Si të ndihmojmë fëmijët të përballen me stresin nga Covid-19!

Këshilla mjekësore

Si të ndihmojmë fëmijët të përballen me stresin nga Covid-19!

Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 23:33
Foto ilustrim

Sikundër të rriturit, edhe fëmijët përballen me stres të shkaktuar nga shpërthimi pandemik i Covid-19. Ekspertët Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se fëmijët mund të reagojnë ndaj stresit në mënyra nga më të ndryshmet. Si rrjedhojë e kësaj situate të vështirë që po kalojmë shumë prej fëmijëve mund të bëhen më agresivë, të ndihen më të zemëruar, të trishtuar, etj.

Për të shmangur që këto ndjesi të rëndohen më tepër, ju duhet të tregoni shumë kujdes, dhe t’u përgjigjeni në një mënyrë më mbështetëse këtyre reagimeve të fëmijës, veccanërisht duke dëgjuar shqetësimet e tyre, të tregoheni më të përzemërt dhe të keni një vëmendje të shtuar ndaj tyre.

Ekspertët theksojnë më tej se veçanërisht në këtë periudhë, fëmijët kanë nevojë për dashurinë dhe përkujdesjen e më të rriturve më shumë se sa zakonisht. “Jepuni atyre kohën dhe vëmendjen e merituar. Dëgjojini ata, flituni me butësi dhe ofrojuni siguri. Aq sa është e mundur krijoni mundësinë e fëmijës të luajë dhe të relaksohet.  Përpiquni t’i mbani fëmijët pranë familjarëve. Nëse ndodh ndarja (hospitalizomi) siguroni për ta kontakte të rregullta, përshembull nëpërmjet telefonit dhe platformave të tjera’, vënë në dukje specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.

Njëkohësisht këshillohet që të ruani rregullin e përditshmërisë sa më shumë që të jetë e mundur, përfshirë këtu mësimet, apo edhe lojërat e reja të sigurta.

Siguroni fakte lidhur me atë që ndodhi, shpjegoni çfarë po ndodh tani dhe ofrojuni informacione të qarta se si të ulni rrezikun e infektimit nga sëmundja me fjalë të kuptueshme prej tyre. Kjo gjithashtu përfshin informacion lidhur me atë që mund të ndodhë nëse një i afërm, familjar apo vetë fëmija nuk ndihet mirë, mundet të shtrohet në spital për disa kohë, kështu që mjekët do e ndihmojnë për riaftësim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat