Dhimbja e gjirit: Llojet e dhimbjeve dhe çfarë i shkakton (përveç periodave)

Këshilla mjekësore

Dhimbja e gjirit: Llojet e dhimbjeve dhe çfarë i shkakton (përveç periodave)

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 07:00
Ilustrim

Çfarë është dhimbja e gjirit?

Dhimbja e gjirit, e quajtur edhe mastalgji, është një gjendje e zakonshme në mesin e grave. Dhimbja zakonisht kategorizohet si ciklike ose jo ciklike.

Dhimbja është ciklike kur shoqërohet me ciklin menstrual. Dhimbja e lidhur me ciklin menstrual ka tendencë të ulet gjatë ose pas menstruacioneve. Në këtë rast, dhimbja shkaktohet nga hormohet.

Dhimbja jo ciklike mund të ketë shumë shkaqe, përfshirë dëmtimin e gjirit. Ndonjëherë dhimbja jo ciklike mund të vijë nga muskujt ose indet përreth sesa nga vetë gjiri. Dhimbja jo ciklike është shumë më pak e zakonshme se dhimbja ciklike dhe shkaqet e saj mund të jenë më të vështira për t'u identifikuar.

Mastalgjia mund të ndryshojë në intensitet nga një dhimbje e mprehtë në një ndjesi shpimi gjilpërash.

Shkaqet e dhimbjes së gjirit

Dhimbja e gjirit mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh. Dy nga shkaqet më të zakonshme janë luhatjet e hormoneve dhe gjinjtë fibrokistikë.

Luhatjet e hormoneve

Cikli menstrual shkakton luhatje të hormoneve estrogjen dhe progesteron. Këto dy hormone mund të bëjnë që gjinjtë të ndjehen të fryrë, me gunga dhe ndonjëherë të shkaktojnë dhimbje.

Gratë ndonjëherë raportojnë se kjo dhimbje përkeqësohet me rritjen në moshë për shkak të rritjes së ndjeshmërisë ndaj hormoneve. Nëse dhimbja e gjirit është për shkak të luhatjeve të hormoneve, zakonisht do të vini re që përkeqësohet dy ose tre ditë para menstruacioneve. Ndonjëherë dhimbja vazhdon gjatë gjithë ciklit menstrual.

Periudhat e zhvillimit që ndikojnë në ciklin menstrual të një gruaje dhe potencialisht shkaktojnë dhimbje të gjirit përfshijnë:

- puberteti
- shtatzënia
- menopauza

Kistet e gjirit

Me rritjen në moshë, gjinjtë përjetojnë ndryshime të njohura si involucion. Kjo është kur indet e gjirit zëvendësohen me yndyrë. Një efekt anësor i kësaj është zhvillimi i kisteve. Këto njihen si ndryshime fibrokistike ose ind fibrokistik i gjirit.

Gjinjtë fibrokistikë mund të ndjehen me gunga. Kjo zakonisht ndodh në pjesët e sipërme dhe të jashtme të gjinjve. Gungat gjithashtu mund të zmadhohen në madhësi rreth kohës së ciklit menstrual.

Ushqyerja me gji dhe dhimbja e gjirit

Gratë mund të përjetojnë dhimbje gjiri gjatë gjidhënies për disa arsye:

- Mastiti: infeksion i tubave të qumështit. Kjo mund të shkaktojë dhimbje të forta, çarje, kruajtje, djegie ose flluska te thithat. Simptoma të tjera përfshijnë vija të kuqe në gjinj, ethe dhe të dridhura.

- Teprica e qumështit: ndodh kur nëna prodhon më shumë qumësht nga sa konsumon foshnja. Kjo gjendje i bën gjinjtë të jenë më të fortë dhe të fryrë, më të ndjeshëm dhe të shkaktojnë dhimbje.

Shkaqe të tjera

Dhimbja e gjirit mund të ketë shkaqe të tjera, duke përfshirë:

- Dieta: Ushqimet që një grua ha mund të kontribuojnë në dhimbjen e gjirit. Gratë që hanë dieta jo të shëndetshme, të tilla si ato me shumë yndyrna dhe karbohidrate, mund të jenë në rrezik më të madh për dhimbje në gji.

- Shqetësime: Ndonjëherë dhimbja e gjirit ndodh për shkak të acarimit të gjoksit, krahëve ose muskujve të shpinës. Kjo është e zakonshme nëse jeni marrë me aktivitete të tilla si vozitje, ski në ujë etj.

- Madhësia e gjirit: Gratë me gjoks më të madh mund të përjetojnë shqetësime në qafë dhe shpatulla.

- Medikamente: Antidepresantët, terapia hormonale, antibiotikët dhe ilaçet për sëmundjet e zemrës, të gjitha mund të kontribuojnë në dhimbjen e gjirit.

- Pirja e duhanit: Pirja e duhanit rrit nivelet e epinefrinës në indet e gjirit. Kjo mund të shkaktojë dhimbje te gjinjtë.

A lidhet dhimbja e gjirit me kancerin e gjirit?

Dhimbja e gjirit zakonisht nuk është e lidhur me kancerin. Të kesh dhimbje gjoksi ose gjinj fibrokistikë nuk do të thotë se jeni në rrezik më të lartë për të patur kancer. Sidoqoftë, indet me gunga mund ta bëjnë më të vështirë ekzaminimet në mamografi. Një konsultë me specialistët e fushës mund të shqyrtojnë më mirë nëse dhimbja e gjirit ka lidhje me kancerin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat