Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, në lidhje me zhvillimet në Kosovë, raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe lobimet atje, ka folur Agim Aliçkajn, drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane
Si fillim, ai tregoi se së fundi ishte në vizatë në veri të Kosovës, më saktësisht në Banjskë dhe tha se ishte tejet i lumtur me situatën atje.
“Isha për vizitë edhe në gjithë veriun e Kosovës, në Banjskë dhe deri te kufiri. Mu gëzua zemra, sepse veriu frymonte lirisht. I kontrolluar nga policët e sjellshëm e profesional të Republikës së Kosovës, i çliruar nga bandat serbe, tregonte pasuri dhe bukuri të rrallë. Në pjesën veriore të Mitrovicës krahas njëri tjetrit, shëtiteshin dhe qëndronin të lumtur dhe të patrazuar grupe-grupe shqiptarët dhe serbët”, tha ndër të tjera drejtori i LQSHA.
Krahas kësaj, ai foli edhe mbi rëndësinë e raporteve të Kosovës me SHBA-në, si dhe ndikimit në politikat e jashtme, me ardhjen e Donald Trump në krye të administratës amerikane.
Në këtë pikë, Aliçkaj përmendi rëndësinë e lobimeve shqiptare në SHBA, derisa tha se me zgjedhjen si drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, do mundohet sa ma shumë për të drejtat e shqiptarëve.
Krahas kësaj, kërkoi nga liderët dhe politikanët e Republikës së Kosovës të jenë shumë të kujdesëshëm në raport me Presidentin Trump.
Ndër të tjera, ai tregoi se ka zhvilluar së fundi edhe disa takime me liderët e Kosovës për të cilat dha disa detaje.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Z. Aliçkaj, ju së fundi jeni emëruar drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, çfarë do të thotë kjo për ju?
Agim Aliçkaj: Emërimi im Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane është mirënjohje dhe vlerësim për punën time 34 vjeçare në promovimin e të drejtave kombëtare dhe njerëzore të kombit shqiptar në Washington, si njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të liderëve të Ligës Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Ky emërim është njëherit edhe përgjegjësi më e madhe për vazhdimin e veprimtarisë lobiste edhe me më shumë përkushtim.
Gazeta “Bota sot”: Me zhvillimet e fundit si në Kosovë, ashtu edhe në SHBA, a do të bëhet Liga Qytetare më aktive në komunitetin shqiptaro-amerikan me qëllim të mobilizimit dhe rritjes së aktivitetit lobues në Uashington?
Agim Aliçkaj: Zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos presionet e padrejta, joparimore të komunitetit ndërkombëtar, për të bërë lëshime shtesë ndaj kërkesave armiqësore të Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Evropa, kërkon angazhim të shtuar si brenda Kosovës, ashtu edhe nga mërgata kudo në botë. Administrata e Presidentit Biden ishte një zhgënjim për neve, sepse e ndjeku politikën evropiane të përkëdheljes së agresorit dhe presionit mbi viktimën për interesa të kota gjeo-politike.
Zgjedhjet e nëntorit në Amerikë, përveç në administratë kanë sjellë ndryshime të mëdha në Kongresin Amerikan, ku partia Republikane e ka fituar shumicën. Numri i senatorëve dhe kongresistëve që e kuptojnë dhe e përkrahin çështjen tone është zvogëluar dukshëm. Prandaj, është i domosdoshëm mobilizimi i komunitetit shqiptaro-amerikan për ta rritur aktivitetin lobues në Washington. Pas të gjitha këtyre zhvillimeve, vërehet një gatishmëri shumë më e madhe në komunitet për t’i mbështetur aktivitetet e Ligës dhe të tjerëve.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë planet dhe synimet tuaja pas marrjes së këtij posti?
Agim Aliçkaj: Pas marrjes së postit të Drejtorit të Ligës unë e prezantova një Propozim me shkrim Presidentit të Ligës Joe DioGuardit, Këshilltares për çështje Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardit dhe Bordit të Ligës në lidhje me vazhdimin dhe forcimin e aktivitetit lobist në Uashington, varësisht nga situata e re e krijuar.
Aty përfshihen propozime konkrete si të punohet, me emra të kongresistëve dhe senatorëve të cilët duhet t’i kontaktojmë, mbështesim dhe informojmë në lidhje me situatën në Ballkan dhe Kosovë.
Synimi ynë është të komunikojmë me përfaqësuesit e të dyja partive, atë republikane dhe demokrate, kryesisht në komitetet e marrëdhënieve të jashtme dhe pozicione të tjera të rëndësishme me ndikim në sajimin e politikës strategjike amerikane.
Parashihet gjithashtu që, duke i shfrytëzuar lidhjet e mija dhe qëndrimin konstruktiv afrues në komunitet, të apelojmë te patriotët e shumtë që kurrë nuk kanë munguar, ta shtojmë anëtarësinë e Ligës dhe kontributet vullnetare financiare me ata që kanë besim te LQSHA, si dhe të bashkëpunojmë me organizatat tjera për veprime lobiste të përbashkëta.
Gjatë këtyre ditëve isha për vizitë në Kosovë ku pata takime me udhëheqësit më të lartë të Republikës së Kosovës, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, deputetë, si dhe përkrahës të pozitës dhe opozitës, me qëllim të bashkërenditjes së veprimeve dhe adresimit të çështjeve me interes për Kosovën.
Jemi të hapur për takime edhe me liderë të partive të ndryshme të cilët janë të gatshëm që interesin shtetëror dhe kombëtar ta qesin para atij personal dhe partiak.
Propozimi im është ende në shqyrtim nga ana e liderëve Joe dhe Shirley, Bordit dhe mbështetësve të mëdhenj të Ligës, për analizë dhe plotësim me ide të ndryshme se si të veprohet më mirë në Uashington.
Gjatë muajit maj, planifikojmë të marrim pjesë në takimin vjetor të ish-anëtarëve të Kongresit të organizatës FMC (Former members of Congress), anëtar i së cilës është edhe Joe DioGuardi. Aty marrin pjesë ish-anëtarët, por edhe ata aktiv të Kongresit, Senatorë dhe Kongresistë nga të dyja partitë ku shkëmbehen mendime në lidhje me situatën në Amerikë dhe në botë. Përcjellja e përvojave me propozime konkrete është qenësore për funksionimin e mirëfilltë të shtetit.
Gazeta “Bota sot”: A vlerësoni se me ardhjen e Donald Trump në pushtet, a do ndryshojnë politikat amerikane në raport me shqiptarët, më saktë Kosovën?
Agim Aliçkaj: Mendoj se politika themelore e interesave strategjike amerikane të mbështetjes së kombit shqiptar dhe pavarësisë së Kosovës nuk do të ndryshojë me ardhjen në pushtet të Presidentit Trump. E thashë edhe më herët se administrata e Presidentit Biden bëri gabim që çështjen e Kosovës dhe konfliktin me Serbinë i la t’i udhëheqte Evropa.
Shumë shtete evropiane janë përkrahës të Serbisë për interesa të ndryshme politike, fetare ose ekonomike. Vendimet e Bashkësisë Evropiane merren me konsensus. Këtë më së miri e ilustron vendosja e masave absurde “të përkohshme” ndaj Kosovës për zbatimin e ligjshmërisë në veri. Ato u futen shumë lehtë kot, vetëm për ta marrë me të mirë Serbinë dhe tash vështirë tërhiqen, edhe pse Kosova e vërtetoi se ishin të padrejta dhe të panevojshme.
Gazeta “Bota sot”: Si duhet të pozicionohem liderët dhe politikanët e Kosovës në raport me Trump, a duhet të ketë bashkëpunime dhe raporte më të thella me SHBA-në?
Agim Aliçkaj: Liderët dhe politikanët e Republikës së Kosovës duhen të jenë shumë të kujdesshëm në raport me Presidentin Trump. Ai është i paparashikueshëm, inatçor dhe i pëlqejnë lavdërimet, falënderimet dhe mirënjohjet. Konfrontimet publike me të, por edhe me të gjithë përfaqësuesit amerikanë duhen të shmangen me çdo kusht. Bashkëpunimi, shkëmbimi i mendimeve dhe përvojave, konsultimi dhe koordinimi me amerikanët është rruga e drejtë e suksesit.
Vetëm populli shqiptar i ndihmuar nga Amerika e garanton ekzistencën e Kosovës dhe të mbarë kombit.
Kjo nuk do të thotë nënshtrim dhe pranim të pakusht të të gjitha veprimeve dhe propozimeve që vijnë nga Amerika. Ata i kanë interesat e veta taktike që nganjëherë, për çfarëdo arsye, nuk përputhen plotësisht me ato të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Në mbledhje të mbyllura, ata duhet të shikohen në sy dhe të ballafaqohen me argumente bazuar në fakte.
Amerika nuk ka paragjykime ndaj shqiptarëve siç kanë disa vende evropiane. Me Amerikën duhet të punohet pandërprerë. Ajo të dëgjon dhe pret që ti të dish çka kërkon, që ti vetë të punosh me përkushtim për ta arritur atë, dmth. ta kryesh pjesën tënde dhe ta bindësh për mbështetje të drejtë dhe reale.
Këtu rëndësi të veçantë ka uniteti i të gjitha forcave politike në kërkesa të përafërta ndaj Amerikës, gjë që Kosovës i mungon shumë. Sidomos, janë brengosëse qëndrimet e një pjese të opozitës të cilët, me shpresë se Amerika mund t’i kthejë në pushtet, ofrojnë koncesione ndaj Serbisë në dëm të shtetit për ta bërë zgjidhjen e problemit me Serbinë më të lehtë për ndërkombëtarët. Ky është një gabim i madh të cilin e kupton dhe e ndëshkon populli i Kosovës.
Populli është i vetmi faktor që duhet dhe mund të ja japë dikujt pushtetin. Interesi i shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar është para çdo interesi tjetër. Presidenti Trump, më shumë se çdokush e kupton përkrahjen dhe forcën e popullit. Parulla e tij kryesore është “Amerika e para”. Edhe për liderët dhe politikanët e Kosovës, Kosova duhet të jetë e para. Kjo është një përparësi për të bashkëpunuar me presidentin Trump i cili është shumë i vendosur për të kryer punë.
Gazeta “Bota sot”: Si i komentoni lobimet e shtuara të Serbisë në SHBA? Çfarë fshihet pas tyre?
Agim Aliçkaj: Çdo gjë ka bërë dhe po bën Serbia në raport me kombin shqiptar dhe të gjitha kombet tjera për rreth, bazohet në gënjeshtra dhe propagandë me qëllim të realizimit të aspiratave të saja hegjemoniste. Ajo kurrë nuk ka pushuar së lobuari me shuma marramendëse dollarësh në Amerikë për arsye se çështja e saj është e padrejtë. Ne e kemi çështjen e drejtë dhe kemi arritur më shumë duke shpenzuar më pak. Por, për lobim në Amerikë duhet shpenzuar.
Serbia ka shkaktuar luftëra, krime dhe vuajtje të popujve të Ballkanit. Ajo nuk ka ndryshuar që nga koha e Milosheviqit. Tash, ka marrë hov me shpresa të kota se presidenti Trump do të ketë mirëkuptim për kërkesat e saj fashiste. Shpresat e regjimit despotik të Vuçiqit, bazohen në marrëdhëniet që ka krijuar me ish ambasadorin Richard Grenell dhe interesat ekonomike me dhëndrin dhe djalin e Trumpit. Unë besoj se këto përpjekje do t’i shkojnë huq.
Ata kërkojnë dhe shpresojnë që Trump do ti ndihmojë për të krijuar problem në Kosovë, në kohën kur Kosova, falë qeverisjes Kurti-Osmani-Konjufca, është e qetë dhe në rrugë të drejtë të zhvillimit të demokracisë, respektimit të të drejtave të minoriteteve dhe ndërtimit të shtetit ligjor pro-amerikan. Kosova ofron mirëkuptim dhe paqe, Serbia ofron urrejtje dhe luftë. Trump e preferon të parën, nuk besoj se lodhet shumë për interesat serbe.
Gazeta “Bota sot”: A besoni se me Trumpin, president të SHBA-së do intensifikohen bisedimet Kosovë-Serbi dhe do kemi një marrëveshje finale mes dy palëve?
Agim Aliçkaj: Administrata Trump është e ballafaquar me probleme shumë më të mëdha dhe më të vështira se ai i Kosovës dhe Serbisë, siç janë luftërat në Ukrainë dhe Palestinë, si dhe problemet tjera me Rusinë, Kinën, Iranin etj., shto këtu edhe problemet e brendshme si ekonomia, imigracioni, inflacioni etj.
Ende është vështirë të parashikohet qasja konkrete e presidentit Trump ndaj Kosovës dhe Ballkanit. Vetë fakti që Grenell nuk është emëruar emisar për Ballkanin dhe nuk ka ende ndonjë pozitë kyqe në administratën Trump është mjaft inkurajues.
Emrimi i Colleen Hyland nënsekretare për çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore është shenjë e mirë.
Në momentin e duhur, pas adresimit të problemeve të mëdha ndërkombëtare dhe konsolidimit të Qeverisë së Kosovës, Trump do t’i kushtojë rëndësi të caktuar dialogut Kosovë-Serbi dhe ka mundësi ta intensifikojë për të arritur zgjidhje të duhur. Nëse klasa politike e Kosovës bashkohet me qëndrime unike të ndalimit të agresionit serb në Kosovë dhe Ballkan, pa asociacione dhe koncesione shkatërruese për Kosovën, nuk duhet të kemi shqetësim se Trump do të jetë në anën tone, në anën e të drejtës.
Nuk besoj se Serbia është e gatshme për marrëveshje finale. Ajo duhet të izolohet dhe denazifikohet. Regjimi dhe kriminelët serbë duhet të ndëshkohen. Deri atëherë Kosova duhet ta vazhdojë jetën pa njohje nga Serbia, duke ndërtuar demokracinë dhe shtetin. Forcat e armatosura, njësitë speciale dhe ushtria janë faktorë kryesor për ndalimin e agresionit serb ndaj popullit shqiptar.