Deputetët shqiptarë në legjislaturën e re të Parlamentit të Serbisë, përfshirë edhe ata që do të bashkëpunojnë me Listën Studentore në Serbi, duhet të jenë zëri i popullit dhe ta përfaqësojnë vullnetin e shprehur të qytetarëve.
Gatishmëria e deputetëve shqiptarë për dialog dhe bashkëpunim me autoritetet e reja në Serbi është me rëndësi. Ata duhet t'u përgjigjen ofertave nga Lista Studentore në Serbi, pasi kjo listë arriti të sigurojë 53,01% të votave, duke fituar kështu 140 nga gjithsej 250 mandatet parlamentare.
Kjo listë do të ketë kryetarin e Parlamentit, mandatarin për kryeministër të Serbisë dhe presidentin e Serbisë. Bazuar në fuqinë që ka marrë përmes votave, do të udhëheqë me gjithë kabinetin qeveritar, që nënkupton edhe komisionet parlamentare obligative dhe ato ad hoc, si dhe institucionet e tjera, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Ushtrisë, Policinë, Shërbimin Informativ dhe instancat e tjera më të larta.
Lista e ka mundësinë të emërojë politikisht udhëheqës, prijës e liderë institucionalë që i përkasin Listës Studentore në Serbi. Kjo duhet të merret parasysh, prandaj jo vetëm deputetët shqiptarë, por të gjithë deputetët që u përkasin nacionaliteteve etnike dhe autoktone, hungarezët, shqiptarët, boshnjakët dhe bullgarët, duhet të bashkëpunojnë.
Vetëm duke bashkëpunuar do të duhej të parashtroheshin kërkesa reale, që pakicave në Parlamentin e ri t'u jepen pozitat e nënkryetarit të Parlamentit të Serbisë, zëvendëskryeministrit të parë, zëvendëspresidentit të Serbisë dhe udhëheqja e së paku një ministrie për pakicat.
Në këto rrethana, duhet të kërkohet edhe udhëheqja e Institucionit të Avokatit të Popullit, ndërmarrjeve publike, agjencive të tjera të pavarura dhe përfaqësimi proporcional në të gjitha instancat dhe mekanizmat e pozitave të larta në zinxhirin komandues të Ushtrisë, Policisë, Shërbimit Informativ, Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe në përfaqësitë diplomatike.
Lista Studentore në Serbi, nuk jam në dijeni saktësisht se çfarë ka premtuar në tubimet e tyre, në formën e protestave, por edhe gjatë fushatës, ndonëse ka publikuar një program të qeverisë së saj. Ende është herët të nxirret një konstatim i saktë se sa mund të shpresojnë shqiptarët për një ndryshim pozitiv, për një ndërrim të narrativës dhe diskursit të ndjekur.
Fillimisht, në këtë legjislaturë janë dy deputetë shqiptarë që përfaqësojnë Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, Krahinën e Sanxhakut dhe shqiptarët në Serbi e në Vojvodinë. Andaj, së pari dhe mbi të gjitha, duhet të koordinohen mes vete, por edhe me kryetarët dhe kryesuesit e kuvendeve komunale, si dhe me kryetarët e subjekteve të tjera politike shqiptare që nuk arritën të marrin vota për këtë legjislaturë.
Pra, shqiptarët duhet të jenë unikë dhe të parashtrojnë me shkrim kërkesën për krijimin dhe formimin e një komisioni parlamentar për hetimin e të gjithë të pasivizuarve, si dhe rikthimin e të gjitha adresave të pasivizuara të qytetarëve shqiptarë, jo vetëm në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, por në gjithë Serbinë.
Po ashtu, deputetët shqiptarë duhet të parashtrojnë pyetje parlamentare në formë interpelance, për të kërkuar sqarime, informacione me shkrim apo llogaridhënie nga ministritë përkatëse, kryeministri dhe presidenti. Duhet të kërkohet të dihet numri i saktë i të pasivizuarve, përmes një liste për Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe për shqiptarët në gjithë Serbinë. Gjithashtu, duhet të bëhen krahasime me nacionalitetet e tjera joshqiptare në komunat e Serbisë.
Deputetët shqiptarë kanë obligim ndaj votuesve që të ngrenë alarmin, duke njoftuar e sinjalizuar dhe duke ndërmarrë veprime emergjente, kërkuar, insistuar dhe këmbëngulur. Kështu, duhet t'i njoftojnë edhe instancat e Parlamentit dhe Bashkimit Evropian, por edhe SHBA-në dhe OKB-në.
Gjithashtu, duhet të kërkohet ndalimi i menjëhershëm i këtyre praktikave diskriminuese dhe të ofrohen mundësi për hetime të pavarura dhe transparente, duke siguruar e garantuar paraqitjen e numrit të saktë të të pasivizuarve. Duhet të nxirren para përgjegjësisë zyrtarët e lartë që kanë zbatuar në mënyrë selektive pasivizimin e adresave, përmes ushtrimit sistematik të diskriminimit dhe spastrimit etnik.
Pasivizimi, si pasojë e heqjes apo fshirjes së adresave, ka prodhuar efekte administrative, demografike dhe politike tepër të dëmshme e diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi.
Deputetët shqiptarë do të duhej të adresonin edhe përfaqësimin proporcional në të gjitha institucionet lokale dhe qendrore të Serbisë. Po ashtu, duhet të ngritin çështjen e referendumit të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992 në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të kërkojnë zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit, të arritur më 20 maj 2001, kthimin e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, i cili është hequr dhunshëm më 20 janar 2013, si dhe respektimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura.
Të kërkohet hapja dhe zyrtarizimi i vendkalimeve kufitare në Dobrosin, Breznicë, Miratocë, Muhoc dhe te Kapia, pasi ato paraqesin pengesa dhe vështirësi, duke mohuar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kjo është edhe një standard i dyfishtë i BE-së, sepse këto janë rregulla, norma dhe konventa evropiane që duhet të plotësohen nga Serbia.
Gjithashtu, duhet të kërkohet hapja e një instituti për ruajtjen e trashëgimisë, themelimi i një fakulteti në gjuhën shqipe, pse jo edhe themelimi i një universiteti publik.
Duhet të kërkohet edhe kthimi i forcave serbe në kazerma, pasi kemi shtim të pranisë së tyre në vendbanimet dhe lokalitetet shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Janë 48 minibaza në Zonën Tokësore të Sigurisë dhe kemi një militarizim të lartë.
Amnistia e ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk është respektuar. Pas Marrëveshjes së Konçulit, shumë ushtarë, pas dorëzimit të armëve nën mbikëqyrjen, monitorimin dhe garancinë ndërkombëtare, janë ballafaquar me ftesa të përsëritura për biseda informative, janë keqtrajtuar, maltretuar dhe ndaj tyre janë ngritur skenarë për burgosje e arrestime.
Policia Multietnike nuk është instaluar në përpjesëtim me popullatën, e as në hierarkinë komanduese të saj. Duhet të kërkohet që komandantët e stacioneve policore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të jenë nga nacionaliteti etnik dhe autokton shqiptar.
Deputetët shqiptarë duhet të parashtrojnë kërkesa për ndalimin e thirrjeve direkte si “Vdekje shqiptarëve”, si dhe të shkrimit të grafiteve e pankartave me mbishkrime ku shprehet gjuha e urrejtjes. Provokimet, frikësimet, kërcënimet dhe mesazhet kërcënuese ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë kanë për qëllim mbjelljen e frikës, në një klimë të tendencave të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim, spastrim etnik dhe diskriminim.
Deputetët shqiptarë do të përballen me sfida nga më të ndryshmet, por kërkohet që të jenë zëri i popullit dhe që kërkesat e tyre të mos mbeten vetëm në nivel deklarativ.
Deputetët shqiptarë, së bashku me të gjithë deputetët që u përkasin nacionaliteteve etnike dhe autoktone të hungarezëve, boshnjakëve e bullgarëve, duhet të bashkëpunojnë ngushtë, duke iniciuar debate dhe parashtruar kërkesa të përbashkëta. Por, duhet të insistojnë edhe për ndryshime kushtetuese dhe ligjore lidhur me vendet e rezervuara në Kuvend për nacionalitetet etnike dhe autoktone, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me interesat e tyre të përbashkëta. Bashkëpunimi duhet të vazhdojë gjatë gjithë kësaj legjislature të Parlamentit të Serbisë.
Shqiptarëve në Serbi u takojnë të drejta jo më pak se ato që i gëzon pakica serbe në Kosovë.