Pasi mori pjesë në Kongresin Amerikan, duke e përfaqësuar dinjitetshëm Kosovën, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë, Elvana Shala, në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, ka treguar detajisht takimet dhe diskutimet që janë bërë në SHBA. Ajo thotë se Kosova është mirëpritur në SHBA dhe është vlerësuar lartë rruga e dialogut diplomatik. Ajo e thekson se tani ka rënie të interesimit mbi çështjen e Kosovës komplet nga arena ndërkombëtare për shkak të konflikteve aktuale që po ndodhin nëpër botë. Ambasadorja Shala flet edhe për takimet me përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur ende Kosovën.
“Bota sot”: Sapo keni prezantuar Kosovën në Kongresin Amerikan, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë. Ҫfarë lajme sillni për Kosovën nga SHBA-të?
Elvana Shala: Së pari përfaqësimi i Kosovës në konferencën vjetore të diplomacisë publike të Kongresit Amerikan ishte nderi më i madh që mund të më bëhej duke pasur parasysh se Kosova për herë të parë u ftua në këtë konferencë të nivelit më të lartë pjesë e së cilës ishin vetëm ambasadorët e akredituar në Uashington dhe Ministrat e Jashtëm të disa vendeve. Ajo që mund të them është se Kosova nën përfaqësimin tim u prit jashtëzakonisht mirë në këtë ngjarje dhe u vlerësua lartë rruga e dialogut diplomatik që ne kemi ndjekur për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin shtetëror. Lajmet më të mira që do të doja të ndaj me ju janë takimet e shumta të zhvilluara atje me zyrtar të lartë shtetëror dhe jo vetëm, si dhe gatishmëria për të mbështetur Kosovën në çdo formë të saj.
“Bota sot”: Në këtë Kongres ju keni diskutuar edhe për rëndësinë e dialogut diplomatik. Cili është qëndrimi amerikan ndaj Kosovës në këtë drejtim?
Elvana Shala: Siç e ceka më lartë SHBA-të vlerësojnë lartë rrugën e dialogut diplomatik që ne kemi ndjekur për të ardhur deri tek pavarësia e Kosovës, ndërtimi i paqes dhe stabilitetit shtetëror, për çka edhe jemi cilësuar si shembull në këtë drejtim. Por ajo që më brengos tani është rënia e interesimit mbi çështjen e Kosovës komplet nga arena ndërkombëtare për shkak të konflikteve aktuale që po ndodhin nëpër botë, për çka ne duhet ende të punojmë fortë që aleancën e ndërtuar me SHBA-në dhe BE-në ta mbajmë në fokus të arenës ndërkombëtare, duke ditur faktin se vazhdojmë të mbesim një shtet i ri dhe ende kemi nevojë për njohje të reja dhe ndërtime të reja të raporteve me shtetet mos-njohëse. Ajo që mund të nënvizoj në këtë drejtim është që shihemi si shtet shembull sa i përket dialogut diplomatik ndër vite.
“Bota sot”: Cilat ishin takimet më të rëndësishme që keni zhvilluar në SHBA gjatë kësaj vizite?
Elvana Shala: Takimet më të rëndësishme ishin ato me Ministren e Jashtme të Republikës Demokratike të Kongos, Ambasadorin e Ekuadorit në SHBA, Ambasadorin e Mozambikut në SHBA, Ambasadoret e Guatemales dhe Panamasë në Organizatën e Shteteve Amerikane, Zyrtar të Lartë të Bankës Botërore, dhe shefa të organizatave jo qeveritare të të drejtave të njeriut në Uashington, dhe kongresmen të ndryshëm. Një takim shumë i veçantë ishte edhe me themeluesen e Institutit Amerikan të Diplomacisë Publike dhe të Drejtave të Njeriut në Uashington me të cilët kemi biseduar për mundësinë e bashkëpunimit dhe themelimin e këtij instituti edhe në Kosovë duke qenë se tashmë veprojnë në më shumë se 100 vende të botës.
“Bota sot”: A keni takuar edhe përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën?
Elvana Shala: Po i kam takuar dhe natyrisht tema kyçe e bisedës ka qenë ndërtimi i marrëdhënieve tona diplomatike dhe mundësia e njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e tyre. Ajo që mund të them është që në çdo paraqitje timen ndërkombëtare çdo shtet jo-njohës vlerëson lartë historinë dhe rrugëtimin e Kosovës. Çështjet tjera janë puro politike.
“Bota sot”: Serbia për dëmet dhe kërcënimet që po i bën Kosovës nuk po dënohet nga Bashkimi Evropian. Por nga SHBA-të a kishte ndonjë deklarim për këtë ҫështje?
Elvana Shala: Jo nuk është diskutuar një gjë e tillë as gjatë takimeve e as gjatë konferencës. Ajo që mund të them nga këndvështrimi im është që administrata amerikane ka ndryshuar dhe bashkë me të edhe prioritetet. Personalisht mendoj që në këtë drejtim duhet të punojmë maksimalisht ne si shtet që aleancën me shtetet e BE-së ta forcojmë dhe ta kemi më shumë në anën tonë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që fushata serbe kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare është tejet e egër ndërkohë që ne në Kosovë ende preokupohemi me krijimin e institucioneve të reja pas-zgjedhore.
“Bota sot”: Nga SHBA-të keni kërkuar edhe drejtësi edhe për krimet e luftës, përfshirë edhe dhunën seksuale. Sipas juve, pse Serbia nuk po ndëshkohet për këto krime?
Elvana Shala: Kjo është çështje e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Mendoj që ende ne nuk kemi pasur një fushatë globale të duhur për të vënë drejtësinë në vend për viktimat e luftës. Një çështje tjetër është edhe çështja politike pra në një anë edhe Serbia ka aleatët e saj që e mbrojnë në këtë drejtim. Megjithatë nuk mund të them që nuk janë bërë lëvizje të duhura në këtë drejtim por ende pa ndonjë rezultat madhor konkret. Ndërkohë që tek pyetja pse po ndodhë kjo – janë një sërë faktorësh vendor e ndërkombëtar që po ndikojnë në këtë drejtim.
“Bota sot”: A mendoni se Kosova mjaftueshëm e ka ngritur zëri që Serbia të marrë dënimet e merituara për gjenocidin që ka kryer ndaj Kosovës?
Elvana Shala: JO ASNJËHERË NUK ËSHTË BËRË MJAFT. Ndryshe do të kishim rezultate konkrete. Punën më të madhe në këtë drejtim e kanë bërë organizatat tona jo-qeveritare ndërkohë që edhe institucionet shtetërore duhet ta kenë në agjendën e tyre ditore 24/7 këtë çështje. Mendoj që në çdo sekondë të shërbimit publik sidomos ndërkombëtar duhet të theksohen krimet e kryera nga ana e Serbisë e sidomos në çdo seancë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve tona.