​Muzeu Kombëtar i Kosovës tash e disa ditë në terr, vizitorët s’mund të hyjnë brenda

Kosova

​Muzeu Kombëtar i Kosovës tash e disa ditë në terr, vizitorët s’mund të hyjnë brenda

Më: 22 mars 2024 Në ora: 10:57
​Muzeu Kombëtar i Kosovë

Tash e disa ditë Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk po mund të pranojë vizitorë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Dy sallat ekspozuese, në të cilat janë të vendosura shumë artefakte, si pasojë e një defekti në sistemin e rrymës, janë pa ndriçim.

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu në një intervistë për KP thotë se pavarësisht përpjekjeve të personelit teknik të muzeut dhe ekipeve të tjera nga Ministria e Kulturës dhe asaj të Punëve të Brendshme, nuk është arritur të rregullohet problemi i rrymës.

Ajo potencon se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, katër grupe të paralajmëruara për vizitë në muze, nuk kanë mundur t’i eksplorojnë sallat e ekspozitave.

Aliu: I kemi mbyllur dy sallat e ekspozitave për shkak të ndërprerjes së rrymës

"Kjo qëndron, në ndërtesën e muzeut nuk është që nuk ka energji elektrike, por i kemi mbyllur vetëm dy salla të ekspozitave, për faktin që është evidentuar një defekt jo vetëm në sistemin e rrymës. Kur them sistemin e rrymës, flasim për ndriçimin brenda sallave ekspozuese dhe në sistemin e alarmit. Aktualisht jemi në këtë periudhë, fillimisht jemi munduar që të evidentojmë përmes stafit, personelit teknik që e ka Muzeu Kombëtar i Kosovës. Pas disa përpjekjeve kemi vërtetuar që ne nuk është çështje që mund ta rregullojë stafi i Muzeut dhe normalisht i jemi nënshtruar procedurave të tjera. Dhe kjo ka sjellë për pasojë mbylljen e sallave ekspozuese”, thotë Aliu.

Për KosovaPress, Aliu tregon se në pamundësi për të hyrë brenda sallave të ekspozitave, dy grupe e kanë realizuar vizitën në oborrin e muzeut, duke marrë shpjegime nga ciceroni dhe të njëjtit janë përcjellë në Kompleksin Etnologjik "Emin Gjiku".

Ajo thotë se ka pasur edhe kërkesa të tjera për vizitë, porse janë lajmëruar se me rregullimin e defektit, do të mirëpriten.

Aliu: Ka pasur kërkesa për vizitë gjatë kësaj kohë sa kemi qenë pa energji elektrike

"Fatkeqësisht po, kemi pasur katër grupe të paralajmëruara, dy prej tyre kanë ardhur dhe e kanë realizuar vizitën me shpjegime të cilat janë dhënë nga ciceronët në oborrin e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe tutje janë përcjellë në Kompleksin Etnologjik "Emin Gjiku". Gjithsesi ka pasur edhe kërkesa tjera, dhe i kemi lajmëruar që në momentin që ky defekt të rregullohet, do t'i mirëpresim si herëve të tjera," thekson Aliu.

Përveç këtyre, Aliu thotë se ka adresuar çështjen edhe në Ministrinë e Kulturës, e cila ka shtuar angazhimet e saj, porse defekti ende mbetet i pranishëm. Ajo potencon se sipas ekspertizës së bërë, pritet që gjatë javës së ardhshme problemi me ndriçim të rregullohet.

Aliu: Pritet që javën e ardhme të rregullohet defekti

“Ne kemi adresuar çështjen në Ministrinë e Kulturës pas të gjitha verifikimeve që kemi bërë. Ministria ka shtuar angazhimet e saj dhe ka ardhur një ekip i profesionistëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe raporti apo ekspertiza e tyre dhe ekspertizën që e kemi pasur më herët e kemi integruar në një dhe e kemi dorëzuar. Besoj që deri në fillim të javës së ardhshme mbyllet procedura", potencon Aliu.

Gjatë vitit të kaluar, Muzeun Kombëtar të Kosovës e vizituan rreth 12 mijë vizitorë. Ndërkaq, sipas Ministrisë së Kulturës, projekti për renovimin dhe restaurimin e ndërtesës së muzeut ka kaluar edhe fazat e vlerësimit nga komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe shumë shpejt do të nisë procedura për angazhimin e operatorit që do ta bëjë restaurimin e saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat