhe shteteve autokratike.

Gazeta “Bota sot”: Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime në Gjermani, me zyrtarë të lartë, përfshirë ministren e jashtme gjermane. Cilat mendoni se ishin tema kyçe që u diskutuan në atë takim? A priten ndryshime në ndonjë çështje?

Vjollca Hajdari: Temat kyçe, të cilat edhe janë publikuar kanë qenë, marrëdhëniet dypalëshe, reformat demokratike, integrimi evropian i Kosovës, respektivisht anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe energjia.

Ndërsa, zyrtarizimi i asociacionit me shumicë serbe dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, janë tema, të cilat tanimë veçse janë konfirmuar edhe nga qeveria gjermane. 

Fatkeqësisht nuk priten ndryshime rrënjësore për momentin. Do të priten ca ndryshime të vogla, më shumë në drejtim të energjisë dhe mikroekonomisë e ca subvencioneve, por në planin e zyrtarizmit të Asociacionit të Komunave Serbe pritet që të rriten kërkesat dhe të intensifikohet procesi. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të shtyhet dhe druaj që Kosovën do e përcjellë akoma faza e ngërçit. Ndryshimet mund të them që priten në të mirë të Serbisë por jo të Kosovës. Një ndryshim që ndoshta do të ndodhë në raport me Serbinë, do të jetë presioni për të njohur de fakto pavarësinë e Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Kosova në vazhdimësi po kërcënohet nga Serbia. A do duhej ndërkombëtarët të ishin më të ashpër me shtetin serb?

Vjollca Hajdari: Absolutisht. Duke u nisur nga padrejtësitë që ata na i kanë bërë në histori, si p.sh. Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës, do duhej që gabimet e mëhershme të korrigjohen. Kjo fatkeqësisht nuk po ndodh dhe faktori shqiptar duhet të mendojë rreth strategjive dhe mekanizmave të tjera, për t’u forcuar kolektivisht.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni presionin e ndërkombëtarëve ndaj kryeministrit Albin Kurti për themelimin e Asociacionit?  

Vjollca Hajdari: Është një presion tërësisht i padrejtë, ndaj kryemnistrit Albin Kurti. Por edhe sikur të ishte ndonjë politikan tjetër në vend të zotit Kurti, prapë së prapë do ushtrohej i njëjti presion. Pra s’ka të bëjë me figurat politike, por me një planprogram, i cili është hartuar shumë kohë më parë dhe i cili do të realizohet tani.

Gazeta “Bota sot”: A do duhej të ishte një qasje më bashkëpunuese dhe mirëkuptuese e ndërkombëtarëve ndaj Kurtit, marrë parasysh provokimet dhe sulmet e Serbisë?

Vjollca Hajdari: Patjetër. Thuhet në dokumentet e planeve sekrete, se këto provokime janë të orkestruara dhe te inskenuara, me qëllim që të vije deri tek eskalimi dhe ndarja. Thënë shkurt, arena ndërkombëtare është në dijeni për çdo lëvizje. Megjithatë, para mediave dhe opinionit publik, ata paraqiten ndryshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat