Ngërçi politik, dialogu dhe politika e jashtme/ Politologu Maloku analizon situatën: Koha për zgjidhje të arsyeshme!

Intervista

Ngërçi politik, dialogu dhe politika e jashtme/ Politologu Maloku analizon situatën: Koha për zgjidhje të arsyeshme!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 qershor 2025 Në ora: 18:01
Kuvendi i Kosovës.

Në një kohë kur Kosova ndodhet pa institucione funksionale pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, në një intervistë për Gazeta “Bota sot” bisedoi politologu Albinot Maloku.

Ai foli mbi krizën politike dhe rrugët e mundshme të zgjidhjes.

Maloku e sheh situatën si një krizë të thellë politike dhe shoqërore, ku sipas tij po cenohet vetë logjika e veprimit politik. Ai kritikon mosrespektimin e votës së qytetarëve dhe thekson se demokracia pa përfaqësim real është në rënie.

Në lidhje me mundësinë e një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës, ai thekson se VV nuk mund të formojë institucione pa një marrëveshje të qartë me partnerë të tjerë dhe se manipulimi i rolit të “subjektit të parë” nuk është i pranueshëm.

Zgjidhja, sipas tij, qëndron në kthimin te racionaliteti dhe ndërtimin e një koalicioni që respekton rezultatin zgjedhor.

Ndërsa për dialogun me Serbinë, Maloku vlerëson se obligimet ndërkombëtare janë të qarta dhe të detyrueshme, përfshirë çështjen e Asociacionit. Ai pohon se Kosova ka përmbushur detyrimet e saj, ndonëse Serbia vazhdon me pengesa.

Në lidhje me zhvillimet në veri dhe politikën e jashtme, Maloku kritikon dobësimin e angazhimit diplomatik të Kosovës dhe mungesën e rezultateve konkrete, si në rastin e njohjes nga Ukraina.

Image
Albinot Maloku

Pavarësisht ndryshimeve globale, ai nënvizon se Kosova duhet të tregojë seriozitet dhe besueshmëri në raport me aleatët ndërkombëtarë.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Kosova aktualisht është pa një qeveri funksionale pas zgjedhjeve të shkurtit 2025. Si e vlerësoni situatën politike aktuale dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo për stabilitetin institucional dhe zhvillimin e vendit?

Albinot Maloku: Vlerësimet për situatën aktuale politike mund të jenë të ndryshme, gjithsesi të gjitha jo të mira, por mua më duket se po ndodhë shpërfytyrim i arsyes së të vepruarit politik. Shpërfytyrimi i arsyes është atëherë kur fjalët shndërrohen në monedhë të pavlerë dhe qëndrimet në mjete për manipulim, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një krizë politike, as institucionale – kemi të bëjmë me një krizë të vetë mendimit publik që mund ta kemi për demokracinë e rendin kushtetues të Republikës. Kurse për pasojat e kësaj gjendjeje patologjike politike mjaftueshëm kanë folur e shpjeguar si ekspertet e fushave veç e veç, pra të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, por edhe gjitha ato autoritete ndërkombëtare të cilat i kanë qëndruar aferë e në anën e Kosovës prej dekadash tashmë! Sikur, të gjitha këto nuk po ia lënë shenjë subjekteve politike përgjegjëse për mos respektimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së 9 shkurtit të vitit rrjedhës. Një demokraci që nuk respekton zërin e popullit i cili si akt bëhet publik përmes votës është një sistem në rënie të lirë – dhe kjo rënie, edhe pse e ngadaltë në pamje të parë, është gjithmonë e shpejtë në thelb.

Gazeta “Bota sot”: Po bisedohet për një koalicion të mundshëm mes LVV dhe NISMA fillimisht per konstituimin e Kuvendit dhe pastaj formimin e Qeverisë. Çfarë po e pengon një mundësi të tillë?

Albinot Maloku: Subjekti i parë pas zgjedhjeve, sidomos me fuqinë që ka akumuluar nga zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit rrjedhës, mbështetur në rregullimin kushtetues të Republikës është edhe i privilegjuar edhe përgjegjës, për të ofruar zgjidhje por edhe fajtor nëse nuk e bënë këtë. Po i afrohemi muajt të katër që kur janë mbajtur zgjedhjet në nivel vendi për zgjedhjen e deputetëve, për rrjedhojë edhe të formimit të Qeverisë së re të Republikës, e subjekti i parë ende nuk e pranon faktin se me 48 deputetët e saj, plus subjektet tjera partnere nga ish-qeverisja nuk mund të ec përpara as me zgjedhjen e kreut të Kuvendit e as të formimit të Qeverisë së re të Kosovës, pa një marrëveshje politike me një subjekt tjetër politik që ia ofron mundësin ti ketë minimalisht 61 vota nëse jo më shumë. Problemi është tek manipulimi në interpretim se të qenurit veç i pari pas zgjedhjeve të garanton mundësinë ta kesh kreun e Kuvendit, e që nuk qëndron në praktiken tonë, nga se edhe në zgjedhjen e kreut të Kuvendit përdoret togfjalëshi votim dhe jo emërim si shkak i së drejtës së propozimit duke qenë i pari pas zgjedhjeve. Është Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt e cila që në krye të herës e ka shprehur vullnetin të jetë i hapur për partnerit e marrëveshje politike pas zgjedhjeve me të gjitha ato subjektet politike që mund të formojnë institucionet e reja shtetërore, pra i hapur edhe me Lëvizjen Vetëvendosje. Gjithsesi, Nisma Socialdemorate i ka vetëm 3 deputet por mjaftueshëm të rëndësishëm për 48 deputetët pretendues për formimin e Qeverisë e zgjidhjen e kreut të legjislaturës së nëntë të Republikës së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj, Albin Kurti me shpjegimet e tija, duke i përmendur partnerët e tij parazgjedhor të cilëve nuk është se ua ka njohur subjektivitetin politik në zgjedhje, e duke i futur në listë si individ, se ata nuk na qenkan për t’i plotësuar kërkesat Nismës është manipulim që nuk i kalon mendjet racionale. Nisma duket e gatshme, por marrëdhënia nënkupton siç e shpjegonte vite më parë vetë kreu i Vetëvendosjes, marrje dhe dhënie mes palëve bashkëpunuese.

Gazeta “Bota sot”: Duke parë bllokadën institucionale momentale, sipas jush cilët janë skenarët që mund ta nxjerrin vendin nga ky ngërç politik?

Albinot Maloku: Skenari i parë e garantues është kthimi te racionaliteti, ikja nga manipulimi dhe njohja e faktit se qytetarët me 9 shkurt nuk i dhanë fuqi një Qeverie një partiake e as shumë partiake, por një koalicioni qeverisës. Koalicionit qeverisës, për respekt të zërit të popullit që foli me 9 shkurt do të duhej ti printe Lëvizja Vetëvendosje!

Gazeta “Bota sot”: Dialogu me Serbinë është kthyer në një çështje qendrore për Qeverinë Kurti. Si e vlerësoni angazhimin aktual të Kosovës në këtë proces dhe a mendoni se është i mjaftueshëm për të përmbushur angazhimet ndërkombëtare?

Albinot Maloku: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, vërtetë është shndërruar në shkatërrues të energjisë të secilës Qeveri në vend, por me Po-të e thëna nga palët ne vitin 2023 të Marrëveshjes së Brukselit e Aneksit të Ohrit, që të dyja ia kanë lidhur këmbët njëra-tjetrës drejt integrimeve evropiane me ecjet që do ti bëjnë në dialog. Kjo i bije që jo veç ish-Qeveria Kurti por secila Qeveri që do të vije do të përballët me dialogun dhe jetësimin e Po-ve të thëna nëse kanë ndarë mendjen se perspektiva e tyre është Bashkimi Evropian. Kosova në përmbushjen e obligimeve ka ecur mirë, Serbia ka vazhduar të bëjë obstruksione, e për rrjedhojë edhe Kosova ka provuar të luaj lojën e vetë. Ish-Qeveria Kurti, sikurse secila Qeveri tjetër e vendit i ka përmbushur obligimet e veta me aq kapacitet sa ka pasur.

Gazeta “Bota sot”: Në vitin 2023, keni theksuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një obligim ndërkombëtar për Kosovën. A mendoni se ky qëndrim është ende i vlefshëm, dhe si e shihni qëndrimin e Qeverisë Kurti ndaj kësaj çështjeje?

Albinot Maloku: Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, si nga lehtësuesi që është Bashkimi Evropian, e si nga aleatët tjerë, pra Shtetet e Bashkuara e Britania e Madhe janë konsideruar obligim. Veç kësaj, Republika e Kosovës është shtet dhe shtetet në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare marrëveshjet me shtet tjera i konsiderojnë të detyrueshme e të obligueshme. Ju kujtohet që pas Po-së së thënë në Bruksel e Ohër, në emër të Kosovës, Albin Kurti, në atë kohë kryeministër e në emër të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, president, lehtësuesi, pra Bashkimi Evropian e konfirmon se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”. Në relacion me këtë edhe për Asociacionin e Komunave me shumicën serbe në Kosovë vazhdon të mos ketë ndryshim të interesit nga ndërkombëtarët nga çkaqen, pavarësisht shpjegimeve që mund ti kemi ne apo Serbia.  

Gazeta “Bota sot”: Në kontekstin e tensioneve në veri të Kosovës dhe barrikadave të vazhdueshme, si e vlerësoni reagimin e institucioneve të Kosovës dhe ndërkombëtarëve ndaj këtyre zhvillimeve?

Albinot Maloku: Në këto pesë vitet e fundit ka pasur lëvizje të mirë në drejtim të përmbushjes së obligimeve të dalura nga marrëveshjet e ndodhura në mes të Kosovës dhe Serbisë, të prodhuara nga dialogu i nisur që në 2011 e këndej, sidomos nga Prishtina zyrtare. Secila garnitur qeverisëse në vend ka provuar me metodat e veta ta faktojë sovranitetin e Republikës të përmbyllur me pavarësin e vendit me 17 shkurt 2008, përmes shtrirjes së ligjshmërisë e kushtetutshmërisë në gjithë teritorin e vendit. Pra, edhe në pjesët nevraligjike ku Serbia si armik përmanent ka pasur angazhim destruktiv brenda territorit të Kosovës. Metodat e jetësimit të marrëveshjeve kanë variruar, nga ato që janë konsideruar nga nderkombëtart të pranueshme deri te ato që kanë hasur në papranueshmëri, pavarësisht se kanë qenë në letër. Edhe metoda e jetësimit të marrëveshjeve është politizuar, çoftë nga ndërkombëtarët, çoftë nga vendorët e çoftë nga Serbia, për qëllime të caktuara. 

Gazeta “Bota sot”: Në lidhje me politikën e jashtme të Kosovës, si e shihni mundësinë e njohjes nga shtete të tjera, si Ukraina, dhe çfarë do të thotë kjo për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare?

Albinot Maloku: Politika zyrtare e Kievit deri më tani nuk ka lëvizur asnjë gurë në lidhje me pozicionin mos njohës ndaj Kosovës, pavarësisht që vendi ynë ka provuar mbështetjen politike, diplomatike e faktike ndaj saj. Këtë pozicion, Ukraina shumë herë e ka thënë, posaçërisht përmes ambasadorit të saj në Beograd, pra mosnjohës në emër të së drejtës ndërkombëtare. Në anën tjetër ambasadori ukrainas në Tiranë ka deklaruar se e çmojmë ndihmën e Kosovës dhe se njohja është në rendin e ditës. Pra, diplomatët ukrainas kanë pasur qasje ambivalente në lidhje me diçka që nuk do të duhej vënë në dyshim, siç është më kryesorja njohja dhe pranimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ka patentuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Deri më tani më i saktë si qëndrim po vazhdon të jetë ai i ambasadorit ukrainas në Beograd. Njohja nga Ukraina do të faktonte dy çështje, mirënjohjen për angazhimin e Kosovës në përkrahje të luftës së tyre për shtetin dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk po bëhet dhe ky është problem i njëanshëm i Kievit por jo mos pasje e vullnetit për bashkëpunim nga ana e Prishtinës.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni ndikimin e zhvillimeve gjeopolitike globale, si ardhja e administratës Trump në SHBA, në politikën e jashtme të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me aktorë të tjerë ndërkombëtarë?

Albinot Maloku: Pavarësisht se kush e drejton Shtëpinë e Bardh, Kosova i ka obligimet e detyrimet e veta që të tregojë seriozitetin e vet si shtet e partner. Raporti aktual është jo ai i duhuri dhe kjo për fajin e Kosovës. Politika e jashtme e Republikës përgjatë mandatit të ish-Qeverisë ka pësuar një shkërmoqje të thellë si nga brenda e po ashtu edhe nga jashtë, konsiderojë të riparueshme, por me pasoja jo të lehta për vendin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat