Asnjë aplikues, anulohet konkursi për drejtor ekzekutiv në Spitalin e Mitrovicës

Kosova

Asnjë aplikues, anulohet konkursi për drejtor ekzekutiv në Spitalin e Mitrovicës

Më: 21 mars 2024 Në ora: 11:56
Spitali i Mitrovicës

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka anuluar konkursin për drejtor ekzekutiv në Spitalin Rajonal të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”, pasi nuk kishte aplikuar asnjë kandidat.

“Për shkak se nuk është paraqitur asnjë kandidat, anulohet pjesërisht Konkursi Publik me nr.prot. 496 i datës 09.02.2024, pozita nr.1 ‘Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë’”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Konkursi për tre drejtorë të përgjithshëm në tri spitale rajonale, në atë të Mitrovicës, Ferizajt dhe të Gjakovës, ka qenë i hapur nga 9 shkurti deri më 9 mars 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, ShSKUK i ka publikuar emrat e kandidatëve, të cilët i kanë plotësuar kriteret për të vazhduar garën për drejtor të përgjithshëm në Spitalin e Ferizajt dhe atë të Gjakovës.

Përmes një njoftimi, ShSKUK ka bërë të ditur se në konkursin për drejtor të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, kriteret i kanë plotësuar: Gzim Shala, Jeton Zeqiri si dhe Ragip Bytyqi.

Ndërsa, për këtë pozitë në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, kriteret i kanë plotësuar: Hilmi Shala, Afrim Dervishi dhe Besart Gashi.

ShSKUK kishte përmirësuar kriteret e konkursit për drejtor të spitaleve, të cilat kritere i kishte vendosur në kundërshtim me statutin e saj, teksa i ka quajtur si “gabime teknike”.

Kjo pasi, fillimisht, në kriteret e këtij konkursi, thuhej se kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë së paku katër vjet përvojë profesionale, prej tyre dy në pozita udhëheqëse, i cili kriter ishte në kundërshtim me Statutin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Te kriteret dhe dokumentacioni i kërkuar, është bërë një gabim teknik sa i përket përvojës së punës. Menjëherë pasi kemi vërejtur këtë gabim teknik, Sektori i Burimeve Njerëzore ka lëshuar njoftimin me të cilin ka plotësuar – ndryshuar nga: së paku katër (4) vite përvojë pune profesionale, prej tyre dy (2) vite në pozitë udhëheqëse (vërtetim nga punëdhënësi dhe pasqyrën nga Trusti); ndryshohet në së paku gjashtë (6) vite përvojë pune profesionale, prej tyre tre (3) vite në pozitë udhëheqëse (vërtetim nga punëdhënësi dhe pasqyrën nga Trusti) “, thuhej në përgjigjen e ShSKUK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat