Ragmi Mustafi flet për “Bota Sot”: Po ndodh një spastrim i heshtur ndaj shqiptarëve – jo me armë, por me..

Intervista

Ragmi Mustafi flet për “Bota Sot”: Po ndodh një spastrim i heshtur ndaj shqiptarëve – jo me armë, por me..

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 maj 2025 Në ora: 11:55
Ragmi Mustafi

Për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka folur ish-Kryetari i Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafi, në një intervistë për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se situata është tepër e rënduar, duke e përshkruar diskriminimin si institucional, pasivizimin si sistematik dhe përjashtimin si politik.

Sipas tij, pasivizimi nuk është një çështje thjesht burokratike, por një strategji e qëllimshme politike për t’u mohuar shqiptarëve të drejtat e tyre. Mustafi paralajmëron se, nëse kjo situatë vazhdon pa ndonjë reagim serioz, rrezikohet shpërbërja demografike e shqiptarëve në Luginë.

Image
Ragmi Mustafi

Lidhur me mbështetjen nga Prishtina dhe Tirana, ai vlerëson se nga Prishtina tashmë ka ndarje buxhetore për shqiptarët atje, ndërsa shpreson që edhe Tirana të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Në fund, Mustafi u drejtohet të rinjve shqiptarë në Luginë me një mesazh motivues: të mos dorëzohen, të organizohen, të ndërgjegjësohen, të investojnë në arsim dhe të ruajnë identitetin e tyre kombëtar.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Zoti Mustafi, si e vlerësoni gjendjen aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?

Ragmi Mustafi: Gjendja aktuale e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është më e rënduara që nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001. Diskriminimi është institucional, pasivizimi është sistematik, përjashtimi është politik. Shqiptarët janë të përjashtuar nga administrata, nga sistemi i drejtësisë, nga organet e sigurisë, dhe gjithnjë e më shumë edhe nga e drejta për të qenë të pranishëm në vendlindjen e tyre.

“Bota sot”: A mendoni se pasivizimi është përdorur si mjet politik për t’iu mohuar shqiptarëve të drejtat e tyre?

Ragmi Mustafi: Po. Pasivizimi është arma administrative që po përdoret për të spastruar politikisht dhe etnikisht shqiptarët nga territori. Nuk është thjesht çështje burokratike — është strategji e qëllimshme për t’iu mohuar qytetarinë, votën, pronën, dhe të drejtën për të ekzistuar institucionalisht.

“Bota sot”: A ka bashkëpunim të mjaftueshëm me faktorin ndërkombëtar për të ngritur këtë çështje?

Ragmi Mustafi: Bashkëpunimi ekziston, por nuk është as i mjaftueshëm, as i koordinuar. Faktori ndërkombëtar ka qenë më i zëshëm për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, sesa për shqiptarët në Luginë. Kërkohet më shumë angazhim, më shumë monitorim dhe një qasje e barabartë ndaj të drejtave të njeriut në rajon.

“Bota sot”: Çfarë rrezikojmë nëse ky proces vazhdon pa reagim?

Ragmi Mustafi: Rrezikojmë shpërbërjen demografike të shqiptarëve në Luginë. Po ndodh spastrim i heshtur, pa armë por me dokumente, që mund ta bëjë të pakthyeshme praninë shqiptare atje.

“Bota sot”: Si e komentoni pretendimin e autoriteteve serbe që thonë se shqiptarët nuk po aplikojnë në Policinë e Serbisë – a është kjo mungesë vullneti apo pasojë e mungesës së besimit dhe diskriminimit institucional?

Ragmi Mustafi: Kjo është një gënjeshtër e rafinuar për të justifikuar diskriminimin. Shqiptarët kanë aplikuar në të gjitha konkurset, por nuk janë pranuar. Është pikërisht diskriminimi sistemik dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve që i detyron të rinjtë të qëndrojnë larg. Nuk mungon vullneti – mungon barazia, drejtësia dhe besimi.

Bota sot”: Çfarë duhet të ndryshojë për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje?

Ragmi Mustafi: Duhet zbatimi i "Planit 7 Pikësh" si masa urgjente për afirmimin e drejtave të shqiptarëve që burojnë nga Marrëveshja e Konçulit. E që duhej të garantojë përfshirje të barabartë në institucionet shtetërore, ndalim të pasivizimit, njohje të diplomave nga Kosova e Shqipëria, tekste mësimore në gjuhën shqipe, dhe trajtim të barabartë për investime dhe zhvillim ekonomik. Por mbi të gjitha, duhet vullnet politik në Beograd dhe presion ndërkombëtar.

“Bota sot”: A ka pasur mbështetje të mjaftueshme nga Tirana dhe Prishtina për shqiptarët atje?

Ragmi Mustafi: Kosova tashmë e ka futur në linjën e vazhdueshme buxhetore, ka ndarë 4 milion euro shpresojmë që Shqipëria ta ndjek të njëjtin model. Shpesh është munguar një politikë kombëtare për Luginën e Preshevës, edhe pse ajo është pjesë e pandashme e çështjes shqiptare në rajon me Qeverinë e Kosovës.

“Bota sot”:. Si e shihni faktin që shqiptarët e Luginës nuk janë pjesë e dialogut Kosovë–Serbi, ndonëse pasojat i ndjejnë drejtpërdrejt?

Ragmi Mustafi: Shqiptarët e Luginës janë “temë”, por deri më tash nuk ka qenë “palë”. Ndryshe, nuk mund të flitet për normalizim pa adresuar çështjen e shqiptarëve të Luginës, të cilët jetojnë pasojat pa asnjë mekanizëm mbrojtës.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë në Luginë?

Ragmi Mustafi: Të mos dorëzohen. Të organizohen, të ndërgjegjësohen, të arsimojnë vetveten dhe të ruajnë identitetin. Liria nuk jepet, ajo fitohet. Lugina ka nevojë për mendje të ndritura, për kurajo dhe për unitet. E ardhmja e saj varet nga qëndrueshmëria dhe vizioni i të rinjve të saj

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat