Opinionisti Lirim Gashi thotë se ngërçi politik është rezultat i opozitës dhe ajo duhet ta bëjë hapin për zhbllokim.
Gashi në një intervistë për gazetën “Bota sot”, thotë se Albulena Haxhiu është një figurë me kredibilitet dhe qëndrim të qartë në mbrojtje të shtetit ligjor dhe për këtë nuk ka arsye për zëvendësim, por nëse do opozita le të propozojë emra të përshtatshëm.
“Nëse opozita kërkon emra të pranueshëm, atëherë le të japë ajo një propozim që është mbi interesat e ngushta partiake dhe mbi historinë e komprometuar të politikës së vjetër. Por nuk mund të ushtrojë veto mbi kandidaturat e shumicës legjitime. Pranueshmëria kërkon reciprocitet dhe frymë ndërtuese, jo ultimatume”, deklaron opinionisti.
Sipas tij, ftesa e Kurtit për PDK-në dhe LDK-në për dialog, është shenjë e përgjegjësisë politike dhe pranimi i saj nga PDK është pozitiv dhe një bashkëpunim nuk duhet të jetë kurrsesi bashkëfajësi, por një kontratë për të ecur përpara me rregulla të reja loje.
Gashi në intervistë flet edhe për një ndërhyrje nga presidentja, Amerika, zgjedhjet e reja, qeverinë gjithëpërfshirëse si dhe dialogun me Serbinë.
Intervistoi: Naile Ejupi
“Bota sot”: Z. Gashi, po e nisim me zhvillimet e fundit politike në vend. Të enjten, për herë të nëntë ka dështuar konstituimi i Kuvendit. Partia fituese fajëson opozitën dhe Listën Serbe, ndërsa opozita e akuzon për bllokim partinë fituese. Sipas jush, kush po e bllokon realisht Kuvendin dhe cili do të ishte hapi i duhur për zhbllokim?
Lirim Gashi: Ngërçi politik është rezultat i një opozite që nuk po sillet si alternative demokratike, por si pengesë sistematike ndaj vullnetit të qytetarëve. Përkrahja e Listës Serbe në këtë sabotim nuk është rastësi, por një strategji e orkestruar që e dobëson funksionalitetin e shtetit. Hapi i duhur për zhbllokim do të ishte një reflektim i sinqertë nga opozita, që duhet ta kuptojë se nuk ka të drejtë të bllokojë një shumicë legjitime, vetëm pse nuk është vetë në pushtet. Pra zhbllokimi kërkon guxim politik nga opozita – jo për t’u pajtuar, por për ta respektuar demokracinë.
“Bota sot”: Ndryshe nga përpjekjet e mëparshme, në seancën e 1 majit, kryesuesi propozoi votim të fshehtë për kandidaten e VV-së, Albulena Haxhiun. Opozita e cilësoi këtë veprim si antikushtetues dhe nuk u bë votimi fare. A është ky një sinjal se VV ka filluar të përdorë metoda të reja për zhbllokim? A mund të hapet rruga për ndryshim kandidati?
Lirim Gashi: Votimi i fshehtë është një metodë që mund të mbrojë lirinë e deputetëve dhe të zvogëlojë presionet partiake. Ai nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, por përkundrazi, është një përpjekje për të çuar përpara një proces të bllokuar. Sa i përket kandidaturës, Albulena Haxhiu është një figurë me kredibilitet dhe qëndrim të qartë në mbrojtje të shtetit ligjor. Nuk ka arsye për zëvendësim vetëm për të kënaqur kalkulimet e opozitës.
“Bota sot”: Sipas jush, cili do të ishte një emër i pranueshëm për opozitën si kandidat për kryetar të Kuvendit?
Lirim Gashi: Nëse opozita kërkon emra të pranueshëm, atëherë le të japë ajo një propozim që është mbi interesat e ngushta partiake dhe mbi historinë e komprometuar të politikës së vjetër. Por nuk mund të ushtrojë veto mbi kandidaturat e shumicës legjitime. Pranueshmëria kërkon reciprocitet dhe frymë ndërtuese, jo ultimatume.
“Bota sot”: Para seancës, Albin Kurti ftoi në takim PDK-në dhe LDK-në. LDK e refuzoi, ndërsa PDK e pranoi ftesën. A është kjo një sinjal për një mundësi bashkëpunimi mes VV-së dhe PDK-së? Si do të funksiononte një koalicion i tillë?
Lirim Gashi: Ftesa për dialog ishte shenjë e përgjegjësisë politike. Pranimi i saj nga PDK është pozitiv, por një bashkëpunim i tillë mund të funksionojë vetëm nëse bazohet në reforma të thella, transparencë dhe distancim të plotë nga e kaluara e korrupsionit. Bashkëpunimi nuk duhet të jetë kurrsesi bashkëfajësi, por një kontratë për të ecur përpara me rregulla të reja loje. Po e përsëris edhe një herë : një qeverisje me PDK-në mund të funksionojë vetëm nëse ajo heq dorë nga trashëgimia e korrupsionit dhe e klientelizmit që e ka ndjekur prej vitesh.
“Bota sot”: Janë ngritur zëra se presidentja Vjosa Osmani duhet të ndërhyjë në këtë situatë. Nëse ajo nuk vepron, disa thonë se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, sidomos e SHBA-së, është e nevojshme. Cili është mendimi juaj për këtë? Dhe çfarë "zgjidhje" mund të ofrojë Amerika në këtë rast?
Lirim Gashi: Presidentja ka kompetencë dhe përgjegjësi për të ndërmarrë hapa që shmangin paralizën institucionale. Nëse heshtja zgjat, atëherë faktori ndërkombëtar – veçanërisht SHBA-ja – mund të ndihmojë si lehtësues i dialogut, por jo si imponues zgjidhjesh. Amerika mund të ndihmojë duke i rikujtuar palëve se demokracia funksionon kur respektohet vullneti i popullit, jo kur manipulohen procedurat. Megjithatë, ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar nuk duhet të vijë si zëvendësim i vullnetit të qytetarëve. SHBA dhe BE mund të ndihmojnë si lehtësues, por jo si arbitra që imponojnë zgjidhje politike që nuk kanë bazë demokratike.
“Bota sot”: Nëse ngërçi vazhdon, cilat janë rreziqet për Kosovën në aspektin institucional, politik dhe social?
Lirim Gashi: Rreziku më i madh është delegjitimimi i institucioneve dhe rritja e zhgënjimit qytetar. Një shtet që nuk mund të konstituojë Kuvendin, jep mesazh dobësie dhe jofunksionaliteti. Kjo situatë ushqen retorikën e Beogradit dhe e vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë tonë demokratike. Ne nuk kemi luksin të mbetemi peng i krizave të përhershme.
“Bota sot”: Një nga opsionet që përmenden nga partitë politike është mbajtja e zgjedhjeve të reja. A do të ishin zgjedhjet një zgjidhje reale apo do ta thellonin më tej krizën dhe përçarjet politike?
Lirim Gashi: Zgjedhjet janë gjithmonë një mjet legjitim për të dalë nga bllokadat. Ato nuk janë kërcënim, por instrument i demokracisë. Nëse klasa politike dështon të funksionojë, atëherë populli duhet të marrë fjalën. Përçarjet nuk thellohen nga vota, por nga manipulimi i saj. Zgjedhjet do të jepnin qartësi dhe ndoshta edhe përgjegjësi të reja për të gjithë aktorët.
“Bota sot”: Nëse shkohet në zgjedhje të reja, cilat parti mendoni se do të dilnin më të fituara? A ka ndonjë parashikim për përqindjet?
Lirim Gashi: Partia që ka mbajtur qëndrim të qartë dhe që ka respektuar vullnetin qytetar – si Vetëvendosje – ka gjasa të rikonfirmohet. Opozita që ka luajtur rolin e pengesës dhe që nuk ka ofruar asnjë zgjidhje reale do të ndëshkohet. Përqindjet nuk janë statike, por trendi është i qartë: qytetari kërkon ndershmëri, jo manovra të vjetra.
“Bota sot”: Një tjetër opsion është krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse. Si e shihni këtë alternativë? A është e realizueshme dhe si do të funksiononte praktikisht?
Lirim Gashi: Një qeveri gjithëpërfshirëse është e realizueshme vetëm nëse mbështetet mbi një marrëveshje për prioritete të përbashkëta kombëtare dhe jo për ndarje postesh. Nëse bëhet për stabilitet afatshkurtër, ajo do të jetë vetëm një shtyrje e krizës. Bashkëqeverisja mund të funksionojë vetëm kur të gjithë palët e pranojnë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si bazë të pandryshueshme.
“Bota sot”: Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, si e vlerësoni ecurinë e tij? A mund të ndikojë kriza aktuale e brendshme në vazhdimin e dialogut dhe perceptimin e ndërkombëtarëve për Kosovën?
Lirim Gashi: Dialogu po bëhet gjithnjë e më i njëanshëm. Serbia po manipulon opinionin ndërkombëtar ndërkohë që refuzon zbatimin e marrëveshjeve. Kriza e brendshme në Kosovë dobëson pozicionin tonë negociues dhe u jep të tjerëve justifikim për të ushtruar presion vetëm mbi ne. Vetëm një Kosovë politike stabile mund të përballet me një Serbi destabilizuese.
“Bota sot”: Së fundmi, gazetari serb Bratislav Kërstiq deklaroi se polici Afrim Bunjaku nuk është vrarë, duke shkaktuar reagime të ashpra. A po përdor Serbia propagandë për të manipuluar opinionin? A do të duhej të ngrihej kallëzim penal për këtë deklaratë?
Lirim Gashi: Kjo deklaratë është kulmi i cinizmit dhe një përpjekje e ulët për të fyer dhimbjen e familjes së policit Bunjaku dhe dinjitetin e shtetit tonë. Serbia po përdor propagandë hibride për të relativizuar krimin dhe për të nxjerrë veten si viktimë, një metodë që e njohim që nga vitet ’90. Kallëzimi penal është i domosdoshëm, jo vetëm si mbrojtje juridike, por si akt moral përballë një padrejtësie që nuk guxon të mbetet pa përgjigje. Pra deklarata e Bratislav Kërstiqit është jo vetëm një manipulim i ndyrë, por një akt çnjerëzor që fyeu familjen e dëshmorit dhe të gjithë shqiptarët. Serbia po përdor mjete propagandistike për të minuar të vërtetën e agresionit të saj dhe për të kthyer viktimën në agresor. Duhet patjetër të ngrihet kallëzim penal dhe institucionet tona duhet të veprojnë në mbrojtje të nderit kombëtar dhe dinjitetit institucional.