​Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë mbështet marshin “Kosova po pret”, u bën thirrje bizneseve t’i bashkohen

Biznes

​Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë mbështet marshin “Kosova po pret”, u bën thirrje bizneseve t’i bashkohen

Më: 3 shtator 2026 Në ora: 11:36
Fotoilustrim

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur mbështetje për “Marshin për Liri”, nën moton “Kosova po pret”, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.

Kjo ngjarje organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në prag të përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Vendimi për ta bëhet i ditur më 16 shtator.

Organizimi synon të përcjellë mesazh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, si dhe për drejtësi dhe mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.

DHTIK u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve anëtare, punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që t’i bashkohen marshit më 12 shtator në Prishtinë.

Përmes pjesëmarrjes, Dhoma e Tregtisë thotë se synon të dëshmojë përkrahjen për lirinë, drejtësinë dhe vlerat e luftës për çlirimin e Kosovës.

“DHTIK beson se Kosova meriton të ecë përpara me dinjitet, drejtësi dhe respekt për sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e saj”, thuhet në njoftim.

“Marshi për Liri” do të nisë më 12 shtator, në orën 14:00, nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat