Arjeta Salihu Abazi: Kosova ka nevojë për stabilitet, jo zgjedhje të njëpasnjëshme

Intervista

Arjeta Salihu Abazi: Kosova ka nevojë për stabilitet, jo zgjedhje të njëpasnjëshme

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 24 tetor 2025 Në ora: 15:40
Deputetja nga radhët Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arjeta Salihu Abazi

Deputetja e LDK-së, Arjeta Salihu Abazi në një intervsitë për “Bota sot”, ka folur për zgjedhjet e 12 nëntorit, duke i vlerësuar sukses për LDK-në.

Sa i përket koalicionit së LDK me VV në Vushtrri, ajo deklaron se LDK-ja është e qartë — çdo koalicion lokal duhet të miratohet sipas procedurave statutare, duke shtuar se respektimi i rregullave dhe Statutit është thelbësor për unitetin e partisë.

Derisa për mundësinë e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, ajo thotë se Kosova ka nevojë për stabilitet, jo zgjedhje të njëpasnjëshme.

Sipas saj, tre palë zgjedhje në një vit do të ishin barrë e madhe për vendin, derisa për deklaratat e Kurtit për shumicë, deputetja thotë se duken më shumë si strategji për të fituar kohë sesa plan real për qeveri të qëndrueshme.

Derisa për formimin e Qeverisë, Salihu Abazi, thotë se LDK është e gatshme të kontribuojë për stabilitet institucional, andaj nëse kryeministri s’i ka numrat, LDK do të bashkëbisedojë me opozitën për zgjidhje në interes të qytetarëve dhe vendit.

Intervista e plotë:

“Bota sot”:  Si e vlerësoni rezultatin e LDK-së në zgjedhjet lokale të 12 tetorit?

Arjeta Salihu Abazi: Rezultatin e 12 tetorit e vlerësojmë si një sukses të rëndësishëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përkundër sfidave të shumta politike, LDK ka arritur të ruajë dhe në shumë raste të rrisë bazën e saj elektorale, veçanërisht në diasporë ku ka dalë partia më e votuar. Kjo është një shenjë e qartë se mesazhi ynë për qeverisje të përgjegjshme dhe të qëndrueshme ka gjetur jehonë tek qytetarët tanë brenda dhe jashtë vendit.

Ky rezultat reflekton besimin afatgjatë që qytetarët kanë ndaj LDK-së si forcë institucionale, dhe për ne është edhe përgjegjësi që këtë besim ta shndërrojmë në qeverisje lokale të ndershme, efikase dhe zhvillimore.

“Bota sot”: Çfarë strategjie ka LDK-ja për të forcuar strukturat lokale dhe për të ruajtur besimin e elektoratit tani që në disa komuna veç jeni në balotazh?

Arjeta Salihu Abazi: Strategjia jonë është e qartë: forcim i strukturave lokale përmes një komunikimi më të drejtpërdrejtë me qytetarët, transparencë më të madhe dhe angazhim aktiv të degëve në terren. Po ashtu, po punojmë për të mobilizuar elektoratin tonë tradicional dhe për të fituar besimin e atyre qytetarëve që kërkojnë një qeverisje serioze dhe stabile. LDK gjithmonë ka qenë parti e institucioneve dhe e stabilitetit, prandaj edhe në këto komuna që jemi në balotazh do të hyjmë të përgatitur për fitore.

“Bota sot”: Në Vushtrri, Xhafer Tahiri bëri koalicion me VV. Cili është mendimi juaj për gjithçka që ngjau pas kësaj?

Arjeta Salihu Abazi: Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë shumë e qartë në qëndrimin e saj: çdo koalicion lokal duhet të kalojë përmes procedurave statutare të partisë. Për ne, respektimi i rregullave dhe i Statutit është themelor për funksionimin e partisë dhe për ruajtjen e unitetit të saj politik.

“Bota sot”: Ndonëse ky koalicion u kundërshtua nga kryesia e partisë, për disa po konsiderohet edhe si shenjë për një bashkëpunim në nivel qendror mes LDK-së dhe VV-së. Si e vlerësoni ju këtë?

Arjeta Salihu Abazi: LDK është një parti me traditë të gjatë institucionale dhe çdo vendim i rëndësishëm politik, përfshirë edhe çështjet që lidhen me bashkëpunime të mundshme në nivel qendror, merret vetëm përmes organeve të saj të rregullta vendimmarrëse. Çdo interpretim i veprimeve të izoluara si qëndrim zyrtar i partisë nuk është i saktë.

Ne jemi gjithmonë të hapur për dialog politik në funksion të stabilitetit institucional dhe interesit të qytetarëve, por vendimet strategjike merren me kujdes, me konsensus dhe në përputhje me vlerat dhe programin tonë politik.

“Bota sot”: Kurti la të hapur alternativën për zgjedhje nacionale. Si e komentoni këtë? A ka kapacitet vendi ynë të shkojë në tre palë zgjedhje brenda një viti?

Arjeta Salihu Abazi: Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, jo për zgjedhje të njëpasnjëshme. Shkuarja në tre palë zgjedhje brenda një viti do të ishte ngarkesë serioze politike, ekonomike dhe shoqërore për vendin, prandaj kjo nuk është zgjidhje  është pasojë e mungesës së përgjegjësisë politike nga qeveria aktuale.

Zoti Kurti ka deklaruar se i ka numrat për formimin e Qeverisë. Por tani mbetet të shihet nëse kjo do të konkretizohet në praktikë. Për momentin duket më shumë si një strategji për të mbajtur gjallë kuriozitetin e opinionit publik dhe për të fituar kohë, sesa një plan real për krijimin e një shumice të qëndrueshme qeverisëse.

Kosovës i duhet maturi politike dhe bashkëpunim ndërpartiak jo kriza të reja politike.

“Bota sot”: Nëse jo me VV-në, a keni ndonjë plan bashkëpunimi me subjektet opozitare në rast se Kurti nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë?

Arjeta Salihu Abazi: LDK ka treguar në mënyrë të përsëritur se është e gatshme të luajë rol konstruktiv për të garantuar stabilitet institucional. Nëse kryeministri aktual nuk i ka numrat, atëherë natyrisht që LDK do të diskutojë me të gjitha subjektet opozitare për të parë opsionet më të mira në interes të qytetarëve dhe të vendit. Interesi ynë kryesor është që vendi të ketë institucione funksionale dhe stabile.

“Bota sot”: A është opsion i pranueshëm për LDK-në shkuarja në zgjedhje?

Arjeta Salihu Abazi: Asnjë parti serioze nuk e synon shkuarjen në zgjedhje si opsion të parë, por LDK është gjithmonë e gatshme të përballet me qytetarët nëse kjo bëhet e pashmangshme. Për ne është më e rëndësishme që vendi të ketë institucione të qëndrueshme, mirëpo nëse mungon përgjegjësia politike nga qeveria aktuale, zgjedhjet mbesin një opsion demokratik dhe legjitim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat