Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, do të jetë sërish kandidat për kryetar në këtë komunë, por kësaj radhe ai do të garojë me një emër tjetër, “Për Drenasin Kampion”.
Në një intervsitë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur mbi punën që ka bërë e do të bëjë në të ardhmen për qytetarët e Drenasit, duke mos lënë anash as raportin me Partinë Demokratike të Kosovës(PDK).
Për raportin me PDK, Lladrovci thotë se nuk është ndarë nga Kryesia por nga ata që ka kanë ndikim të dukshëm në Kryesi, duke shtuar se ata do të përpiqen ta ndalin qeverisjen time të mirë.
Ai thotë se “Për Drenasin Kampion”, është vazhdimësi e organizimit të zgjedhjeve qendrore me arritje të shkëlqyer të bastionit.
Tutje, ai thotë se “elektorati i Drenasit i ka parë veprat e mia, performancën e shkëlqyer dhe gjashtë herë kampion, me transparencë e llogaridhënie, qeverisje me duar të pastra”.
Derisa, për sektorë të cilët kanë nevojë për përmirësime, Lladrovci nënvizon, se shërbimet publike kanë nevojë për më shumë investime, infrastruktura dhe zhvillimin e kompanive të vogla e të mesme etj.
Intervsita e plotë:
“Bota sot”: Zoti Lladrovci çka ndodhi mes jush dhe PDK-së, ose Lushtakut? Pasi jeni ndarë nga PDK-ja, cili është identiteti juaj politik sot?
Ramiz Lladrovci: Mes meje dhe PDK-së ka ngjarë një dukuri që nuk ka ndodh më parë, nuk jam nominuar nga Kryesia e PDK-së, si kryetar me rezultate të shkëlqyera në qeverisje lokale. Nuk jam ndarë nga PDK, po nga ata me ndikim të dukshëm në Kryesi.
“Bota sot”: Cili është raporti juaj aktual me strukturat dhe drejtuesit e PDK-së?
Ramiz Lladrovci: Raportet njerëzore janë normale, por, ndjej keqardhje për ata që janë nënshtruar në votim, edhe pse krejt Kryesia është e emëruar. Unë tashmë garoj me një emër tjetër në Drenas, dhe ata, do të përpiqen ta ndalin qeverisjen time të mirë.
“Bota sot”: A mendoni se ndarja juaj nga PDK-ja do të ndikojë në votat dhe përfaqësimin e kësaj partie në Drenas?
Ramiz Lladrovci: “Për Drenasin Kampion” është vazhdimësi e organizimit të zgjedhjeve qendrore me arritje të shkëlqyer të bastionit dhe mendoj se do të ketë ndryshime të mëdha në votë për subjektet tjera në garë. Bastioni nuk ka pasur nevojë për eksperimentin e garës “me Dedën Razë” dhe me logo.
“Bota sot”: Çfarë kritika keni për mënyrën si është udhëhequr PDK-ja kohët e fundit, ose realisht kush e udhëheq PDK-në?
Ramiz Lladrovci: Unë i kam thënë opinionet e mia, madje, moti pa filluar gara kam kërkuar transparencë dhe vendimmarrje të lidershipit, kjo nuk ndodhi. Përgjegjësia u shpërnda, për të mjegulluar burimin e ndikimit. Konsideroj se këto veprime kanë dëmtuar edhe degët tjera me vendime pa bazën elektorale.
“Bota sot”: Si do ta bindni elektoratin e Drenasit që të votojë për ju, edhe pa mbështetjen e PDK-së?
Ramiz Lladrovci: Elektorati i Drenasit i ka parë veprat e mia, performancën e shkëlqyer dhe gjashtë herë kampion, me transparencë e llogaridhënie, qeverisje me duar të pastra. Qytetari i Drenasit ju beson veprave e jo fjalëve e bedelëve të ndryshëm.
“Bota sot”: Cilat janë projektet kryesore që ju dallojnë nga kandidatët e tjerë, përfshirë ata të PDK-së?
Ramiz Lladrovci: Dallimin e bëjnë performanca e qeverisjes e cila matet nga donatorët e granteve, tri ambasadat, Zyra e BE-së dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, arritjet në fushat që përmirësojnë jetën e qytetarëve, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, etj. Realizimi i projekteve kapitale dhe qeverisja me duar të pastra.
“Bota sot”: A do të kërkoni bashkëpunim me PDK-në në të ardhmen për të mirën e qytetarëve, pavarësisht ndarjes?
Ramiz Lladrovci: Qeverisja lokale ka një qëllim, të mirën e qytetarëve, krijimin e perspektivës për të gjithë, ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, zbatimin e ligjit dhe barazisë para ligjit, për këto, në rend të parë kërkoj bashkëpunimin e qytetarëve.
“Bota sot”: Kalojmë te punët në komunën tuaj, cili është prioriteti juaj kryesor për Drenasin nëse zgjidheni kryetar?
Ramiz Lladrovci: Prioritetet i qeverisjes time në komunë ka qenë ngritja e cilësisë në arsim, shëndetësia, infrastruktura, zhvillimi ekonomik, ngritja e cilësisë së jetës së qytetarëve, gjasat dhe mundësitë e barabarta, krijimin i perspektivës për të rinjtë tanë, etj.
“Bota sot”: Çfarë investimesh konkrete do të sillni për zhvillimin ekonomik të Drenasit?
Ramiz Lladrovci: Tashmë po punohet në Qendrën e Biznesit Drenasi 2, Kemi shumë të interesuar për investime, jo vetëm aty por gjithandej pronave që ndodhen në komunën tonë. Drenasi është zemra e Kosovës dhe shumë atraktiv për investime, por, për këtë kërkohet edhe lehtësimi për të bërë biznes nga niveli qendror.
“Bota sot”: Cili sektor ka nevojë më shumë për përmirësime?
Ramiz Lladrovci: Shërbimet publike kanë nevojë për më shumë investime, infrastruktura dhe zhvillimin e kompanive të vogla e të mesme, ujësjellësi rajonal të bëj furnizimin me ujë, ndërmarrja e Pastrimit të ngris efikasitetin, etj.