Kujdesi i nënës për veten, redukton lodhjen gjatë rritjes së fëmijës

Këshilla mjekësore

Kujdesi i nënës për veten, redukton lodhjen gjatë rritjes së fëmijës

Më: 16 prill 2022 Në ora: 09:32
Foto ilustrim

Rritja e fëmijës nuk mund të realizohet në formën e saj më të mirë, nëse nëna nuk e fillon çdo gjë pikërisht nga vetja.  Ajo duhet të përkujdeset për veten deri në detaje, ajo duhet të njohë proceset fiziologjike që zhvillohen në trupin e saj gjatë shtatzënisë dhe periudhës së qumështit. Duke patur këto njohuri, ajo do të mund të ndërhyjë natyrshëm për veten. Kjo përkujdesje është e lidhur drejtpërdrejtë me lodhjen. Sa më shumë përkujdesje për veten e saj, aq më shumë do të mund të shmangë lodhjen gjatë procesit mahnitës, por të lodhshëm të rritjes së fëmijës.

Kujdesi personal është mëse i nevojshëm, por edhe duhet të jetë e rrethuar me kujdes nga partneri, familja e deri nga specialisti (mamia, infermierja, mjeku gjinekolog dhe pediatër).  Nëna duhet të ushqehet shëndetshëm dhe të kujdeset për linjat. Ajo duhet të përzgjedhë ushqimet, ushtrimet gjimnastikore, të kontrollojë  dhëmbët, të vishet përshtatshëm, të kujdeset për tualetin. Përdorimin e kremrave të përshtatshëm të trupit, që së bashku me ushtrimet gjimnastikore (palestër, not, shëtitje në park etj.), shërbejnë për të ruajtur elasticitetin e fibrave muskulore dhe shmangin depozitimin e indit dhjamor.

Flokët është mirë që të priten, pasi fëmija ka arritur moshën 4-muajshe. Në këtë periudhë ndodh një “shterie” hormonale. Në muajt e fundit të shtatzënisë, trupi i gruas prodhon hormone me “shumicë” për të përballuar procesin e lindjes dhe ardhjes së qumështit. Hormonet e kësaj periudhe prodhohen deri në muajin e katërt pas lindjes, më pas ky nivel hormonesh arrin në kuota normale. Ky pakësim hormonal shkakton tharje të lëkurës, flokut, etj. Në këtë periudhë është e këshillueshme të shtohet kujdesi ndaj vetes, nëpërmjet trajtimeve kozmetike. Këto trajtime kanë efekte sa fizike, aq edhe psikike.

Nëna, me kujdesin për veten, i tregon fëmijës se edhe ai kështu duhet të sillet me veten. Ajo i tregon se kujdesi për trupin, i cili është “kutia” ku është vendosur jeta e gjithsecilit, nuk mund të mos mirëmbahet. Nëse individi nuk e mirëmban trupin dhe e keqpërdor atë, kjo do të ketë për pasojë mungesën e një vlerësimi maksimal për jetën.

Nëna që e vendos veten në qendër të vëmendjes, rrjedhimisht do të jetë tepër e kujdesshme me fëmijën, përderisa ky lloj kujdesi e fokusi, janë mënyrë jetese brenda kujdesit për gjithçka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat