Në një intervistë dhënë për gazetën "Bota Sot", veprimtari dhe ish-kryetari i Shoqatës "Pavarësia" në Gjermani, Xhevdet Syla, ka vlerësuar situatën politike në vend, zgjedhjet e fundit, si dhe rolin e mërgatës shqiptare në zhvillimin e Kosovës.
Sa i përket qeverisë së re, Syla ka theksuar se ajo që do t'i bënte mirë vendit është krijimi i një koalicioni mes partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe LDK-së, ose një koalicion i zgjeruar që përfshin edhe PDK-në dhe AAK-në.
Ndërkaq, qeverinë Kurti 2, ai e ka vlerësuar si të suksesshme, duke shtuar se Albin Kurti është lideri i padiskutueshëm aktual, kandidati më i votuar, dhe për këtë arsye meriton përkrahjen në formimin e institucioneve të reja.

Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën politike aktuale në vend?
Xhevdet Syla: Mendoj se në përgjithësi, në aspektin e funksionimit institucional, situata është e qëndrueshme, por e brishtë për shkak të shumë sfidave strategjike dhe tensioneve në veri të vendit, të cilat janë të nxitura dhe të orkestruara nga Serbia.
“Bota sot”: Kosova mbajti zgjedhjet para dy muajsh, cili është shkaku sipas juve që ende nuk kemi institucione të reja? Dhe, kë e shihni në krye të qeverisë së re?
Xhevdet Syla: Zgjedhjet në Kosovë u mbajtën pas një fushate të stërzgjatur parazgjedhore(me fillim të parakohshëm të saj), e cila nga shumica e partive politike, në fokus kishte më tepër premtime boshe dhe nënçmime të kundërshtarit, sesa seriozitet në prezantim të programit të mundshëm qeverisës. Zgjedhjet ishin të lira dhe demokratike, por me mangësi në aspektin organizativ, sepse numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve u vonuan shumë.
KQZ-ja duhet të nxjerr mësimet e duhura nga këto zgjedhje, në mënyrë që rezultati zgjedhor të procedohet dhe të çertifikohet shumë më shpejtë në të ardhmen. Vonesa e krijimit të institucioneve ndodhë edhe për faktin e një përçarjeje ekstreme të skenës politike në Kosovë, e cila është nxitur në masë të madhe nga mediume të ndryshme informative.Duke e pasur të ditur rezultatin zgjedhor, mendoj se do të duhej të kishte orvatje më të hershme për bisedime mes partive politike, të cilat duhet ta kenë parasysh rolin dhe përgjegjësinë e tyre në krijimin e institucioneve të vendit, dhe të jenë bashkëpunuese. Vlerësimi im, por mendoj se edhe do t’i bënte mirë vendit, është një koalicion mes partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ose një koalicion i zgjeruar edhe me PDK-në dhe AAK-në. Alternativat tjera nuk janë produktive dhe as të qëndrueshme, derisa Kosova nuk e ka luksin e organizimit të zgjedhjeve të njëpasnjëshme, e këtë nuk e dëshiron as elektorati. Për t'iu bër ballë sfidave të panumërta që e presin Kosovën, si në aspektin politik, ekonomik e të sigurisë, duhet të jemi të gjithë bashkë! Gjuha e pamatur dhe inatet personale në sjellje me njëri-tjetrin, megjithëse janë të papranueshme, nuk guxojnë ta mbajnë peng formimin e institucioneve të reja. Partitë politike opozitare duhet ta marrin seriozisht pjesën e tyre të përgjegjësisë, të fituar nga elektorati, dhe të mos jenë refuzuese ndaj partisë fituese e cila e ka mandatin ta krijoj qeverinë, përndryshe ato rrezikojnë të shndërrohen në subjekte të numrave irracional, të cilin iracionalitet, votuesi din ta ndëshkoj në të ardhmen.
“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverinë Kurti 2?
Xhevdet Syla: Në përgjithësi, mendoj se kishte një qeverisje të suksesshme në këto katër vite.Të kujtojmë se mandati qeverisës filloi në kulmin e pandemisë, sfidë kjo e cila u përballua me sukses. Skemat sociale dhe subvencionet në sektor të ndryshëm, gjithashtu ishin një impuls i ndjeshëm për qytetarët. Një sfidë tjetër, e që është më e rëndësishmja dhe vendimtare për ta cilësuar të suksesshme këtë qeverisje, ka të bëj me luftimin e krimit të organizuar, shuarjen e shumë strukturave ilegale serbe dhe shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit. Gjithashtu mendoj se Republikës së Kosovës me qeverinë Kurti2 i i është kthyer dinjiteti në arenën ndërkombëtare, që ishte i nëpërkëmbur, për shumë vite më parë. Qeverisja, nuk ka qenë e përsosur dhe me siguri ka mangësi të ndjeshme, si në aspektin e zhvillimit ekonomik, atë të investimeve strategjike, sidomos në industrinë energjetike, si dhe dështimin në parandalimin e largimit të të rinjëve nga vendi. Por, mendoj se Albin Kurti aktualisht është lider i padiskutueshëm, kandidati më i votuar dhe rrjedhimisht meriton përkrahjen, në formimin e institucioneve të reja dhe kështu fuqizimin e shtetësisë së Kosovës.
“Bota sot”: Sa është i rëndësishëm roli i mërgatës shqiptare për ekonominë dhe zhvillimin e Kosovës. Në këtë rast, a ka qenë i kënaqshëm niveli i bashkëpunimit të qeverisë së kaluar me mërgatën?
Xhevdet Syla: Sidomos në aspektin socio-ekonomik, mërgata është e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, kam parasysh këtu remitencat familjare si dhe investimet në vendlindje. Përveç investimit të kapitalit, janë idetë dhe përvojat, që sjellin pjesëtarët e mërgatës, të rëndësishme, që ndikojnë dukshëm në zhvillim. Por, nuk mund të shihet ndikimi i mërgatës, si vendimtar në zhvillimin e gjithëmbarshëm. Është i dhimbshëm dhe shqetësues fakti, që mërgata shqiptare po rritet gjithnjë e më shumë. Largimi i rinisë, dhe në përgjithësi, numri i madhë i shqiptarëve që largohen në vazhdimësi, nga Shqipëria, Kosova dhe trojet tjera etnike, përveç që përbën dëm të pa riparueshëm në rrafshin kombëtar, ndikon ndjeshëm, në zhvillimin e ngadalshëm të tyre. Mendoj se bashkëpunimi i kësaj qeverie me mërgatën, ka qenë në nivel më të mirë se sa i qeverive të mëparshme, por ky bashkëpunim është i pamjaftueshëm për të shfrytëzuar mundësitë dhe potencialin që ekziston.
“Bota sot”: Vizitat dhe takimet e politikanëve të Kosovës në mërgatë janë shtuar. A e shihni si veprim pozitiv këtë?
Xhevdet Syla: Vizitat, në të vërtetë u shtuan në kohën e fushatës parazgjedhore, pasi që u zbulua edhe nga partitë tjera, potenciali votues i mërgatës, i cili ishte determinues i fuqishëm në zgjedhjet e para katër vitesh. Nuk jam ithtarë i shtrirjes së degëve të partive politike në mërgatë, pasi që mendoj se këto veprime e përqajnë mërgatën, e cila edhe ashtu i ka hallet e veta të organizimit dhe bashkëpunimit.
“Bota sot”: A mendoni se institucionet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë më tepër me mërgatën shqiptare?
Xhevdet Syla: Po, patjetër. Mërgata shqiptare ka nevojë për mbështetje institucionale, si në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe(nga të dy vendet shqiptare), ashtu edhe për bashkëpunim të sinqertë me institucionet shtetërore në adresimin e shqetësimeve të saj, kurse interesi i institucioneve të Kosovës duhet të jetë në potencialin zhvillimor që ofron mërgata.
“Bota sot”: Çka prisni nga qeveria e re gjermane, a është sinjal i mirë fitorja e Friedrich Merz për shqiptarët?
Xhevdet Syla: Para së gjithash, mendoj se qeveria e Friedrich Merz, gjegjësisht e koalicionit në mes CDU/CSU dhe SPD është sinjal i mirë për popullin gjerman, por gjithsesi edhe për shqiptarët. Duke e vlerësuar rrezikun potencial të ardhjes në pushtet të AFD-së, si parti e ekstremit të djathtë, me prirje kundër të huajve në Gjermani , si dhe sfidave që po sjell lufta në Ukrainë, partitë tradicionale CDU/CSU dhe SPD, në kohë rekorde u dakorduan për formimin e qeverisë së re. Ky shembull duhet t'ju shërbej edhe partive politike në Kosovë, që të mos humbin kohë në formimin e qeverisë së re. Uroj që 15 Prilli 2025 të sjellë institucione të reja, të fuqishme në Republikën e Kosovës. Kjo nuk është vetëm dëshirë – është imperativ i kohës, që po nuk e shfrytëzuam si duhet, mund të na godet pa mëshirë.