Kur duhet të shkoni te mjeku për të kontrolluar nishanet?

Këshilla mjekësore

Kur duhet të shkoni te mjeku për të kontrolluar nishanet?

Më: 25 qershor 2021 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Si fillim çfarë janë nishanet?

Nishanet janë zona të vogla me një përqendrim të lartë të pigmentit të lëkurës, melaninë - e cila u jep atyre ngjyrën e errët. Nishanet normale janë zakonisht në formë të rrumbullakët ose ovale, me ngjyrë të errët, të sheshtë ose pak të ngritur dhe me diametër 6 mm ose më pak. Ndonëse është normale të keni nishane në lëkurë, është e rëndësishme të keni kujdes sepse ato mund të shndërrohen në kancer lëkure në çdo kohë, veçanërisht me kalimin e viteve/plakjes.

Atëherë, si transformohen nishanet në kancer të lëkurë?

Kanceret e lëkurës zakonisht shkaktohen nga ekspozimi ndaj rrezatimit UV nga dielli, i cili mund të stimulojë ndryshime malinje në qelizat e lëkurës. Sidoqoftë, rrallëherë këto kancere mund të shfaqen edhe pa ekspozim UV. Ekzistojnë tre lloje të kancerit të lëkurës të shkaktuar nga rrezet UV, që korrespondojnë me tre lloje të ndryshme të qelizave të lëkurës:

- Karcinoma e qelizave bazale (BCC)
- Karcinoma e qelizave skuamoze (SCC)
- Melanoma

Kjo e fundit është më pak e zakonshmja, por më agresivja, që shpesh përhapet në pjesë të tjera të trupit dhe bëhet kërcënuese për jetën brenda disa javësh deri në disa muaj.

Sa më e zbehtë lëkura, aq më e ndjeshme është ndaj dëmtimit të rrezatimit UV dhe rrjedhimisht, aq më i madh rreziku. Sidoqoftë, edhe njerëzit me lëkurë më të errët duhet të jenë po njësoj vigjilentë.

Si mund t’i kontrolloj nishanet e mia?

Është përgjegjësia juaj të njoftoni mjekun për ndonjë nishan të dyshimtë. Kjo do të thotë gjithashtu se duhet ta kontrolloni rregullisht lëkurën për probleme të mundshme. 

Të paktën një herë në 1-2 muaj, para ose pas një dushi, ekzaminoni të gjithë trupin para një pasqyre të gjatë dhe mbani shënim çdo nishan apo zonë të pigmentuar. Mos harroni, kanceret e lëkurës mund të shfaqen kudo, madje edhe në zona që nuk janë të ekspozuara ndaj diellit. Shihni në shputat e këmbëve, në duar, gishtërinj, në krahë dhe ijë - kudo. Melanomat nuk priren të jenë të dhimbshme fizikisht, kështu që mënyra e vetme për t'i zbuluar ato është duke parë lëkurën tuaj.

A ndryshojnë nishanet gjatë shtatzënisë?

Nishanet shpesh mund të ndryshojnë në mënyrë të barabartë për shkak të efekteve hormonale të një shtatzënie, duke përfshirë rritjen në madhësi ose dukjen më të errët. Nëse një nishan ndryshon në mënyrë të parregullt ose të pabarabartë, nevojitet një vlerësim dermatologjik.

Nga ta di nëse duhet të shqetësohem për një nishan?

Në përgjithësi, duhet të shqetësoheni për çdo nishan që ndryshon ose është i parregullt në dukje. Nishanet normale janë zakonisht të ngjashme në formë dhe ngjyrë, kështu që krahasoni nishanet tuaja me njëri-tjetrin dhe vini re nëse dikush duket ndryshe nga pjesa tjetër. Shumica e nishaneve shfaqen para moshës 25 vjeç, kështu që vlen gjithashtu të shikohet çdo nishan i zbuluar rishtazi.

Sipas Këshillit të Kancerit të Australisë, mënyra më e mirë për të kontrolluar sistematikisht nishanet tuaja është të përdorni shkurtesën AKND:

Asimetria - A është nishani asimetrik përgjatë një boshti?
Kufiri - A është buza e nishanit e prerë, e paqartë, e pabarabartë ose e përhapur?
Ngjyra - A është ngjyra e nishanit njollë ose e ndryshueshme, apo po ndryshon me kalimin e kohës?
Diametri - A po rritet madhësia ose a është më e madhe se 7 mm?

Por kjo listë nuk është e gjitha. Do të ishte me vlerë të shtoni edhe:

Sipërfaqja e jashtme - A është nishani i ngritur, me gunga, i fortë, i kuq, i fryrë, i ashpër, me luspa etj? 
Ndjesia - A më kruhet, më dhemb kur e prek apo është e butë?

Kur duhet të shkojmë te mjeku?

Nëse i jeni përgjigjur me "po" ndonjë prej pyetjeve të mësipërme, sa më shpejt të shihni një mjek aq më mirë. Kanceret, veçanërisht melanomat, mund të rriten dhe përhapen me kalimin e kohës, kështu që gjetja e hershme është kritike. Edhe nëse nishanet tuaja nuk plotësojnë ndonjë nga kriteret e mësipërme, nuk ka garanci. Nëse keni dyshime, shihni një mjek.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat